Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Votat për PS, për të ndërtuar mbi themelet që hodhëm shtëpinë e shtetit modern, demokratik e dinjitoz të shqiptarëve

Të reja

Votat për PS, për të ndërtuar mbi themelet që hodhëm shtëpinë e shtetit modern, demokratik e dinjitoz të shqiptarëve

21 Jun 2017    

Fjala e kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në takimin elektoral me qytetarë të Elbasanit:

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

 

Kush ka një flamur në dorë ta valëvisë lart, që ta shikojë gjithë Shqipëria këtë dallgë kuqezi të Elbasanit që i bashkohet dallgëve nga Tropoja deri në Konispol e që do t’i bashkohet detit kuqezi të 25 qershorit!

 

Më vjen shumë mirë që sot, 4 vjet nga qershori i katër viteve më parë, jemi këtu për të kërkuar mbështetjen e Elbasanit dhe për të vazhduar rrugën që kemi nisur sëbashku.

 

Më vjen shumë mirë se kemi shumë gjëra për të treguar, por, siç mund ta keni parë dhe në takimet e mëparshme, unë nuk preferoj që të bëj listën e gjatë të gjërave që kemi bërë, por dua të flas për sa shumë akoma kemi për të bërë, sepse në 44 muaj, ne vërtet kemi bërë shumë, por, padiskutim duhet edhe shumë më shumë akoma. Në 44 muaj, ne thjesht kemi vendosur themelet për të ndërtuar shtëpinë e shtetit modern, demokratik e dinjitoz të shqiptarëve.

 

Sidoqoftë, për këdo që sot është ende në mëdyshje se si do të votojë në 25 qershor, është shumë e rëndësishme që ta kthejmë kokën pas për një moment dhe të shikojmë që vetëm 44 muaj më parë Shqipëria ishte e ndarë, gjysma e popullit paguante energjinë elektrike dhe gjysma tjetër nuk e paguante, ose e vidhte.

 

Shqipëria ishte e ndarë në njerëz të urtë, të ndershëm, që zbatonin ligjin, paguanin të gjitha detyrimet e tyre, e në njerëz të fortë, njerëz të lidhur me partitë e pushtetit, njerëz që nuk e zbatonin ligjin e ia hidhnin shtetit.

Shqipëria ishte e ndarë në njerëz që e zbatonin semaforin dhe njerëz që nuk donin t’ia dinin për semaforin.

Shqipëria ishte në prag të një humnere tjetër pas asaj të ’97, një humnerë financiare me një kolaps energjetik, me një mal borxhesh të fshehura që ne u detyruam t’i shlyejmë një e nga një, sepse bindja jonë që në fillim ishte se nuk mund t’iu kërkojmë të gjithëve të paguajnë detyrimet që u takojnë, nëse shteti vetë nuk paguan detyrimet ndaj të gjithëve.

 

44 muaj më parë, në këtë orë, këtu, në Elbasan fillonte ndihej era e mushkërive kanceroze të qytetit për shkak të malit me plehra në mes të qytetit që digjej çdo natë dhe shkatërronte çdo mbrëmje të familjeve të këtij komuniteti të mrekullueshëm.

 

Sot ne bëmë atë që kur e thamë atëherë, askush nuk e besonte dhe sot Elbasani merr frymë lirisht, ndërkohë që ka kompleksin më modern në Shqipëri, të trajtimit të mbetjeve.

 

Shumë shpejt nga ai kompleks do ndërtohen 60 hektarë sera dhe do të prodhohet energji për qytetin.

 

Sigurisht që, e përsëris, sado e gjatë të jetë lista e gjerave që kemi arritur, nuk mjafton për të thënë se ne këtu mundet thjesht të themi: “shikoni sa shumë gjëra kemi bërë”.

 

Ama, një provë, që, askush tjetër nuk e dha në çerek shekulli, ne ua dhamë shqiptarëve, provën se jemi forca e duhur në kohën e duhur, në vendin e duhur, për ta bërë Shqipërinë shtet, më në fund, për të gjithë shqiptarët!

 

Miqtë e mi,

 

Shumëkush, sidomos ata të cilët e kanë privilegjin e një mikrofoni, një ekrani, një portali janë vërsulur e sulmojnë programin tonë të Rilindjes Urbane.

Thonë, çfarë nuk thonë!

 

Por unë di t’ju them vetëm kaq, që, nëse ne në 25 qershor do të marrim besimin e shqiptarëve për ta pasur timonin e reformave të qeverisjes pa qenë të detyruar të ulim të tjerë në prehër, era e Rilindjes Urbane që ka filluar të fryjë në Elbasan, në Belsh, në Cërrik, Përrenjas, Librazhd e kështu me radhë, do të fryjë deri në fshatin më të largët.

 

Trotuaret, sheshet, ndriçimi, gjelbërimi, parqet për fëmijët e të moshuarit, çerdhet, kopshtet, shkollat nuk do të jenë më privilegji vetëm i qyteteve, por do të jenë normaliteti i bashkive të reja, do të jenë normaliteti i komuniteteve kudo ku jetojnë.

 

Kundërshtarët tanë i quajnë të gjithë këto gjëra prioritete të gabuara.

 

Sipas tyre, është e gabuar të mendosh se njerëzit kanë nevojë të ndihen njerëz, se familjaret kanë nevojë të ndihen familjarë edhe kur dalin jashtë shtëpisë së tyre dhe qytetarët kanë nevojë të ndihen komunitet.

 

Për ta qytetet duhet të vazhdonin të ishin gropa të zeza ku njerëzit mbushin barkun me bukë e vazhdojnë të flenë gjumë e ku nuk mund të dalin të bëjnë një shëtitje.

 

Për ne kjo nuk është çështje fasadash, - siç thonë ata, - kjo është çështje qytetërimi!

 

Kjo është çështje dinjiteti për çdo djalë e çdo vajzë që dashurohen, që martohen e lindin fëmijë jashtë Tiranës.

 

Kjo është çështje dinjiteti për çdo gjyshe e çdo gjysh që nxjerrin nipërit e mbesat nga shtëpia.

 

Kjo është çështje dinjiteti për çdo komunitet.

 

Por këta janë kaq të paditur e kaq të verbër sa harrojnë se vetë demokracia lindi nga sheshi.

 

Tani imagjinoni sikur, çka ne nisëm 44 muaj më parë, të ishte nisur çerek shekulli më parë!

Imagjinoni sikur transformimet që ne nisëm aty, ku nis transformimi i çdo qytetërimi të ri e ku duhet të niste transformimi i qytetërimit demokratik, të kishte nisur çerek shekulli më parë!

 

Sot nuk do të kishte fshat që nuk do kishte rrugën e asfaltuar. Nuk do kishte qendër të banuar, sado të vogël që nuk do të kishte komunitet, njerëz që jetojnë sëbashku në hapësirën publike. Imagjinoni çfarë do ishte Belshi sot, sikur të kishte filluar çerek shekulli më parë, ajo që ne e kemi filluar vetëm 44 muaj më parë.

 

Unë ju siguroj se, dita kur i gjithë ky qark do të jetë një zonë e preferuar turistike e Shqipërisë nuk është e largët.

 

Dita kur në të gjithë hapësirën jashtë qyteteve, jashtë qytetit të Elbasanit do të zhvillohet agrobiznesi, agroturizmi e do të zhvillohen sipërmarrje që krijojnë punësim dhe mirëqenie falë bukurive të natyrës së kësaj zone, nuk është e largët.

 

Keni që në vitin 1991 që i dëgjoni.

 

Vazhdojnë përsërisin të njëjtën gjë sa herë ka një fushatë elektorale.

Nuk dallohen, madje as ku ndryshojnë nga njëri-tjetri.

Të gjithë vijnë e thonë, “taksat do t’i ulim përtokë, shpenzimet do t’i çojmë në hava. Na jepni ju votën ne e ne do bëjmë mrekullira për ju”.

Ku i kanë? Pse nuk i bënë? Cilët nga këta nuk u provuan, stërprovuan, dogjën dhe përvëluan duke djegur e përvëluar ëndrrat e shpresat për çerek shekulli me radhë.

 

Cilat taksa do ulin këta?

 

Do ulin taksën e biznesit të vogël që ne e kemi zero?

 

Do ulin taksën e biznesit të madh, që ne e kemi 15%?

 

Jo. Nuk kanë për ta ulur taksën e biznesit të madh, sepse kush fiton më shumë do paguajë më shumë. 

 

Çfarë do bëjnë këta? Do i ulin taksat vetes dhe do ia ngrenë pastrueseve, infermiereve, mësueseve, mjekëve, siç bënin deri në vitin 2013!  

Ne ulëm taksat për 97% të shqiptarëve. Kush përpiqet të thotë të kundërtën është vetëm një gënjeshtar. Sot, çdo mësuese mund ta bëjë llogarinë shumë thjeshtë.

Sa taksa i paguante shtetit deri në vitin 2013, sa paguan sot?

Sa e kishte rrogën deri në vitin 2013, sa e ka sot?

Këtë llogari mund ta bëjnë të gjithë ata që punojnë sot në shtetin shqiptar.

Ne nuk kemi premtuar asnjëherë mrekulli dhe unë nuk ju premtoj mrekulli, por ama ju them se, nëse do të na jepni fuqinë për të mos qenë të detyruar që të bëjmë kompromise për të krijuar qeverinë në kurrizin tuaj, në 4 vitet e ardhshme ne do të vendosim 600 milionw dollarë për rritjen e rrogave 40%.

Në 4 vitet e ardhshme, ne do të vendosim 240 milion dollarë për rritjen e pensioneve çdo vit. Në 4 vitet e ardhshme ne do fillojmë shumë shpejt për të shkuar më tutje me rrogën minimale 300 mijë lekë.

Në 4 vitet e ardhshme ne do të vendosim 238 milion dollarë financim direkt për fermerët. Ama, pa i ndarë fermerët në parti, pa i ndarë lopët në parti, pa i ndarë delet në parti, pa i ndarë pemët dhe kokrrën e ullirit në parti.

Për ne, çdo shqiptar që punon tokën është një patriot që duhet mbështetur nga shteti, pavarësisht se për kë voton, pavarësisht se çfarë bindjesh ka dhe pavarësisht nëse ka votuar, apo jo ndonjëherë për ne.

Miqtë e mi,

Kush ka premtuar parajsën në këtë vend, vetëm ka ricikluar ferrin.

Kush ka premtuar ta luftojë varfërinë, papunësinë, korrupsionin me recetat magjike të fushatave që edhe sot e gjithë ditën i bëjnë njësoj, nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse i ka thelluar ato.

Tani unë po iu them, Shqipëria ka akoma varfëri.

Shqipëria ka akoma papunësi.

Por varfëria dhe papunësia nuk lindën 44 muaj më parë.

Asnjë qeveri tjetër nuk e ka luftuar varfërinë dhe papunësinë siç kemi nisur ta luftojnë ne. Varfëria dhe papunësia, si plagë kronike të trashëguara, nuk luftohen me lëmosha, nuk luftohen duke bërë sikur dhe duke hedhur në kurriz të fëmijëve borxhet që i marrin politikanët dhe ua faturojnë gjeneratave të tjera.

Varfëria dhe papunësia kronike luftohen me reformat që bëjnë shtet.

Ekonomia nuk rritet me receta që s’kanë funksionuar kurrë. Ekonomia nuk rritet duke kopjuar çfarë thonë të tjerët në Europën e zhvilluar, sepse në Europën e zhvilluar nuk kanë problemin që kemi ne, e kanë bërë shtetin me kohë. Ndërsa këtu ne duhet të bëjmë shtetin. Në 4 vitet e ardhshme nëse do të na e jepni fuqinë që na duhet, do ta rrisim ekonominë mbi 5%.

Asnjëherë, kurrë, ata magjistarët e fushatave që vijnë vërdallë nëpër Shqipëri, njëri thotë kam një program gjermano-amerikan dhe pa pikën e zorit, si me qenë Tit Sojli i shkretë - që dikur iu shiste fshatarëve sahatin e Tiranës kur vinin te Treni, - kërkon të shesë një fotografi me Presidentin e Amerikës.

Unë ju siguroj që po ta shohë Presidenti atë fotografi, nuk e njeh kush është ky çuni fare.

Tjetri del edhe thotë, “kam një plan”. Mbrapa ka atë tjetrin që vetëm çirret e ulëret. Po kur del dhe ai Beni juaj e thotë do t’ju japë 1 mijë euro për bebe. Këta janë të gjithë një tufë artistësh cirku. Këta nuk kanë lidhje me çfarë ka nevojë ky vend sot. Nuk kanë lidhje. Votat për ta janë vota të hedhura në lumë. Votat për ta janë vota që nuk i duhen dreqit, jo Shqipërisë që duam.

Unë ju them shumë thjeshtë. Ka njerëz plot nga këta që përpiqen ta bindin këtë popull se unë kërkoj më shumë pushtet për vete. Ama, po të doja më shumë pushtet për vete, po të donin ne më shumë pushtet për vete, sot nuk do ishim këtu në miting. Sot do kishim mbaruar zgjedhjet, të dielën që kaloi, do kishim marrë 100 mandate dhe Luli do ishte akoma në çadër, duke iu lutur Zotit që të bjerë shi se do të përvëlohej nga temperaturat e larta.

Ne bëmë një marrëveshje me Partinë Demokratike. Të gjithë këta që e komentojnë dhe që kërkojnë të gjejnë tek ajo marrëveshje hilera, prapaskena, komplote, konspiracione, janë ata që kanë çerek shekulli që jetojnë, hanë, pinë, duke u marrë vetëm me këto punë dhe që i duan shqiptarët të ndarë, të përçarë, të paditur që të mundet të përfitojnë më lehtë nga varfëria e tyre, nga mërzia e tyre, nga dëshpërimi i tyre. Këta nuk kanë lidhje me Shqipërinë që duam.

Marrëveshja që ne bëmë nuk ishte interesi partiak i socialistëve, por ishte interesi i Shqipërisë dhe duan, s’duan të tjerët, ka vetëm një parti sot, që e përputh plotësisht dhe vetëm me interesin e Shqipërisë dhe me ngjyrat e këtij flamuri, që është Partia Socialiste e Shqipërisë.

Më vjen shumë keq!

Më vjen sinqerisht shumë keq, që  aleatët tanë me të cilët ishim në koalicion, - bëmë reforma shumë të rëndësishme, bëmë punë shumë të mira për të ndërtuar shtetin që ne duam, - sot kanë dalë nga binarët e arsyes, çirren, bërtasin, kërcënojnë dhe në vend që të jenë krenarw për reformat që ne kemi bërë, sulmojnë çdo reformë, gjë që të bën të mendosh se reformat i kanë votuar as se i kanë dashur, as se i kanë kuptuar, por vetëm se kanë dashur të rrinë aty për tepsinë e pushtetit.

A i keni parë?

A i keni dëgjuar?

Bëjini pyetje vetes, si shpjegohet që të gjithë këta komplet që të gjithë, që nga Luli, te Petriti e te shokët me radhë, deri te ai Beni juaj janë kundër reformës në arsim?

Dje, Luli në Berat tha: “Edi Rama iu mbylli universitetin e Beratit dhe ne do ta hapim prapw”. Tani ta marrin vesh gjithë prindërit e Shqipërisë çfarë ishte universiteti i Beratit.

Universiteti i Beratit ishte ish materniteti i Beratit, që për turpin e tyre, ia dhanë një ndërtuesi, e lanë Beratin pa maternitet dhe aty ai ndërtoi piramidën e UFO-s.  

Aty ai shkatërroi ëndrra, shpresa, investime, kursime të prindërve dhe të fëmijëve me ato diplomat pa pikë vlere. Si mundet që nga njëra anë, të dalësh dhe të thuash reforma në arsim, favorizon privatët dhe nga ana tjetër të shkosh dhe të thuash që në Republikën e Re do të ringjallen Ufot, Vitrinat, kristalet, magazinat, llamarinat, teneqet, dërrasat. Për një arsye shumë të thjeshtë se të gjithë këta që janë kundër reformës në arsim, pa dallim nga republika e re, te shansi për të gjithë, janë partitë e atyre universiteteve që ne i mbyllëm dhe nuk do kthehen më në Shqipëri për të thithur gjakun, djersën dhe për të vrarë ëndrrat e prindërve të fwmijwve.

Reforma jonë e arsimit mund të mos jetë e përsosur, mund të ketë plot gjëra që duhen përmirësuar. Ama le të çohet njëri dhe të thotë që ia ka prerë mendja 44 muaj më parë, se ne do arrinim kaq shpejt në ditën kur, për të hyrë në universitet, djali i një familjeje në fshatin më të largët të Elbasanit, nuk parakalohet dot as nga djali im, as nga djali i Taulantit, as nga djemtë e politikanëve, nëse ka më shume pikë se ata nga mesatarja dhe matura shtetërore.

Kush tjetër përveç nesh mund ta bënte këtë?

Ata që i qajnë hallin rinise, Shqipërisë janë të mërzitur sepse për të hyrë në universitet sot, nuk ka më rëndësi si e ka emrin babi, nuk ka më rëndësi sa lekë ka mami. Nuk ka rëndësi, kë ka kushëri gjyshi, e nuk ka më pikë rëndësie, nëse do apo nuk do ta marrësh një teser partie. Nuk ka më derë nga mbrapa për t’i futur të rinjtë në universitet me kopje e për të lënë jashtë ata që nuk i kanë këto. Kjo është Shqipëria që duam ne, për fëmijët e socialistëve dhe demokrateve.

Unë i them prindërve që thonë kemi bindje të djathta, që thonë jemi anëtarë të Partisë Demokratike, “Me votën tuaj çfarë do bëni? Do ti gjeni Lulit një punë që nuk di ta bëjë apo do mbështesni punën tonë që fëmijët tuaj të marrin arsimin e merituar.

Nuk bëhet fjalë që t’i themi atyre që kanë bindje të djathta, ndërrojini bindjet tuaja, bëhuni të majtë. As atyre që janë anëtarë të PD-së të bëhen anëtarë të PS-së. Nuk bëhet fjalë për këtë. Bëhet fjalë për diçka tjetër.

Zgjedhjet e 25 qershorit nuk janë si ndeshjet këtu në stadium, qendra e votimit nuk është si tribunë dhe fleta e votimit nuk është biletë për t’u futur këtu e për të bërë tifozllëk.

Në zgjedhjet e 25 qershorit, çdo qytetar që ka të drejtë vote është anëtar i gjykatës popullore me 1.5 milion njerëz e aty nuk do shkojë të bëjë tifozllëk, por do shkojë për të gjykuar. Jo me zemrën që e ka tek partia, por me mendjen që e ka tek Shqipëria. Kush janë njerëzit që duhen marrë në punë për Shqipërinë për katër vitet e ardhshme që të drejtojnë punët e vendit e të bëjnë punët që i duhen njerëzve të këtij vendi.

Kjo nuk ka lidhje me partitë. Kjo ka lidhje me skuadrën që është më në formë. Kjo ka lidhje me të vetmin program për të bërë shtet e për ta çuar flamurin kuqezi në oborrin e Europës së bashkuar. Kjo ka lidhje me vizionin europian dhe kokëfortësinë tonë shqiptare. Ata të tjerët nuk i kanë të gjitha këto.

Luli del nëpër Shqipëri dhe thotë, “Edi Rama tregon barcaleta, kurse unë kam një plan. Unë kam një program”.

Sot kishte ndërruar pantallonat, se më mërziti shumë duke u marrë me tutat e mia. U detyrova t’i them që mos u vish llogaritar kooperative, me dok të bardhë. Sot ishte veshur me pantallona të zeza. Një hap i mirë përpara. Por Luli nuk është gati. Nuk është gati për të kuptuar se çfarë i duhet këtij vendi.

Nuk është gati sepse mbi të gjitha, është siç i thonë fermerët e Shqipërisë së mesme, shalqi me provë. Lulin e kanë provuar tiranasit. E çuan katër vjet në bashkinë e Tiranës dhe larg qoftë me iu turr prapë atij shalqiu, iu doli kungull. Dilte nëpër Tiranë me bukë në dorë dhe thoshte, kjo buka është shumë e shtrenjtë se këtu ndikojnë çmimin klanet e betonit. Më jepni votën e do jua bëj bukën më të lirë. Ia dhanë votën, ca vota i mori si i mori, buka u rrit, Luli nuk rregulloi dot as sahatin e Tiranës, katër vjet!

Miqtë e mi,

Jemi në fazën kur duhet ta ndajmë, do e ndërtojmë shtëpinë e shtetit shqiptar apo jo? Sepse kemi vënë themelet dhe kemi dy gjëra shumë themelore që ta garantojmë ndërtimin e kësaj shtëpie. E para që ndodhi falë nesh, kur të gjithë thonin nuk bëhet, e ne thonim “o do bëhet o do bëhet”, u bë fakt. Vettingu ka filluar por kujdes, sepse Luli tha, “më 25 qershor nuk do votoni për reformën në drejtësi. “Reforma në drejtësi është e kryme”.

Asgjë nuk është e kryer, nëse ne nuk jemi në krye të vendit. E po ju them, ndajeni mendjen, nëse doni që të zbatojmë deri në fund reformën, që të çojmë përpara drejtësisë gjykatësit e prokurorët që ia kanë nxirë jetën këtij populli për 27 vjet, e pastaj shikoni të hapen kapakët e pusetave për zullumet e politikanëve, atëherë keni vetëm një rrugë. Mos e shpërndani votën por investojeni tek garanti. E garanti ka vetëm një emër; Partia Socialiste e Shqipërisë!

Na duhet ta hapim portën e haurit të administratës së shtetit që ka 27 vjet që është kthyer në tepsinë e partive të pushtetit. Kjo nuk është luftë me asnjë parti. Kjo është luftë për të përmbysur një sistem, ku partitë i marrin votat nga njerëzit e pastaj njerëzve u nxihet jeta nëpër hipotekat, patentat, licensat, dokumentet, certifikatat e zyrave të partive.

Nëse do t’i bëjmë me kurajë dhe të bashkuar këto dy gjëra, do të shikoni se sa më shpejt do të ecë Shqipëria, e sa më shpejtë do të rritet ekonomia. Sepse nuk do ketë më tmerre, as në gjykata, as në zyrat e shtetit. Por këtë nuk e bëj dot unë. Nuk e bën dot Taulanti. Nuk e bëjmë dot të gjithë ne atje në Tiranë po nuk e bënë shqiptarët e bashkuar me një votë kuqezi.

Prandaj i them të gjithëve, socialistë e demokratë, bindjet janë bindje, Shqipëria është mbi bindjet!

Një amanet porosi, për gratë e vajzat e qarkut të Elbasanit, si nëna, si gjyshe, si vajza, si motra, pa dallim. Republika e re e Lulit mendon që i gjithë ky qark nuk ka të drejtë të përfaqësohet në parlament me një grua të vetme dhe e ka mbushur listën me burra dhe gratë i ka vënë poshtë listës, duke paguar gjobë.

A e kuptoni një parti politike që thotë, dua të marr pushtetin, të bëj Republikën e re që shkel ligjin në 5 qarqe e paguan gjobë se nuk ka gra.

Kjo është e patolerueshme, e pagëlltitshme, prandaj gratë dhe vajzat duhet t’i japin përgjigjen e merituar Lulit dhe fantazmës së republikës së re. Duhet të bashkohen me një votë kuqezi, me parimin që të majta apo të djathta, mbi të gjitha, gratë dhe vajzat meritojnë të respektohen njësoj si burrat dhe si djemtë e kush nuk i respekton, por i diskriminon, duke i vënë në fund të listës si dikur që  linin në fund të oborrit në këmbë, kur burrat hanin mish dhie me raki, nuk mund të marri votën e grave dhe vajzave të Elbasanit, as të socialisteve, as të demokrateve dhe të asnjë guraje e vajze tjetër.

Rroftë populli fantastik i gjithë këtij qarku!

Rrofshin të gjithë njerëzit e mrekullueshëm  të Elbasanit, të Belshit, Cërrikut, të Librazhdit, të Përrenjasit e të Gramshit!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

Rroftë Shqipëria!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm