Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Zgjedhjet për delegatët e Kongresit, Balla: I bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Socialiste të marrë pjesë në këtë proces

Të reja

Zgjedhjet për delegatët e Kongresit, Balla: I bëj thirrje çdo anëtari të Partisë Socialiste të marrë pjesë në këtë proces

14 Nov 2019    

 

Fjala për media e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Më lejoni pikë së pari, të flas këtu nga selia e Partisë Socialiste, për një proces tepër të rëndësishëm që ditën e shtunë përmbyll fazën e parë, atë të zgjedhjes drejtpërsëdrejti nga anëtarësia e Partisë Socialiste përmes parimit “një anëtar- një votë”, të më shumë se 703 delegatëve në të 61 bashkitë e vendit.
Po ashtu në një pjesë të degëve tona në emigracion do të ketë zgjedhje ditën e shtunë, por për emigracionin ky afat do të vijojë edhe përgjatë muajit nëntor, sepse për degët e Partisë Socialiste për shqiptarët që jetojnë jashtë territorit, kemi autorizuar Sekretariatin tonë për Emigracionin për të testuar edhe modele të votimit, qofshin këto on-line apo me postë.

Nga ky proces parapërgatitor sapo kemi përfunduar shpërndarjen e të gjitha materialeve zgjedhore në të gjitha degët e Partisë Socialiste në të gjithë territorin. Janë më shumë se 363 qendra votimi në territorin e Shqipërisë.
Unë i bëj thirrje më shumë se 107800 anëtarëve të Partisë Socialiste të regjistruar në këtë proces zgjedhor, që ditën e shtunë prej orës 08:00 të mëngjesit në secilën prej qendrave të votimit, duhet të marrin pjesë në votime,  sepse ka një rëndësi për formësimin e institucioneve të reja drejtuese të Partisë Socialiste.
Partia Socialiste e Shqipërisë mbetet fuqia e ndryshimit të vet edhe në aspektin e demokracisë së brendshme, model për partitë e tjera.
Dua të them se votimi, në secilën prej 363 qendrave, do jetë i hapur prej orës 08:00 të mëngjesit dhe do vazhdojë deri në orën 16:00.
Këtu në selinë e Partisë Socialiste në një prej sallave, do të ketë një qendër votimi të posaçme për një nga njësitë e Tiranës ku do të ketë votim tërësisht elektronik. Pra, do testojmë votimin elektronik me rreth 800 anëtarë të njërës prej njësive të Tiranës, nga i cili do kuptojmë edhe fizibilitetin e një votimi të tillë për t’u testuar më pas edhe në votime të tjera.
Kemi më shumë se 1080 komisionerë në të gjithë territorin, të cilët janë të trajnuar. Për herë të parë në këto 28 vite kemi zhvilluar edhe një proces prezantimi të kandidatëve për delegatë. 
Kandidatët kanë vijuar dhe po vijojnë, edhe në këto moment që flasim në Bashki të ndryshme, prezantimin para anëtarësisë së partisë me qëllim që më 16 nëntor çdo anëtar i Partisë Socialiste ta ketë të qartë se kush është delegati që do i përfaqësojë.
Të mos harrojmë se përveç delegatëve të zgjedhur direkt, kemi edhe delegatët e Kongresit, të cilët janë të zgjedhur automatikisht, ndër to janë deputetët, kryetarët e bashkive dhe kryetarët e Partisë Socialiste në nivel njësie.
Për të gjitha këto kërkova të kisha këtë komunikim me ju dhe përmes jush me të gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste, pse jo edhe për gjithë publikun.
Në gjithë këto 28 vite çdo proces i forcimit të demokracisë së brendshme të Partisë Socialiste, por edhe parti të tjera, është një shenjë e forcimit të demokracisë në tërësi në vend.


Pyetje: Z. Balla, e zëvendëson betimi përpara noterit, betimin përpara Presidentit të Republikës për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese siç ka bërë sot znj. Arta Vorpsi?

Përgjigje: Nuk dua të bëj një koment për këtë çështje këtu. Do të kemi kohë boll. Pas pak minutash Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë do të ketë një diskutim për këtë çështje.
Unë mendoj se në këtë kontekst të krijuar duhet një qëndrim institucional nga ana e Kuvendit të Shqipërisë si institucioni bazë i funksionimit të demokracisë në Shqipëri.
Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm