Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Zgjedhjet e 30 qershorit janë frika dhe makthi i Lulit, Saliut, Monikës dhe Ilirit!

Të reja

Zgjedhjet e 30 qershorit janë frika dhe makthi i Lulit, Saliut, Monikës dhe Ilirit!

20 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Vaun e Dejës:

Shumë faleminderit për mikpritjen dhe për këtë mbështetje që të gjithë ju që jeni këtu i jepni Markut, por jam i bindur që është një mbështetje, e cila në 30 qershor do të jetë bindëse për të gjithë, jo vetëm në  Vaun e Dejës, por edhe në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. E kam përsëritur kudo ku kam shkuar që si një fushatë për zgjedhjet vendore, kjo do të ishte një fushatë shumë e thjeshtë, më e lehta që unë kam bërë ndonjëherë për arsye se kudo ku ndaloj në stacionet e fushatës, aty ku ne kemi drejtuar bashkinë flasin punët, më shumë sesa 1 mijë fjalë, ndërsa aty ku ne nuk e kemi drejtuar bashkinë flet krahasimi mes modeleve.

E vërteta është se unë kam bërë çmos sa kam mundur, për ta mbështetur Bashkinë e Vaut të Dejës, ashtu sikundër edhe bashkitë e tjera, pa i parë kryetarët e bashkive nga ngjyra e flamurit politik. Edhe kjo pedonale këtu është fryt i mbështetjes së një projekti të kryetarit të bashkisë.

Sidoqoftë do të më kishte pëlqyer jashtëzakonisht shumë që në këto zgjedhe, ne të ishim me kundërshtarët politikë përballë dhe këtu, sot të mund të ballafaqonim çka është bërë, edhe pse mbështetja e qeverisë nuk ka munguar për Bashkinë e Vaut te Dejës dhe çka mund të bëhej dhe do të bëhet me siguri me Mark Babanin. Sidoqoftë, Marku nuk e ka përballë  kryetarin aktual të bashkisë në këtë fushatë dhe për fat të keq, shumë votues demokratë, nga ata që mund të ndërrojnë edhe fe, por nuk mund të ndërrojnë parti dhe e dinë ata pse, nuk kanë zgjedhje. S’kanë çfarë zgjedhin, jo sepse ne ua kemi hequr këtë mundësi, as sepse ndonjë fatkeqësi, largqoftë, natyrore ua ka hequr këtë mundësi, por sepse udhëheqja e Partisë Demokratike ua ka hequr këtë mundësi.

Udhëheqja PD-së ka vendosur të kapitullojë përpara se të fillojë beteja zgjedhore. Ka pranuar e nuk fiton dot zgjedhje me ne dhe është larguar jo më për të ardhur te ju e për të shkuar te njerëzit, për të nxjerrë kandidaturat, programet, idetë, por për të dalë rrugëve dhe për të penguar njerëzit që të zgjedhin. Fatkeqësisht, sot që flasim, kjo gjë ndodh në dy vende të globit, Shqipëri me PD-në dhe në Afganistan me talebanët.

Talebanët, aktualisht sot që flasim  janë të angazhuar në një ofensive kundër zgjedhjeve, kërcënojnë popullin afgan të mos guxojë të shkojë në zgjedhje, sulmohen lart e poshtë për të mbjellë frikë dhe duan faktikisht të imponojnë për një popull të tërë dhe një vend të tërë ligjin e xhunglës. Kjo ndodh njëkohësisht, si me talebanët, në Shqipëri. Ndërkohë që Shqipëria ka bërë gjithçka për të çelur negociatat me BE-në, ka marrë rekomandimin pa kushte të Komisionit Europian dhe pret që liderët e 28 vendeve të BE-së të ulen në tavolinë dhe të thonë OK, le të fillojmë  bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë familje të madhe, që është dhe ëndrra e të gjithëve demokratëve, socialistëve, atyre me parti dhe atyre pa parti, pavarësisht fesë, pavarësisht krahinës, pavarësisht ideve. Si ka mundësi, që Shqipëria, sot të mos jetë e bashkuar në këtë pikë?

Në pikën që i intereson çdo shqiptari, që i intereson demokratit më të flaktë dhe më të verbër, njëri i zakonshëm flas dhe socialistit më të përkushtuar, por dhe çdo shqiptari tjetër që s’do t’ia dijë farë për partitë dhe për politikën. Të gjithëve u intereson kjo gjë.

Shqiptarët janë të ndarë kur vjen puna te partitë politike, por janë të bashkuar kur vjen puna te Europa, te Bashkimi Europian, te nevoja që të jemi më në fund, edhe ne në atë familje nga e cila historia dhe peripecitë tona na kanë mbajtur ndarë për kaq shumë vite.

Kush dhe pse ia bëjnë sot këtë çdokujt, katër veta. Janë katër veta, - nuk ka lidhje farë as Zef Hila, as t’i marrë të gjithë emrat me radhe, por meqë jemi në Vaun  e Dejës përmenda emrin e kryetarit të bashkisë, - Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe fallxhorja. Katër vetë e kanë marrë përsipër të ringjallin Haxhi Qamilin. Kanë marrë përsipër të ringjallin haxhiqamilizimin e vitit të mbrapshtë në Shqipërinë e vitit 2019.

Këtu ka njerëz që janë në moshën e mjaftueshme për të kujtuar se çfarë ndodhte në vitin 1991, kur lindi Partia Demokratike. Enveristët më ekstremistë, komplet qorra, që nuk shikonin se bota ishte përmbysur, krijonin grupe nga 200 e 400 veta e bënin ekzaktësisht këtë që bëjnë të verbrit që shkojnë mbrapa këtyre katër vetave. Shkonin demokratët për të ngritur gjithë dallgën e ndryshimit historik dhe këta të tjerët iu dilnin përpara, bënin antimitingje, i kërcënonin etj..

Aq sa arritën ata ta pengojnë Partinë Demokratike atëherë, aq do arrijnë këta sot ta pengojnë Partinë Socialiste.

Mirëpo është shumë e rëndësishme që edhe demokrati më ekstremist, por që jeton me krahët e vet, që jeton me punën e vet, që jeton me hallet e veta dhe që nuk ushqehet me përshesh nga Luli, ta kuptojë pse ndodh dhe ta kuptojë që e gjitha kjo është kundër tij dhe është përpjekja që hallin e madh të këtyre 4 vetave dhe të disave që i rrethojnë, por këta 4 janë që e bëjnë, se ata të tjerët janë si puna e atij që u nis për në emision dhe përfundoi në komisariat, s’kuptojnë fare çfarë ndodh në këtë botë, të kuptojnë që këta të 4-rt kanë një hall shumë të madh. Hallin këta e kanë me drejtësinë. Kanë qenë që në sekondën e parë kundërshtarë të Reformës në Drejtësi. Këta që sot e për vite iu rokanisën kokën shqiptarëve dhe luajtën mendsh të gjithë ndërkombëtarët, si të ishin flamurtarët dhe luftëtarët për të pastruar Shqipërinë nga krimi e nga korrupsioni, këta nuk duan pikërisht atë drejtësi që do pastrojë Shqipërinë nga krimi, nga korrupsioni dhe nga çdo lloj politikani që i ka rënë në qafë dhe i është futur në xhep popullit shqiptar.

Dy vjet përpara, ju kujtohet, të njëjtët njerëz, në atë kohë Ilir Meta nuk kishte zbritur në fushë si sot, por rrinte në tribunë dhe bënte atë që ka bërë gjithmonë, por e njëjta parti, Partia Demokratike, i njëjti kryetar, Lulzim Basha, kuptohet, i njëjti lider i pavdekshëm, Saliu, ishin poshtë zyrës time. Kishin ngritur një çadër. Fillonte dita me himnin kombëtar, vazhdonte me fjalime, ikte Luli flinte gjumë në drekë, shkonte pasdite mbante fjalimin tjetër, mbaronte me himnin kombëtar. Pse? Se nuk donte të votonte vettingun. Kishin ikur nga Parlamenti dhe nuk donin të hynin në zgjedhje. Ju kujtohet, “s’duam zgjedhje!” “Rama ik!” Edhe te parullat përtojnë. Kanë 300 vjet me këtë parullë. Nga “Nano ik”, “Meta ik”, “Majko ik”, “Rama ik”. Heqin vetëm emrin dhe parullën nuk e ndërrojnë se janë dembelë nga koka. “S’do bëhen zgjedhje, s’do lejojmë zgjedhje”, etj..

E mbani mend shumë mirë që në fund fare, pasi iu luta atij njeriu, aq sa s’do i isha lutur të gjitha grave më të bukura të planetit, iu luta aq sa edhe Romeo do habitej, edhe sikur ky të ishte ku e ku më tërheqës se Zhulieta, në fund fare u bind. Kërkoi gjithçka. Mori gjithçka, gjysmën e qeverisë, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Financat, Arsimin, Shëndetësinë, pastaj Drejtorinë e Burgjeve, - se Drejtorinë e Burgjeve këta e duan shumë, se këta që flasin për përgjime, për fushata dhe për vota dhe për blerje dhe për shitje, këta kur ishin në pushtet, kriminelët i nxirrnin në fushatë nga burgu me leje lindjeje. Kjo është e vërtetë, nuk është shaka, me leje lindjeje, i çonin nëpër fushata për të terrorizuar njerëzit, - Drejtorinë e Hipotekave, legalizimet, OSHEE-në, edhe kryetarin e Komisionit të Zgjedhjeve që është akoma aty, është monument kulture, mbrohet nga Fatmir Mediu, Avokatin e Popullit. Pasi i mori të gjitha, thotë po ti çfarë do?

Kthehu në Parlament, voto vetingun dhe unë dua dy gjëra pas kësaj: kush fiton qeveris, kush humbet rri në opozitë dhe e dyta, Shqipëria nuk shahet më në gjuhë të huaj. Kemi çfarë kemi me njëri-tjetrin, por jo të shkojmë lart e poshtë nëpër Europë dhe të bëjmë copë Shqipërinë.

Dakord? Dakord dhe dakordi zgjati vetëm për periudhën e verës, se ai pushimet nuk i fal. U kthye nga pushimet, filloi përsëri avazin. Tani situata është më keq seç ishte dy vite më parë. Pra, jo vetëm që nuk fituam gjë ne si shtet, si popull dhe si vend nga ajo marrëveshje, por sot, situata është më keq, sepse nuk është thjesht që kanë ikur nga Parlamenti përkohësisht si atëherë. Kanë ikur, dogjën edhe mandatet, iu thanë dhe gjithë demokratëve që ju vërtetë na votuat që ne të rrimë në Parlament, por ne do bëhemi si ju, do vijmë te ju etj. dhe në fakt nuk është se u bënë si ata, janë futur në mes të tyre, gjejnë më budallenjtë, ose më të sinqertët dhe i hedhin në zjarr. Sot ka dhjetëra e dhjetëra njerëz, demokratë që nga budallallëku, ose nga sinqeriteti nuk shkojnë të flenë nëpër shtëpi, janë nëpër burgje, kurse këta vazhdojnë flenë në shtëpi. “Jemi popull ne”, thonë. Si je popull? Jo, popull nuk janë këta. Këta janë njerëz që kanë një hall të madh me drejtësinë dhe duan ta përdorin popullin mish për top.

Sistemi i drejtësisë të kap, nuk do të dijë sa i fortë je dhe nuk bën dallime. Është i barabartë për të gjithë dhe është në gjendje që, nëse ka president, ish-president, kryeministër, ish-kryeministra, ministër, ish-ministra, që duhet të gjykohen dhe duhet të shkojnë aty ku duhet të kishin shkuar me kohë, atëherë ky sistem e bën. Kjo është që do kërkojë BE-ja që ditën e parë që na hapin negociatat dhe këta e dinë shumë mirë. Ju dhe të gjithë ata që dëgjojnë, ta lënë mënjanë këtë “me kë jam”, a jam me PS, a jam me PD, a jam me këtë filxhanin dhe ta mendojnë shumë thjeshtë: kujt i duhen politikanë që kanë frikë nga drejtësia?

Kujt i duhen udhëheqës që flasin gjithë ditën për luftën kundër krimit, mafias, kundër drogës dhe bëjnë çmos që të hedhin në erë urën që është ndërtuar më në fund, 30 vjet, për të hapur derën me BE dhe për t’u ulur në tavolinë?

Çfarë i shërben çdo demokrati që nuk ushqehet prej tyre. Ata që ushqehen prej tyre i kuptojmë, ata janë të mbaruar, por ata që nuk ushqehen, për çfarë i shërben një udhëheqës si Lulzim Basha? Është një udhëheqës që s’fiton dot zgjedhjet. Të jeni të sigurt që edhe sikur ne të dinim nga zgjedhjet dhe ata të hynin vetëm, nuk fitonte Luli përsëri. Nuk i fiton dot. Të jeni të sigurt. Për çfarë iu duhen? Shikoni se çfarë bëjnë. Është shumë e thjeshtë.

Pse këto përgjimet e bëra që në kohën kur është bërë fushata për zgjedhjet në Dibër, në 2016-ën, dalin sot në Gjermani?

Ato dihet kush i ka bërë dhe nëse do të kishte interes për të ndëshkuar vërtet fajtorët, nëse aty ka fajtorë, sepse muhabetet e telefonave, provat janë tjetër gjë, fajtorët sot do kishin mbaruar punë, do ishin aty ku e kanë vendin. Jo, asnjë hetim. U vu në përgjim i gjithë shtabi i PS. Ishte mbledhur e gjithë PD-ja, me Lulzim Bashën në krye dhe përgjimet i morën dhe iu çuan plakut. Plaku i mbajti dhe tani, - plaku apo Luli nuk ka rëndësi, njësoj është, - dalin në Gjermani, që njerëzit atje që lexojnë, europianë që duhet të vendosin që Shqipëria të hapë negociatat të thonë, çfarë bëhet këtu? Kjo shoqërohet me protestat, me autobusët e turistëve, turistë nga Bashkia e Vaut të Dejës, turistët nga Bashkia e Shkodrës, turistët nga bashkitë e tjera të PD-së, punonjësit e ujësjellësve, gjelbërimit, pastrimit. Bëjnë edhe fotografi, dalin në Facebook “sot në Tiranë”. Shkojnë atje dhe gjenden disa të rinj rrugëhumbur me maska, hedhin molotov, bëhen fotografitë, digjet dhe ndonjë kazan plehrash dhe këto dalin në gjithë botën; Ja Shqipëria! Ja me kë doni të hapni negociatat, një vend ku populli po lufton me narkoqeverinë dhe ku zgjedhje s’bëhen dot, etj.

Zgjedhjet janë frika e Lulit, ndërsa negociatat janë makthi i të katërve bashkë. Prandaj duan t’i marrin peng zgjedhjet, duan të provojnë që në Shqipëri nuk bëhen zgjedhje, që në Shqipëri është kaos, që në Shqipëri nuk e merr vesh i paritë dytin. Shkurt muhabeti, duan ta bëjnë Shqipërinë rrumpallë, edhe njëherë tjetër, siç ka qenë në kohën e Saliut të parë.

Ajo që të gjithë duhet ta kuptojnë është shumë e thjeshtë. Nëse unë do të isha personi që po kërkoj t’i marr të gjitha, siç thonë këta, në 2017-n, të gjitha aty i kishim. Kishim marrë 140 deputetë. SHBA, BE në fund fare na thanë futuni në zgjedhje, zgjedhjet janë legjitime, me ta nuk merremi më.

Isha unë Romeo, që deri në sekondën e fundit i lutesha Zhulietës, aman zbrit nga ballkoni, jo për interesin e ngushtë personal, apo për ndonjë arsye tjetër, por për vendin. E bëmë atë atëherë, këta kujtojnë se mund ta bëjnë gjithmonë. Imagjino ta bëjmë prapë këtë punë, se po të jetë për mua, po ta marrësh nga ana e ngushtë personale dhe po të isha qorr e të mos shihja pak më tutje sesa shohin të tjerët, - se për këtë punë më kanë zgjedhur, që të shoh pak me larg, - atëherë ç’më duhet mua kjo punë, për çfarë duhet bërë kjo fushatë me këto pseudorrëmuja. Unë jam kryeministër, qeverinë kemi. Qeveria ka një mijë punë për të bërë. Parlamenti është me shumicë solide, na mbështet në mënyrë të palëkundur, 75 % e territorit ne e kemi sot nga zgjedhjet e 2015-s. Pothuajse të gjitha bashkitë kryesore i drejtojmë ne. Atëherë për çfarë?

Për një arsye shumë të thjeshtë, të dashur miq.  

Nëse unë do të pranoja e nëse do t’i binim shkurt, ne do të thoshim ta shtyjmë datën dhe të qetësohemi. Do të ishte fiks rruga e shkurtër që të nxjerr gjatë dhe nuk të nxjerr asgjëkund. Do të zgjidhnim të keqen më të madhe. Jo, tani ka ardhur koha t’i themi stop njëherë e mirë kësaj politike dhe për t’i dhënë një mësim të gjithë politikanëve,  që nuk jeni mbi ligjin, nuk mund të bëni çfarë të doni vetë. Nëse ju doni të çmendeni, na vjen keq, por çmenduni sa të doni. Me teorinë “unë do çmendem dhe do t’ju hedhë në ere të gjithëve”, populli nuk do t’i hapë rrugë askujt. Ky është mësimi që do ta marrin të gjithë, që nesër të mos dalin përsëri këta me këtë teori, ose të mos dalin të tjerë e të thonë nuk duam zgjedhje as ne.  Po të ishte kështu, meqë teoria është që, nëse një palë nuk do zgjedhje, nuk bën asnjeri zgjedhje, atëherë dhe në 2021-n do të thonim as ne nuk duam zgjedhje. Pse, siç thotë Iliri “agjenci serioze informacioni”, d.m.th, filxhani. Më thonë që në datën 8 do të behet nami, d.m.th, i ka thënë fallxhorja, Liri, në datën 8 është  një si gjarpër këtu në formën e 8, që shiko se do vritet ndonjëri dhe ai doli dhe bëri dekretin.

Kjo nuk funksionon kështu se mund të dilnim dhe ne dhe të thoshim, shiko se mund të ketë një bombë bërthamore mbi Shqipëri dhe për momentin nuk do të bëjmë zgjedhje, se do ta kemi mendjen tek bomba.

Kjo histori duhet të mbarojë. Është një rrugë e vështirë për ta mësuar mësimin, por rrugët e lehta nuk na kanë nxjerrë mësimet e mjaftueshme. Ky është thelbi i historisë së gjithë këtyre viteve. E sot është dita që të gjithë ta kenë të qartë se në 30 qershor nuk është thjeshtë çështja se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i bashkisë, por është çështja se pas 30 qershorit, nuk duhet të ketë më parti politike që mandatet e popullit i djegin kur të duan  dhe me popullin si mish për top duan të djegin rrugën e të ardhmes së të gjithë fëmijëve tanë.

Këta njerëz duhet ta kuptojnë që jeta vazhdon edhe pas 30 qershorit dhe drejtësia për çdo veprim që është në shkelje të ligjit do të bëhet. Ata që janë punonjës bashkish dhe që mbase kryetarët e bashkive u thonë “dil dhe ruaj vendin e punës”, duhet ta kuptojnë se ata që shkojnë pas tyre, jo vetëm që nuk do ta ruajnë vendin e punës, por janë nëpunës të shtetit  që s’do mund të punojnë më në shtet prapë se i kap dekriminalizmi.

Ata të policisë bashkiake që dalin dhe i kundërvihen Policisë së Shtetit, duhet ta kuptojnë se dardha e ka bishtin pas 30 qershorit. Edhe ata që i nxisin dhe ata që i organizojnë dhe ata që i hedhin nëpër qeli dhe vetë shkojnë nëpër shtëpia, duhet ta kuptojnë se koha, kur me mandatin e deputetit futeshin nëpër komisariate dhe kapnin policët për fyti, ka vdekur. Kështu që askush nuk ka llogari të hyjë në këtë rrugë.

Atyre që nuk iu duket se këto zgjedhje janë normale, është puna e tyre. Ata që nuk i njohin këto zgjedhje është puna e tyre, por të pengojnë të tjerët të bëjnë zgjedhjet?!

Ata që duan të bëjnë fushatë, bëjnë fushatë dhe ata të shkojnë të sulmojnë qendrat e votimit, me teorinë janë pronë e bashkisë dhe ne shkojmë zbatojmë dekretin?! Cilin dekret? Gjykata Kushtetuese e ka thënë shumë qartë. Gjykata Kushtetuese, jo unë, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjet nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, por është çështje e administratës dhe gjykatës zgjedhore, që është Kolegji Zgjedhor. Është kaq e thjeshtë. Kjo është një lojë fjalësh. Ilir Meta e ka bërë antidekretin, pikërisht që të ndodhte kjo. Kam dhjetë ditë që e kam nxjerrë dhe nuk po shoh të reflektojnë, - thotë.  Në fakt ke dhjetë ditë që e ke nxjerrë dhe vetëm i ke hedhur benzine zjarrit. Megjithëse qëndron pa meritë dhe ka humbur të drejtën që të rrijë në atë zyrë dhe kemi nisur procedurën e shkarkimit, nuk e kam dëgjuar akoma Presidentin e Republikës që të thotë një gjysmë fjale për dhunën. Dhuna është e papranueshme. Ti mund të jesh kundër komplet, por nuk mund të dhunosh tjetrin. Ti mund të mos duash të votosh, por nuk mund të ndalosh tjetrin të votojë. Kjo nuk funksionon.

Është hera e parë në historinë e këtij vendi, që SHBA i drejtohen me emër me mbiemër, jo me parime, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, janë përgjegjës për çdo lloj gjëje që ndodh në kundërshtim me vlerat, parimet, rregullat dhe ligjet dhe i kanë paralajmëruar publikisht se do t’ju vënë vizën. Dhe kur ata të vënë vizën, e di shumë mirë plaku se çfarë ndodh. Këta janë si haxhi qamilët e rinj. Haxhiu i parë, i dytë dhe i tretë dhe qamile haxhiu që po punojnë me teorinë e Haxhi Qamilit, që thoshte “sa të kem Kavajën dhe Shijakun me  vete , nuk pyes për Anglinë dhe Francën”. Edhe këta, sa të kemi me vete disa që shkojnë i bien murit me kokë, nuk pyesim as për SHBA, as për BE, as për popullin, as për Kushtetutën, as për ligjin.

Kjo nuk ka për të funksionuar. Është një betejë e dëshpëruar dhe teoria që këtu do behet ‘97-ta, do bëhet nami, është vetëm për të mbjellë frikë. Çfarë ’97-te do të behet këtu? Kush do ta bëjë, pse do e bëjë? Kursimet e kujt janë djegur? Gjaku i kujt është përvëluar, djersa e kujt është shkelur me këmbë si në ’97-ën? Ku është populli që është ngritur gjithandej?

Pse me turistët politikë do bëhet ’97-ta? Nuk ka asnjë shans dhe pa diskutim që për të prishur është shumë më kollaj sesa për të ndërtuar, por pa diskutim shteti që po ndërtojmë, nuk gjunjëzohet kurrën e kurrës dhe shtetndërtimi përfshin edhe ndëshkimin për këdo që ngre dorën kundër shtetit.

Është një beteje e antishtetit me shtetin, është një betejë e ndërtuesve me shkatërruesit, është një betejë e rrumpallës me rregullin  dhe nuk ka shans që antishteti, shkatërrimi, rrumpalla të fitojë.

Faleminderit shumë për mikpritjen. Kudo ku kam shkuar në fushatën e 2015-s, ju kam thënë votoni për kandidatin tonë që të bëjmë në 4 vitet e ardhshme, d.m.th, këto që po mbyllen, më shumë e ne të gjitha vitet e marra sëbashku. Tani shkoni shikoni në të gjitha qytetet e drejtuara në këto 4 vite, a është e vërtetë, apo nuk është e vërtetë kjo që ju thashë. Me Markun do të bëjmë në 4 vitet që vijnë më shumë se çfarë është bërë në këto që shkuan.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm