Postuar më: 24/06/2010
Gjatë fjalës së sotme në Kuvend deputeti i PS, Eduard Shalsi, tha se mazhoranca po fsheh qëllimin e vërtetë për ndryshimin e rregullores. Mazhoranca kërkon të vendoset votimi i hapur duke imponuar kështu vullnetin politik tek emërimi i gjyqtarëve. Kjo sepse çdo i përzgjedhur do të ndihet borxhli ndaj votës që ju dha dhe do ti duhet ta shpërblej atë nesër. I vetmi qëllim i ndryshimit të rregullores nga mazhoranca është për të pasur nën sundimin e saj gjyqësorin.
Më poshtë fjala e plotë e deputetit, Eduard Shalsi:
Të nderuar deputetë,
Duke parë se kjo rregullore është përmirësuar herë pas herë, kam reflektuar qetësisht dhe kam krijuar një bindje mbi rëndësinë që ka patur miratimi me konsensus nga të gjithë palët i ndryshimeve që kjo rregullore ka pësuar në kohë.
Ndërkohë që kësaj herë vijnë për diskutim disa amendamente të kësaj rregulloreje pa pëlqimin e opozitës.
Kemi muaj që jetojmë në një situatë politike krejtësisht të pazakontë për një vend demokratik. Jemi ende në pozicione të kundërta dhe kemi pikëpamje diametralisht të ndryshme në lidhje me transparencën zgjedhore që është dhe shkaku se pse gjendemi në krizë politike dhe jo vetëm. Na kërkohet të bëjmë një kompromis historik për të cilën ne kemi shprehur vullnetin tonë. E pikërisht bash në këtë situatë dramatike për fatet e vendit ju nuk ngurroni të shpërfillni një përvojë konsensuale për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
Sot ju kërkoni të ndryshoni mënyrën e votimit në lidhje me dhënien e pëlqimit të Dekreteve të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Dhe keni marrë përsipër ta bëni të vetëm një ndryshim të tillë.
Të gjithë e kuptojmë se sa shumë mekanizma fillojnë të lëvizin sa herë ka zëvendësime gjyqtarësh në GJ.K dhe GJ.L. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm në lidhje me sistemin e patronazhit politik partiak që ka mbërthyer këtë proces në jo pak raste. Të gjithë jemi të vetëdijshëm me mënyrën se si kryhen konsultimet, si vendosen kriteret seleksionuese në procesin vendimarrës nëpër grupe parlamentare, si dhe me mungesën e transparencës që ka mbizotëruar në shumë raste.
Të gjitha këto kanë ndalur në vend numëro procesin e reformimit të sistemit gjyqësor për të cilin është folur shumë, por është bërë shumë pak për të mos thënë aspak. Në kohën që bashkarisht duhet të projektonim hapa përpara dhe të projektonim dhe kryenim reforma, me veprimin e sotëm ju po bëni një hap mbrapa. Për një nga cështjet më madhore në vend, e cila është profesionalizmi dhe pavarësia e gjyqësorit, Shqipërisë i kërkohen reforma që të kenë mbështetjen e pozitës dhe opozitës, duke dalë përtej interesave të vogla partiake të momentit.
Emërimi i gjyqtarëve në GJ.K dhe GJ.L është një element shumë i rëndësishëm në lidhje me profesionalizmin, pavarësinë dhe përmirësimin e sistemit gjyqësor. Dhe vlera më e rëndësishme në emërimin e gjyqtarëve është mbjellja e besimit publik për pavarësinë, aftësinë dhe mencurinë e atyre burrave dhe grave që do të emërohen në këto gjykata. Ne prej kohësh duhet në fakt të mendonim për krijimin dhe vazhdimësinë e një procesi afatgjatë dhe të qendrueshëm, i cili do të siguronte thithjen, afrimin në GJ.K dhe GJ.L të mendjeve tona ligjore më të mira. Nuk na kanë munguar shembujt e njerëzve të tillë në këto Gjykata.
Por me veprimin e sotëm ju të nderuar kolegë nuk po kontribuoni aspak për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm që është jo vetëm esencial për një shoqëri të hapur dhe demokratike, por dhe e drejtë kushtetuese e cdo shqiptari, dhe për më tepër një kusht thelbësor i angazhimeve që politika shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të integrimit evropian.
Nëpërmjet procesit të votimit të hapur ju nuk synoni transparencen dhe nuk jeni të sinqertë në qëllimin që deklaroni.
Ju kërkoni të impononi kriterin politik në emërimin e gjyqtarëve për të krijuar tek ta detyrime të paqena. Ju kërkoni që çdo i emëruar të ndjehet borxhli përpara forcës tuaj politike dhe ndaj do ta përdorni këtë që një dite ata t’ju shlyejnë nderin sa herë që do të doni të ndërhyni në vendimet e gjyqësorit, duke e vënë gjyqësorin nën një presion dhe varësi direkte apo indirekte.
E thënë troç, nëpërmjet një procesi të hapur votimi ju kërkoni, përvecse të kontrolloni votat e parlamentarëve tuaj në lidhje me këto emërime, ju kërkoni që këto gjykata të përfaqësohen nga njerëzit tuaj besnikë nga të cilët mund të kërkoni në çdo kohë përgjatë mandatit të tyre favore.
Qëllimi kryesor në procesin e emërimit të anëtarëve të gjykatave duhet të jetë ruajtja dhe inkurajimi i pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të gjyqësorit, duke përjashtuar qartë dhe prerazi presionet e politikës, legjislativit dhe ekzekutivit mbi të. Detyra e cdo gjyqtari është të zbatojë ligjin pa frikë dhe pa favorizuar askënd dhe pa u kujdesur aspak nëse vendimi është në favor të njërës apo tjetrës palë, qofshin këto edhe forca politike, apo individë politikanë e parlamentarë.
Nëpërmjet këtij sistemi dhe mënyrë të votuari ju kërkoni t’i tundni mandatin e emërimit politik, cilitdo njeriu që do të emërohej, duke i kujtuar vazhdimisht se është anëtar i një gjykate jo për shkak të aftësisë, pavarësisë dhe integritetit por për shkak të dëshirës së partisë sipas devisës se unë të kam vendosur dhe mua ma ke borxh për të më shërbyer.
Nuk duhet të jetë besnikëria partiake kriteri i emërimit të anëtarëve të GJ.K dhe GJ.L, por kredencialet e tyre, reputacioni për urtësinë, paanshmërinë, eksperiencën, dhe përkushtimin në administrimin e drejtësisë.
Me vendimin tuaj ju nuk e ndihmoni sistemin e drejtësisë as të fuqizohet dhe as të përmirësohet cilësisht, përkundrazi e dobësoni atë më tepër.
Sot ne duhet të jepnim pëlqimin tonë për anëtarët e Gjykatave duke dëshmuar se bashkarisht jemi në gjendje të shkëputemi nga praktika primitive dhe bashkarisht të sigurohemi se jemi në gjendje të vecojmë dhe propozojmë njerëz të kalibrit më të lartë në sistemin tonë gjyqësor.
Ne duhet të synojmë bashkarisht që parlamenti, ligjvënësi dhe pushteti ekzekutiv nuk mund dhe nuk duhet të ushtrojnë trysni politike në gjyqësor.
Vetëm kështu ne mund të bëjmë një hop të madh cilësor përpara. Vetëm kështu ne mund të fillojmë një diskutim mbi reformën aq të domosdoshme në gjyqësor. Ndërkohë që për sfidat e mëdha që kemi përpara ne na duhet të vendosim bashkarisht, ju në mënyrë krejt të beftë dhe aspak të pranueshme po provoni të ndryshoni rregulla që bashkarisht i kemi vendosur.
Mos harroni se ju dhe ne, të gjithë bashkë jemi përpara një prove. Na kërkohet të gjejmë një kompromis për zgjidhjen e krizës. Na kërkohet të dalim nga interesat e ngushta personale dhe partiake për të ndërtuar një konsensus për të ardhmen e vendit. Është bërë e qartë nga partnerët tanë ndërkombëtarë se nëse ju dhe ne nuk do të mund të arrijmë një marrëveshje atëherë pasojat për Shqipërinë do të jenë shumë të rënda. Figurat më të larta të Bashkimit Europian kërkojnë nga politika shqiptare të kapërcejë dasitë e vjetra dhe meskinitetin e saj karakteristik, dhe të ngrihet në nivelet e një politike moderne evropiane që dikton se interesat e një vendi janë më të mëdha se interesat e partive.
Mos ndryshoni rregullat demokratike të vetëm, mos shkelmoni mundësinë për konsensus në lidhje me emërimin e gjyqtarëve, mos harroni të nderuar kolegë të maxhorancës se mbi kryet tona qëndron një përgjegjësi shumë e madhe që nuk ka të bëjë me fatet tona individuale por me fatin e të gjithë shqiptarëve, dhe kjo është përgjegjësia për të zgjidhur bashkarisht krizën dhe për ti hapur njëherë e mirë rrugën integrimit evropian të Shqipërisë. Nëse do të vazhdoni me kokfortësi të vijoni në rrugën tuaj pa krye do të duhet të merrni parasysh edhe koston e lartë që do të ketë për vendin. Pasojat tashmë janë të qarta, po ashtu sic janë edhe rrugët për t’i shmangur ato.







