Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Xhafaj ne tryezen e Fondacionit Qemal Stafa: Reforma ne gjyqesor, sfide e perbashket

Të reja

Xhafaj ne tryezen e Fondacionit Qemal Stafa: Reforma ne gjyqesor, sfide e perbashket

18 Jun 2008    
Në tryezën e organizuar nga Fondacioni “Qemal Stafa me juristë dhe konstitucionalistë të njohur, është diskutuar për problematikat dhe fenomenet në të cilat duhet të përballet sistemi gjyqësor për të bërë të mundur reformimin e plotë të tij me qëllimin, final një sistem gjyqësor i pavarur nga politika, ku barazia para ligjit është elementi themelor. Në cilësinë e Sekretarit të Çështjeve Ligjore në Partinë Socialiste,Fatmir Xhafaj duke marrë fjalën në këtë panel vuri theksin tek fakti se kjo tryezë ka në fokus një çështje shumë të ndjeshme për të gjithë: “Reformën në gjyqësor, si domosdoshmëri dhe sfidë e përbashkët.

Pavarësisht këndvështrimeve, arsyeve e motivimeve të ndryshme, bashkohemi të gjithë në një pikë : pranojmë domosdoshmërinë e një procesi reformues në pushtetin gjyqësor, për ta bërë atë më të pavarur, më efiçentë e më transparentë.

Partia Socialiste çmon rëndësinë e këtij procesi duke e vlerësuar si pjesë të pandashme të hapave që duhen hedhur drejt integrimit euroatlantik të vendit dhe parasëgjithash si pjesë thelbësore e detyrimeve tona ndaj qytetarëve shqiptarë. Kjo tryezë është gjithashtu një rikonfirmim tjetër i qëndrimit të Partisë Socialiste lidhur me reformën në gjyqsor, si një projekt prioritar e me rëndësi të vecantë për të sotmen dhe të nesërmen e vendit.

Në këtë parashtrim nuk besoj se është vendi të hyj në ato aspekte ligjore që duhet të përbëjnë objektin e reformës në pushtetin gjyqsor. Në mënyrë të sintetizuar, ato janë prezantuar nga ana jonë si pjesë të Paktit Kombëtar për Drejtësinë dhe do të trajtohen në një plan më të gjerë në këtë tryezë nga kolegët e këtij paneli.

Në optikën tonë Reforma në gjyqësor duhet të synojë konsolidimin e sistemit nëpërmjet garancisë për një pushtet gjyqësor te pavarur, të paanshëm, me integritet dhe eficient në të gjitha aspektet e organizimit, funksionimit dhe administrimit te tij, mbështetur mbi standartet bashkëkohore.

Ne duhet të gjejmë mekanizmat që vetë pushteti gjyqësor të jetë më aktiv per të shëndoshur vetveten, të jetë më i interesuar se sot dhe të ftohet për t'u bërë pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në reformat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, besushmërise dhe imazhit të tij në publik.

Principi ynë bazë është se çdo reformë në gjyqsor duhet të synojë parasëgjithash të largojë ndikimin politik nga gjyqësori, ta bëjë këtë sistem efiçent dhe sa më pak të prekshëm nga ndërhyrjet e njerëzve të veshur me pushtet apo të njerëzve që mund të paguajnë dhe të blejnë “shërbimin. Kjo është garanci për të siguruar atë kuadër ligjor bashkëkohor të nevojshëm për të ndërtuar një sistem gjyqësor të pavarur e eficent, një sistem në të cilin garantohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.

Reforma në gjyqësor ka mbetur një retorikë e fjalimeve politike të lidershipit të maxhorancës që jua servir ndërkombëtarëve për raportet e rradhës. Në këto 3 vjet ka vetëm një ligj të miratuar në këtë fushë dhe ai i paplotë. Pakti për drejtësinë një inisiativë vullnetmirë që synoj ta përshpejtoj këtë proces ka mbetur në sirtaret e pluhurosura zyrave të Kuvendit që del e shkundet prej tyre sa herë ne ngremë zërin apo vjen rradha për një raport të ndërkombëtarëve.

Sot flitet për reformë në gjyqsor, ndërkohë që ne vazhdojmë të kemi një pushtet gjyqsor ende të keqpaguar, të keqtrajtuar e të keqsiguruar. Po për fat të keq sot buxheti i shtetit jep 4 herë më pak fonde se në vitin 2005 për investimet në këtë fushë. Pagat e administratës gjyqsore mbeten ende ndër më të ultat në rajon. Këto janë ndër shkaqet që ka zvarritje gjyqesh të pafunda, shërbime gjyqsore që ju mërzisin jetën qytetarëve apo gjykime ku shkelen edhe rregullat më minimale të etikës e solemnitetit.

Ne kemi sot një gjyqsor të dhunuar në pavarësinë e tij, sepse kemi një maxhorancë me një Kryeministër që flasin për drejtësi e shtet ligjor, por nga ana tjetër janë duke bërë çdo lloj përpjekje për ta vënë sistemin e drejtësisë nën akuzën dhe presionin politik të ekzekutivit. Votimi në Kuvend lidhur me dekretet për emërimin e 5 anëtarëve të Gjyaktës së Lartë është prova më e dukshme publike e shqetësimit tonë. Ne sot kemi një Gjykatë të Lartë, institucionin më të lartë në hierarkinë e pushtetit gjyqësor tërësisht të cënuar në integritetin dhe funksionalitetin e saj.

Ne kërkuam që ky proces të realizohej në respektim të ligjit, tërësisht në transparencë të plotë, në vlerësim dhe respektim të përgjegjësive të përcaktuara nga ligji ndaj seicilit institucion. Cilësia e përzgjedhjes së emrave, debati publik e ai kuvendor si dhe vet votimi i kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duhet të garantojë parasëgjithash pavarësinë e pushtetit gjyqsor, si garanci për funksionimin normal të demokracisë dhe shtetit ligjor. Në të kundërt nga ana e maxhorancës aktuale politike i ashtuquajturi “votim në princip kërkon të diktoj kalimin në pazare emrash, ndërmjet partisë në pushtet dhe institucionit të Presidentit cka është shumë e rrezikshme, bie në kundërshtim me frymën e kushtetutës e cila ka njohur këtë procedurë kushtetuese në funksion të forcimit të pavarësisë së gjyqsorit dhe parasëgjithash të vet Gjykatës së Lartë.

Votimi i kryer nëpërmjet një procesi të paragjykuar dhe të urdhëruar politikisht riprovoj përpjekjen e kësaj maxhorance e vecanërisht të lidershipit të saj politik për të vendosur nën kontroll politik pushtetin gjyqsor në tërësi dhe Gjykatën e Lartë në vecanti.

Ne vlerësojmë me shqetësim të thellë se kjo situatë e krijuar, rikthim i mentalitetit dhe praktikave që kujtonim se i kishim kapërcyer me kohën, përbëjnë cënim të rëndë të demokracisë dhe vetë themeleve të shtetit të së drejtës.

Ne konsiderojmë se praktika të kësaj natyre përbëjnë gjithashtu precedente të rrezikshëm që kërcënojnë seriozisht reformën në drejtësi si dhe gjithë angazhimet që ka marrë Shqipëria edhe në kuadër të procesit për anëtarësim në NATO si dhe përpjekjeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Opozita nuk mund e nuk do të pranojë të shërbej as si fasade dhe as si garniture per te justifikuar uzurpimin politik të institucioneve të pavaruara, apo më keq, të shërbejë si alibi për të shpallur konsensus artificial përballë partnerëve ndërkombëtarë. Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë aktive dhe do të nxisim cdo lloj procesi e aksioni politik dhe parlamentar që ka në fokus reformimin e vërtetë të sistemit të drejtësisë për të garantuar Pavarësi dhe Përgjegjshmëri, Eficensë e Transparencë të gjyqsorit në dhënien e drejtësisë ndaj qytetarëve të këtij vendi.

Në mbyllje dëshëroj të theksoj se e konsiderojmë një ngjarje të rëndësishme dhe njëkohesisht një mundësi shumë të cmuar për ne, që brenda kohes se kufizuar te parashikuar ne program, të ndajmë së bashku vizionin, qëndrimet e sugjerimet mbi disa nga cështjet më thelbësore që lidhen me reformën në pushtetin gjyqësor, duke mbetur shumë të interesuar për pjesëmarrje e kontribute në diskutime të tilla për cështje të tjera në muajt në vazhdim.

Në fjalën e tij ndër të tjera në tryezën e zhvilluar nga Fondacioni Qemal Stafa, nënkryetari i deputetëve socialistë Arben Isaraj u shpreh:

“Kriminalizimi i përgjegjësisë politike, thënë më thjesht, duke ua nënshtruar proçedimeve penale njerëzit e qeverisë, jo vetëm për korrupsion apo për financime të paligjshme, por edhe për vendime antiligjore, të marra gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Në këtë këndvështrim, do t'ju sillja në vëmendje rastin e “gjakut të infektuar në Francë. Procesi që pasoi, çoi në dënimin e njërit prej ministrave të përfshirë, por sidomos, tregoi se në raste të tilla, përgjegjësia penale u zëvendësua në fakt me atë politike, meqënëse në thelb ministrave të tjerë, u tërhoq vëmendja se nuk kishin kontrolluar në mënyrën e duhur organet e varura prej tyre. “Gjaku i infektuar i Francës, besoj se nuk ka asnjë ndryshim nga pasojat kriminale dhe korrupsioni me shembuj të shumtë nga qeverisja e sotme, si “fabrika e vdekjes në Gërdec, apo edhe përdorimi i pastër korruptim, në shkelje të legjislacionit, i fondeve publike në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

Shkaqe të gjyqësorizimit

* Në të gjitha sistemet politike, përfshi edhe i yni, që pas një përvoje autoritariste ose totalitariste, futen në demokraci, ndeshet një forcim i garancive për gjyqësorin. Përvoja e një regjimi jo demokratik, në mënyrë mjaft të kuptueshme, i shtyn organet kushtetuese të demokracisë së re, të mbrohen në kthime të mundshme në të shkuarën dhe pra, edhe të forcojnë gjyqësorin, si një prej institucioneve klasike të garancisë.

* Sot ka një zgjerim të kufijve vendimmarrës, ku ndërhyn gjykatësi. Pra, ka edhe një shtrim të fushave, që janë objekt i vendimit gjyqësor por edhe tipeve të proçedimit gjyqësor. Kështu, drejtësisë nuk i takon më vetëm të gjykojë mosmarrëveshjet ndërmjet qytetarëve, qoftë edhe me ndikim ose nëpërmjet qytetarit dhe administratës, por edhe të vlerësojnë pajtueshmërinë e ligjit me një tërësi normash të më të larta (kushtetuta), deri edhe të gjykojë konflikte midis institucionesh kryesore politike dhe herë herë, të ushtrojë një lloj veprimi me përgjegjësi ndaj titullarëve të funksioneve qeveritare.

* Gjithashtu, nuk mund të nënvlerësohet ndikimi i faktorit ndërkombëtar, qoftë ky direkt apo indirekt. Në nivelin institucional, duhet që tani të pranojmë rolin e gjykatave ndërkombëtare dhe vendimet e tyre, si dhe ndikimin e proçesve integruese, në përfshirjen edhe të drejtësisë midis objektivave të tjera.

* Po kështu, ekziston një ndikim më i thellë, edhe pse jo, menjëherë i kapshëm në nivel institucional, që është ai që ushtrohet nga komuniteti i juristëve. Masat që synojnë forcimin e pushtetit gjyqësor, thuajse gjithmonë gjejnë mbështetje të fuqishme të juristë-avokatë, profesorë universitarë dhe vecanërisht gjykatësit, që nga ana e tyre ndikojnë jo pak në opinionin publik.

Zgjerimi i pushtetit gjyqësor, përbën pa dyshim një prej risive kryesore në zhvillimin e kohëve të fundit në demokracinë bashkëkohore. Veçanërisht në Europën Kontinentale, ndryshimi që qënë i ndjeshëm, të paktën në krahasim me situatën e mëparshme, që e shihte gjyqësorin të vendosur në një pozitë në thelb vartësie ndaj institucioneve përfaqësuese. Proçesi i integrimit evropian është paracaktuar të ketë në të ardhmen një ndikim të ndjeshëm mbi zhvillimin e sistemeve gjyqësore. Traktati i Amsterdamit, i hyrë në fuqi në maj 1999, ka përfshirë në kompetencat e BE, një pjesë të madhe të çështjeve që kanë të bëjnë me administrimin e drejtësisë. Në fushën penale, prirja është edhe ajo e bashkërendimit, të paktën në sektorët, që konsiderohen me rëndësi komunitare, të ushtrimit të veprimit penal, gjë e cila filloi realizimin e saj në vitin 2001 me Eurojust-in.

Proçesi i gjyqësorizimit është pritur thuajse gjithmonë pozitivisht, ndoshta me përjashtim të atyre, veçanërisht politikanë, që e kanë pësuar, apo kanë frikën e pësimit në të ardhmen nga ky proces. Me këtë indicie politike, ende mbetet problemi i përligjes së pozitës së një pushteti gjyqësor të pavarur, në një demokraci. Zakonisht vazhdon të ekzistojë prirja për të mohuar praninë e një pushteti gjyqësor, real, duke këmbëngulur në konceptet e gjykatësit ekzekutues, gojë ligjit, apo dhe rojë e ligjit.

Por është e padiskutueshme, që gjyqësorizimi paraqet rrjedhime pozitiv: Një gjyqësor i fortë, do të thotë të paktën në parim, garanci më të forta për qytetarët, meqënëse kështu gjykatësi ka më shumë mundësi që të kryejnë rolin e të tretit, të paanshëm, në mosmarrëveshjet, që shohin qytetarin të ballafaqohet me shtetin.

Përveç kësaj, një shtim i peshës politike të sistemit gjyqësor, do të thotë që të hapet një kanal i ri për kërkesat, që i drejtohen sistemit politik. Individi dhe grupet kanë kështu në dispozicion një mënyrë tjetër për të arritur plotësimin e kërkesave të veta.

Gjatë hapjes së takimit, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Qemal Stafa, Z. Saimir Tahiri deklaroi: “Kjo tryezë vjen vetëm 2 ditë pasi maxhoranca parlamentare për një kapriço politike vendosi të marrë peng një pjesë të sistemit gjyqësor, pra maxhoranca e shërbimit dhe shërbesave u vetëkënaqet duke iu mohuar dhënien e drejtësisë atyre qindra e mijëra shqiptarëve që sot presin në dyert e gjykatave.

Ky rast është dëshmia e radhës që tregon se ky Kryeministër dhe kjo maxhorancë na kthyen përsëri në të kaluarën duke bërë lojrat për pushtet në kurriz të drejtësisë e sistemit gjyqësor, e madje duke lejuar edhe individë të caktuar të faktorizohen në kurriz të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe vetë kushtetutës. Është po i njëjti përgjegjës, që pasi shpiku 6-mujorët, tani dikton politikisht edhe juristë të shquar e profesionistë të cilët nuk mund ti kontrollojë e manipulojë sipas oreksit.

Mund të thuhet se ka ardhur koha që të garantojmë drejtësi jo vetëm për qytetarët që e kërkojnë, por të garantojmë drejtësi edhe për vetë sistemi gjyqësor, drejtësi për të shpëtuar nga kthetrat e presionit politik të maxhorancës, dhe nga presioni i padrejtë i asaj pjese të opinionit publik që është mbarsur keq me paragjykimin e dëmshëm ndaj gjithë sistemit gjyqësor në bllok.

E gjithë kjo situatë ka edhe anën e mirë të medaljes. Sot të gjithë jemi më shumë të ndërgjegjshëm se sistemi gjyqësor ka nevojë për një reformë të atillë që të garantojë më së pari pavarësinë e sistemit gjyqësor, transparencën dhe eficencën e tij, si një parakusht të domosdoshëm për të garantuar drejtësi për të gjithë qytetarët.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm