Postuar më: 11/11/2009
13 deputetë të Partisë Socialiste ishin sot në tunelin Thirrë-Kalimash. Mungesa e informacionit zyrtar ka sjellë këtë vizitë të deputetëve në këtë vepër për t’u njohur më nga afër me të vërtetën atje. Deputetët socialistë kanë kërkuar informacion zyrtar nga përfaqësuesit e firmës Bechtel. Sipas menaxherit Daren Mort shembja në brendësi të tunelit e ka bërë e pamundur hyrjen në të.
Tuneli nuk ka mbaruar u shpreh menaxheri Daren Mort, kontrata jonë me qeverinë mbaron verën e ardhshme: “Ne kemi klientin tonë që bashkëpunojmë, që është Drejtoria e Rrugëve dhe për operimin e tunelit janë marrë të gjitha masat për të mos patur asnjë incident apo problem teknik. Rruga Rrëshen-Kalimash ka mbaruar, kurse tuneli është hapur dhe tani ndodhet në operim. Ajo pjesë që ne kemi shembje, është pjesa jugore dhe jo ajo pjesa që është hapur gjatë verës. Kontrata jonë me qeverinë është ta mbarojmë tunelin verën e ardhshme.”
Ndërsa deputetët socialistë po bisedonin me përfaqësuesit e firmës Bechtel nënkryetari i komunës së Fanit dhe disa persona të tjerë përfaqësues po ashtu të administratës së komunës kanë ndërhyrë duke krijuar një situatë jo normale.
Personat të cilët tentuan ndërhyjnë në bashkëbisedimin që deputetët socialistë po zhvillonin me përfaqësues të kompanisë ndërtuese janë:
Gegë Ceraj - Nënkryetar i komunës Fan
Ndue Frrokgjeta - babai kryetarit të komunës Fan
Ndue Toma- kryetar i PD Fan
Ndue Marku -veteriner i komunës Fan
Nikolin Gjaci- polic në komunën Fan
Deputetët Dokle dhe Braçe kanë deklaruar për mediat:
Deputeti i PS, Namik Dokle: “Ne si grup deputetësh ndaj erdhëm, që të merrnim informacion se çfarë ka ndodhur. Unë kam qenë dhe herë të tjera, e kam parë rrugën në ndërtim, por edhe pasi është ndërtuar dhe gjithmonë kam patur një ndjesi të dyfishtë: gëzim që po ndërtohej kjo rrugë, por trishtim për mënyrën se si ndërtohet kjo rrugë. Sepse nisi si rrugë kombëtare dhe përfundoi si rrugë elektorale. Nisi si projekt i shekullit dhe vazhdoi si korrupsion i shekullit. Nisi me teknologji moderne dhe për arsye elektorale, u shkelën të gjitha rregullat e teknologjisë moderne dhe ndodhi kjo që ka ndodhur. Është e thjeshtë që ne kërkojmë transparencë jo për ne deputetët, por transparencë për të gjithë shqiptarët, për taksapaguesit, për ata që e duan këtë rrugë, për ata që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që ta dinë çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe kur merr fund ky defekt i madh, që sipas specialistit amerikan është një defekt mjaft shqetësues dhe kanë ardhur edhe ekspertë ndërkombëtar për ta parë këtë gjë. Ne këtë kërkojmë, që tuneli të hapet sa më shpejtë dhe ka një paralelizëm pak absurd, që ndërkohë që është mbyllur dosja e zotit Basha është mbyllur edhe tuneli. Natyrisht që duhet një transparencë e madhe për të gjithë ata që janë të interesuar, ne prandaj kemi ardhur këtu, për t’u interesuar se si do të shkoj më tej. Besoj që duhet një punë e madhe që tuneli të hapet sa më shpejtë dhe ndërkohë duhet të hapet dosja e atyre që e shkaktuan këtë gjë.”
Deputeti i PS, Erion Braçe: “Ne erdhëm të gjithë këtu, nga një shqetësim i madh, që buron nga përgjegjësia e të gjithëve ne, edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, por edhe e qytetarëve shqiptarë. Rruga në të cilën jemi, por edhe në tunelin që ishim është një vepër shumë e rëndësishme, që po financohet nga taksat e qytetarëve shqiptarë, dhe që për disa vjet do të vazhdoj të financohet nga taksat e qytetarëve shqiptar për shkak të borxheve që janë marrë për ndërtimin e rrugëve dhe do të mbarten në vitet në vazhdim. Nisur nga ky shqetësim i madh publik, ne erdhëm këtu të pyesim se çfarë ka ndodhur, të merrnim informacion të hollësishëm mbi atë që ka ndodhur në atë tunel dhe natyrisht, të kërkojmë nga kompania përgjegjëse që është kontraktuar nga ana qeverisë së Shqipërisë me paratë e taksave të shqiptarëve, që të përshpejtoj sa më shpejtë punime, të zbatoj kontratën dhe normalisht të bëj sa më parë funksionale rrugën. Ajo që ne morëm si shpjegim dhe që normalisht është shqetësim i madh, ka të bëj me faktin që këtu janë shkelur parametrat e kontratës, që do të thotë se pas zotërinjve që po ndërtojnë tunelin dhe rrugën vepra sipas kontratës duhej të përfundoj në verën e ardhshme dhe nxitimi politik, nxitimi elektoral ka sjellë këtë pasojë, që edhe ata sot e quajnë shumë të rëndë, që tuneli është shembur dhe që normalisht kërkon kohën e domosdoshme tani për të ardhur në parametrat optimal për të filluar ndërhyrjen në tunel dhe më pas për t’u bërë i kalueshëm, e për të sjellë siguri optimale që parashihet edhe në kontratë për të gjithë qytetarët shqiptar që do të konsumojnë e lëvizin në këtë rrugë. Ju e patë edhe një skenë më parë, të rrëzimit të tunelit. Pra, ndërhyrja e politikës, nxitimi për nevoja elektorale, për të fshehur nën ombrellën e fushatës korrupsionin marramendës që ka ndodhur me prokurimin publik dhe pastaj dhe me procedurat e zbatimit e ndërtimit, ku dje ju tregova një fakt se si është rritur kostoja, se sa ka qenë kostoja për 1 km, kanë bërë që ne të vijmë sot, e të shohim me keqardhje se si ky nxitim politik i padobishëm për qytetarët shqiptar përcjellin këtë lloj dëmi.”







