Postuar më: 07/12/2009
Në ditën e 33 të shembjes së tunelit të Thirrës, pjesa më e kushtueshme e rrugës Rrëshen-Kalimash;
mbylljes së tij, mesa duket pa kthim;
mbylljes së krejt rrugës për shkak të tij;
në kushtet e një heshtje totale nga ana e Porositësit institucional, Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për:
shkaqet e shembjes së tunelit, dëmin e shkaktuar në sferën teknike e monetare, planin për eleminimin e këtij dëmi, koston financiare për të materializuar eleminimin e këtij demi;
në kushtet e paqartësisë totale të Porositësit politik, Kryetarit të PD Sali Berisha për:
kohën e eleminimit të dëmit, kohën e bërjes funksional të tunelit -I cili deri tani ka kushtuar mbi 560 mln euro, kohën e bërjes funksionale të rrugës -e cila deri tani ka kushtuar afro 800 milion euro dhe po i afrohet vlerës së 1 mld eurove me taksa, koston shtesë buxhetore për të përballuar këto pune inxhinierike të domosdoshme për të bërë funksionale tunelin e rrugën; gjithnjë, në pritje të sqarimeve publike nga ana e Kryeministrit Sali Berisha për këto cështje; dua të vijoj, denoncimin tonë publik për shkeljet e rënda të kontratës gjatë fazës së ndërtimit të rrugës, nxitur nga nevoja jetike politike dhe elektorale, me kosto të madhe për buxhetin publik të shtetit:
-operimi me “by pass-e”, ndërtimi i tyre, në kundërshtim me nenet e Kontratës, për nevoja elektorale, si zgjidhje materiale e gjetur nga “doktori i zemrës”, për të përmbushur funksionimin ritmik të gënjeshtrës më të madhe elektorale, paguar nga paratë e buxhetit të shtetit, shton shifrat e dëmit ekonomik shkaktuar nga Qeveria e Sali Berishës në ndërtimin e kësaj vepre.
Në muajin maj, porositësi ka urdhëruar kompaninë ndërtuese që, për nevoja të inagurimit elektoral të një pjese të punimeve në rrugë, brenda muajit Qershor, të ndërtojë by pass-in e Kalanianit, midis urave 101-106, prans fshatit Gziq, me gjatësi 1.5 km e me vlerë të paguar mbi 5 mln euro.
Kjo rrugë, që nga dita pas inagurimit të Sali Berishës nuk përdoret më dhe kjo është vlera më e madhe e paguar për një ditë elektorale nga Sali Berisha, me paratë e taksave tona.
- në kontratë, në nenin 1.1 “përkufizimet”, janë dy definicione të qarta për punimet, të cilat të kryera paguhen sipas kontratës:
- “punimet e vazhdueshme” janë punimet e vazhdueshme për t’u kryer nga sipëermarrësi sipas kontratës
- “punime të përkohshme” janë të gjitha punimet e përkohshme, kampet, zyrat dhe lehtësi të tjera të cdo lloji(përvec Paisjeve të Sipërmarrësit) të nevojshme në kantier për kryerjen dhe përfundimin e punëve të vazhdueshme dhe ndreqjen e defekteve
-në respekt të këtyre definicioneve kontraktuale, by pas-i i Kalanianit është ndërtuar e paguar tërësisht në kundërshtim me kontratën e rregullat e saj.
-po për të njëjtat qëllime, nxitimi elektoral, defektet në urën nr5, kanë bërë që dy këmbë e saj të ndërtohen e prishen, referuar cmimeve të kontratës me një vlerë të madhe.
-po për të njëjtat qëllime, nxitimi elektoral, defektet në urën nr6, njëra këmbë e saj të ndërtohet e prishet dy herë, referuar cmimeve të kontratës me një vlerë të madhe.
Të gjitha këto shpenzime mund të klasifikohen si shpenzime elektorale, për këtë shkak të paligjshme, të urdhëruara e kryera nga ministri i punëve publike, drejtori i përgjithshëm i rrugëve të Kryeministrit Sali Berisha.
Të gjitha këto shpenzime i shtohen cmimit të kontratës, kostos së rrugës që ne po paguajmë e do të vazhdojmë të paguajmë për shkak të borxhit të marrë për të, e vjedhjen konsumuar bashkë me të!
Ducja shqiptar, vërtetë premtoi se do të shkrinte dhe vathët e varëset e grave shqiptare për të financuar ndërtimin e kësaj rruge por sot është e provuar se vjedhja në këtë rrugë po rrëmben paratë e bukës së gojës së cdo familje shqiptari.
Dua të kujtoj edhe një herë, krimi në shkelje të ligjeve në fuqi e shpërdorim të detyrës, gjatë procedurave të prokurimit e hartimit të kësaj kontrate është një krim i hetuar, denoncuar juridikisht por i pa gjykuar për arsye politike pas atyre procedurale.
Për cdo shqiptar që po paguan me bukën e gojës pasojat e këtij krimi është e pa pranueshme që një krim i tillë, me këtë pasojë ekonomiko financiare të mos gjykohet e ndëshkohet.
Ndërkohë, ndërtimi i veprës në shkelje të kontratës, shkatërrimi i saj në mënyrë të organizuar për nevoja elektorale është një krim edhe më i madh financiar që ka cuar dëm gati 1 mld euro të parave të taksave të shqiptarëve.
Po e përsëris, pas piramidave të Sali Berishës, nuk do të ketë ndonjëherë krim më të madh financiar se ky i shkatërrimit të kësaj rrugë në vlerën e 1 miliard eurove.
Ne i kërkojmë edhe një herë sot prokurorisë të kryejë veprimet hetimore për këtë krim. Ky është apeli i fundit drejtuar këtij institucioni. Pas këtij apeli do të ndërmarrim veprime të tjerë që synojnë të vënë nën hetim këtë krim!







