Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Xhafaj: Lidershipi politik i maxhorances aktuale ka marre peng gjyqsorin shqiptar

Të reja

Xhafaj: Lidershipi politik i maxhorances aktuale ka marre peng gjyqsorin shqiptar

13 Jun 2008    
Një ditë më parë, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste braktisi sallën e Kuvendit në shenjë proteste për anashkalimin e vazhdueshëm të dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Mund ta kishim bërë dhe më parë dhe për shumë arsye, por ky atentat i rradhës që po i bëhet themelit të demokracisë në vend, ishte pika e fundit në kupën e durimit dhe maturisë politike të PS-së.

Ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë dhe me pasoja të rrezikshme për funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vend. Është bllokuar veprimtaria normale e Gjykatës së Lartë. Nga 17 gjyqtarë kjo Gjykatë është sot në mungesë të 7 gjyqtarëve. Nuk funksionojnë normalisht kolegjet e saj. Nuk mund të formohet kuorumi për mbledhjen e Kolegjeve të bashkuara. Ky insititucion është pa drejtim administrativ për shkak të mungesës së Kryetarit dhe zëvëndësit të autorizuar prej tij. Cështje të shumta gjyqsore që presin rradhën për shqyrtim do të duhet të shtyhen në një afat të ri dhe qytetarët do të jenë në pritje e në ankth edhe për shumë ditë e muaj më tepër të mësojnë fatin e të drejtës së kërkuar prej tyre. Një e drejtë e ligjshme, një e drejtë kushtetuese e mohuar për një shkak të thjeshtë, por të paprecedentë : Legjislativi ka bllokuar emërimin e gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë, Lidershipi politik i maxhorancës aktuale ka marrë peng gjyqsorin shqiptar në një ripërpjekje të re për të vendosur nën kontrollin e tij politik pushtetin gjyqsor.

Kuvendi është institucioni i ligjbërjes, ndaj dhe ka përgjegjësinë kryesore politike, morale dhe kushtetuese për zbatimin korrekt të ligjit. Përkundër këtij detyrimi ligjor, në përpjekje për të realizuar qëllimin e saj të mbrapshtë maxhoranca parlamentare ka shkelur rëndë nenin 136 të kushtetutës, nenin 4 të Ligjit organik Nr.8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykayës së Lartë të Republikës së Shqipërisë si dhe nenin 111 të vet Rregullores së Kuvendit, dispozita të cilat rregullojnë qartasi detyrimet e insitucioneve respektive në këtë proces kushtetues e legjislativ.

Eshtë e drejta ligjore e Presidentit që në përzgjedhjen e kandidatëve të vlerësojë kriteret kushtetuese dhe kriteret e tjera që kanë të bëjnë me profesionalizmin dhe moralitetin e kandidatëve, siç është dhe përgjegjësia e tij, politike dhe morale, për cilësinë e tyre. Është gjithashtu e drejtë e Kuvendit të debatojë rreth kandidaturave dhe në respektim të procedurave të shprehura dhe tashmë të konsoliduara në praktika të mëparshme të vendosë vetëm me votim lidhur me dekretet duke votuar seicilin prej tyre më vehte dhe me votim të fshehtë.

Ky proces duhet të realizohet në respektim të ligjit, tërësisht në transparencë të plotë, në vlerësim dhe respektim të përgjegjësive të përcaktuara nga ligji ndaj seicilit institucion. E kundërta, ajo c'ka po kërkohet nga ana e maxhorancës aktuale politike, kalimi në pazare emrash, ndërmjet partisë në pushtet dhe institucionit të Presidentit është shumë e rrezikshme, bie në kundërshtim me frymë e kushtetutës e cila ka njohur këtë procedure kushtetuese në funksion të forcimit të pavarësisë së gjyqsorit dhe parasëgjithash të vet Gjykatës së Lartë. Cilësia e përzgjedhjes së emrave, debati publik e ai kuvendor si dhe vet votimi i kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duhet të garantojë parasëgjishash pavarësinë e pushtetit gjyqsor, si garanci për funksionimin normal të demokracisë dhe shtetit ligjor.

Partia Socialiste vlerëson me shqetësim të thellë dhe bashkohet tërësisht me shqetësimin e artikuluar edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, në mënyrë publike dhe diplomatike, se kjo situatë e krijuar është hallka e fundit e dukshme e një zinxhiri ilegjitimiteti dhe lufte kundër ligjit dhe vetë themeleve të shtetit të së drejtës që po realizon maxhoranca e sotme.

Ne shohim me shumë preokupim se kjo shumicë e lëvizshme blu, po deligjitimon moralisht dhe politikisht veten, por duke afruar një faturë të frikshme pagese në kurriz të demokracisë dhe të vetë qytetarit të thjeshtë, të cilin po e tërheq drejt humnerës me shumë të panjohura të papërgjegjshmërisë së saj.

Duke kërkuar futjen urgjent në rendin e ditës të dekreteve presidencialë, Partia Socialiste as nuk shprehet për cilësinë e votës së saj dhe as nuk bëhet palë e konfliktit absurd të krijuar ndërmjet lidershipit politik të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ me Presidentin e Republikës, pushtete e funksione kushtetuese të cilat kanë buruar nga vetë PD-ja.

Duke ndërhyrë fort në këtë çështje, në këtë mënyrë ne afrojmë kontributin tonë për respektimin e kushtetutës dhe ligjit si dhe për të tejkaluar atë vështirësi të tejskajshme që po has Gjykata e Lartë, insitucioni më i rëndësishëm i pushtetit gjyqsor në vend.

Ne konsiderojmë se çështja e bllokimit të dekreteve të Presidentit është një precedent i rrezikshëm që kërcënon seriozisht reformën në drejtësi si dhe gjithë angazhimet solemne që ka marrë Shqipëria edhe në kuadër të procesit për anëtarësim në NATO si dhe përpjekjeve për anëtarësim në familjen evropiane.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm