Postuar më: 14/12/2009
Partia Socialiste denoncon situatën e papërgjegjshmërisë së plotë të qeverisë shqiptare ndaj thellimit të rëndë të krizës ekonomike, duke e injoruar atë dhe efektet e saj dhe duke trumbetuar “ditë të lumtura” për shqiptarët.
Është kjo një situatë që ka filluar që herët pa filluar fushata zgjedhore e këtij viti, për të vazhduar akoma më tej gjatë saj me fushatën e inagurimeve të gënjeshtërta dhe shkatërruese për ekonominë shqiptare.
Mashtrimi me gjoja punë publike për të rritur atë imazh të shkatërruar të qeverisë nëpërmjet gjoja celjes së shumë investimeve në infrastrukturë e vepra të tjera publike, me një arkë bosh qysh para dhe gjatë fushatës, me efekte negative në përkeqësimin e sigurt të nivelit të jetës së qytetarëve tanë, dhe me të vetmin qëllim për të garantuar vjedhjen dhe keqpërdorimin e pushtetit ekonomik edhe një mandat tjetër, nuk e ndaloi babëzinë dhe armiqësinë e Sali Berishës dhe qeverisë së tij ndaj shqiptarëve.
Borxhi që qeveria iu ka investitorëve vendas dhe të huaj për këtë gropë të zezë të hapur i ka kaluar mundësitë e shlyerjes së ekonomisë sonë dhe jeta jonë do vazhdojë të bëhet më e vështirë.
Qeveria u është vërsulur bizneseve shqiptare në të gjithë nivelet pa menduar se janë pikërisht këta sipërrmarrës të suksesit në këtë mjedis ekonomik kaq të pasigurt dhe thellësisht të monopolizuar politikisht që garantojnë zhvillimin e saj dhe të ardhmen tonë.
Bizneset e mëdha detyrohen të parapaguajnë norma të papërballueshme tatimesh për të mbushur arkën.
Njësitë e qeverisjes vendore privohen nga e drejta e tyre ligjore për më shumë të ardhura duke iu zvogëluar atyre numrin e bizneseve që kanë nën kontroll tatimor.
Bizneset e vogla dhe të mesme detyrohen të paguajnë më shumë sigurime shoqërore apo tatime në nivele të ndryshme të administrimit të biznesit duke paguar në formë detyrimesh më shumë se 90% të marzhit të tyre për shtetin që i vjedh dhe i shfrytëzon cdo ditë.
Papunësia rritet me ritme alarmante.
Bizneset mikro do të paguajnë në fund të këtij viti më shumë se tre herë atë që duhet të paguajnë bazuar në ligj.
Dhe të gjithë ne shqiptarët duhet të paguajmë një borxh qeveritar që nuk dihet se sa ka shkuar, ose për të cilin nuk është bërë as edhe një herë të vetme transparence publike.
Efektet më të fundit negative që do të ndjejmë të lidhura me shtrejtimin e energjisë në përgjithësi, dhe të asaj elektrike në vecanti, do të rrisin disa herë vështirësitë tona ekonomike, për pasojë do kemi më pak përfitime nga të ardhurat tona. Shqiptarët paguhen shqip për punën e tyre dhe paguajnë në gjuhë europiane kostot e tyre të jetesës.
E shoqëruar e gjithë kjo situatë, me mungesën e transparencës totale për zgjedhjet e 28 Qershorit, dhe me një bllokim absurd nga ana e qeverisë të komunikimit politik me opozitën, duke e banalizuar atë në sulme dhe ofendime të ulëta, e ka bërë ekzistencën tonë një sipërmarrje të vështirë. Këto janë më shumë se motive për të protestuar ndaj kësaj qeverie, ndaj kryetarit të saj ilegjitim, Sali Berishës. Bashkohuni me ne, me zërin e arsyes kombëtare, dhe protestoni për të drejtat tuaja legjitime të nëpërkëmbura.







