Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Xhafaj: Po formatohet nje administrate e paafte e korruptuar dhe jo eficente

Të reja

Xhafaj: Po formatohet nje administrate e paafte e korruptuar dhe jo eficente

29 May 2008    
Ky raport është produkti i pritshëm i asaj që është gatuar politikisht që në ristrukturimin e vetë Komisionit, të deformuar në përbërje, fund e krye të motivuar politikisht dhe me një kryetare të zgjedhur me thyerje brave dhe në kushtet e ilegjitimitetit të plotë.

Kemi përpara raportin vjetor të Komisionit për Shërbimin Civil, i cili na fton të besojmë se administrata shqiptare na funksionon për mrekulli, se ligji zbatohet, se askush nuk largohet nga puna për motive që nuk kanë të bëjnë me profesionalizmin dhe ndershmërinë e kryerjes së detyrës, se rekrutimet bëhen mbi bazën e meritës e kështu me rradhë. Përrallë më të bukur të shkruar në mënyrë kaq foshnjarake, vështirë se do të gjeni. Keni filluar t'i besoni dhe vet gënjeshtrat që thoni e shkruani në mes të ditës me diell dhe kjo është faza më e lartë e artit të mashtrimit dhe natyrisht dhe hapi i parë drejt fundit të dorëzimit.

Ky dokument që kemi në duar është një raportim formal, është një mbulim i keq i situatës dhe një zgjatim fatkeq i asaj që vetë kjo maxhorancë ka frymëzuar në sjelljen e saj ndaj administratës së trashëguar. Ky raport është produkti i pritshëm i asaj që është gatuar politikisht që në ristrukturimin e vetë Komisionit, të deformuar në përbërje, fund e krye të motivuar politikisht dhe me një kryetare të zgjedhur me thyerje brave dhe në kushtet e ilegjitimitetit të plotë. Ky produkt është i pabesueshëm edhe formalisht, kur na prezantohet ne me një mendim të pakicës dhe për çudi edhe me një vlerësim të një antareje të KSHC, që na bashkangjitet në dokumentat e punës. Një anëtare e komisionit jep konsiderata personale për vet institucionin dhe i mëson kuvendit se si duhet të vlerësoj punën e komisionit !! Tërësisht absurde dhe në kundërshtim me rregulloren normale të Kuvendit. Kaq do të mjaftonte për ta bërë gjithë këtë proçes qesharak dhe absurd.

Përkundër kësaj fryme blu të errët të raportit, fatkeqësisht faktet flasin ndryshe dhe kur faktet jo vetëm denoncojnë gënjeshtrën, por ulërijnë për një realitet krejt tjetër, atëherë është mirë që të përgjigjeni së paku me heshtje. Dhe ky realitet është pranuar, meqënëse jemi mësuar që institucionet ndërkombëtare t´i konsiderojmë të besueshme, edhe nga BE, Banka Botërore e FMN-ja, që rregullisht dhe në mënyrë të hapur kanë konsideruar masakrën politike mbi administratë.

Meqënëse ju i keni me dëshirë këto citimet e raporteve ndërkombëtare, po ju lexoj vlerësime të raport-progresit të BE për vitin 2006 në të cilin ndër të tjera thuhet se : “… punësimi dhe shkarkimi i stafit në disa raste është bërë pa i kushtuar vëmendjen e duhur Ligjit për Shërbimin Civil. Aktet administrative janë firmosur nga zëvendësues të përkohshëm që nuk ishin emëruar zyrtarisht. Të dy këto dy zhvillime kanë minuar në njëfarë mase sigurinë ligjore të parashikuar nga Ligji për Shërbimin Civil. Strukturat e karrierës, planifikimit të karrierës, rrogat dhe menaxhimi i performancës në shërbimin civil dhe shërbimet e tjera publike, mbeten të dobëta. Emërimet politike të nëpunësve të lartë vazhdojnë të jenë në masë, duke e kufizuar rritjen e shërbimit civil në nivele profesioniste të larta.

Ndërkohë që edhe raport-progresi i vitit 2007 i BE ndër të tjera gjithashtu nënvizon se : “Shërbimi civil shpesh nuk arrin të përfshihet në praktikë në strukturën zyrtare të karrierës dhe në kuadrin e klasifikimit të vendit të punës. Emërimet politike në postet e larta dhe të nivelit të mesëm vazhdojnë, shpesh pa i kushtuar vëmendjen e duhur Ligjit për Shërbimin Civil. … Përpjekje të mëdha kërkohen … për krijimin e një shërbimi civil llogaridhënës dhe eficent, bazuar në kriterin e karrierës profesionale. Në veçanti, rekrutimi dhe ngritja në detyrë kanë nevojë të rregullohen me kritere objektivash dhe meritash, si dhe duhet të ndiqet një dallim i qartë ndërmjet niveleve politike dhe administrative.

Sic shihet të dyja vlerësimet ngjajnë si dy pika ujë. Ka dy gjëra ose Brukseli ka kopjuar Brukselin (dhe këtë duhet të na i thotë qeveria) ose gjërat kanë mbetur aty ku kanë qënë aq sa dhe ata vet atje në Bruksel s'dinë më se ç'të shkruajnë për vendin e “modelit dhe “frymëzimit rajonal e tashmë dhe panevropian.

Raporte të tilla të arbitrave ndërkombëtarë, jo të pakta kohët e fundit, kanë konsideruar se administrata publike ka pësuar hapa mbrapa në krahasim me të shkuarën. Me fjalë të tjera, e keni detyruar të ecë si “gaforre dhe këtë gjë vetëm naivët mund ta quajnë progres.

Për t´ju ndihmuar që ta vizitoni më mirë tablon frymëzuese dhe mrekullinë shqiptare kryeministrore po tentoj të jap disa të dhëna, fillimisht për proçesin e rekrutimit në shërbimin civil. Vetëm gjatë vitit 2007 që është marrë në shqyrtim nga raporti është ligjëruar praktika anti ligjore e marrjes në punë nëpërmjet emërimeve me kontratë. Vetëm në tre ministri të kontrolluara, në atë të financave, në Ministrinë e Transporteve dhe të bujqësisë kanë filluar punë sipas kësaj praktike 97 persona. Por kulmin e rekordit negativ e mban Drejtoria e Përgjithshme e Tatim Taksave me 228 të tillë. Kujtoni se titullari i kësaj drejtorie është një person i akuzuar dhe nën hetim gjyqësor për vrasjen e një njeriu dhe torturimin e dy të tjerëve.

Më pas, vetëm mbas disa muajsh punë, në të gjitha rastet, ky kontigjent hyn fiktivisht në konkurse dhe po ky kontigjent i fiton ato. Në të njëjtën kohë, kur në listën e pritjes që administrohet nga departamenti i administratës publike qëndrojnë të regjistruar dhe marrin pagë pa punuar 340 nëpunës civilë. Jam bindur dhe unë se jemi vërtet shtet “i pasur si “vendi me rritjen më të lartë ekonomike në Europë siç na “garanton dhe kryeministri ynë përderisa arrijmë të paguajmë dy njerëz për të njëjtin vend pune, por sipas meje natyrisht do të duhet të konsiderohemi edhe shtet i papërgjegjshmërisë. Vetëm në gusht, në institucionin e ish-shikasit që drejton tatimet janë rekrutuar 60 punonjës të rinj, ndërsa 330 të tjerë, të larguar nga puna për shkak të ristrukturimit të organikës dhe shkurtimit të saj, janë në listë pritjeje dhe paguhen pa punuar.

Doni dhe më tej fakte të reja për këtë institucion me peshën e puplës, me ngjyrën e qeverisjes dhe me naivitetin e kësaj maxhorance? Vendimet e Komisionit të Shërbimit Civil për rikthim në detyrë të punonjësve të pushuar padrejtësisht janë lënë në fuqi në mbi 92 për qind të rasteve nga gjykatat e apelit dhe si të tilla janë shndërruar në tituj ekzekutivë. Shkalla e rivendosjes së të drejtës së këtyre nëpunësve, pra rikthimi i tyre në detyrë, është e nivelit zero. Nuk ka rëndësi nëse këto vendime nuk zbatohen, rëndësi ka që ju objektivin për ekzekutimin e venimeve përmbarimore e kenio realizuar !! JU duket kontradiktë. Ky është shteti i zbatimit me dorë të fortë të ligjit i kryeministrit tonë. Rëndësi ka se ç'thotë ai paçka se në asnjë rast këta persona nuk janë ulur rishtaz në skrivanitë e tyre sipas vendimit gjyqësor, sepse shteti blu dhe i paaftë që po ndërtoni, ka ulur aty militantin e rradhës apo lidhjet e nepotike të qeveritarëve të sotëm. Janë këto dy karakteristikat bazë, me shumë më tepër përparësi për një aplikant të sotëm për një vend pune në administratë, në krahasim me profesionalizmin dhe karierën.

Ju kujtoj edhe një shifër tjetër. Vetëm veprimet e kundraligjshme të kryera në këtë aspekt nga drejtoria e tatimeve i llogaritur për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar, shkonte në masën 63 milion lekë. Ai shtohet çdo muaj me 50 milion lekë të tjera, kurse në Ministrinë e Financave, po ky lloj dëmi, shkon në 20 milion lekë. Kush paguan në këto raste? Apo ky është risku që merrni përsipër të fusni dorën në xhepin e shtetit për të paguar militantin e rradhës që do të vendosë kravatë dhe të ulet përpara kompjuterit që nuk e njeh sepse i mjafton tesera që mban në xhep dhe lidhja fisnore me drejtuesit e selisë blu.

Historitë e administratës shqiptare që ju po e demontoni në të njëjtën mënyrë si kërkuat të demontonit municionet në Gërdec, mund të tregohen sot e nesër si anekdota. Dhe anekdotike është dhe mënyra se si po reflektohet karriera e nëpunësit civil në këtë administratë. Vetë kontrollet e KSHC-së kanë identifikuar se në shumë raste, pozicionet e larta në administratë që nisin nga drejtorë të përgjithshëm, drejtorë drejtorish e kështu me rradhë, janë zënë nga punonjës që fillimisht janë rekrutuar me kontrata deri dhe me persona që nuk kanë punuar më parë as edhe një ditë në administratë, pra janë bërë drejtë e drejtorë drejtorish. Kjo më kujton historinë e atij gjykatësit të dikurshëm që mbas kërkesash të përsëritura në qendër, i dërgojnë për sekretar një analfabet. Ankesës së gjyqtarit që i riu nuk dinte as shkrim dhe këndim, i përgjigjen me mënyrën origjinale: emërojnë analfabetin gjyqtar dhe gjyqtarin e bëjnë sekretar të saporekrutuarit në administratë. Mund t'ju duket absurde dhe qesharake si histori e një regjimi të vjetër. E keni gabim. Kjo po ju ndodh edhe këto ditë.

Por po ju sjell një shembull tjetër të freskët të regjimit tuaj. Në shkresën nr.5857, të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve z.Shehri, shkruhet e zeza në të bardhë se : “Në plotësim të organikës së IEDP, në funksionin e shoferit (e theksoj të shoferit) nga kandidaturat e përzgjedhura rezulton se L.P plotëson kriteret për t'u emëruar në këtë detyrë (pra si shofer) dhe vazhdon : Në këto kushte bazuar në nenet .... urdhëroj : 1. Zoti L.P emërohet në detyrën e specialistit të edukimit në IEDP. etj. Pra e thënë shkurt Drejtori i Përgjithshëm ka emëruar specialist edukimi në një nga institucionet vartëse të tij një shtetas që ka konkuruar dhe është përzgjedhur për detyrën e shoferit, për të cilën ai ka shkuar të konkurojë.!!! Po ky është modeli i rregjimit tuaj, ku hyn për shoferë automjeti dhe të emërojnë specialist edukimi.!!!

Janë të dy shembuj sa për të qeshur aq edhe për të qarë. E vërtetë që shembulli i parë tregohet si një anektodë (po ju siguroj që sot s'është më i tillë), kurse tjetri një shembull shkresor nga qyfyret e përditëshme të këtij rregjimi qyfyresh. Janë të njëjta edhe sepse janë produkte të së njëtës politikë - politikës së Maliqit në vend të politikës së ligjit.

Cili është rezultati i këtij proçesi? Nga njëra anë taksapaguesit shqiptarë pagujanë nga xhepat e tyre qindra e mijra nënpunës të shkarkuar për motive politike, të cilët për këtë shkak kanë fituar të drejtën e tyre të ligjshme të paguhen për një vit rresht ose të rrinë në listë pritje pra të paguhen, pa punuar dhe nga ana tjetër, po formatohet një administratë e paaftë e për rrjedhojë edhe e korruptuar dhe jo efiçente, administrata që pastaj bëhet barrierrë dhe taksidare e biznesit, administrata që me këto cilësi lejon dhe ndihmon krime shtetërore me pasoja tragjike si ato të Gërdecit.

Me me këtë politikë po cënohen dy herë qytetarët taksapagues. Qeveria në mes të ditës me diell, ju vjedh xhepat, por dhe shpresën e tyre për të pasur një shtet të së drejtës, një shtet që respekton ligjin e qytetarin në çdo rast që vihet përballë administratës së këtij shteti.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm