Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Zgjedhjet vendore do të mbahen në 30 qershor!

Të reja

Zgjedhjet vendore do të mbahen në 30 qershor!

18 May 2019    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me kryebashkiakët dhe kandidatët për kryetarë bashkie të Partisë Socialiste:

Të nderuar kryebashkiakë dhe kandidatë për bashkitë e vendit!

Të dashur kolegë dhe kolege, deputetë dhe ministra!

Zgjedhjet vendore do të mbahen në 30 qershor.  

Kjo është fjalia që nga sot dhe deri në ditën e heshtjes elektorale duhet të hapë e të mbyllë çdo komunikim tonin, të çdo përfaqësuesi, kandidati, anëtari dhe pjesëtari të makinerisë sonë të pathyeshme elektorale me çdo zgjedhës, shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, fshat më fshat, qytet më qytet, ekran më ekran dhe faqe sociale në faqe sociale.

Zgjedhjet do të mbahen më 3 qershor.

30 qershori që vjen nuk është një datë e zakonshme si të tjerat, por është data e përcaktuar sipas Kushtetutës, për të dëgjuar popullin sovran mbi vlerësimin e ofertave elektorale për mandatin e ri të qeverisjes vendore në 61 bashkitë e vendit.

Oferta jonë elektorale është e plotë, 61 kandidatë dhe kandidate dhe 61 lista këshilltarësh bashkiakë, gjysma gra e vajza dhe gjysma burra e djem, të cilët do të udhëheqin nga 31 maji i çeljes së fushatës në Tiranë, rrugëtimin drejt 30 qershorit.

Oferta elektorale e botës politike të vendit nuk është e plotë. Në vend të një humbjeje me nder në këtë garë zgjedhore, ku me siguri mund t’i fitonin disa bashki, kundërshtarët tanë kryesorë zgjodhën rrugën e një disfate me qeder për Shqipërinë, ku me siguri qederi do t’u mbetet bashkë me turpin në derë.

Për shkak të ikjes së tyre nga rruga kushtetuese e zgjedhjeve dhe frikës së tyre nga ballafaqimi me humbjen e radhës përballë nesh, në një pjesë të bashkive nuk do ketë më shumë se një kandidat, por sidoqoftë do të ketë fushatë, madje një fushatë intensive si asnjëherë më parë për nga numri i kontakteve me njerëzit dhe ngritja e kapaciteteve organizative për ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu, natyrshëm do të shpenzojmë të gjitha energjitë tona kudo ku do kemi përballë kandidatë të opozitës politike që është regjistruar në zgjedhje, apo kandidatë të pavarur. Edhe në ato bashki, objektivi ynë do jetë jo thjesht të fitojmë bashkinë, por të realizojmë numrin më të madh të kontakteve njerëzore brenda kufijve të një bashkie, sepse, të dashur miq, puna e solli këtë herë që, përveçse një betejë zgjedhore për mandatin e ri të qeverisjes vendore, kjo të jetë një betejë për të fituar zemrat dhe mendjet e shqiptarëve në luftë me fantazmën kërcënuese të së shkuarës.

Opozita e deridjeshme parlamentare, sot është kthyer fatkeqësisht në shëmbëlltyrën e asaj fantazme, duke risjellë në jetën e përditshme të shqiptarëve hijen e frikës nga përsëritja e historive të zymta me rrëmujë, destabilizim, gjunjëzim të shtetit dhe rënie të institucioneve. Është koha që këtë hije ta zmbrapsim njëherë e mirë, duke kthyer 30 qershorin në momentin e historisë tonë të re politike në demokraci, kur jo vetëm do të lindë një ditë e re përpjekjesh, për ta bërë më të mirë jetën e komuniteteve vendore të Shqipërisë, por edhe do të ngordhë përgjithnjë politika e pengmarrjes së procesit demokratik dhe kërcënimit të vetë shtetit si garant i rendit ligjor e publik për arsyet e mosarsyes së luftës për pushtet.

30 qershori duhet dhe do të bëhet momenti i ngjitjes së politikës shqiptare të këtyre 30 viteve në një stad të ri pjekurie e vetëdijeje demokratike; momenti i rënies përfundimtare të teorisë politike shqiptare se në fushën e lojës demokratike mund të fitosh edhe duke minuar fushën; momenti i daljes pa kthim nga skena shqiptare e përballjeve politike, e fantazmës së dhunës fizike mbi jetën parlamentare, jetën publike dhe jetën shoqërore të Shqipërisë.

30 vjet janë mjaft, për të thënë boll në 30 qershor!

Janë boll 30 vjet, që ky vend të mbahet peng, në radhë të parë, nga një individ që plaket si mos më keq, por si s’ka më keq, prej 30 vitesh ka shaluar gjuhën shqipe dhe masakruar çdo normë sjelljeje në mexhlis, qysh nga ato të shkruarat në kanunin e Lekë Dukagjinit, tek ato të latuarat në librin e vlerave universale të demokracisë.

Janë boll 30 vjet, që ky vend thith gazin e prodhuar nga i njëjti individ që urrejtjen klasore me të cilën u farkëtua nën kudhrën e Partisë së Punës e eksportoi në Partinë Demokratike dhe e mbolli në çdo parcelë politike të Shqipërisë në formën e një urrejtjeje të verbër mes shqiptarëve, për shkak të politikës që pas 30 vitesh në rrugën e përpjekjeve në demokraci çudit planetin me djegie mandatesh parlamentare.

Janë boll 30 vjet, që i njëjti lider politik, në krye të së njëjtës parti, i cili si President i Republikës dogji Shqipërinë, duke e çuar në buzë të luftës civile, si shef opozite dogji Kryeministrinë, duke e sulmuar me antitank e me kallashnikov, nën synimin e verbër për të vrarë shefin e qeverisë dhe për të marrë pushtetin me dhunë, si kryeministër vrau dhe plagosi me armë zjarri protestues që armët e tyre më të rrezikshme kishin ristelat e pankartave të protestës, të vazhdojë sot të kërcënojë përsëri, me zjarr e flakë këtë popull, nga tmerri se mund t’i vijë më shpejt fletëthirrja e drejtësisë, sesa bileta e takimit me Shën Pjetrin.

Janë boll 30 vjet, ngritje e rënie, rënie e ngritje, prishje e ndreqje, ndreqje e prishje, në përpjekjet për ta bërë këtë vend me shtet, ligje e rregulla të respektuara nga të gjithë dhe për ta çuar në dyert e Europës së Bashkuar që në 30 Qershor, në vend se populli të zgjedhë kush do të marrë stafetën e qeverisjes në bashkitë e vendit, shqiptarët të asistojnë në një tjetër triumf kombëtar të tezës antishqiptare se qenkemi një popull që s’kemi aftësi shtetformuese, sepse s’jemi në gjendje të respektojmë asnjë rregull që ne vendosim vetë.

Janë boll 30 vjet, që në 30 qershor të mos e ndajë më dysh historinë e kësaj periudhe të jetës sonë në këtë vend, duke u bërë bashkë, pa dallim, çdo shqiptar që s’do më zjarr në këtë shtëpi që quhet Shqipëri, çdo qytetar që s’do më kthim prapa për këtë vend që quhet atdheu ynë, çdo zgjedhës, që shkon-s’shkon në votim, s’do më muaj të pafundmë sherri e shamataje për ditën e zgjedhjeve të tij për vendin a bashkinë e tij dhe t’i japim fund kësaj marrëzie që politika kërkon ta kthejë në një sëmundje kronike të pashërueshme në qenien tonë shoqërore.

Janë boll 30 vjet, që ne të vazhdojmë të endemi dhe 30 të tjera pas 30 qershorit, në vorbullat që i ngre mbrapshtia e politikës, po i paguan shqiptari i zakonshëm, i paguan ekonomia e tij, që kështu s’ka për t’u forcuar dot kurrë në mënyrë të qëndrueshme, i paguan shteti i tij, që kështu s’ka për të qëndruar dot kurrë mbi politikën, i paguan fëmija i tij, që kështu kurrë nuk do të ketë një shtet dhe një ekonomi si gjithë Europa, kur të rritet dhe të bëhet prind.

30 qershori duhet t’i vendosë përfundimisht kufirin çdo politikani dhe grupi politik që në emër të popullit mund të flasë e të protestojë paqësisht sa të dojë, por popullin as mund ta zëvendësojë, as mund ta imponojë dhe as mund ta marrë kurrë peng me kapsolla, me bomba, me bllokime rrugësh e me sulme të dhunshme, për të ndryshuar me dhunë qeverinë e zgjedhur prej tij, apo ndaluar zgjedhjet përmes bojkotit të tyre dhe dhunës mbi to.

Jetojmë me të vërtetë në një kohë fatkeqësie mendore që ka pllakosur mbi debatin publik, ku jo thjesht vetëm një grusht udhëheqësish pa vizion, pa ide, pa asnjë urtësi intelektuale, por dhe pa pikën e zgjuarsisë natyrale dhe të edukatës elementare qytetare, në një aleancë partish njëra më e dështuar se tjetra, në sytë e shumicës së qytetarëve, por edhe lloj-lloj komentatorësh e montatorësh të tezave më absurde, flasin sikur në vend të gjakut kanë benzinë, në vend të gjuhës kanë shkrepëse dhe në vend të kokës kanë një shishe gati për të plasur në mexhlis.

Jetojmë me të vërtetë në një kulminacion të përplasjes mes një bote të zymtë gjysmë të vërtetash, që si të tilla janë dhe gënjeshtrat më të mëdha; Bota e atyre që kanë frikë nga zgjedhjet dhe nga SPAK-u dhe atyre që ligësia, mllefi, padituria e papërgjegjshmëria i ka kthyer në komentatorë e montatorë të një Shqipërie të zezë mediatike dhe një bote tjetër që ka të zezat dhe hijet e veta, por ka dhe ngjyrat dhe dritat e veta, bota jonë e reformave, arritjeve, dobësive, boshllëqeve, gabimeve, me përpjekjet për një Shqipëri që s’është ende as sesi ajo që duam, por kurrsesi s’është kurrë ajo që kishim vetëm 6 vjet më parë.

Kemi ardhur në një pikë kur duhet t’i dalim zot pikërisht Shqipërisë që Duam dhe kur Shqipëria që ka nisur të marrë trajtat e para të qëndrueshme të një shteti në çdo sektor, kërcënohet nga një prapakthehu me pahir në rrumpallën e deridjeshme, nga të njëjtët që deri dje e katandisën si s’ka më keq në çdo aspekt, ndërsa sot duan me çdo kusht ta bëjnë leckë në sytë e botës së madhe, duke e përdhunuar me furinë e urrejtjes së tyre, që u ka dalë jashtë kontrollit dhe u është kthyer në katran që u del sa herë hapin gojën.

I humbën zgjedhjet si në harados, - kur thonë tironsit, - edhe pse ishin në qeverinë ky hynë pikërisht që të pranonin rezultatin e zgjedhjeve, kapitulluan politikisht e logjikisht në Parlament, ku zbathën çizme e thyen vezë dhe nga ku ikën me miting e me muzikë, sikur sapo kishin fituar zgjedhjet, u bashkuan me popullin imagjinar të punonjësve të bashkive e të ujësjellësve dhe të të larguarve nga Policia, duke kënduar tërë ditët e perëndisë këngët e krimit, drogës, bandave, hajnave dhe duke e nisur natën me farsën e ngjirur të himnit kombëtar. Dhe kujtuan, më saktë, kujtojnë akoma se, meqë në vend të qëndrimit në vendnumëro me një çadër dielli si parvjet, po vijnë vërdallë nëpër Tiranë me çadra shiu dhe meqë në vend se flasin si atëherë, pas Lulit, zoti Ndoka, zoti Mediu, Dash figura, zoti Vangjeli dhe zonja Hava, sot flet zonja “kapsolla”, shoku “guri”, zoti “fishekzjarri”, zoti “molotovi” dhe sigurisht zoti digjitali u takoka të marrin shumë më tepër se 2 vjet më parë.

Pra, sa më keq u del llogaria e futjes në zgjedhje, aq më shumë mendojnë se u takon të marrin pa zgjedhje, - u thotë mendja këtyre derdimenëve që e dinë Shqipërinë e vitit 2019, shesh për përsheshet e tyre të asaj kohës së vjetër, kur ne socialistët na dinin mish për topet e tyre dhe vendin e kujtonin pyll për të luajtur me flakët e etheve të tyre për pushtet. “Ramën se mundim dot me zgjedhje, prandaj “Rama ik” dhe o burra të ngrihemi të shpëtojmë vatanin, se sot kemi me vete edhe filxhanin”.

Jo sot, dje do kisha ikur unë, nëse nuk do ta shihja siç shoh diellin përditë, katranin me bojë që e pret përsëri Shqipërinë, po lejuam që qeveritë në këtë vend të vijnë nga presioni i dëshpëruar i rrugës së atyre që kanë humbur rrugën dhe jo nga rruga e ballafaqimit përballë sovranit.

Jo nesër, sot iki unë, nëse nuk do ta kisha mësuar historinë e këtij vendi, të vjetrën dhe të renë dhe nuk do e kisha ditur si bukën që ha, sesa të zeza i kanë ardhur Shqipërisë nga uzurpimi i të drejtës së shumicës për të vendosur dhe nga e drejta që politikanët i kanë dhënë vetes për të prishur rregullat që ata vetë kanë vendosur.

Jo sot, por asnjëherë sa të jem në këtë detyrë, të paktën, edhe sikur ta nxjerr zemrën nga gjoksi dhe ta ngre lart që ta shohin të tërë, e di që nuk do t’ia mbush dot kurrë mendjen shumëkujt se për mua, kjo punë s’është as qejf personal dhe as interes material, por një privilegj i paçmuar, që më jep mundësinë të bëj më të mirën për Shqipërinë e ndoshta me ndihmën e Zotit të lë pas një kujtim të mirë në historinë e vendit tonë dhe të kësaj partie që i duhet vendit si timoni makinës.

Ama, sot po ua them të gjithë atyre që nga frika se mos të mbyturit do mbysin dhe Shqipërinë, siç e kanë mbytur në fakt herë tjetër, thonë po ja, le të ikë Rama që të qetësohen të marrosurit për pushtet.

Jo, kështu nuk qetësohen të marrosurit për pushtet, por fillon rirënia në batakun e marrisë pa shtet, pa drejtësi, pa rregull, nga nisi e përpjeta jonë për ta rilindur Shqipërinë e për t’i dhënë këtij vendi trajtat e një shteti, në një rrugë që është e gjatë, e përpjetë dhe sfilitëse, ku unë jetoj dhe luftoj përditë me bindjen se pushteti s’është mundësi për të rrëmbyer, por privilegj për të shërbyer, s’është qëllimi, por fuqia për t’u ngjitur drejt qëllimit, s’është karrigia nga ku nuk shkulesh se do të jesh mbi të tjerët, por detyra nga ku nuk ikën, sepse të tjerët të kanë zgjedhur t’i udhëheqësh.

Jo, nuk iket nga kjo detyrë, pse kërkojnë kundërshtarët që s’kanë popull me vete, po aq më pak iket kur e kërkojnë kundërshtarët e bërë njësh me mjetet antidemokratike të rrugës, ngaqë s’të largojnë dot me rrugën e zgjedhjeve demokratike. Nga kjo detyrë iket vetëm kur e kërkojnë ata që ta kanë dhënë detyrën me votën e tyre si popull në zgjedhje, apo me votën e tyre si përfaqësues të popullit në Parlament.

Unë nuk rri në këtë detyrë, pse më gënjen mendja se jam i pagabueshëm, apo se s’kam bërë gabime, pse kujtoj se çka po bëjmë, është pa të sharë, apo se shtetndërtimi po shkon vaj, as pse mendoj se njerëzit s’po paguajnë më nën dorë për të marrë shërbimet e tyre, se rrogat janë rritur aq sa nuk mendohej, se të gjithë shqiptarët po kthehen nga jashtë dhe kështu me radhë e se një fushë me lule është sot jeta e shqiptarëve.

Jo, jo, fare!

Unë nuk i iki kësaj detyre, sepse në çdo drejtim, - po në çdo drejtim ama, - kam nisur sëbashku me ju dhe me të gjithë ata që na besojnë e mbështesin, një luftë që s’ka shans ta lëmë në mes; Një luftë ku përballem përditë me probleme dhe nuk i gëzohem dot një arritjeje reale, se “boom”, ballafaqohem me një shqetësim real; Një luftë ku e shoh përditë se korrupsioni, tarafi, marifeti s’janë vetëm jashtë nesh, por janë edhe brenda nesh; Një luftë ku njëherë marr frymë i lehtësuar pse e zgjidhëm hallin e një njeriu të zakonshëm, por herën tjetër mezi marr frymë nga pesha e sëkëlldisë, pse një tjetër njeriu të zakonshëm iu krijua padrejtësisht një hall.

Kjo luftë shtetndërtuese s’është as poezi elektorale, s’është as provë qeverisëse e një vendi normal, me shtet të ndërtuar denbabaden, por është një ngjitje e stërmundimshme në një të përpjetë që nuk ngjan me asgjë tjetër, përveç vetvetes.

Ngjitesh me forcë, konsumon energji, arrin në një pikë, diku rrëshqet, ndrydh një gjymtyrë, rimerr forca, ringjitesh, përparon vazhdimisht, pak nga pak, herë më shpejt, herë më ngadalë, herë mpihesh, herë ecën me ritëm të lartë dhe sa më poshtë duket bataku nga je nisur, aq më lart duket maja ku duhet të ngjitesh.

Prandaj në demokraci ka edhe rënie, edhe thyerje, edhe ndarje, edhe rikompozime forcash kur ata që udhëheqin se mbajnë dot ritmin, unitetin, lodhjen.

Ne, deri më sot, këto s’na kanë ndodhur qysh se jemi nisur, 6 vjet më parë, në këtë luftë me të shkuarën, me kohën, me vetveten. E kemi mbajtur edhe ritmin, edhe unitetin, edhe lodhjen. Kemi pasur dilemat tona, hatërmbetjet e zhgënjimet tona, por kemi qëndruar bashkë, kemi ecur bashkë, kemi fituar bashkë, jemi rrëzuar e ringritur bashkë dhe kemi vazhduar bashkë.

Kush ka pritur të na shohë të trokasim te mullixhiu për inat të vjehrrës është zhgënjyer.

Kush pret akoma të rilindë në Partinë Socialiste mikrobi i urryer i dasive që solli në pushtet, kë në pushtet kurrë s’vinte dot vetë, duhet të përgatitet për një pritje të gjatë, të lodhshme dhe pa rezultat. Ne nuk na përçan dot asgjë dhe askush, as vetëkënaqësia idiote e pushtetit s’na prek dot, as pakënaqësitë e natyrshme të njërit sot dhe tjetrit nesër s’na ndajnë dot.

Jemi një për të gjithë dhe të gjithë për një!  

Debatojmë përditë dhe zihemi për punët, por jo për kamerat. Marrim dhe kot ndonjëherë tavolinave, sidomos kur kemi sedër e na mbetet hatri, por zarare si ato të dikurshmet në dëm të qeverisjes së vendit dhe të familjes së madhe që drejtojmë, asnjëherë më sepse kemi mësuar që prej zarareve humbasim të gjithë dhe të gjithë e dimë që kush bën zarare na humbet që të gjithëve.

Por, pikërisht sepse mund të ndodhë edhe kështu, që një shumicë të qëndrojë e bashkuar dhe të mos ketë nevojë asnjëherë të përballet me ndarje, thyerje, kompozime, rikompozime, demokracia ka stacionet e saj periodike, që nuk i shmang dot as kush i qeveris: zgjedhjet, aty ku kush udhëheq gjykohet dhe ku udhëheqjet ndërrohen nëse shumica e popullit nuk i ndjek më dhe kërkon një shteg të ri, një rrugë të re për t’u ngjitur më shpejt më lart.

Po ku është parë që të drejtën e popullit për të zgjedhur dhe të drejtën tonë për t’u zgjedhur, ta marrin me dhunë disa që nuk zgjidhen dot se nuk kanë popullin me vete.

Kjo është ABC-ja e sistemit që kemi zgjedhur, por ja si erdhi puna pas 30 vjetësh, që partia, e cila lindi për të shkruar historinë e Shqipërisë me këtë ABC, ka degraduar si një grup ngelësash dembelë me shkollë nate të mbetur papunë rrugëve, që jo vetëm kanë harruar abetaren, por duan t’i imponojnë Shqipërisë analfabetizmin antidemokratik të retorikës së dhunës. Ky analfabetizëm kërcënues, jo vetëm për rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës, por dhe për rendin logjik të komunikimit mes shqiptarëve, përhapet nga ekrane studiosh që duken si kuzhinë big brother, ku debatet janë si muhabete rakie dhe analistët si mësues nate, pa arsimin përkatës.

Përgjime krejt qesharake të kërryera nga dosje hetimore në thyerje të sekretit hetimor dhe dhuruar për big brotherin nga dora e dikujt që në vend që të hetonte Dibrën, e ka mbajtur në sirtar për këtë ditë të zezë për partinë e tij apo përgjime deri të sajuara komplet, ku ka dalë dhe një rresht i vënë në gojën time, i cili nuk më shqetëson, por më fyen sepse nuk është gjuha ime, por gjuha e një mësuesi nate, jo vetëm pa arsimin përkatës, por dhe totalisht jashtë profilit. Përgjime imagjinare që fshihen pas disa numrash, të cilat përsëriten pa pushim si të ishin kodet e DaVincit ku ndrydhen të vërteta të skëterrshme për triumfin e vjedhur të republikës së re apo tretjen e thesarit elektoral të LSI-së, si rezultat i veprimtarisë sonë mafioze, paçka se dhe cironkat e liqenit të Belshit, qefujt e lagunës së Patokut, ngjalat e Karavastasë, se Lulzim Basha po e po, - e dinë se nga rridhte përroi i parave për blerje votash në 2017. Peshqit e shkretë nuk kishin gojë dhe nuk kanë, ndërsa Lulit i ra goja në fushatë për të shpëtuar skllevërit e PD-së nga leku i SHPK-së.

Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme na qenka kapja e drejtësisë për fyti nga duart e qeverisë së krimit, paçka se në dakordësi të plotë me partnerët ndërkombëtare të reformës në drejtësi. Mungesa e Gjykatës Kushtetuese si rezultat i shporrjes nga sistemi të shumë anëtarëve të asaj gjykate nga vettingu na qenka eliminim me urdhër nga lartë i kushtetueses dhe i të lartës, e cila pati të njëjtin fat paçka se nuk ka amerikan e nuk ka holandez të reformës në drejtësi që nuk e di se qeveria, as çelësat e kashtës nuk ka për të mbyllur apo për të hapur një derë, në kantierin e drejtësisë së re.

Komentet dhe artikujt në media të huaja, të cilat sipas Qim Defterëve të shkollës së natës, paskan zbuluar se i shkreti Lul i paska fituar zgjedhjet, por ja kam blerë unë ma paratë e drogës kur ai po flinte gjumë, pasi korri fitoren.

Këto nuk janë arsye për t’i thënë qeverisë së zgjedhur “ik ti, se do vi unë” por janë shprehjet e dhimbshme të stërmundimit për të fshehur frikën nga zgjedhjet e 30 qershorit dhe tmerrin nga SPAK-u. Megjithatë po i marr të mirëqena, jo që Luli fitoi, as që LSI-së ju shpua thesi rrugës nga mafia dhe prandaj u katandisën si çift i lidhur me pahir në dëshpërim, por po marr të mirëqenë që vërtetë të tëra këto janë probleme që duhen adresuar dhe që me të vërtetë po, duhen adresuar, por si? Kush i adreson? Ja për shembull, dosjet e Prokurorisë duhet të zbërthehen deri në fund e të dilet me përfundime të plota ligjore për to, duke çuar në burg këdo që provohet fajtor për shitblerje vote, nëse vërtetë ka të tillë. Po kush do e bëjë këtë? Qeveria e kapsollave tranzitore? Po si do e bëjë? Sepse prokuroria nuk ka asnjë varësi nga qeveria apo ndoshta me të ikur unë, që kam kapur drejtësinë me amerikanë dhe europianët, do kalojmë nga tranzicioni i drejtësisë që po reformohet, tek funerali në drejtësi nën tingujt e ngjirur të himnit kombëtar. Po ku është parë një opozitë që ti thotë një shumice për të tëra këto më lartë dhe sa të duash më shumë akoma po të doni, që meqë unë, opozita, i shoh këto gjëra shumë keq, ti shumica, duhet të ikësh se s’bën, pa zgjedhje, madje po nuk u binde të ikësh me të mirë edhe me dhunë do të të largoj, madje-madje do të shkatërroj edhe zgjedhjet, se në fakt ti më mund. 30 vjet janë boll. Dalin e teprojnë për të kuptuar se spiralja e marrosjes së udhëheqjes së opozitës së sotme parlamentare, jo parlamentare, ka prekur fundin dhe 30 qershori duhet ta sanksionojë këtë fund, duke afirmuar refuzimin pa ekuivok të pranimit të kësaj gjendjeje analfabetizmi antidemokratik të asaj udhëheqjeje si legjitimitet për  të shpërbërë ABC-në e sistemit demokratik.

Pa diskutim, mos hyrja e tyre në zgjedhjet e 30 qershorit dhe mungesa e kandidatëve alternativ në një pjesë të bashkive, nuk janë simptoma të një shëndeti shumë të mirë demokratik, por kjo është pasqyrë e marrjes së ilaçeve të gabuara nga ai grupim, që pas humbjes së merituar të zgjedhjeve u kthye tek receta e vjetër e doktorit të gabuar; mllef në vend të arsyes, sharje në vend të ideve, shpifje në vend të argumenteve, dëshpërim në vend të optimizmit, dhunë rrugore në vend të alternativës zgjedhore. Kështu që me keqardhje, por ne as mund të zbrazim tonën që të mbushim të tyre për t’i futur në zgjedhje, as mund të bojkotojmë edhe ne zgjedhjet që mos i lëmë ata vetëm në dëshpërimin e tyre, sepse ka disa që pyesin, si do hyni vetëm në zgjedhje? A thua se zgjedhjet janë një kinema ku nuk shkohet i pashoqëruar dhe jo një detyrim kushtetues, ligjor, politik, moral dhe qytetar, të cilin e kemi marrë përsipër bashkë me sistemin që kemi zgjedhur, këtu e 30 vjet më parë. Po pse xhanëm këta mësuesit e natës që ngrenë këto pyetje, si në jerm, nuk ju pyesin ata, po si po na lënë vetëm, të shkojmë në zgjedhje? Çështje ABC-je është dhe kjo, e demokracisë, por kthimi tek shkrimi e tek këndimi demokratik me sa duket do të kalojë përmes lëvizjes “Luli ik” pas 30 qershorit, kur të gjithë ata do ta kuptojnë se çfarë marrëzie vetëvrasëse është për një grupim politik, të mos hyjë në zgjedhje.

E vërtetë është dhe jam dakord edhe me ata që predikojnë se shumica  qeverisëse duhet të bëj gjithçka që opozita të ndihet e respektuar dhe nëse ka pasur në 30 vjet një shumicë në këtë vend që ka bërë në këtë drejtim, është kjo shumicë, e Partisë Socialiste.

Lejomëni këtu parantezën që, në gjithë këto vite demokraci, kanë qenë gjithnjë shumicat qeverisëse socialiste, të cilat kanë bërë më shumë për ta bërë të ndihet mirë pakicën blu, sidomos kur kjo e fundit është shfaqur si i çmenduri që të çmend dhe kjo parti, i ka paguar një çmim jo të vogël, qasjes së saj të hapur ndaj asaj partie, ndërkohë që ajo parti, jo vetëm që nuk do kishte ardhur dot në pushtet asnjëherë, sikur nga kjo parti të mos kishte dalë dhe si rezultat i atij çmimi, një tjetër parti e llojit “hapadollapa kush është mbrapa”, por kur ishte në pushtet, ajo parti na ka lënë të dergjemi 23 ditë në grevë urie në mes të bulevardit për një copë komision hetimor për materialet zgjedhore, por nejse, e lashë, se do bëhej paranteza fjalim, nëse do vendosja këtu pasqyrën krahasimore mes socialistëve që kanë ndërruar në memorien time, 8 kryeministra, deri sot dhe atyre që jo vetëm laj, thaj, shplaj, për çerek shekulli nuk ndërruan një njeri, i cili dhe rolin e njeriut e ka bërë me shkëputje nga puna, por edhe parullës antiqeveri, ka 30 vjet që i ndërrojnë vetëm gjysmën, se gjysma tjetër është ik.

Pse kemi qenë ne shumica qeverisëse më e hapur, ne që jemi sot këtu dhe më dorë shtrire ndaj opozitës në këtë histori 30 vjeçare?! Sepse askush, asnjëherë, jo se ka bërë, por nuk e ka imagjinuar atë që bëmë ne në 2017 dhe pse e bëmë?

E bëmë që të mbyllej përgjithnjë çadra e politikës së mbrapsht që çmendet për të të çmendur, me qëllim që t’i afrohet pa votë pushtetit, që nuk merr dot me zgjedhje. Por ja që siç e shohim dhe e shohin të tërë, nuk funksionoi. Dhe jo vetëm nuk funksionoi, por doli më keq sepse filloi shiu. Çadrat u shtuan si kërpudhat. Kërpudha tek parku i Kryeministrisë u shkatërrua dhe filluan bombat mbi derën e kryeministrisë. E tërë këtë gërdi të re, thonë me pathos se e bëjnë që të mos përsëritet më kurrë ajo që u bë në 2017 dhe që i dha këtij populli në fakt, zgjedhjet më të qeta e më të mira, pa diskutim, në çdo aspekt, plus i dha vendit mundësinë e një kapërcimi të rëndësishëm në një stad tjetër të marrëdhënieve qeveri-opozitë, por ja që këta në vend se të qëndronin dhe sëbashku të ndërtonim mbi atë stad tjetër, përsërisin pa pushim që nuk e përsërisin kurrë atë mëkat, pra këtë herë avazi i vjetër, ka rifilluar nga një stad i ri marrëzie. Kurrë më një tjetër marrëveshje me dialog, por një pengmarrje e procesit demokratik me bomba deri kur të iki ai që nuk e mundim dot me zgjedhje.

Dëgjoni këtë që po ju them. Ajo marrëveshje nuk funksionoi dhe asnjë marrëveshje si ajo nuk funksionon, sepse në fakt Partia Demokratike ka ndërruar qime, por jo zakon. E kuptohet, zakoni është Saliu që nuk ndërron as qime, ndërsa Lulzimi është vetëm qimja që nuk bëhet dot zakon.

Por hera e fundit kur forca e atij zakoni të mbrapshtë mund t’i imponojë, Partisë Socialiste të Shqipërisë ka qenë viti 2011 i Tiranës dhe deri kur Partia Demokratike nuk do heqë dorë nga ai zakon, nuk do ketë asnjë shans ta sfidojë dot, as Partinë Socialiste si alternativë qeverisëse, as shtetin që po ndërtojmë e mundime e me peripeci të mëdha. Lulzim Basha imagjinon të paimagjinueshmen, marrjen e pushtetit duke e kthyer PD-në tek shfaqja më vulgare, më agresive dhe më antihistorike e forcës së atij zakoni, ndërkohë që Shqipëria është vend i NATO-së, ndërkohë që Shqipëria ka statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian, ndërkohë që Shqipëria pret çeljen e negociatave për anëtarësim, ndërkohë që Shqipëria ka nivelin më të lartë të marrëdhënieve që ka pasur ndonjëherë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tjerë të mëdhenj strategjik, ndërkohë që Shqipëria është në shumicë e vendosur në mbështetje të forcës sonë politike qeverisëse në nivel qendror dhe në nivel vendor. Lulzim Basha e imagjinon të paimagjinueshmen duke u kuturisur në rrugën e vjetër të zakonit që del me shpirtin dhe shpirti i asaj partie është doktori i gabuar dhe jo kryetari i llakuar sepse nuk imagjinon dot të imagjinueshmen, fitoren me votë. Aq të pamundur e ka të imagjinojë të imagjinueshmen, të fitojë zgjedhjet, sa në rrugën e të paimagjinueshmes, marrjes së pushtetit me bomba, ecën në ajër, pa e ditur se ku shkon, me doktorin që e shtyn nga mbrapa, me doktoreshën që e tërheq nga përpara dhe me masën e madhe të demokratëve që e ndjek nga ekrani, e cila sapo ka nisur ta ndjejë se flakët, që po përzhisin imazhin e Shqipërisë nëpër botë, në Shqipëri do djegin Lulin dhe partinë e tyre.

Sidoqoftë unë i mbetem besnik traditës së kësaj partie dhe bindjes që as kundërshtari nuk mund të zgjidhet, as dialogu nuk duhet braktisur kurrë, kështu që jam i gatshëm të ulem me Lulzim Bashën në çdo moment dhe t’i ofroj gjithçka ka në dorë shumica qeverisëse të ofrojë, kushte nuk kam. Kushtetutën e kemi të njëjtë dhe si të tillë, ne na takon ta respektojmë. Ne me të drejtën për t’u zgjedhur në 30 qershor, Lulzimi me lirinë për të mos hyrë në zgjedhje, gjë që nuk do t’ia këshilloja as armikut, jo më Lulzimit që armik as e kam, as mund ta kem, megjithatë kjo është vendimmarrja e tij.

Këtu e mbylla me ABC-në e sistemit që kemi zgjidhur dhe me taksiratin që kemi për të ruajtur qetësinë e për të kalitur durimin në përballje me këta që na kanë rënë për kundërshtarë, të cilët bashkë me qetësinë dhe durimin që nuk i kanë pasur kurrë, kanë humbur dhe një pjesë të konsiderueshme të kontrollit të vetvetes, por fakti që foli si zakonisht jo shkurt dhe nuk kam mbaruar akoma, por deri tani kam folur sikur në 30 qershor do të hyjmë në zgjedhje politike, flet besoj për sa të rëndësishëm janë këto zgjedhje për historinë e zhvillimeve politike të vendit, sa e rëndësishme është që askush, askund, në asnjë cep të asnjë bashkie të mos dyshojë më a do bëhen zgjedhje a nuk do bëhen zgjedhje në 30 qershor dhe kjo kërkon fushatën më intensive të komunikimit me njerëzit, duke folur dhe shpjeguar pa pushim ABC-në e sistemit që kemi zgjedhur dhe treguar pa u lodhur se pse zgjedhjet nuk ka asnjë mundësi të shtyhen dhe asnjë shans të mos lejohen të zhvillohen.

Sa e rëndësishme është që të komunikohet pa asnjë paragjykim, asnjë kufizim, asnjë seleksionim, me socialistë, demokratë, familje, prindër, pensionistë, sipërmarrës, tregtarë të vegjël, fermerë, kudo, me durim dhe me vendosmëri se askush që dëshiron të votojë nuk mund të pengohet. Gjithsekush që nuk e sheh të udhës të votojë le të mos votojë, por të gjithë njerëzit e arsyeshëm të këtij vendi, si të votojnë, si të mos votojnë, duhet ta kuptojnë se sa rëndësi ka të ndihmojnë çdokënd rreth e rrotull që mund të jetë pak turbull duke e kthjelluar se kush i afrohet një qëndre votimi me mendje të keqe, djeg veten, jo zgjedhjet. Sa e rëndësishme është të informohet të gjithë këta të fundit se çfarë parashikon kodi penal për individin që prek një hallkë të vetme të zinxhirit të procesit zgjedhje sepse jo gjithkush e di që Kodi Penal është shumë i ashpër në këtë aspekt e jo që nuk ia vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme që të nxit të shkosh me këmbët e tua në duart e drejtësisë, por që mund të të fusë dhe në listën e zezë të të dënuarve për krime zgjedhore të cilëve do tu hiqet përgjithnjë e drejta e hyrjes në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Europian.

Nuk dua kurrë unë që një i vetëm shqiptar i zakonshëm t’ia shoh këtë qeder për një jetë të tërë, një budallallëku të kotë e të mbetet tërë jetën, pa hyrë dot në bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara sepse shkoi  dhe vajti pas një udhëheqjeje që kërkon ta bëjë Shqipërinë shesh për një përshesh të neveritshëm, duke shkelur çdo kufi të rendit kushtetues, të rendit ligjor dhe të rendit logjik të kësaj Republike. Por është shumë e rëndësishme që në çdo qendër, ne të dokumentojmë me video, me audio, me fotografi çdo veprim në kundërshtim me ligjin dhe kur them ne, flas për të gjithë trupën e organizmit tonë zgjedhor, jo për qeverinë, e cila sigurisht do ta bëjë detyrën e saj ashtu sikundër policia e shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese do bëjnë të tyren.

Ne do bëjmë një fushatë në radhë të parë për demokracinë, për përgjegjësinë qytetare të çdokujt që t’u rrijë larg të mbyturve që duan të mbysin Shqipërinë pavarësisht bindjeve, në raport me këtë proces dhe për solidaritetin e dijes demokratike elementare, në ndihmë të kujtdo që prej padijes ligjore mund të jetë një viktimë potenciale e predikuesve politikë të analfabetizmit antidemokratik. Nuk është pjesëmarrja e lartë në votime, aty ku nuk ka garë, as garë, por ndërgjegjësimi i lartë për rëndësinë jetike të qetësisë dhe të normalitetit në ditën e zgjedhjeve, objektivi ynë kryesor.

Ata që nuk e dëgjojnë zërin e arsyes demokratike deri në fund, do të mbeten vetëm, të izoluar nga bota dhe nga komuniteti, lehtësisht të identifikueshëm dhe nuk do ta kenë më punën me ne, por me shtetin dhe me forcën e ligjit. Mbase nuk është e thënë që të ketë një kthim në rrugën e arsyes nga ana e kundërshtarëve tanë politikë, gjë që unë përsëri nuk e përjashtoj, sidoqoftë, as deri në 30 qershor sepse nuk ma ha mendja që në kohën kaq të gjatë politike deri në 30 qershor, të mos hyjë dot drita e arsyes për pasojat e mëdha dhe të panevojshme që individualisht, secili mund t’i paguajë marrëzisë së prekjes së qoftë edhe një fijeje floku, të një njeriu të organizuar në administratën zgjedhore. Por jo të gjitha sfidat i zgjedhim. Sfidat edhe na zgjedhin dhe kjo sfidë krejt e tepër për Shqipërinë, në këtë moment kaq të rëndësishëm për ecurinë e saj në procesin e afrimit me Bashkimin Europian. Për ekonominë dhe për turizmin, për familjet shqiptare në tërësi dhe për të ardhmen demokratike në veçanti, na ka zgjedhur ne.

Ne e pranojmë dhe do ta fitojmë sepse ne jemi sot garantët e besimit të shqiptarëve që vazhdon të jetë i investuar tek ne. Garantët e integrimit europian që duhet të vazhdojë me ne dhe garantët e shtetndërtimit të nisur që do ta vazhdojmë ne. Kush beson tek shëmtimi dhe tek dëmtimi i vendit si mjet lufte politike është i dënuar të turpërohet dhe të ndëshkohet. Kush beson tek pastrimi dhe ndërtimi i vendit, si qëllim i jetës politike, është i dënuar të sprovohet dhe të mos dorëzohet. Koha është zonjë, një zonjë e rëndë dhe e heshtur, por nuk harron kurrë të flasë për secilin.

Me urimin që të gjithë ju të bëni më të mirën tuaj dhe kurrë të mos e harroni se forca jonë vjen nga populli dhe e drejta e tij për t’u qeverisur çdo ditë e më mirë si komb dhe në çdo komunitet, unë ju jap të gjithëve vetëm një këshillë. Qetësi e madhe, durim i fortë dhe vendosmëri e palëkundur.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm