Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Votat për Shqipërinë që duam! Shqipëria e vajzave dhe djemve që marrin atë që meritojnë, sipas mundit, sipas punës, sipas meritës

Të reja

Votat për Shqipërinë që duam! Shqipëria e vajzave dhe djemve që marrin atë që meritojnë, sipas mundit, sipas punës, sipas meritës

21 Jun 2017    

Fjala e kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në takimin me banorë të Gramshit:

 

Mirë se ju gjeta!

 

Shumë faleminderit për këtë mikpritje të jashtëzakonshme, por ngrijeni flamurin kuqezi, ngrijeni flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit!

 

Ngrijeni flamurin që ta shikojnë gjithë Shqipëria dallgën kuqezi këtu në Gramsh.

 

Dallgën kuqezi të Gramshit që i bashkohet dallgëve që po ngrihen kudo nga Tropoja në Konispol dhe që do të bëhet një det i madh kuqezi në 25 qershor.

 

Ky është një moment me një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e familjeve tuaja, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e Shqipërisë që duam.

 

Të gjithë duhet ta vlerësojnë si patriotë të drejtën për të zgjedhur më 25 qershor sepse më 25 qershor nuk është një zgjedhje si të gjitha të tjerat dhe nuk do të zgjidhni mes partive se kush do të qeverisë për 4 vjet, por do të zgjidhni mes të ardhmes dhe të shkuarës. Do të zgjidhni për fatin e këtij flamuri kuqezi për një gjeneratë. Do të zgjidhni nëse ky flamur, flamuri i ëndrrave, flamuri i shpresave, flamuri i sakrificave, flamuri i aspiratave të mëdha për Shqipërinë do të valëvitet më lart dhe do ta çojmë në oborrin e Europës së bashkuar, apo nëse do të mbetemi të ndarë nën flamujt lara-lara të lloj-lloj partive.

 

25 qershori është një nga ato udhëkryqe historike, kur populli duhet ta marrë fatin e atdheut në dorë dhe duhet të shkojë i bashkuar në votim sepse sot më shumë se kurrë Shqipëria që duam me shtet, me punë dhe me mirëqenie ka nevojë për mbështetjen e popullit të bashkuar.

 

Unë ua kam thënë gjatë gjithë këtyre ditëve të rrugëtim të flamurit kuqezi, se vetëm ju të bashkuar mund të hapni rrugën e revolucionit në administratën shtetërore dhe mund të bëni të mundur që më në fund pas 27 vjetësh, zyrat e shtetit të jenë zyrat ku i shërbehet qytetarëve dhe jo më zyrat e partive të pushtetit ku qytetarët trajtohen si shërbëtorë.

 

Janë të panumërt shqiptarët, prindër, trashëgimtarë, vajza e djem që kanë një histori të hidhur për të treguar me hipotekat.

Janë të panumërt shqiptarët që kanë një histori të hidhur për të treguar me patentat, me licencat, me dokumentet. Janë të panumërt shqiptarët që kanë një histori të hidhur për të treguar nga eksperienca në zyrën  e shtetit, në një zyrë shteti çfarëdo. E pra kur vjen puna për të marrë shërbimet nga shteti, partitë  e pushtetit, cilado qofshin, në të gjitha vitet për të ardhur deri këtu, as s’duan t’ia dinë fare a jeni të majtë a jeni të djathtë. Por, duan t’ia dinë vetëm sa lekë keni xhep. Duan t’ia dinë vetëm a keni a s’keni ndonjë njeri me pushtet dhe a jeni a s’jeni të mbrojtur nga hija e ndonjë kushëriri.

 

Kështu që 25 qershori është dita për të menduar dhe për të votuar me bindjen se ka diçka shumë të rëndësishme se e majta dhe e djathta dhe kjo është Shqipëria.

 

Ka diçka shumë më të rëndësishme se e majta dhe e djathta dhe kjo është familja e çdo shqiptari.

 

Ka diçka shumë më të rëndësishme se e majta dhe e djathta dhe kjo është e ardhmja që duhet t’ia garantojmë fëmijëve tanë.

 

Të dashur miq,

 

qysh prej vitit 1991,  partitë sa herë është fjala për të marrë vota dhe përsërisin të njëjtën gjë, “do i ulim taksat për tokë, do i çojmë shpenzimet për ju në hava, vetëm na jepni votën. Dhe prej vitit 1991 deri në vitin 2013, kur ju na dhatë besimin për të filluar shtet bërjen, partitë morën votën tuaj, por shtetin e trajtuan si një tepsi për pushtetin e tyre.

 

Ne kemi një rrugë tjetër, ne jemi të bindur se jemi sot në momentin kur mbi themelet që kemi hedhur me reformat tona, mund ta ndërtojmë shtëpinë e shtetit modern shqiptar, duke e rritur ekonominë mbi 5 %, duke e ulur  papunësinë në një shifër të vetme. Por, jo me formulat e Sudeve të veshura me lloj-lloj pantallonash, këmishash, kravatash e me lloj-lloj ofiqesh, por duke vazhduar rrugën e hapur të drejtësisë që siç e patë e bëmë realitet duke e hapur më në fund portën e pallatit të drejtësisë për popullin dhe duke filluar vetingun për prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar. E nga ana tjetër duke e hapur për çdo shqiptar dyert e zyrave të shtetit ku çdokush i pasur apo i varfër, në qytet apo në fshat, i njohur apo i panjohur duhet të shërbehet me dinjitetin e qytetarit të barabartë të Shqipërisë.

 

Ne nuk vijmë tek ju për t’ju thënë kemi një program amerikano-gjerman, kemi një plan, kemi një projekt, kemi një libër. Ne vijmë tek ju për t’ju thënë kemi Shqipërinë në zemër dhe duam që së bashku të bëjmë Shqipërinë.

 

Ne vijmë tek ju për t’ju thënë se jemi gati të marrim përgjegjësinë. E nëse ju na ndihmoni, nëse ju më ndihmoni që ne ta marrim timonin e reformave të qeverisjes së këtij vendi pa qenë të detyruar të ulim të tjerë në prehër, ne do të bëjmë për Gramshin dhe për të gjithë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, katërfishin e këtyre që kemi bërë në këto 44 muaj.

 

Ne do të bëjmë të mundur që rroga minimale të shkojë 300 mijë lekë, që në katër vitet e ardhshme 600 milionë dollarë të shkojnë për të rritur 40 për qind të rrogave të të gjithë shqiptarëve, që 240 milionë dollarë për katër vjet t’i vënë në dispozion të rritjes së pensioneve vit pas viti, që fermerët të mos jenë më të ndarë, që lopët mos të jenë më të ndara sipas partive, që delet të mos jenë të ndara sipas partive, që pemët të mos jenë më të ndara sipas partive dhe që subvencionet të mos shkojnë vetëm për lopët, delet, pemët e partisë së radhës që ka marrë në tepsinë e pushtetit agjencinë e radhës, por të vëmë në dispozicion të çdo fermeri që punon tokën e atdheut tonë, shtetin pranë tij dhe 238 milion dollarë financime direkte për fermerët shqiptarë, sepse për ne nuk ka fermer të majtë e fermer të djathtë. Për ne çdo fermer është një patriot, të cilit shteti shqiptar duhet t’i rrijë pranë dhe duhet ta mbështesë me të gjitha forcat.

 

Ne do t’ia heqim TVSH-në importeve bujqësore të gjithë fermerëve shqiptarë dhe do t’i bëjmë të ndihen zot në tokën e tyre, duke i dhënë të gjithëve certifikatat e pronësisë së tokës.

 

Miqtë e mi,

 

Ka shumë gjëra për të bërë. Në 44 muaj ne nuk kemi bërë mrekulli, por kujt thotë që janë të gjithë njësoj, unë i them, po të ishin të gjithë njësoj, sot historia do vazhdonte po njësoj dhe këtu në Gramsh që është një nga vendet më të varfra, por ku rregullisht njerëzit e urtë e kanë paguar energjinë elektrike do vazhdonte historia që të mirët, të urtët, të ndershmit, ata që zbatojnë rregullat të trajtoheshin si budallenj. Ndërkohë që, ata që vidhnin energjinë dhe nuk e paguanin, të trajtoheshin si të mençur.

 

Por nuk jemi të gjithë njësoj.

 

Prandaj sot shqiptarët janë kthyer në rrugën e arsyes dhe duke e paguar të gjithë energjinë kanë bërë të mundur që ne mos të marrim më taksat e tyre për të mbushur gropën e vjedhjeve, por të fillojmë si asnjëherë më parë investimet në sektorin energjetik.

 

Ka në çdo sektor shembuj që tregojnë se nuk jemi të gjithë njësoj.

Por më lejoni t’ju them me shumë krenari se, për mua, njëri prej shembujve më emocionues që e prodhoi vota dhe puna jonë në këto 44 muaj është që, sot, falë reformës tonë të arsimit, asnjë fëmijë i një babai me pushtet nuk e parakalon dot fëmijën e një fermeri në majë të malit, nëse në rrugën për të hyrë në universitet, fëmija i fermerit ka më shumë pikë nga mesatarja dhe Matura Shtetërore, sesa fëmija i babait me pushtet.

 

Kjo është Shqipëria që duam! - Shqipëria e vajzave dhe djemve që marrin atë që meritojnë, sipas mundit, sipas punës, sipas meritës.

 

A i keni parë dhe kjo është për të gjithë prindërit, të majtë e të djathtë?

 

A i keni dëgjuar?

 

Të gjithë të tjerët janë kundër reformës në arsim!

 

Të gjithë të tjerët duan ta zhbëjnë reformën në arsim. Të gjithë të tjerët na akuzojnë ne, se i paskemi dhënë favor universiteteve private dhe paskemi lënë pas dore universitetet publike!  

 

Po si ka mundësi që të gjithë këta ndërtuan sistemin e kristaleve, të vitrinave, të portaleve e të magazinave dhe deri dje i kishin këto universitete fantazmë si vatra partie ku jepnin diploma pa asnjë vlerë për të bërë anëtarë e për të marrë vota. Ndërsa sot iu dhemb shpirti për arsimin publik!

 

Si ka mundësi, - shkoi Lulzim Basha në Berat dhe u tha beratasve, “Edi Rama ua mbylli universitetin e unë do t’jua rihap universitetin”.

E dini çfarë universiteti mbylla unë në Berat? Universitetin UFO.

E dini si u bë UFO-ja Universitet në Berat? Duke e marrë maternitetin për ta kthyer në një firmë piramidale ku nxënësve nuk u jepeshin dije, por iu merreshin para për t’ju dhënë diploma pa vlerë.

 

Nëse prindërit, - që, thonë, “unë jam i djathtë, unë e dua Partinë Demokratike”, - duan më shumë të djathtën dhe Partinë Demokratike sesa fëmijët e tyre, le t’ia japin votën Lulzimit që të rilindë republika e vjetër në emrin e të resë dhe të rigjallërohen e të dalin si kërpudhat kristalet, vitrinat, magazinat e llamarinat.  

 

Miqtë e mi, edhe një fjalë të rëndësishme në fund.

 

Të majtë, apo të djathtë, shqiptarët duhet të kuptojnë se të votosh si patriot do të thotë që të drejtën e votës ta shikosh si detyrim, sepse ditën e votimit çdo qytetar me të drejtë vote është anëtar i gjykatës së popullit prej 1.5 milion njerëzish që shkon të gjykojë të gjitha partitë në garë, të gjithë liderët në garë dhe nuk shkon atje si tifoz, por shkon si patriot me mendje të kthjellët, sepse të zgjedhësh në 25 qershor do të thotë t’i japësh përgjigjen e duhur pyetjes, - pavarësisht se çfarë bindjesh kam unë, pavarësisht se me kë parti jam unë, - kë duhet të marrim në punë për të drejtuar Shqipërinë dhe për ta bërë atë shtet me punë dhe me mirëqenie në katër vitet e ardhshme.

 

Unë besoj se, kushdo që ia bën vetes këtë pyetje si patriot gjen vetëm një përgjigje: Përgjigja të çon në kutinë e numrit 2!

 

Nuk ka rastësi. Nuk është rastësi që në këtë moment historik është bashkuar numri rendor i Partisë Socialiste me simbolin e Europës që duam.

Prandaj demokratët ta kenë shpirtin në paqe.

Duke votuar numrin 2 ata votojnë çuarjen përpara të ëndrrës për Shqipërinë si e gjithë Europa.

 

Nëse këtë e bëjmë ne, Partia Socialiste, nuk ka asnjë problem për ta.

 

Për ta ka rëndësi që Shqipëria që duam të jetë realiteti i fëmijëve tanë që i duam pa dallim, fëmijët e socialistëve dhe fëmijët e demokratëve.

 

Rroftë Gramshi!

 

Rrofshin nënat, motrat, vajzat, gjyshet e Gramshit!

 

Kam një amanet për të gjitha gratë dhe të gjitha vajzat!  

 

Partia Demokratike këtu në Elbasan, në të gjithë qarkun për republikën e re mendon se nuk duhet të ketë asnjë grua në parlament. E pra, gratë dhe vajzat, të majta, apo të djathta duhet ta bashkojnë votën për numrin 2, sepse, mbi bindjet politike është parimi: kush diskriminon gratë dhe vajzat meriton vetëm ndëshkimin e tyre!

 

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

 

Rroftë Shqipëria! 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm