Postuar më: 21/01/2012
“Drejtësi për 21 janarin” ishte aktiviteti përkujtimor në zhvilluar në sallën Akademisë së Arteve. Në qendër të aktivitetit ishin familjarët e 4 dëshmorëve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj e Aleks Nika. Mes lotëve që nuk i pushonin prej dhimbjes që ka në shpirt gruaja e Faik Myrtaj këroi drejtësi: “Nuk kam fuqi ndaj ju kërkoj juve të vini drejtësinë në vend.” Ndërsa Ana vajza e Ziver Veizit kishte zgjedhur poezitë e saj për të treguar dhimbjen për mungesën e të atit. Rrëfimi i bashkëshortes së Aleks Nikës ishte tronditës teksa tregonte për vajzat që kërkojnë babain t’u kthehet në shtëpi.
Në fund të aktivitetit Kryetari i PS Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se “kjo e sotmja është një ditë shprese dhe si të tillë duhet ta jetojmë të gjithë së bashku. Sepse ju nuk jeni vetëm, Shqipëria nuk është vetëm në rrugën e saj të mundimshe. Le të qendrojmë bashkë në vlerat perëndimore, pa e humbur drejtëpeshimin dhe shpresën. Atdheu ynë do të jetë një vend më i mirë për shqiptarët, pas vënies së drejtësisë për 21 janarin.”
Më poshtë gjeni fjalët e plota të aktivitetit të zhvilluar në kujtim të 4 dëshmorëve të 21 janarit:
Fjala e Preç Zogaj “ Arsyet e Aleksit”:
“Aleks” është një emër i përhapur në Shqipëri. Ka shumë Aleksë. Por që prej një viti ka vetën një Aleks që u shkon ndërmend të gjithëve kur e dëgjojnë këtë emër. Aleks Nika, 36 vjeçari nga Lezha. Është ai që u godit me plumb në kokë në demonstratën e 21 janarit, rreth orës katër pasdite, në trotuarin e Kullave Binjake përballë kryeministrisë dhe kryeministrit Sali Berisha. Gjashtëmbëdhjetë ditë më vonë u bashkua me shokët e tij të përjetësisë, me Hekuranin, Ziverin dhe Faikun.
Nuk do t’i harroj kurrë çastet kur u vranë këta njerëz, cijatjen e plumbave të Gardës dhe fytyrën tinzare të vdekjes, që doli nga strofkulla kur demonstrata po shpërndahej, për të hedhur kufoma në oborrin e opozitës. Ato plumba, ajo masakër, ato jetë të humbura e ndanë në dysh kohën e Shqipërisë. Nuk e imagjinonim dot para kësaj date se në Shqipëri mund të vriten njerëz ngaqë kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së tyre. Nuk e harroj çastin kur mora lajmin e kobshëm se ishte goditur për vdekje edhe Aleksi, djali i vetëm i Ndue Nikës, nga Grykë-Manatia e Lezhës. Gjatë rrugës për në spital pata kohë t’i mendoj përmasat e gjëmës në shtëpinë e tij. Sepse ishte i ri, sepse ishte djali i dy prindërve të vuajtur, por kryelartë, bashkëshorti i një malësoreje sojnike, babai i dy vajzave të vogla, vëllai i vetëm i katër motrave, sot gjithashtu krenaria e Lezhës dhe e gjithë Shqipërisë.
Aleksi ishte shtylla e shtëpisë, një njeri i dalë, optimist, dikush që ka ngritur me mund dhe djersë shtëpinë e tij të re dhe biznesin e tij të vogël në vendlindje, që përpiqet për më mirë, që ëndërron për më mirë, që nuk pajtohet me të keqen. Ka mijëra e mijëra njerëz që marrin pjesë në protestat e opozitës ngaqë nuk kanë punë, nuk kanë para për të përballuar nevojat minimale të jetesës, nuk kanë bukë për fëmijët e tyre. Aleksi përfaqësonte një tip tjetër protestuesi, po aq të respektuar: protestuesin me vetëdije të ngritur që lufton parasëgjithash për dinjitet në kuptimin me të gjerë të fjalës. I rreshtuar politikisht, por jo fanatik partiak. Përdorues i lirisë, idhtar i drejtësisë, dikush që nuk ia kërkon qeverisë atë që mund ta bëjë si individ dhe nga ana tjetër nuk tërhiqet si individ për atë që duhet t’ia kërkojë qeverisë- ky ishte Aleksi. Në këto konture e shohim tipin opozitarit popullor, që Shqipëria vazhdon ta krijojë, që po vjen duke u shumuar, për tu bërë me kalimin e kohës shtylla herkuliane e demokracisë në këtë vend.
Patën thënë për të në ditën e katërt apo të pestë të dergjjes në koma, kur s’kishte mundësi të përgjigjej, se kishte ardhur në protestë sepse i kishin premtuar këtë dhe atë. Kjo është mendësia që ka kultivuar e kultivon qeveria e sotme e tavolinës dhe e kulisave: sipas saj në këtë vend nuk ka njerëz të lirë, nuk ka motive të ndershme, por vetëm interesa të vogla dhe pazare.
Nuk është e vërtetë, nuk do të jetë e vërtetë. Ekziston dhe do të ekzistojë “Protestuesi shqiptar” me “P” të madhe, ekziston kjo bashkësi e pararojës, garantja numër një e lirisë dhe e demokracisë në këtë vend. Katër u vranë një vit më parë. Është detyrimi i opozitës të kërkojë deri në fund drejtësi për Hekuranin, për Faikun, për Ziverin dhe për Aleksin. Dita kur ligji të thotë fjalën e vet solemne për fajtorët e masakrës së 21 janarit dhe besoj se kjo ditë është më afër se kurrë, do të jetë sërish dita që do të ndajë në dysh historinë e re të Shqipërisë. Por ajo që do të vijë më pas do të jetë demokraci, shtet ligjor, Shqipëri europiane.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Fjala e bashkëshortes së Aleks Nikës, Rajmonda Nika:
Si sot një vit Aleksi erdhi në drekë në shtëpi. Më tha se do të shkonte me dy shokët e tij në demonstratë në Tiranë. Më tha se do të kthehej në darkë. Nuk u kthye më gjallë. Ju të gjithë e dini pse.
E kam parë pastaj në koma. E kam parë kur e sollën pa jetë nga spitali. Por ora e kujtimit tim për të ka mbetur te ajo mesditë kur u nis nga shtëpia. Qysh atëherë, Amelia, vajza ime trevjeçare, më ka pyetur shumë herë “ku është babi”? I them: “Babi ka ikur në Itali që t’i blejë Amelias rroba të bukura sepse e do shumë”. Por ora e së vërtetës po afron edhe për Amelian. Ajo po rritet. Një ditë do më duhet t’i tregoj si e qysh. Asaj dhe më të voglës, Nertilës. Ndoshta nuk do të jetë nevoja. Do ta kuptojnë vetë çfarë ka ndodhur me babanë e tyre.
Dëshiroj t’i falenderoj nga zemra të gjithë ata që na kanë ndenjur pranë në dhimbjen tonë gjatë këtij viti të tmerrshëm: miq, të afërm, të njohur dhe të panjohur nga Lezha dhe gjithë Shqipëria. Solidariteti i tyre na ka ndihmuar të përballojmë në këmbë tragjedinë që na ra mbi krye. Por me lejoni të them se dhimbja nuk ndahet, siç thuhet. Sëpaku për rastin tonë. Dhimbja ime është një me dhimbjen e prindërve dhe motrave të Aleksit, të axhës dhe kushërinjve Aleksit. Ne jetojmë me kujtimin e tij, të lidhur me shumë se kurrë në detyrimin për të bërë drejtësi. Drejtësi për Aleksin dhe për ata tre burrat e tjerë që u vranë bashkë me të.
Kam dëgjuar kryeministrin tuj tregue me gisht të vrarët dhe jo vrasësit, sikur këta kanë zbatuar ligjin!
Cilin ligj? Cilin ligj shkeli Aleksi im?
Kë popull po dhunonte Aleksi im?
Do të shkojmë te varri i Aleksit në njëvjetorin e vrasjes së tij. Do ta kemi me të vështirë se sa ditën kur e varrosem sepse nuk kemi akoma një përgjigje nga drejtësia “kush, pse”. Për ne si familje s’ka pikë dyshimi se kush ishin urdhëruesit dhe autorët e këtij krimi. Ne kemi kërkuar, kërkojmë e do të kërkojmë sa të kemi frymën shpagim në drejtësi. Për këtë jetojmë. Është detyrimi ynë i përjetshëm për të dashurin tonë të paharruar, për mikun dhe shokun tuaj dëshmor.
Fjala e Kryetarit të PS në Dibër, si dhe shoku i Hekuran Dedës, Ulsi Manja:
Të nderuar pjesëmarrës!
Të nderuar familjarë të dëshmorëve të 21 janarit!
Sot e kam të vështirë të gjej fjalët e duhura sepse asnjëri nga ne por dhe çdo shqiptar që e quan veten shqiptar nuk do të kishte dashur të ishte sot në këtë ceremoni sepse nuk e kanë besuar kurrë se do të ndodhte ajo që ndodhi me 21 janar të 2011. Por ja që edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga shembja e regjimit komunist, liria jonë paska patuar akoma nevojë për jetën e katër qytetarëve të saj të mirë që u vranë ditën për diell nga frëngjitë e errëta të kullës së kryeministrit me pushkët e pushtetit.
Hekurani, Aleksi, Faiku dhe Ziveri u vranë për të mos vdekur kurrë, në emër të lirisë tonë të përbashkët dhe kundër një pushteti të korruptuar që me varfërinë dhe hajdutërinë e saj kërkon të vrasë një popull të tërë. Nuk kam shumë fjalë për të thënë sepse ato u thanë sot nga mijëra shqiptar në këtë homazh shpirtëror por tradita e Dibrës ma kërkon të them pak fjalë për familjen Deda i dha demokracisë djalin e saj, familjarin e mirë, hallexhiun e ndershëm Hekuran Dedën. Kalaja e Dodës ku u lind dhe u burnua Hekurani përgjatë gjithë historisë tonë i ka falur vazhdimisht gjak lirisë së atdheut dhe kombit kundër çdo pushtuesi që ka shkelur në këtë vend e që në historinë e hershme dhe të vazhdueshme hasmin më të madh ka patur regjimin serbo-sllav.
Familja Deda, si një ndër familjet e mëdha të krahinës, është shquar vazhdimisht për ndjenjën e fortë të vatanit dhe e ka trashëguar dhe mbijetuar trungun e saj familjar, vetëm me punë të ndershme dhe sakrifica të mëdha njerëzore dhe në këtë frymë u rrit dhe u edukua edhe Hekurani i urtë e i mirë.
E nuk kish si të ndodhte ndryshe edhe më 21 janar, Hekurani u gjend në protestë paqësore pa pyetur për ngjyrat e protestës sepse ishte aty bashkë me mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë sepse i bashkonin hallet, varfëria dhe papunësia vrastare. Ishte aty bashkë me të tjerët për të qenë i denjë për familjen e tij që si gjithë të tjerët kërkonte të jetonte me nder dhe me punë të ndershme. Erdhi në atë protestë për të bashkuar zërin e tij me zërin e të gjithëve ne që ishim aty, mu përball godinës së hajdutit. Por hajduti i kishte bërë me kohë armët gati për të qëlluar mbi turmën.
Hekurani ra, ranë edhe të tjerët, por ata ranë për tu ringritur përjetësisht përsa kohë që në këtë vend do të kemi liri. Familja Deda do ta kujtojë përjetë djalin e saj, por në betejën tonë të vazhdueshme për shtetndërtim dhe demokraci historia do ta kujtoj përjetë Hekuranin. E kjo duhet ti bëj krenarë në radhë të parë prindërit që e rritën dhe të gjithëve ne që ishim aty bashkë me të.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.
Fjala e mbesës së Hekuran Dedës:
Të nderuar pjesëmarrës!
Në emër të familjes Deda u falenderojmë nga zemra që na keni nderuar në këtë ceremoni të përkujtimit të vëllait tonë Hekuranit dhe të atyre tri burrave të pafajshëm që u vranë bashkë me të në 21 janar 2011. Pjesëmarrja juaj na e ka bërë më të lehtë dhimbjen tonë për humbjen e Hekuranit, por shpirti i tij nuk do të jetë rehat derisa të gjendet vrasësi dhe të bëhet drejtësia.
Ka 1 vit që rimë me shpresën se shteti do ti gjejë vrasësit e Hekuranit por kjo qeveri nuk ka ndërmend me i gjet, bile për turp të zotit na ka vrarë dy herë kur na ka afruar para për të mbyllur gojën për këtë vrasje. Sali Berisha na çoi një lajmës për të na ofruar fotografinë e vrasësit të vëllait tonë. Na ofroi lekë dhe gjithçka, vetëm e vetëm me i leju me ardh e me pi kafen e mortit në shtëpinë tonë, për me u tregu burrë i mirë, për me u tregu shqiptarëve se nuk e quajmë Sali Berishën fajtor për vrasjen e Hekuranit. Turp për Sali Berishën! Në do me u bë burrë i mirë Sali Berisha le të shkojë në prokurori me fotografinë e vrasësit të Hekuranit dhe ti thotë prokurorisë dhe popullit pse e kanë bërë këtë vrasje.
Ne jemi malësore dhe nderi jonë nuk e ka për zakon me e shit e me e ble gjakun e djemve me lekë, as e kemi bërë e as do ta bëjmë kurrë. Sali Berisha nuk e shkrepi pushkën që e vrau Hekuranin, por ajo pushkë nuk do ish shkrepë kurrë pa e dhënë urdhrin Sali Berisha. Prandaj ne e quajmë Sali Berishën fajtor për vrasjen e Hekuranit. Ne duam të vihet në vend drejtësia dhe këtë drejtësi e kërkojmë nga shteti, por jo më nga ky shtet sepse ata që e vranë Hekuranin, e vranë për karrigen e Sali Berishës.
Dhimbja e babës dhe nanës por dhe e jona për Hekuranin do na lehtësohet vetëm atëherë kur shteti të na e çojë në vend nderin. Edhe njëherë ju falenderojmë për nderin që na keni ba dhe Zoti ua shpërbleftë me të mira.
Poezi
Më 21 janar 2011, Hekuran Deda ndërroi jetë
Qajtën motra e vllazëri, vëllai ynë shkoi shumë i ri
Jetën se shijove, shkove i mërzitur
Në jetë su gëzove, sikur përsëri të kishe lindur
Le dy vajza të shkreta, ato i le jetime
Që të presin ty, që me to të shkosh në çdo gëzime
Motra e vëllezër qëndrojnë duke qarë, e thonë me lot në sy: Me vëllain tonë Hekuranin më s’ kena për tu parë
Kaçurrelat që të binin në sy vallë akoma i ke?
Në jetën e nënës, zemra e saj je
Shpirti i dhemb nënës, flokët ja merr era, hajde bir i nënës hajde trokit tek dera
Shkove më mirë se Nënë Tereza, shkove më mirë se Skënderbeu
38 vjeçarin e përpiu dheu
E qau e gjithë bota, e qua me hidhërim
Ty të tha nëna : Lamtumirë o biri im
Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj:
Vëllezër dhe motra,
Një vit më parë, jo larg prej këtu, përpara kryeministrisë, u vranë katër shqiptarë. Askush nuk i dinte emrat e tyre deri në atë ditë sepse ata s’ishin asgjë më shumë sesa katër burra mes dhjetëra e dhjetëra mijëra të tjerëve që ishin mbledhur atë ditë për të protestuar kundër korrupsionit e vjedhjes, papunësisë e varfërisë. Por sot emrat e tyre i di mbarë Shqipëria dhe mbarë Shqipëria e di se kush e urdhëroi vrasjen e atyre burrave.
Njëri prej të vrarëve të asaj dite, që Sali Berisha e Ilir Meta patën paturpësinë t’i quajnë kokëpalarë, puçistë, trafikantë e banditë ishte Faik Myrtaj, miku ynë, vëllai ynë, një njeri i thjeshtë, i varfër e hallexhi, që për të mbajtur gjallë familjen i duhej të merrte rregullisht rrugën e mërgimit për në Greqi. Ishte varfëria dhe korrupsioni arsyeja përse ndodhej këtu Faiku atë ditë dhe jo dëshira për t’i marrë kullën Sali Berishës.
Familjes së Faikut Sali Berisha u ka borxh dy jetë. Djali i tij Bardhoshi, u nda nga jeta vetëm pak kohë pas të atit, mes skamjes e dhimbjes. Sepse nuk është e lehtë për një djalë të shohë të atin që i vritet në mes të bulevardit, e të dëgjojë më pas t’ia quajnë kokëpalarë e bandit.
Por familjes së Faikut i ka borxh dy jetë edhe drejtësia e cila ende sot, kur ka kaluar plot një vit nuk i ka nxjerrë autorët dhe urdhëruesit e kësaj masakre përpara përgjegjësisë. Prandaj unë sot dhe të gjithë ne, i bëj edhe njëherë thirrje drejtësisë shqiptare që të mos e zvarrisë më këtë çështje siç ka bërë me Gërdecin, të mos i thellojë edhe më këto plagë dhe mbi të gjitha, të mos mendojë se tragjedia e 21 janarit mund të mbyllet në mënyrën e turpshme siç mbyllën gjyqin e Ilir Metës.
Vëllezër dhe motra,
Më lejoni tani të ftoj këtu përpara zonjën Mamude Myrtaj, bashkëshorten e Faikut dhe nënën e Bardhoshit.
Fjala e bashkëshortes së Faik Myrtaj, Mamude Myrtaj:
Të dashur vëllezër dhe motra,
I dashur populli shqiptar!
Në 21 janar jeta ime mori fund. Sali Berisha më vrau burrin në mes të bulevardit me plumbat e Gardës, më vrau përsëdyti me ato shpifje dhe sharjet që lëshoi për burrin tim dhe pak muaj më vonë më vrau dhe djalin e vogël Bardhoshin. Për një grua është e rëndë të humbasë burrin, por dhe për një nënë është një torturë e vërtetë të fusë në dhe djalin që e kam rritur mes 1000 halleve e mundimeve. Dhe për këto unë akuzoj Sali Berishën.
I kam varrosur të dy, gjysmën e familjes sime, Faikun dhe Bardhoshin. E kam parë në televizor sesi hapte zjarr Garda e Saliut kundër burrit tim e gjithë atyre njerëzve të pafajshëm. E kam dëgjuar Saliun e Ilir Metën t’i quajë puçistë, kokëpalarë, banditë dhe më është dashur të mbyll veshët, sytë sepse nuk duroja dot më.
Burri im iku, dhe djali im iku kurse ata që m’i vranë vazhdojnë të dalin në televizor, vazhdojnë të qeverisin dhe s’i gjen gjë. Drejtësia bën sikur heton po gardistët që hapën zjarr mbi njerëzit e pafajshëm bredhin të lirë, Saliu që i urdhëroi të vrasin Faikun vazhdon të qeverisë e të vjedhë. Kurse unë dhe familja ime vazhdojmë të jetojmë mes skamjes e dhimbjes. Të kisha pasur fuqi do ta kisha vënë unë drejtësinë në vend, do ia kisha numëruar vetë Sali Berishës të gjitha shpifjet e të gjithë dhimbjen që kam duruar po unë s’i kam as mundësitë e as fuqinë.
Prandaj ju kërkoj juve që ta vini drejtësinë në vend, që t’i bëni ata kriminelë, ata vrasës, të paguajnë për jetën e Faikut dhe të Bardhoshit.
Të paharruar qofshin të pestë dëshmorët e demokracisë!
Belul Hila, miku i Ziverit:
Sa të jem gjallë nuk kam për ta harruar skenën e Ziverit që rrëzohet përpara kryeministrisë. E vranë si të kishte qenë ndonjë kriminel edhe pse s’po bënte asgjë, por veç sa po rrinte atje me duar në xhepa, pa armë, pa gurë. E kam parë shumë herë dhe pamjen e gardistit të maskuar që hap zjarr mbi turmën e paarmatosur si t’i kishte pasur armiq, si të mos kishin qenë shqiptar. E di që ai kriminel tani është në burg edhe pse nuk e di nëse do të dënohet ndonjëherë pse i mori jetën shokut tim Ziverin. Por edhe pse ka shkuar viti ende nuk kam dëgjuar të jenë arrestuar apo të paktën të jenë marrë në pyetje ata që e urdhëruan atë kriminel të Gardës së Saliut të qëllojë mbi ata njerëz të pafajshëm.
Për Sali Berishën Ziveri ishte një kokëpalarë që donte ta rrëzonte nga pushteti. Për drejtësinë vrasja e Ziverit është një vrasje që do donin të mos ta hetonin kurrë. Kurse për mua Ziveri ishte miku im i mirë, një burrë hallexhi, baba i dy fëmijëve. Dhe kjo histori nuk mund të mbarojë vetëm me viktima të vrarë me plumbat e Gardës dhe pa asnjë të dënuar. Dikush dha urdhër që ai gardist të hapte zjarr dhe të vriste njerëzit e pafajshëm. Dhe këta njerëz, që e urdhëruan këtë krim duhet të dënohen. Prandaj i bëj thirrje drejtësisë të mos e mbyllë këtë çështje siç ka mbyllur Gërdecin dhe siç nxori të pafajshëm Ilir Metën sepse shpirti i Ziverit dhe i 3 të vrarëve të tjerë të 21 janarit nuk do të gjejë kurrë paqe pa u nxjerrë fajtorët përpara drejtësisë.
Tani më lejoni të thërras këtu Anën, vajzën e Ziverit, e cila duhet të ishte duke lexuar libra, apo duke kënduar me shokët, por fati i datës 21 janar e pruri këtu për të thënë diçka para jush.
Ana, vajza e Ziver Veizit
Të nderuar pjesëmarrës, unë do them vetëm dy poezi:
Fshati im
Në mes maleve, fushave e kodrave
gjendet fshati im
ai fshat ku unë kam lindur
ai fshat i vogël rrëzë malit
ku në verë shkëlqen
Ai fshat i vogël
s’ka më gjelbërim
Atij trimin ia vranë
në luftë kishte shkuar pa armë
në luftë kishte shkuar me fjalë
për të drejtën e tij
e jo për famë
Ky fshat krenar
nuk i ul vlerat e tij për asnjë çast
lulet po vyshken
bukuria që ishte u largua,
por fshati kurrë nuk u dorëzua
ashtu siç është
ai akoma jeton
duke mbajtur lart
në kodrën e tij
një shtëpi bosh
që s’do të harrohet kurrë
nga çdo njeri
Zemra qan
Zemra qan
pikon lot
pikon gjak e dhimbje shumë
Një zemër qan
që ata e vranë
Një zemër qan
që ata s’ma lanë
Një zemër qan
Një jetë të tërë babanë
Në fund, Kryetari i Këshillit të Komunës Kala e Dodës, Kadri Visha, i dorëzoi titullin “ Qytetar Nderi” familjarëve të Hekuran Dedës. Kryetari i Këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreko i dorëzon titullin “ Qytetar Nderi” familjarëve të Faik Myrtaj. Gjithashtu edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut Gjirokastër, Sulo Muçobega, i dorëzoi titullin “ Krenari e Qarkut” familjarëve të Ziver Veizit. Kryetari i Këshillit të Komunës Kolsh, Ledio Marku, i dorëzoi titullin “ Qytetar Nderi” familjarëve të Aleks Nikës.







