Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Zotimi ynë është që të hapim 220 mijë vende të reja pune; të rrisim pagën minimale në 30 mijë lekë

Të reja

Zotimi ynë është që të hapim 220 mijë vende të reja pune; të rrisim pagën minimale në 30 mijë lekë

12 Sep 2017    

*Nga Blerina Gjylameti/

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë,

Programi i qeverisë së re që po diskutojmë sot në këtë seancë është një kontratë e re që ne ua paraqesim qytetarëve shqiptarë, për të nisur kështu një stad të ri të qeverisjes së Shqipërisë. 
Ne vijmë sot në këtë seancë pas një besimi të madh që të gjithë qytetarët i dhanë Partisë Socialiste, alternativës së saj dhe këtij programi qeverisës në 25 qershor.

Në fakt, pikat e programit të qeverisë u parashtruan edhe gjatë fushatës dhe, siç u pa edhe nga rezultati, shqiptarët i dhanë një notë maksimale. Në fund të mandatit të parë qeverisës arritëm të kemi një rezultat të kënaqshëm, gjë që i dha Partisë Socialiste mundësinë të ketë tashmë drejtimin si alternativë e vetme në qeverisjen e vendit. Sigurisht kjo nuk na bën aspak arrogantë, por ndjehemi të përulur ndaj qytetarëve, me më shumë përgjegjësi dhe angazhim për të qeverisur vendin. Sigurisht na pret më shumë punë për një shtet të së drejtës dhe mirëqenies.
Reformat e ndërmarra në katër vjeçarin e kaluar na ndihmuan në krijimin e këtij besimi tek qytetarët: se Partia Socialiste është e vetmja alternativë për të ndërtuar një Shqipëri të re, me një fytyrë krejt tjetër, një Shqipëri europiane.

Katër vjeçari që kaloi nuk ishte i lehtë; na u desh të ndërmarrim reforma të vështira, e që në krye të herës u dukën dhe të ashpra, por ishte e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga buza e greminës ku e gjetëm. Lufta më e madhe që kishim në mandatin e shkuar ishte çrrënjosja e modelit të “më të fortit” dhe informalitetit. Ndërkohë, sot mund të themi me bindje të plotë se sipërmarrja është më e mbrojtur nga konkurrenca e pandershme dhe informaliteti, partnere e qeverisë në projektet e zhvillimit dhe në dialog të vazhdueshëm në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit. Por këtë luftë do ta vazhdojmë po me të njëjtin intensitet edhe këtë katër vjeçar. Ndaj motoja e këtij mandati është: “sipërmarrje konkurruese dhe partnere e zhvillimit”. 
Në mandatin e kaluar ne stabilizuam financat publike, dhe në një bashkëpunim të shkëlqyer me FMN arritëm të ulim borxhin publik në nivelin 68.9%, nga gati 80% që e morëm në marrje të mandatit të parë.
Ndërkohë, në këtë katër vjeçar synimi ynë është ta ulim borxhin publik në nivelin e 60% të PBB. E nisëm punën tonë në mandatin e shkuar duke përkrahur shtresat e mesme. Kështu zeruam taksat për biznesin e vogël, duke i dhënë kësaj kategorie një lehtësim të ndjeshëm. Zgjeruam tatimin për bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë, prej nga përfituan 83 mijë familje; vendosëm vetëm 5% tatim-fitimi për bizneset me xhiro vjetore nga 5-8 milionë lekë, prej nga përfitojnë 17 mijë biznese; 93% të bizneseve të vogla ose 100 mijë biznese u lehtësuan nga barra tatimore, ndërsa u aplikuan 60 lehtësira fiskale për sipërmarrjen.

Një ndër hapat më të rëndësishëm në sektorin ekonomik në katër vjeçarin e kaluar ishte shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj sipërmarrjes dhe qytetarëve - rreth 700 milionë dollarë. Viti 2016 shënoi një rekord historik të investimeve të huaja direkte me rreth 1 miliard euro, ndërsa numri i bizneseve të huaja në Shqipëri po rritet.

Pas katër vitesh të qeverisjes sonë, Shqipëria ka një rritje ekonomike më të shpejtë e më të qëndrueshme, prej së cilës po përfitojnë gjithnjë e më shumë familjet dhe qytetarët. Rritja ekonomike sot është 3.5 herë më e lartë se në vitin 2013, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me ritmet më të larta të rritjes në Europë. Në katër vjet u morën masa të rëndësishme dhe efikase për të rivendosur stabilitetin makroekonomik pas falimentimit që trashëguam, duke ia dalë të ulim ndjeshëm riskun fiskal në ekonomi dhe rikthimin e parametrave ekonomike në nivele të qëndrueshme.

Ndaj kemi vendosur që në këtë mandat të ri qeverisës të injektojmë më shumë se 1 miliard USD në ekonomi, nëpërmjet angazhimit të kapitaleve private në një numër të madh projektesh investuese, duke ndikuar direkt në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë. Dhe ky është një prej angazhimeve tona më të mëdha për të fuqizuar sipërmarrjen dhe për të ecur më tej me rritjen ekonomike.
Stabiliteti makroekonomik mbetet në qendër të vëmendjes tonë, ndaj synojmë një rritje ekonomike mesatare rreth 4.5 përqind për të arritur në rreth 5.5-6 përqind të PBB-së në fund të mandatit.
Ne e kishim parashikuar që në manifestin “Për Shqipërinë që Duam” programin “1 miliard për rindërtim”, i cili parashikon ngritjen e një spitali rajonal, dhjetëra qendra shëndetësore, rehabilitimin e 140 shkollave si dhe ndërtimin e rrugës së Arbrit, 100 milionë për rrugët dytësore dhe më shumë akses në tregjet bujqësore dhe ndërlidhjeve mes siteve turistike. 100% e sipërfaqes bujqësore do të jetë në ujitje dhe në kullim, dhe do të hiqet TVSH-ja bujqësore. Jemi zotuar se do të çojmë drejt përfundimit procesin e legalizimeve dhe shpërndarjen e pronësisë së tokës bujqësore.
E të gjitha këto masa të ndërmarra në ekonomi sigurisht që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e punësimit. Shumë bëmë në mandatin e parë për rritjen e punësimit, u shtuan rreth 200 mijë vende pune në sektorin jobujqësor. Falë rritjes së punësimit dhe reformave të ndërmarra, në Shqipëri sot ka më pak të varfëri. Rreth 60 mijë persona kanë dalë nga varfëria dhe rreth 29 mijë të tjerë nga mjerimi. Është krijuar më shumë akses në tregun e punës, në shërbimet publike, në arsim, në kujdesin shëndetësor dhe në mbrojtjen sociale për këto shtresa në nevojë të shoqërisë. Por jemi të vetëdijshëm që kaq nuk mjafton dhe se ka ende shumë për të bërë. 
Zotimi ynë është që të hapim 220 mijë vende të reja pune; të rrisim pagën minimale në 30 mijë lekë; të konsiderojmë paketën e solidaritetit për ata që janë pensionistë, duke i dhënë 7-10 mijë lekë në vit për çdo pensionist në fundvit.

Taksimi i ndershëm progresiv ishte në themel të qasjes sonë, duke u bazuar në parimin “kush fiton më shumë, paguan më shumë dhe kush fiton më pak, paguan më pak”. Në mandatin 2013-2017 hoqëm barrën e taksës së sheshtë duke rritur të ardhurat reale për 97% të shqiptarëve. Edukatorët, mësuesit, pedagogët, infermierët, mjekët, policët, ushtarakët, zjarrfikësit, nëpunësit, të vetëpunësuarit dhe punonjësit me paga të ultëa në sektorin privat përfituan drejtpërsëdrejti si rezultat i këtij ndryshimi. Vetëm përmes taksës progresive iu rikthyem qytetarëve shqiptarë rreth 48 miliardë lekë në katër vitet e qeverisjes sonë. Konsumi i familjeve ka pasur rritjen më të lartë në shtatë vitet e fundit. Sot, një qytetar shqiptar konsumon rreth 44 mijë lekë në vit më shumë se në vitin 2013. Të ardhurat e disponueshme për banor kanë arritur në 580 mijë lekë ose 16% më të larta se në vitin 2013.

Hoqëm TVSH-në e barnave dhe shërbimeve mjekësore. Sot, ilaçet janë 30% më të lira se katër vite më parë, ndërsa mjeku i familjes dhe kontrolli bazë janë falas për çdo qytetar. 600 mijë të pasiguruar përfitojnë nga lista e ilaçeve të rimbursueshme dhe mjeku i familjes falas.
Reforma në drejtësi padyshim mbetet në shtyllat kryesore të programit tonë. Përmes Drejtësisë, ne garantojmë një qeverisje funksionale dhe të përgjegjshme si një kontratë e ligjshme, e monitorueshme dhe e kontrollueshme mes të zgjedhurve dhe qytetarëve të lirë.
Ndaj kur u kërkuam qytetarëve votën në 25 qershor, nuk e bëmë nga kolltuqet e pushtetit. Por i trajtuam ata si aleatët tanë më të rëndësishëm në këtë rrugëtim të ri, për fytyrën e re të Shqipërisë. Sepse ne duam që këtë katër vjeçar përveç rritjes së punësimit, të rrisim dhe cilësinë e administratës tonë dhe të kemi gjithmonë e më shumë njerëz të kualifikuar. Që do të thotë se ka marrë fund punësimi klientelist dhe familjar. Çdokush duhet të jetë i trajnuar dhe i shkolluar për të merituar atë vend pune. 

 

Të gjithë këto sa unë parashtrova më lart nuk janë thjesht premtime që do të mbeten në letër, ashtu siç nuk mbetën në letër edhe ato që u bënë në 2013.

Jemi të bindur se ky besim i madh që na dhanë shqiptarët për të drejtuar të vetëm vendin është një përgjegjësi akoma dhe më e madhe. Rruga që kemi përpara për të ndërtuar Shqipërinë që duam është e gjatë, e vështirë dhe hera herës me pengesa. Gjithsesi, tashmë shinat janë shtruar. Në mandatin tonë të parë, për shkak edhe të këtyre reformave që siç e theksova u dukën të ashpra, rregullat kryesore të funksionimit të një shteti tashmë janë vendosur. Puna jonë dhe e qeverisë së re socialiste gjithsesi nuk është më e thjeshtë në këtë mandat të dytë, por me rëndësi është të ruajmë progresin e bërë; dhe të vijojnë në të njëjtën rrugë për të kaluar në një fazë më lart, që do të na rendisë vërtetë në rradhën e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian. Kjo sigurisht do të duhet të bëhet dhe do të bëhet në partneritet të vazhdueshëm me qytetarët, dhe jemi të bindur që do t’ja dalim.

Turi i dëgjesave nuk ishte as i pari dhe as i fundit. Ne do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët për të bashkëqeverisur, si e vetmja mënyrë për t’ia dalë të ngremë Shqipërinë atje ku duhet të jetë. Jo vetëm për Shqipërinë që shohim ne nga këtu, por edhe Shqipërinë që shohin të tjerët jashtë. Ne duhet të krijojmë imazhin e mirë të këtij vendi që pret të hapen negociatat me Bashkimin Europian dhe jo të gjejmë rastin më të parë për të hedhur baltë mbi gjithçka pozitive është bërë në këtë vend nga socialistët, demokratët apo kush ka qenë në qeveri dje apo sot. E ardhmja e vendit është mbi të gjitha. Ajo është e ardhmja e fëmijëve tanë, ndaj nuk duhet të zhgënjejmë në misionin tonë politik, pavarësisht bindjeve dhe ndarjeve sipas grupimeve. 
Të gjithë bashkë për t’i dhënë Shqipërisë fytyrën e re, fytyrën europiane.

*Fjala në Parlament e deputetes Blerina Gjylameti

 

 

 

 

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm