img
Kushtetuta nuk pengon kutitė

Postuar më: 16/02/2010

Më poshtë deklarata e deputetit të PS, Sajmir Tahiri:
 

Dje Sali Berisha përsëriti për të shumtën herë tashmë, se ai vetë ka vullnet ta zgjidhë krizën, por nuk e zgjidh dot për shkak të vendimit të gjykatave.

Fshehja mbas gjoja vendimit të gjykatave, është një spekulim i Sali Berishës për të mbuluar mungesën e vullnetit për të zgjidhur krizën politike dhe institucionale që nuk e kemi shpikur ne, por ekziston e plotë për shkak të vetë Sali Berishës.

Partia Socialiste e ka njohur plotësisht vendimin e gjykatës përderisa ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, rezultat të cilin ne nuk kërkojmë ta ndryshojmë, ashtu siç nuk kërkojmë as të shqyrtojmë nëse gjykata ka vepruar drejtë apo jo.

Partia Socialiste nuk i ka kërkuar e nuk i kërkon Sali Berishës të dalë mbi vendimin e gjykatës, por përkundrazi, i kemi kërkuar ti nënshtrohet ligjit si të gjithë të tjerët, e të shfaqë vullnet politik e parlamentar, pikërisht për të na lejuar ne të zbatojmë vendimin e gjykatës.

Partia Socialiste i kërkon Kryeministrit dhe maxhorancës të na lejojë të zbatojmë Kushtetutën, ligjin, rregulloren e parlamentit e madje edhe vetë vendimin e Gjykatës Kushtetuese,  ku parashikohet e drejta jonë për të hetuar nëpërmjet një komisioni parlamentar për arsye se:

 

1.    Parlamenti është institucioni i vetëm me atributin kushtetues për të shqyrtuar zbatimin korrekt të legjislacionit (në këtë rast zgjedhor), evidentimin e parregullsive, identifikimin e përgjegjësive administrative dhe institucionale, si dhe ndërmarrjen e iniciativave ligjore për parandalimin e përsëritjes së zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen.

2.    Pushteti i opozitës për të hetuar nëpërmjet komisionit parlamentar është institucionalizuar si kompetencë kushtetuese, duke detyruar maxhorancën të mos ia nënshtrojë diskutimit dhe votimit parlamentar nismën e opozitës.

3.    Pavarësia dhe liria e hetimit përtej çdo kufizimi të imponuar nga vullneti i shumicës parlamentare, janë parime kushtetuese të afirmuara pikërisht për t’i garantuar opozitës hetim të plotë e të pakushtëzuar.

4.    Përcaktimi i objektit të hetimit është një e drejtë që disponohet nga opozita, duke kufizuar thellësisht kompetencën e shumicës për të ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e saj.

5.    Komisioni hetimor që kërkojmë, nuk ka për qëllim e objekt, të rishqyrtojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe as të hetojë, vlerësojë apo komentojë mënyrën se si gjykata ka arritur në atë përfundim.

6.    Kufizimi i objektit të hetimit deri në atë masë sa të bëjë të pamundur kryerjen e veprimtarisë hetimore të komisionit, është ndaluar në mënyrë absolute nga Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që do të thotë se në rastin konkret, hetimi pa hapur kutitë, është një kufizim i tepruar i atributit kushtetues të opozitës, pra një kufizim jo kushtetues.

7.    Kufizimi i mjeteve dhe instrumenteve hetimore, përzgjedhja e tyre me diktatin e maxhorancës, ndalimi i disave (siç janë kutitë, fletët e votimit, listat dhe materialet zgjedhore) si dhe lejimi i disa të tjerave (dokumentacion për përdorimin e buxhetit, financave publike, përdorimit të aseteve publike, administratës shtetërore, të dënuarve, etj) përbën shkelje të kushtetutës, parimeve të shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, funksionit kontrollues të parlamentit, si dhe cenon në thelb demokracinë parlamentare në vend.

Sali Berishës nuk i kërkojmë atë që ai nuk e ka në dorë, por i kërkojmë të zbatojë Kushtetutën e ligjin, duke na lejuar të hetojmë e ti zbardhim shqiptarëve atë që ai me dorën e tij e manipuloi në zgjedhjet e 28 qershorit, e për të mos e lejuar që të vërë përsëri dorë në zgjedhjet e ardhshme.


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy