12747453_10153497912681523_215776604929137199_o

Zgjedhjet në Partinë Socialiste në momentin e duhur

Zoti Kryetar i Partisë Socialiste,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar miq pjesëmarrës në këtë takim të Pogradecit. Jemi këtu për procesin zgjedhor të organizatës sonë të Bashkisë së madhe të Pogradecit,  që në këto momente është në fazën finale. Në këtë proces anëtarësimi që në fund të dhjetorit 2015 ishin anëtarësuar 1850 anëtarë të rinj, nga të cilët 600 të rinj dhe 420 gra. Por duhet të bëj një saktësim, sepse sot janë bërë 700 të rinj, se ne e kemi vazhduar procesin edhe gjatë këtyre 2 muajve. Zoti kryetar dhe anëtarësia në organizatën e madhe të Pogradecit, e kam fjalën për të gjithë bashkinë e madhe të Pogradecit, ka arritur në 2100 anëtarë.

Ne kemi përfunduar me sukses zgjedhjet e 117 organizatave socialiste, duke bërë zgjedhjet ‘një anëtar, një votë’, sipas parimit dhe sipas Statutit tonë të PS. U zgjodhën javën e kaluar 17 delegatë të Kongresit të ardhshëm të PS, nga të cilët 7 janë gra dhe vajza dhe 4 janë të forumit rinor. Por me këtë ritëm që ka anëtarësia e PS, mendoj se numri  i delegatëve duhet të ishte në rreth 21 dhe jo 17, gjë të cilën ne duhet ta shikojmë deri në kongresin e ardhshëm. Nuk do të zgjatem shumë në këtë çështje, sepse anëtarësia e PS këtu në Pogradec, pas një traume që pësuam në zgjedhjet lokale, duhet thënë se është me një inkurajim të jashtëzakonshëm për Programin, për Statutin e PS. Natyrisht, gjithë këto prurje të reja që ne kemi bërë në këtë riogranizim të ri prej 700 anëtarësh të rinj, tregojnë edhe njëherë se mbështetja e OS-ve këtu në Pogradec për kryeministrin Rama, për qeverinë e tij dhe për zgjedhjet e ardhshme të 2017 do të jetë fitore e padiskutuar.

Me lejoni tani që t’ju them dy gjëra, edhe për shkak të eksperiencës që unë kam në Partinë Socialiste, për shkak se kam qenë shumë kohë Sekretar Organizativ i PS, Sekretar për Pushtetin Vendor dhe dua ta them shumë sinqerisht dhe hapur që disa shokë dhe shoqe, anëtarë të grupit parlamentar, janë të shqetësuar për zgjedhjen e kryetarit të PS. Por PS nuk fillon nga lart poshtë, por nga poshtë lart zgjedhjet. Prandaj rënien dhe fuqinë kjo parti e ka nga organizatat socialiste deri te kryetari i saj.

Prandaj unë dua të pyes me shumë sinqeritet mikun tim Blushi dhe e kam me të vërtet mik, e çmoj jashtëzakonisht shumë, që herë pas here më pyeste mua për statutin, si është kjo gërmë dhe si është ky nen. Mbahesha si njeriu që thoja gjërat që vërtet ne duhet të bënim. Pse nuk janë të shqetësuar këta shokë për zgjedhjet në tërësi të partisë, por qenkan të shqetësuar vetëm për Kryetarin e PS? Duhet të ishin të shqetësuar njëherë për organizatën socialiste. Ajo është forca kryesore që të çon në fitore, qoftë në zgjedhjet qendrore, qoftë në ato vendore, nuk është një kryetar partie kushdo qoftë ai. Mos vallë këta kanë qëllime personale? E normale është të kesh qëllime personale, në politikë futesh, punon, kontribuon edhe për qëllime personale. Por neve këtu, kjo sallë e madhe këtu e gjithë socialistëve, na duhet familja e madhe socialiste.

Si njohës i statutit dua t’ju them që, po, është e vërtetë: në vitin 2013 ne fituam në mënyrë plebishitare zgjedhjet përballë Partisë Demokratike. Morëm rreth 1 milion vota të shqiptarëve, ku i thanë kryeministrit Rama që me atë program që ti na shpjegove, na shfletove, na fole për një muaj rresht në fushatë elektorale, ne të votojmë dhe duam që t’i bësh realitet. Pra ai ishte Program i Partisë tonë Socialiste, ishte programi jonë elektoral, ishte program që ne votuam në parlament dhe i dhamë votëbesimin qeverisë. Do të thotë që mbas dy tre muajsh ne duhet të bënim zgjedhje në parti. Në atë kohë, për hir të së vërtetës, ne kemi qenë të gjithë në një mbledhje kryesie dhe unë dhe Blushi, ku janë diskutuar komisionet parlamentare, por një çështje të tillë nuk e preku dhe nuk e tha asnjëri. Nuk e tha asnjë që ishte shkelur statuti me rreth 20 ditë apo një muaj e ca. Askush nuk tha që “Dale, se ne jemi në një proces që duhet të bëjmë zgjedhje në parti”. E lamë me koshiencë, me iniciativë të lirë dhe e bëmë me koshiencë një gjë të tillë, sepse kushdo që do të dëgjonte që ne do të riorganizonim partinë një muaj pasi morëm pushtetin, kur morëm një milion vota, kur anëtarë partie kemi 100 mijë dhe këto 1 milion janë 100 herë më shumë se anëtarët e partisë socialiste që i dhanë votën kryeministrit Edi Rama, do të ishte hipokrizi. Hipokrizi që ne të bënim votime në tetor në nëntor të vitit 2013 dhe bëmë shumë mirë që nuk bëmë zgjedhje. Bëmë shumë mirë edhe për një fakt tjetër, e tha pak Niko. Në programin e qeverisë sonë ishin disa reforma të rëndësishme. Një nga reformat më të rëndësishme që nuk ishte bërë në 25 vjet, ishte reforma territoriale që ne e bëmë realitet. Ishte e shkruar në programin tonë, e votuar në parlament dhe brenda vitit të parë të qeverisjes, në 2014 ne bëmë reformën territoriale. Çfarë, do bënim zgjedhje për 400 njësi vendore? Se ashtu e kishim të organizuar partinë, në komuna, bashki e kështu me radhë. Po ti bënim ato zgjedhje në 2013, çfarë do bënim një vit pas? Do të futeshim përsëri në zgjedhje në 2014 në Partinë Socialiste. Do thonim dale se dua të organizoj partinë sipas reformës së re territoriale. Çfarë është Partia Socialiste? Është parti funksionale, është parti elektorale. E si elektorale ajo do të luftojë sipas ndarjes territoriale që ne kemi bërë për të fituar pushtetin lokal dhe për të fituar pushtetin e përgjithshëm. Prandaj dhe ne nuk i bëmë zgjedhjet në 2013 dhe ky është argument objektiv dhe kryesor. Prandaj nuk e futëm në një lojë Partinë Socialiste në 2014, sepse bëmë reformën territoriale dhe e konkretizuam atë me zgjedhjet e pushtetit vendor në 2015 me kryetarët e partive.

Mbas zgjedhjeve të kryetarëve të bashkive në gjithë Shqipërinë, të këshilltarëve socialistë, mblodhëm strukturën tonë të partisë, Asamblenë Kombëtare dhe thamë: Tani ne duam të organizojmë partinë mbi bazën e ndarjes së re territoriale. Tani do ta organizojmë partinë me 61 bashki, që do të thotë do të zgjedhim 61 kryetarë Partie Socialiste dhe do zgjedhim kryetarët e partisë në çdo njësi administrative, me parimin ‘një anëtar, një votë’, nga organizata socialiste dhe deri lart. Që do të thotë që kjo strukturë partie e zgjedhur, siç po bëjmë tani, siç po votojmë tani në gjithë Shqipërinë, është e gatshme si një makinë luftarake për t’u futur në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2017, për fitoren tonë të padiskutuar.

Në atë kohë, në 2014 apo 2015,, asnjë nga zërat e shokëve dhe miqve të mi, apo dhe kolegëve këtu që janë deputetë, nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk u shqetësuan për zgjedhjet në Partinë Socialiste. Absolutisht, sepse ne ishim në një proces tjetër që sapo e shpjegova. Tani mund të kërkosh çdo gjë dhe po ta shikosh në mënyrë hermetike siç është statuti, vërtetë që është shkelur pika dhe gërma. Por çfarë është statuti? Statuti është një dokument themelor i partisë sonë, që bën disa rregulla që ne duam ti zbatojmë të gjithë bashkë. Të gjithë  bashkë do të miratojmë statutin me ndryshimet përkatëse. Unë bëj pjesë në grupin e punës për statutin në Kongresin e ardhshëm të Partisë Socialiste. Jam i bindur që delegatët e Kongresit do ta miratojnë atë njëzëri dhe 100%.

Më lejoni të them që nuk mund të bësh dot një luftë politike brenda familjes sonë, që është mësuar gjithmonë me diskutime dhe mendime të ndryshme, kjo është edhe e veçanta që ka Partia Socialiste në raport me Partinë Demokratike, duke vendosur si Kal të Trojës Statutin. E në bazë të këtij statuti, të fillosh pastaj të hapësh krahun dhe të godasësh qeverinë për çdo gjë, ta godasësh atë edhe për reformat, ta godasësh edhe për çdo gjë të mirë që është krijuar. Apo ta godasësh, ju e keni dëgjuar kryeministrin do e dëgjoni dhe sot, për atë që do bëjmë dhe nuk kemi arritur ende tek ajo që kemi premtuar. Në fund të fundit, mandati është katër vjeçar dhe nuk mundesh që pas dy vitesh t’i kërkosh “pse nuk bërë këtë e pse nuk bëre atë”. Dua të them që jemi në rrugën e duhur në parti, jemi në rrugën e duhur në qeveri. Përveç reformës territoriale ka dhe reforma të tjera shumë të rëndësishme, të cilat janë bërë në këto 2 vjet e gjysmë.

Reforma në energji ishte e jashtëzakonshme. Më lejoni t’ju them vetëm një shifër në fushën e energjisë. E gjetëm rrumpallë në 2013 dhe sot OSSH është një nga ndërmarrjet fitimprurëse.; merrte 160 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, sepse nuk mund ta linte qeveria pa para për të blerë energji për qytetarët. Sot nuk i merr këto 160 milionë. Këto 160 milionë që nuk i merr nga qeveria sot janë më shumë shkolla, më shumë kopshte, më shumë rrugë, më shumë ujësjellësa. Do të thotë që janë më shumë investime në interes të qytetarit shqiptar. Kjo nuk është reformë?! Atëherë thuaje një fjalë të mirë për këtë reformë, që me të vërtetë është bërë një punë shumë serioze.

Po është bërë gjithashtu një reformë e jashtëzakonshme në polici. Nuk duam ta hamë me sy Saimirin se të gjithë po themi është më I miri dhe të vazhdojë kështu. Unë jam nga Gjirokastra dhe ju e dini shumë mirë, qoftë në kohën kur unë kam qenë kryetar bashkie, qoftë më pas kur ishim ne në pushtet e më pas 8 vjet ata të Partisë Demokratike, nuk kishe burrë nëne apo polic që të futej në Lazarat. Ju i keni parë të gjithë kronikat. Çfarë ndodhi me këtë qeveri? Çfarë ndodhi me këtë Ministër? Sot Lazarati është bërë njësoj si çdo fshat tjetër. Që do të thotë: në 99.2% të sipërfaqes, ne kemi hequr kanabisin. Kjo është një punë e jashtëzakonshme që ka bërë policia, e për këtë duhet përshëndetur. Reforma fillon dhe nga një gjë e vogël. Më lejoni të them dhe një shembull personal. Sot ne nuk mund ta lëmë makinën si të duam në trotuar në Tiranë apo në vende të tjera, se marrim gjobë. Marrim gjobë edhe ne deputetët e PS që e kemi mik Edi Ramën dhe kemi votuar për të, që e kemi mik edhe Saimir Tahirin, e kemi një nga tanët dhe përsëri e marrim gjobën. Personalisht kam marrë nja 300 mijë lekë të vjetra gjobë. Një ditë të bukur dy police, të veshura spicë, më ndalojnë pasi kisha parkuar makinën jashtë çdo rregulli. Më njohën dhe më thanë zotëri të njohim, je filani, por gjobën do e marrësh. Si e keni emrin ju thashë, për juve do marrë ministrin. Në fillim ato u trembën pak se thanë ky është Bashkim Fino, deputet në karrierë, do marrë ministrin që e ka shok e kush e di ç’do na bëjë. Rrini këtu, – ju thashë -, nuk do largoheni. Mora ministrin në telefon dhe i thashë: Kam dy oficere police këtu dhe quhen filane e filane. Sapo më vunë një gjobë 20 mijë lekë, jepu një shpërblim nga ana ime se e meritojnë për punën shumë të mirë. Pse e thashë këtë shembull? Thjesht për të treguar se ligji është njësoj për të gjithë dhe do të thotë që ne të gjithë duhet të punojmë për të bërë këto reforma.

Reforma të jashtëzakonshme, që ne duhet patjetër ta mbështesim qeverinë tonë e cila është në mes të mandatit. Prandaj kur thashë “Jemi në rrugën e duhur në Partinë Socialiste dhe në qeveri”, e kam me shumë sinqeritet. Ndaj ju bëj thirrje dhe kolegëve të mi që ta kuptojnë drejtë dhe saktë këtë rrugën e duhur në PS, dhe qoftë në qeveri.

*Fjala e deputetit Bashkim Fino, në takimin me anëtarësinë në Pogradec, për procesin e hapjes dhe riorganizimit të partisë.