Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Zgjedhjet nuk janë e drejta jonë, janë e drejta e njerëzve për të na gjykuar ne dhe janë detyra jonë për të dalë përpara njerëzve

Të reja

Zgjedhjet nuk janë e drejta jonë, janë e drejta e njerëzve për të na gjykuar ne dhe janë detyra jonë për të dalë përpara njerëzve

06 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Belsh:

Shumë faleminderit për mikpritjen tuaj edhe për këtë pamje kaq të bukur mbështetjeje për Arif Tafanin, mikun ti, kryebashkiakun tuaj!

Më vjen shumë mirë që vijmë sot këtu për të kërkuar votën tuaj dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj për Arifin dhe për PS, sëbashku me të gjithë të tjerët dhe në mënyrë të veçantë me një tjetër mik, Musa Ulqinin, i cili besoj meriton një respekt dhe mirënjohje të veçantë për faktin se është një shembull i mirë për t’u ndjekur nga të gjithë për se si një deputet i qëndron pranë komunitetit, se si interesohet për problemet, për projektet dhe se si, sa herë i jepet mundësia, nuk më lë rehat, “Belshi, Belshi, Belshi”.

Ua them shumë sinqerisht, unë kam qenë i bindur që ne këtu kemi mundësinë të bëjmë një zhvillim realisht shumë pozitiv. Kam qenë i bindur dhe për potencialet e jashtëzakonshme që ka zona dhe tek mundësia që kjo zonë dhe ky qyet  vogël të kthehet në një zonë turistike, por kjo do të ishe e pamundur nëse nuk do kisha pasur bashkëpunimin dhe nxitjen e madhe nga ana e Arifit dhe Musait.

Këtu është një hapësirë ku fjalët janë të tepërta, sepse të gjithë ju që jeni këtu dhe faleminderit që jeni këtu, e mbani mend shumë mirë, se nuk ka qenë 40 vjet përpara, ka qenë vetëm 4 vjet përpara, kur jemi mbledhur për zgjedhjet e shkuara vendore dhe kjo që kemi këtu, sot, para syve tanë nuk ekzistonte. Ishte vetëm në vizionin tonë dhe ishte një nga dëshirat tona.

Ja ku jemi sot!

Krahasoni Belshin e para 4 viteve me Belshin që sot kemi!

Por mos mendoni për asnjë moment, askush mos ta mendojë se kjo për mua mjafton. Askush të mos mendojë se këto që po them nënkuptojnë që tani ne mbaruam punë dhe s’kemi më për të bërë.

Përkundrazi!

Ky është rrethi i parë i një zhvillimi që do shtrihet me radhë dhe nëse sot ka ndodhur e paimagjinueshmja, që njerëzit vijnë nga Tirana për fundjave këtu në Belsh, kanë filluar të vijnë edhe të huaj, unë po ju siguroj se në fund të mandatit të ardhshëm, numri turistëve të huaj që do vijnë këtu, duke sjellë me vete para, që do vijnë këtu duke krijuar më shumë mundësi për mikpritje, për punësim, duke zgjeruar më shumë edhe hapësirën e ëndrrave dhe të ideve të njerëzve të Belshit, do të jetë shumë herë më i madh se sot.

Ne kemi filluar me projektin e ri që është vazhdimi i kësaj faze. Do ta mbyllim të gjithë unazën tërësore përreth. Kemi diskutuar për një sërë investimesh në agroturizëm. Nga ana tjetër nuk kemi harruar disa aspekte jetike, se është tani sekëlldi e madhe të flasësh në shekullin e 21-të, në vitin 2019, për ujin e pijshëm, por ja që Shqipëria që na lanë ata që sot duan të na kthejnë mbrapa ishte e tillë, ishte copë-copë nga të katër anët dhe më në fund, edhe e gjithë kjo zonë do ta ketë 24 orë ujin e pijshëm, falë punës së kryetarit të Bashkisë dhe patjetër, angazhimit dhe mbështetjes tonë që nuk ka munguar dhe nuk do mungojë.

Ne jemi këtu dhe flasim për jetën e përditshme. Flasim për çfarë kemi bërë. Jemi shumë të vetëdijshëm edhe për sa shumë akoma duhet bërë. Nuk diskutohet edhe që e dimë se kemi bërë edhe gabime. Kush punon e ka të pamundur që të mos gabojë. Padiskutim duke ecur përpara kem mësuar gjëra që nuk i dinim, kemi konstatuar dhe dobësi dhe të meta tonat. E dimë shumë mirë që nuk jemi të përsosur. Nuk jemi më të mirët që mund të imagjinohet, - sepse imagjinata është shumë më e fortë dhe shkon shumë më lart sesa realiteti që kemi, punojmë që të përmirësohemi çdo ditë, - ama, një gjë është e sigurt dhe nuk e kundërshton dot asnjë demokrat që akoma e ka mendjen në vend, më të mirë se ne nuk ka.

Në fund fare, ka apo s’ka, vlerësimi bëhet jo me llafe, as me gjatësi, por me fakte. 30 vjet mjaftojnë për ta bërë vlerësimin. Kthejeni kokën mbrapa dhe kujtohuni. Çfarë kanë bërë ata, kur kanë pasur mundësitë dhe çfarë kemi bërë ne?

Nuk kemi pasur asnjë mundësi, por ama s’kemi shkatërruar. S’kemi zhytur njerëzit nëpër borxhe e nëpër piramida. Nuk kemi ngritur armët e shtetit kundër atyre që protestojnë. Asnjëherë nuk kemi ndalur së punuari dhe për hir të së vërtetës, sot, nga Elbasani këtu në Belsh, në Librazhd, në Gramsh, në të gjithë Shqipërinë, puna jonë flet më shumë se çdo fjalë.

Kur kemi bërë fushatën në Elbasan, - se harroj asnjëherë, - kemi qenë me Qazimin, duke pritur që të vinte ora dhe vinte një erë e tmerrshme, era e tmerrshme e plehrave që digjeshin në mes të qytetit. Qazimi më tha, asgjë tjetër, vetëm hiqja këtë kancer Elbasanit nga zemra e qytetit dhe boll është për mandatin e parë.

Jo vetëm që e kemi kthyer Elbasanin, vendin ku është ndërtuar modeli i parë i mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve, por tani, në harmoni me të gjitha bashkitë rreth e rrotull, këtë gjë do ta garantojmë për të gjithë dhe i gjithë ky qark, nga qarku i ndotjes më të madhe është kthyer në qarkun ku është bërë puna më e madhe dhe faktikisht, sot kemi një model që po e shtrijmë edhe në qarqet e tjera.

Po ata?

Do ishte mirë që të vinin këtu, jo me ne, por të dilnin përpara jush e t’ju thonin çfarë nuk kemi bërë ne mirë dhe çfarë do bëjnë ata më mirë.

Ata nuk janë fare. Nuk janë sepse kanë frikë të përballen me popullin, duke iu treguar njerëzve se çfarë dinë të bëjnë dhe çfarë kanë ndërmend për të ardhmen.

Ata kanë frikë nga zgjedhjet, sepse e dinë shumë mirë që ata nuk fitojnë dot zgjedhje dhe kapen pas gjithfarëlloj justifikimesh, alibish, lojëra politike të pakuptimta, absurde, të dëmshme, për të shmangur atë që s’e shmangin dot, zgjedhjet. Nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje, keq na vjen, por jo dhe aq keq në fakt, të them të drejtën, kanë dalë në rrugë dhe në rrugë do mbeten, si rrugët që i lanë rrugëve.

Por, nëse rrugët që i lanë rrugëve, ne i kishim për detyrë t’i kthenim në vepra të përfunduara, siç po i kthejmë dita-ditës, edhe kanceri i madh i rrugës Tiranë-Elbasan ku bënë një tunel, tipike, hapën tunelin dhe s’bënë rrugën, ehe ai iku, mbaroi. Sot, më në fund, rruga është hapur, e përfunduar dhe me radhë.

Ama rrugët ishte detyra jonë t’i përfundonim. Kurse ata nuk është detyra t’i kthejmë nga rruga. Ata kanë frikë nga populli dhe kanë një popull imagjinar punonjësish bashkie. Mbyllin dyert e bashkive dhe janë kthyer ne një agjenci turistësh politikë, që nisen për Tiranë, bashkë me punonjësit e ndërmarrjeve të ujësjellësve. E kam thënë dhe e përsëris, aty ku qeverisin ata ka më shumë punonjës ujësjellësi, seç ka ujë në çezmë.

Për më keq akoma, mirë që dalin aty në protestë, por duke qenë se duan patjetër dhunë, duke qenë se po vdesin që të provokohen, ngaqë Policia e Shtetit shqiptar po sillet si model në raport me protestën, kanë filluar tani i japin dajak njëri-tjetrit. E patë çfarë ndodhi? Babë e bir shkuan për të protestuar kundër qeverisë, hëngrën dajak nga protestuesit që kishin ardhur me shufra hekuri në dorë, të dalë ku të dalë. D.m.th., këta do nxjerrin Shqipërinë nga situata që tregojnë çdo ditë! Flasin këta për “krimi, krimi, krimi”, “droga, droga, droga” dhe ai me shufër hekuri, trafikant i dënuar, është në protestë “për të çliruar Shqipërinë”!

Ne nuk kemi frikë nga ballafaqimi dhe ata janë në të drejtën e tyre të vrasin veten politikisht. Nuk i ndalojmë dot!

Kanë vendosur të vrasin veten politikisht, puna e tyre, por më shumë se kaq, ata nuk e vendosin dot. Ata Shqipërinë mbrapa nuk e kthejnë dot.

Ata, 30 qershorin as nuk e afrojnë, as nuk e shtyjnë dot.

Ata zgjedhjet nuk i ndalojnë dot dhe cilido prej atyre që do shkojë pas berihait dhe do i bien murit me kokë, duke i rënë ndesh Kushtetutës dhe ligjit, do jetë një fatkeq që do paguajë dyfish, jo vetëm sepse ligji është shumë i qartë për ata që prekin një hallkë të procesit zgjedhor, nga krimet më të vogla, deri te krimet më të mëdha zgjedhore, por edhe sepse kush do të shkojë prapa hekurave për krim zgjedhor nuk ka për të kapërcyer dot gjithë jetën as kufijtë e BE, se të Amerikës jo e jo.

Ka disa që thonë me dashamirësi, po mirë si bëhen zgjedhjet pa opozitën? Ku jemi këtu? Jemi në kohën e sistemit të një partie?

Në kohën e sistemit të një partie të ndalonte sistemi të hyje në zgjedhje. Nëse ata do i kishim ndaluar ne të hynin në zgjedhje, ose do i kishim penguar ne të hynin në zgjedhje, kjo do ishte antidemokratike, por, nëse ata shpallin kapitullimin pa filluar zgjedhjet dhe nuk hyjnë në zgjedhje, kjo nuk është aspak jodemokratike, thjesht kanë pranuar humbjen, pa dashur ta shijojnë atë në fushën e betejës. Ky nuk është problemi ynë, ky nuk është problemi i Partisë Socialiste. Ky nuk është problemi i qeverisë dhe i shtetit.

Ky është problemi i gjithë demokratëve të zakonshëm, qytetarë me të drejta ta barabarta në këtë vend dhe me lirinë për të menduar komplet ndryshe, që kanë 1001 arsye të respektueshme për të mos na dashur që ne të jemi në qeveri, që kjo qeveri të vazhdojë, që duan ta ndryshojnë qeverinë që sot. Ata duhet ta mendojnë këtë punë, ata duhet ta zgjidhin këtë punë, ata duhet ta gjejnë rrugën se si të dalin nga gropa ku i ka futur dhe po i zhyt përditë një udhëheqje e falimentuar, e korruptuar dhe e marrë fund.

Kanë dhe një problem tjetër shumë të madh. Kanë panik nga drejtësia. Nuk e kanë dashur reformën në drejtësi që ditën e parë, që sekondën e parë. Nuk e kanë dashur dhe nuk kanë faj, me gjithë ato që kanë bërë dhe imagjinoni, ato që dimë ne janë shumë pak, ata dinë më shumë për veten e vet, kështu që frikën e kanë shumë më të madhe sa mendojmë ne. Nuk kanë faj që të bëjnë çmos për ta kthyer mbrapa reformën në drejtësi, por të jeni të sigurt që jo vetëm nuk e kthejnë dot mbrapa, por ne do ta mbështesim deri në fund procesin e transformimit të drejtësisë nga një treg ku drejtësia i shitet më të pasurit dhe i falet më të fortit, në një vend ku drejtësia është e barabartë për të gjithë e ku të gjithë përgjigjen para drejtësisë.

Ca të tjerë thonë po mirë, po sikur t’i shtyni zgjedhjet se na lodhën këta, na çmenden. Mos u lodhni, mos u çmendni, merrni shembull nga unë, bëni durim. I duruari, i fituari thotë populli, ashtu sikundër thotë dhe diçka tjetër, mos e urre kundërshtarin tënd, se të ikën truri dhe humbet logjikën.

Ata i ka marrë me vete urrejtja, kanë humbur logjikën, por ne nuk mund dot të shtyjmë zgjedhjet, sepse, e para, zgjedhjet nuk i caktojmë ne. Zgjedhjet nuk janë e drejta jonë, janë e drejta e njerëzve për të na gjykuar ne dhe janë detyra jonë për të dalë përpara njerëzve.

E dyta, nëse, ta zëmë, do shtyheshin zgjedhjet, ju do mendonit që kjo është një zgjidhje që e kanë në dorë këta dhe ne qenkemi mbi ligjin, mbi Kushtetutën. Por, mbi të gjitha, imagjinoni se çfarë do të ndodhte nesër, se i shtyve një herë, do i shtysh gjithmonë. Nesër do dali tjetri do thotë nuk dua zgjedhje unë, pasnesër do dalin tjetri e do thotë t’i shtymë se nuk jam unë gati dhe në fund fare, kur i mendon se kanë mbaruar të gjithë, del zoti Vangjeli, me qirje Nardin dhe thonë duam edhe ne t’i shtymë se kemi edhe ne ca probleme. Ku jemi këtu? Si u shtyka kjo?

Zgjedhjet nuk shtyhen, do mbahen në 30 qershor dhe të jeni të sigurt që pas 30 qershorit, gjërat nuk do jenë njësoj si më parë, as për ne, as për ata dhe mbi të gjitha për Shqipërinë, sepse do vendoset një herë e mirë vija e kuqe ku mbarojnë lojërat e politikanëve dhe ku fillon Kushtetuta, ligji dhe rregulli njësoj për të gjithë.

Ata nuk është se duan vetëm shtyrjen e zgjedhjeve. Ata thonë të iki qeveria, të bëhet një qeveri si duam ne, të vëmë edhe një kryeministër si e mendojmë ne dhe kjo nuk është personale, personalisht nuk ka asnjë lidhje, por parafytyroni sikur të ndodhte kjo, atëherë do vinim ne në fushatën e ardhshme e do thonim, na jepni votën se këto 4 vite do bëjmë 1, 2, 3, 4, 5 dhe ju do thonit, çfarë vote t’ju japim ne për katër vite, kur ne nuk e dimë sa kohë do rrini ju, sepse do dali një tjetër nga Parlamenti, do djegë mandatet, do marri molotovët, do fillojë presioni, shantazhi kërcënimi, do ndërrohet qeveria e do fillojë loja nga e para.

Jo, dhe Luli do ta mësojë, bretkosa në Blesh ka sa të duash, qofte te daja nuk ka, kanë mbaruar!

Ligjet, Kushtetuta, procesi demokratik nuk janë si kofshët e bretkosave të Belshit, që mund t’i hash kur të duash, ka sa të duash. Por nuk ka lidhje fare, është tjetër gjë. E bëra këtë batutë, sepse mu kujtua që dy vjet më parë kam hequr shumë keq, - ju e mbani mend, - duke ju lutur Lulit. I jam lutur më shumë  se Romeo, Zhuljetës dhe e shpëtova një herë nga humnera. Ishte në buzë, jo për të, as për veten, por për vendin, për t’i dhënë një mundësi vendit që të bënte zgjedhje normalisht, të mos kishte sherr, të mos kishte shamatë. Mori të gjitha çfarë kërkoi, ministër të Brendshëm, ministër të Financave, ministër të Arsimit, se këtu janë lekët, këtu janë infermierët e të tjera. Mori çfarë deshi nga drejtoria e OSHEE tek drejtoria e Burgjeve, se tek burgjet e kanë merak ata  e prandaj rrinë flasin gjithë kohës kriminelët, kriminelët, se në kohën kur qeverisnin ata, kriminelët i nxirrnin nga burgu për fushatë, deri dhe me leje lindje. Nuk është shaka fare, kanë nxjerrë burra me krime në kurriz për fushatë me leje lindje, domethënë, dolën për të lindur.

Pse e bëmë të gjithë këtë?

Edhe atëherë, disa miq të huaj thonin të shtyhen zgjedhjet në korrik dhe unë u thosha, vetëm kjo nuk ndodh sepse zgjedhjet nuk i kemi ne në dorë, i ka Kushtetuta. Po u shtynë një herë, do shtyhen gjithmonë. Imagjinoni po t’i kishim shtyrë përpara dy vitesh, sot nuk do diskutohej shtyrja e zgjedhjeve, do diskutonim të tjera gjëra. E bëmë vetëm që të njihej rezultati dhe të mos shahej më Shqipëria nëpër botë.

U bënë zgjedhjet, asnjë problem. Mbaruan zgjidhjet, asnjë problem. Kaloi vera, asnjë problem. Erdhi vjeshta, i doli gjumi, filloi prapë nga e para. Po pse këtë punë kemi ne? Bam e bum këtej, bam e bum jashtë, për turp. Nuk ka turp më të madh! Mund të bësh çfarë të duash këtu, por të shkosh jashtë e ta bësh copë vendin tënd, mafia, mafia, droga, droga, turp më të madh nuk ka. Megjithatë, turpi, të jeni të sigurt, do t’i mbetet vetëm atyre që e kanë, jo Shqipërisë.

Sot është shumë e thjeshtë dhe shumë e qartë. Ne nuk e kemi zgjedhur kundërshtarin dhe nuk zgjedhim për kundërshtarin. Ne kemi zgjedhur të punojmë me njëri-tjetrin dhe ju na keni zgjedhur që të punojmë për ju. Ne kemi ardhur këtu dhe do shkojmë në gjithë Shqipërinë për punën që do bëjmë. Vetëm një gjë të keni parasysh, nuk janë zgjedhje pa kundërshtar. Është një betejë politike, shoqërore, historike me kundërshtarët e zgjedhjeve. Ata duhet të marrin një mësim historik për vete, por për gjithë politikën shqiptare.

Me popullin nuk luhet, as e ka kush e ka, as kukafshehti. Kur popullit i vjen dita t’i paraqitesh të të dëgjojë e të të gjykojë dhe në fund të të vërë notën, ti nuk mund të thuash unë nuk vij, as mund t’i thuash populli prit pak se kam një takim. Nuk ka asnjë mundësi.

Ne, nga ana jonë, kështu e patëm fatin politik në këtë vend, 30 vjet, ata prish, ne rregullo, ata pis, ne pastro, ata rrumpallë, ne drejto. Nuk kemi bërë mrekullira, por jemi munduar të bëjmë më të mirën e do vazhdojmë të përpiqemi të bëjmë më të mirën. Nuk kemi bërë, nuk bëjmë dot aq sa duam, por bëjmë çmos që atë që mundemi, ta bëjmë e do vazhdojmë ta bëjmë. Është shumë e thjeshtë të flasësh duke i parë gjërat nga larg, është shumë më e vështirë t’i bësh gjërat kur të jepet mundësia për t’i bërë.

Ne i mirëpresim të gjithë ata që kanë vërejtje, kritika. Unë mirëpres edhe ata që më shajnë, nuk kam problem. Edhe për ata që nxjerrin lajmin që më ra infarkt dhe ika në Gjermani. Siç e shihni, jam këtu dhe një gjë e kam kuptuar. Sa më shumë të të shajnë padrejtësisht, aq më shëndet të bëhet. Problemi është nëse të shajnë me të drejtë. Kur të shajnë padrejtësisht, kështu si këta, le të vazhdojnë, nuk kemi asnjë problem, rruga jonë është e shënuar dhe është vetëm drejt përpara.

Unë dua ta theksoj që kush e merr qetësinë dhe durimin tonë për tulatje, apo për dobësi, gabon. Kush kujton se ky vend mund të bëhet akoma shesh për përsheshet e Saliut, të Lulit e të fallxhores, gabon. Kush gënjehet se ne jemi të vetëpërmbajtur dhe mendon që ne po i frikemi atyre që bërtasin, që ulërasin, që kërcënojnë se janë të trembur dhe duan ta dëgjojnë zërin e vet që t’i dalë frika, gabon prapë.

Unë dua që çdo njeri që nuk na voton, është në të drejtën e vet të mos na votojë, por të mos gabojë duke u bërë mish për topat e tyre. Është e pakuptimtë që dhjetëra persona janë mbrapa hekurave sot, nuk shkojnë të flenë në shtëpi për kushedi sa vjet, ndërkohë që këta derdimenët që i hedhin në revolucionin e tyre imagjinar, për t’i rënë me kokë mureve të institucioneve, shkojnë e flenë nëpër shtëpia. Çfarë kuptimi ka kjo!? Nuk duhet të gabojnë, se po gabuan nuk i ndihmon dot më askush.

Ashtu sikundër, kijeni shumë të qartë se 30 qershori nuk është puna se do nxjerri kë do nxjerri si kryetar bashkia, dihet që Arifi do jetë kryetari i bashkisë, përderisa ata nuk i kanë dalë përballë, por puna është si do jetë Shqipëria të nesërmen. Dhe kjo betejë është ekzaktësisht për këtë, që të çojmë Arifin të vazhdojë punën e njëherë e përgjithmonë t’i zmbrapsim pa kthim fantazmat e hienat e të kaluarës, që i vijnë vërdallë e vërdallë këtij populli dhe që i shfaqen rrugës, siç janë rishfaqur tani, duke kërcënuar me zjarr, duke kërcënuar me shkatërrim, duke kërcënuar me dhunë. Me 30 qershor, vota është për të dyja këto. Edhe për të mbaruar punë me zgjedhjen kryetarëve të bashkive, edhe për të mbaruar punë me fantazmat dhe me hienat e 30 vjetëve, që ia nxinë jetën këtij mileti e që nuk e lanë një ditë rehat, me helmin që prodhojnë çdo ditë e që e shpërndajnë çdo ditë në shtëpitë e gjithë shqiptarëve.

Mos e harroni, kush mbjell frikën, do tretet nga frika. E kush është me të drejtën, nga e drejta do shpërblehet. Tani se kush po mbjell frikën, e dini dhe mbajeni mend, do treten nga frika e tyre. Ne jemi me të drejtën tonë dhe e drejta jonë do na shpërblejë.

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm