Postuar më: 01/02/2012
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Tryezën për “Shtetin e së Drejtës” duke ju referua ngjarjes së 21 janarit, e cilësoi atë si një sfidë të vërtetë të drejtësisë shqiptare. Rama tha se drejtësia për vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjeve do të ndryshojë përfundimisht drejtësinë në Shqipëri dhe do të ndryshojë kulturën e pandëshkueshmërisë që ka vendosur kjo qeveri.
Fjala e plotë Kryetarit të PS Rama:
Unë nuk dua të hyj në detaje sepse këto janë sprovë e këtij grupi pune dhe njëkohësisht e gjithë rrugës që do të ndjekim për programin edhe në këtë fushë. Por dua të them se ashtu si edhe për të gjitha grupet e tjera të punës është një domosdoshmëri që në këtë fushë ne të krijojmë sa më shumë mundësi për të dëgjuar njerëzit e sistemit të drejtësisë. Kjo sigurisht nuk është aspak e lehtë në kushtet e sotme kur për opozitën dëgjesat me njerëz të përfshirë drejtpërdrejtë në punët e shtetit janë shumë të vështira. Por nga ana tjetër është e domosdoshme që ne të gjejmë rrugët për të komunikuar me të gjithë ata që kanë diçka për të thënë edhe lidhur me riorganizimin e drejtësisë për të bërë më shumë drejtësi.
Sigurisht që ky grup pune ka një barrë të posaçme sepse problematika është shumë e gjerë dhe njëkohësisht shumë e thellë. Është një barrë e posaçme edhe sepse bëhet fjalë për të projektuar një reformë tërësore. Por është një barrë e pashmangshme sepse vizioni ynë për riorganizimin e drejtësisë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, duhet të jetë sa më i kthjellët dhe sa më i detajuar. Ne e kemi hedhur vetëm një hap të parë në programin “ Për një Rilindje Shqiptare”, të miratuar në Kongresin e 5 nëntorit, lidhur edhe me këtë drejtim. Por është vetëm një hap i parë. Ne duhet të hedhim shumë hapa të tjerë deri sa të formësojmë një panoramë shumë të qartë të asaj çka duhet të bëjmë dhe sesi duam ta bëjmë.
Ka një eksperiencë, fatkeqësisht në një pjesë të madhe të sajën është një eksperiencë e hidhur, me mënyrën sesi kanë shkuar punët në funksionimin e shtetit të së drejtës dhe praktikisht sot është shumë e vështirë të mund të thuash se ne kemi një shtet që i ngjan një shteti të së drejtës, jo më që mund të quhet një shtet i së drejtës. Ashtu sikundër është shumë e vështirë të thuash se ne mund të kemi në një kohë të arsyeshme një sistem drejtësie që të mund të funksionojë në shërbim të qytetarëve pa dallim. Barazia para ligjit sot është kthyer në një utopi. Ashtu sikundër kultura e pandëshkueshmërisë sot është kthyer në një normë. Edhe së fundmi shoqëria shqiptare ka pasur më shumë se një provë për këtë normë të kulturës së pandëshkueshmërisë që na mban larg standardeve europiane, që na mban larg një shoqërie demokratike e cila funksionon, që na mban larg krijimit të kushteve, për të thënë se në Shqipëri nuk ka njeri të pandëshkueshëm. Përkundrazi provat se në Shqipëri ligji nuk funksionon njësoj për të gjithë, se në Shqipëri ligji përthyhet sipas interesave të errta apo fuqisë abuzive të pushtetit dhe parasë, janë të panumërta. Jo më larg se pak minuta para se ne të fillonim këtë takim pushteti vazhdoi sulmin ndaj Prokurores së Përgjithshme, vazhdoi sulmin ndaj opozitës, vazhdoi sulmin ndaj së vërtetës, lidhur me 21 janarin. Si është e mundur që BE të mund të pranoj në gjirin e vet, një vend ku pushteti ekzekutiv sulmon në një mënyrë të tillë barbare prokurorinë dhe ku Prokurorja e Përgjithshme kthehet në shënjestër për të penguar medoemos daljen e së vërtetës lidhur me një ngjarje tragjike. Si mundet që BE të mund të pranojë në gjirin e vet një vend ku për të penguar të vërtetën lidhur me një ngjarje që e implikon drejtëpërdrejtë atë, qeveria e vendit fshin provat, pengon hetimin, bën çmos për të devijuar rrugën drejt së vërtetës. Nuk mundet, është e pamundur që ne të pretendojmë se BE mund ta pranojë Shqipërinë në gjirin e vet, teksa barazia para ligjit dhe vetë funksionimi i sistemit të drejtësisë në tërësi, përbëjnë një nga problemet më të rënda për jetën e përditshme të shoqërisë.
Nga ana tjetër jo vetëm BE nuk mund të pranojë në gjirin e vet një vend i cili nuk e zgjidh dot problemin me të vërtetën në dyert e sistemit të drejtësisë, por edhe qytetarët shqiptarë, nuk mund të ndërtojnë mbi shpresat dhe mbi ëndrrat e tyre një të ardhme, teksa janë të kërcënuar çdo ditë nga padrejtësia. Janë të kërcënuar çdo ditë nga fuqia shtypëse e një sistemi abuzimesh që lidhen me interesat e pushtetit, apo me pushtetin e parasë. Është një sfidë e jashtëzakonshme që në këtë proces të formësimit të një programi i cili duhet t’i japi përgjigje shqiptarëve për të gjitha pyetjet që kanë lidhur me si do ta qeverisim më mirë Shqipërinë, të mund t’i japim përgjigje edhe të gjithë atij rreshti të gjatë pyetjesh që lidhen me si mund të funksionojë drejtësia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri, bazuar mbi parimin themelor, se përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë. Por kjo është sfida dhe këtë sfidë ne duhet ta përballojmë me të gjitha kapacitetet profesionale që duhet t’i vëmë në dispozicion rrugës së programit në këtë aspekt.
Unë kam shumë besim që ky grup pune do të shërbejë si një qendër graviteti për ta projektuar në drejtimin e duhur dhe me cilësinë e duhur këtë rrugë, e përsëris duke u konsultuar me sa më shumë njerëz. Me sa më shumë shqiptarë profesionistë, të cilët kanë sadopak për të thënë lidhur me si duhet operuar për të transformuar një situatë kaq të molepsuar sa kjo që ne kemi sot. Kaq të molepsur saqë po të dëgjosh qytetarët e këtij vendi është një përqindje marramendëse e atyre që thonë se jo vetëm nuk ka drejtësi por është e kotë sepse nuk mund të ketë drejtësi. Është një dëshpërim dhe një humbje e shpresës që ka zënë rrënjë në zemrën dhe në mendjen e shqiptarëve sepse ka kaq shumë prova që tregojnë se kjo nuk është e mundur. Por ndërkohë ne kemi detyrimin që të provojmë fillimisht me programin tonë se në radhë të parë është e mundur të shihet rruga që çon drejt zgjidhjes së gjithë këtyre problemeve që tek funksionimi i shtetit të së drejtës janë kaq shumë të ndërthurura dhe kaq shumë të ngarkuara.
Së fundi do të doja të rinënvizoja faktin se teksa ne flasim shoqëria jonë përballet me një sfidë që është sfida e së vërtetës së 21 janarit dhe e ndëshkimit të atyre që vranë dhe atyre që urdhëruan vrasjen. Është një përballje që në këndvështrimin tim nuk lidhet thjesht me fatin e një procesi hetimor e më pastaj gjyqësor por lidhet me fatin e shtetit të së drejtës në Shqipëri për vite të tëra, ndoshta edhe për një dekadë të tërë. Është një sfidë që në mënyrë përcaktuese do të tregojë nëse gjithë atij zinxhiri padrejtësish dhe gjithë atij zinxhiri provash mbi të cilat shoqëria ka krijuar bindjen se kultura e pandëshkueshmërisë është e pathyeshme, cila do të jetë e nesërmja, në rast se kjo sfidë nuk do të fitohet nga drejtësia dhe nuk do të përcaktohet nga e vërteta e zbardhur mbi fakte e prova atëherë pa dyshim 21 janari do të shërbejë si një kapak i rëndë për tu lëvizur nga vendi mbi të gjithë sistemin e drejtësisë. Dhe si një gurë i rëndë në vendosjen e një sistemi padrejtësie në themel të funksionimit të gjërave në Shqipëri.
Padrejtësia është shtrirë kudo sepse ajo i ka rrënjët në mënyrën sesi qeveriset ky vend. Unë besoj se është e vështirë ta gjesh drejtësinë në dyert e gjykatave në rast se vendi qeveriset përmes padrejtësisë. Në rast se në tryezën e qeverisë së vendit merren rregullisht vendime haptazi të padrejta. Dhe në rast se përmes këtyre vendimeve haptazi të padrejta ata që qeverisin ndjekin interesat e tyre krejt të ndara nga interesat e vendit dhe nga interesat e njerëzve. Jam i bindur që shqiptarëve duhet t'ju japim një progam të detajuar si asnjëherë tjetër nga një forcë politike që kërkon votën e tyre për të qeverisur vendin në të gjitha fushat. Edhe në fushën e gjerë dhe sigurisht të mbushur me sfida të shtetit të së drejtës. Eshtë një barrë e posaçme që ne marrim përsipër. Është një detyrë shumë e veçantë në vështirësinë e vet që ky grup pune ka. Por është një barrë dhe një detyrë që nuk mund të shmangen dhe ne nuk do t'i shmangemi. Jam i bindur se në fund fare do të jemi në gjendje që edhe në këtë fushë falë edhe një konsultimi të gjerë me njerëzit tu themi shqiptarëve se riorganizimi i drejtësisë për të bërë drejtësi dhe funksionimi i shtetit të së drejtës jo vetëm janë të mundur por me votën e tyre për Partinë Socialiste dhe për koalicionin e sotëm opozitar këto sfida janë të fitueshme dhe do t'i fitojmë të gjithë së bashku.







