img
1 vit NATO, liria dhe demokracia tė kėrcėnuara

Postuar më: 02/04/2010

"Sot, ky përvjetor i parë i hyrjes në këtë aleancë të madhe, të popujve të lirë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, e gjen Shqipërinë në protestën e popullit opozitar, pikërisht sepse liria, demokracia, drejtësia dhe ekonomia, janë nën një kërcënim të përditshëm", kështu e ka përkujtuar 2 prillin, ditën e antarësimit të Shqipërisë në NATO, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një takim të zhvilluar me gazetarët, Rama ka bërë një bilanc të përvjetorit të parë në NATO dhe i ka quajtur zhvillimet e këtij viti "zhvillime jashtëzakonisht dramatike dhe shqetësuese për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit". Rama ka theksuar  dhe një herë faktin se Partia Socialiste nuk do të ndalet, derisa të arrijë transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe këtë do e bëjë nëpërmjet organizimit të protestave në të gjithë vendin.




Rama, bashkëbisedimi i plotë me gazetarët:

 

Në përvjetorin e parë të hyrjes në NATO vlen të thuhen disa fjalë, duke e nisur nga më e para fjalë që duhet thënë për NATO-n, si një aleancë parimesh dhe vlerash, një forcë ushtarake në mbrojtje të botës së lirë nga kërcënimet e së keqes.

 

Sot, ky përvjetor i parë i hyrjes në këtë aleancë të madhe, të popujve të lirë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, e gjen Shqipërinë në protestën e popullit opozitar, pikërisht sepse liria, demokracia, drejtësia dhe ekonomia, janë nën një kërcënim të përditshëm.

Ky është është bilanci i përvjetorit të parë të hyrjes në NATO, një bilanc që lidhet me një zhvillim jashtëzakonisht dramatik dhe shqetësues për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit, që i ka rrënjët te deformimi i vullnetit të popullit në zgjedhje dhe pastaj shtrihet në një proces degradimi të qeverisjes, e cila nuk u garanton  njerëzve rrugët e zhvillimit dhe të mirëqenies, e cila është shprehje kuptimplotë, në përditshmërinë e jetës së njerëzve, e faktit të thjeshtë se pasi u grabitën votat, po u grabitet përditë hapësira e lirive politike, shoqërore dhe ekonomike në këtë vend.

Sot i ndalohet shqiptarëve e drejta themelore e transparencës dhe ndërkohë shqiptarëve u vijnë përditë fatura vendimmarrjesh tërësisht jo transparente, që burojnë nga papërgjegjshmëria e një pushteti i cili rëndon përditë e më shumë peshën e keqqeverisjes mbi qytetarët.

Jemi në një proces degradimi demokratik dhe ekonomik dhe ky përvjetor i parë i hyrjes në aleancën e parimeve dhe vlerave të demokracisë, na gjen në mungesë të garancive më elementare për qytetarin, për sipërmarrësin, për organizatat shoqërore, apo edhe ato politike.

Dua ta theksoj, se fakti që përvjetorit i parë i hyrjes në NATO, e gjen opozitën të angazhuar në organizimin e protestave në gjithë vendin, me synimin për të realizuar një protestë që do kulmoj në Tiranë, më 30 prill. Është i mjaftueshëm për të treguar se çfarë ka ndodhur në 1 vit Shqipëri në NATO, në kundërshtim me aspiratat e shqiptarëve, në kundërshtim me interesat e vendit, në kundërshtim me të gjitha parimet dhe garancitë e kësaj familje popujsh të lirë, të organizuar në një alenacë ushtarake për të mbrojtur liritë e tyre.



Pyetjet

 

Ristani dje ka folur për djegie të votave?

Komenti im është i thjeshtë, s’ka asgjë për t’u çuditur. Në Shqipëri po digjen përditë vende pune. Në Shqipëri po digjen përditë ëndrra dhe shpresa njerëzish që nuk arrijnë dot fundin e muajit. Në Shqipëri po digjen përditë shanse dhe rrugë për të dalë nga një krizë që është pazgjidhshmërisht politike dhe ekonomike. Ekonomia shqiptare është mbyllur njësoj si votat e shqiptarëve, në kutitë hermetike të mungesës së transparencës. Shifrat e publikuara zyrtarisht, janë shifra të manipuluara për të krijuar tek njerëzit një pamje të rreme, në pamundësi për të kuruar nëpërmjet qeverisjes plagët e rënda që po shkojnë duke u hapur përditë të një demokracie në rrezik, e cila është edhe një ekonomi në rrezik.

Për fat të keq, reagimi i pushtetit dhe i të gjitha strukturave të pushtetit, vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat e vendit, me interesat e njerëzve dhe me interesat e vetë atyre që me pushtetin e tyre po hapin në fakt një hendek përditë e më të madh mes vetes dhe njerëzve, mes interesave të vendit dhe të njerëzve dhe interesave të papërputhshme që i shtyjnë këta keqqeverisës në rrugën pa krye të rrënimit demokratik dhe ekonomik të vendit. Shifrat reale të papunësisë janë rrënqethëse. Shifrat reale të të ardhurave janë rrënqethëse. Shifrat reale të ekonomisë në tërësi janë rrënqethëse dhe ekonomia rrezikon të hyj në atë fazë që e kemi paralajmëruar prej kohësh, të tatëpjetës ku nuk ka më mundësi frenimi. Në këto kushte është shumë e rëndësishme, që qytetarët të protestojnë për të ndaluar ardhjen e atij momenti kur asgjë nuk e shpëton dot ekonominë nga një kolaps që do të përfshijë gjithë shoqërinë.

 
Përveç protestave, parashikoni edhe zgjedhje të parakohshme?

Protestat janë në rendin e ditës për të refuzuar keqqeverisjen. Protestat janë në rendin e ditës për të refuzuar forcën e errësirës ku mbahen peng e vërteta e zgjedhjeve të shkuara, por edhe e vërteta e të tashmes shqiptare në të gjitha shifrat e ekonomisë, në të gjitha aspektet e jetës së përditshme të njerëzve, që në këtë situatë ekonomike ndjehen përditë e më të pasigurt, janë përditë e më të papunë dhe përditë më të pafuqishëm përballë çmimeve që rriten e rriten çdo ditë. Protestat janë instrumenti në duart e popullit për të ndalur një tatëpjetë, e cila mund të bëhet e pandalshme, për shkak se makinës së ekonomisë, i janë hequr të gjitha ato element sigurish dhe garancish që garantojnë atë stabilitet të domosdoshëm pa të cilin një ekonomi është përditë e rrezikuar. Jetojmë në një demokraci dhe në një ekonomi të rrezikuar. Ky është fakti dhe s’ka nevojë të argumentojmë dhe kundër argumentojmë mes palësh politike, sepse këtë fakt e ndiejnë përditë shqiptarët në xhepat e tyre, në tryezën e bukës së familjes së tyre, me shpenzimet gjithmonë e më të pamundura që duhet të bëjnë për të përballuar muajin dhe ekzigjencat e gjithë anëtarëve të familjes.

 

A ka PS plan B përveç protestave, nëse nga ana e mazhorancës nuk do të ketë reflektim?

Plani ynë A, plani ynë B, plani ynë C, janë protestat, protestat, protestat.

 

Cili është komenti juaj për deklaratat e Kryeministrit dje në parlament në lidhje me sheshin “Skënderbej”?

Çdo ditë Kryeministrit i duhet një shesh për të bërë një përshesh, në kushtet kur në fakt e gjithë shoqëria është e përfshirë në përsheshin e bërë në 28 qershor, dhe njëkohësisht përballë errësirës ku mbahet  e vërteta e 28 qershorit dhe prej së cilës errësirë burojnë të gjitha të vërtetat e hidhura dhe lajmet e papëlqyeshme që shqiptarët marrin përditë në aspektin e ekonomisë së tyre familjare.

 

Pse nuk jeni në krye të protestave në të gjithë vendin, ashtu siç bërë edhe në valën e parë të tyre?

Sepse ju nuk keni kuptuar, që bëhet fjalë për një organizim të ndryshëm nga i cili ju jeni mësuar. Protestat janë të organizuara dhe po organizohen përditë në gjithë Shqipërinë. Nuk është një tur ku një tribunë lëviz nga një qendër në një qendër tjetër urbane dhe ku flasin liderët e koalicionit, apo deputetët, gjë që kjo do të jetë e përfshirë në momentin e duhur, por është një organizim kapilar i protestës në të gjithë territorin, ku sigurisht TVSH-ja mungon.

Pas 30 prillit vjen 1 maji, dhe në 30 prill, në 1 maj, në 2 maj e në 3 maj dhe në majin në vazhdim ne do të jemi në protestë, do të jemi me të papunët, do të jemi me më të varfrit , me të pambrojturit, do të jemi me ata që vuajnë mungesën e konkurrencës të të gjitha rrugët ku garantohet mirëqenia e gjithsecilit në demokraci. Do të jemi me mësuesit, mjekët, infermierët, do te jemi me këdo, sepse të gjithë në këtë vend janë sot në kushtet e protestës, nga qyteti në fshat, nga intelektuali te fermeri, nga ai që duhet të punësoj apo të mbaj në punë familje të tëra si sipërmarrës dhe detyrohet t’i largoj sepse qeveria nuk i paguan kontratat që ka me të, apo sepse në kushtet e ngushtimit të ekonomisë nuk ka mundësi të marrë frymë vetë, deri tek ai që është individualisht i papunë. Për të gjithë këto arsy ne do të jemi në protestë dhe nuk mund të presim asgjë tjetër nga kjo qeveri, e cila buron jo prej vullnetit të popullit, por nga grabitja e votës, përveçse papunësi dhe festa. Ndërkohë që për ne rruga është e qartë dhe objektivi është po kaq i qartë.

 

Komenti juaj për thirrjet raciste?

Janë shfaqje idioteske grupesh që nuk përfaqësojnë në asnjë mënyrë as Greqinë, as qeverinë greke dhe as popullin grek. Për këtë arsye mbeten në rrethin e ngushtë të idiotësisë së tyre. Çdo vend ka idiotët e vetë.

 

Po rreth ndryshimeve në statut, do të keni në krah një nën kryetar?

Ndryshimet që ne do të bëjmë janë një kuti e hapur dhe transparente, kështu që s’ka asnjë vend për të qenë të painformuar dhe aq më keq më pas të dezinformuar.

 
Po tërheqja nga parimi një anëtar 1 votë për kryetar?

Ajo që sot ka 1001 arsye për të qenë në qendër të vëmendjes, është niveli i jetesës së shqiptarëve, që e nxjerrin bukën e tyre të përditshme me punë të ndershme, qoftë si punëdhënës, qoftë si punëmarrës, qoftë si krejt të papunë dhe të pashpresë, që bëjnë ç’të munden çdo ditë për të mbijetuar dhe për këta njerëz jam unë këtu dhe në emër të këtyre njerëzve dëshiroj të flas, pa humbur asnjë sekondë me çështje që kanë të bëjnë me mënyrën se si organizohet së brendshmi PS. Nëse doni të kontribuoni për këtë, jeni të ftuar të anëtarësoheni në PS.

Është ndier mungesa e opozitës në kuvend?

Vetëm mungesa e opozitës nuk e pranoj se është ndier në këto kohë, sepse në gjithë këto kohë, Shqipëria ka më shumë se çdo gjë forcën e opozitës tonë, për arsye se, sot Shqipëria më shumë se çdo herë tjetër është e kërcënuar nga një pushtet që kërkon të zhbëj çdo mjet të opozitarizmit, që kërkon të zhbëj çdo instrument të balancave të shtetit, duke arritur jo pak në këtë drejtim, përmes nënshtrimit të gjykatave, përmes vendosjes në një situatë karantine të prokurorisë, përmes kërcënimit të përditshëm të sipërmarrësve të angazhuar në editimin e mediave që janë kritike me qeverinë, përmes vendosjes nën një presion klientelist të shoqërisë civile, e kështu me radhë. Sot opozita, PS në krye të saj, janë garanti i vetëm i një demokracie që është seriozisht në rrezik dhe i një ekonomie që pazgjidhshmërisht është seriozisht në rrezik.

 
Çdo ketë të re në programin e PS?

Çdo forcë politike që është e re në mënyrën e saj të të qenit, siç është PS, ka gjithmonë gjëra të reja për të thënë dhe ka gjithmonë arsye për të rishkruar programin e vet.


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy