img
Berisha prek depozitat e shqiptarėve

Postuar më: 02/07/2010

Edi Rama e krahason situatën aktuale ekonomike me atë të kolapsit financiar të 1996. Ai tha gjatë një bisede me gazetarë se ashtu si në 1996 kur për shkak të shpenzimeve elektorale qeveria morri hua të papërballueshme nga tregu vendas, edhe sot, shpenzimet elektorale të 2009 e kanë vendosur qeverinë përballë një fature borxhesh të papërballueshme. Qeveria, tha Rama, sërish po rrit huamarrjen e brendshme në pamundësi për të mbledhur paratë nga sistemi i taksave, tatimeve e akcizave, i cili është në kolaps të plotë. Kryetari i PS e akuzoi qeverinë se po fut duart në depozitat e qytetarëve për të realizuar rritje pensionesh qesharake. Kryetari i Partisë Socialiste u ndal shkurtimisht edhe tek kriza politike në vend. Ai rikonfirmoi vullnetin e Partisë Socialiste për t’i shkuar deri në fund kauzës së transparencës dhe i bëri thirrje Sali Berishës të zgjidhë krizën. Rama deklaroi po ashtu se mbështet plotësisht vendimin e Grupit Parlamentar për të mos votuar asnjë ligj në Kuvend.

 

Më poshtë fjala e plotë e kryetarit të PS, Edi Rama:


Çështja prioritare e krizës ekonomike, e cila thellohet përditë në raport me një fakt, atë të ashtuquajturës rritje të pensioneve, nga ana e një qeverie që sot ka mbërritur në pikën ku realisht pa asnjë ekzagjerim dhe ekuivok mund ta krahasojmë me qeverinë që udhëhoqi Shqipërinë drejt kolapsit financiar në vitet 90.
Çfarë ndodhi në vitin 1996. Zgjedhjet e 26 majit diktuan për shkak të vizionit të mbrapshtë dhe kuptimit tërësisht të shtrembër të vetë politikës, një sasi marramendëse shpenzimesh elektorale.  Në atë kohë le të kujtojmë se paratë u lidhën me nxitjen dhe mbështetjen e skemave piramidale përmes një huamarrjeje me interesa shumë të larta. Njerëzit i mbyllën atje kursimet dhe gjithçka e lidhën me ato skema. Paratë e mbledhura u depozituan në tre bankat shtetërore. Qeveria njësoj si sot rriti huamarrjen e brendshme nga depozitat e fryra atëherë përmes bonove të thesarit.

Sot qeveria nuk ka para për shkak të një krize ekonomike të cilën e ka përshpejtuar në mënyrën marramendëse po vetë. Nga një anë duke e mohuar, dhe nga ana tjetër përmes shpenzimeve abuzive elektorale të një viti më parë, të cilat e kanë vendosur qeverinë sot në kushtet e mbartjes së një fature shpenzimesh e borxhesh që është e papërballueshme dhe që rëndon përditë e më shumë mbi kurrizin e çdo familje shqiptare. Sot gjendemi në kushtet kur një pjesë e mirë e njerëzve i kanë depozituar të ardhurat nga emigracioni, nën presionin edhe të krizës greke, këtu në bankat shqiptare. Qeveria, njësoj si në paralelizmin e bërë, ka rritur huamarrjen e brendshme nga depozitat e shtuara, përsëri përmes bonove të thesarit në lekë dhe në euro. Ç’po ndodh realisht, që ta lidhim me  atë se ç’është në fakt kjo rritje pensionesh në këto kushte kur duhet të kishte një qasje tërësisht tjetër në funksion të të sotmes dhe të nesërmes të vendit. Ka një qasje tërësisht kriminale në funksion vetëm të pushtetit të një grushti njerëzish që e kanë marrë vendin peng.

Qeveria nuk ka dhe nuk po mbledh dot para.
Në 5 muaj janë 12.4 mld lekë më pak, sesa ç’ka duhet të ishte mbledhur.

a-      Për shkak të krizës reflektuar drejtpërdrejtë në paratë e pa mbledhura nga TVSH-ja, nga tatim fitimi, nga taksat doganore etj.

b-      Për shkak të papunësisë reflektuar nga paratë e pa mbledhura nga tatimi mbi pagat, sigurimet shoqërore.

c-       Për shkak të korrupsionit reflektuar në paratë e pa mbledhura nga akciza.

Qeveria në këto kushte i drejtohet depozitave të qytetarëve duke marrë para borxh me interesa marramendëse nga këto depozita. Në 5 muaj, 12.4 mld lekë ose 260% e planit. Atë çka nuk e merr dot nga një sistem i cili është në kolaps, shkon dhe e merr duke futur në kolaps një tjetër sistem që duhet të jetë në fakt në funksion të ekonomisë së vendit, në funksion të sipërmarrjes, në funksion të familjeve dhe jo në funksion të mbajtjes së pushtetit dhe të kryerjes së funksioneve bazë të qeverisë. Deficiti ka arritur në 11.5 mld ose 153.8% e  planit buxhetor. Në qershor çdo gjë ka shkuar akoma më keq. Qeveria ka marrë 7.5 mld lekë të tjera borxh. Përsëri ku i ka marrë? Ka shkuar i ka marrë tek depozitat e qytetarëve, duke mos qenë në gjendje t’i marrë nga sistemi, duke mos qenë në gjendje t’i mbledh nga gjithë ato detyrime që normalisht e ushqejnë buxhetin e shtetit, që pastaj me këtë buxhet të kryejë detyrimet funksionale ndaj qytetarëve. Në total kemi mbërritur në 20 mld në 6 muaj ose 70% e shtesës së depozitave prej 30 mld lekësh. 70% e kësaj shtese depozitash që ka ardhur si rezultat i futjes në sistemin bankar të kursimeve të njerëzve për shkaqe që janë lehtësisht të analizueshme, është thithur nga qeveria për të mbushur një gropë që e ka hapur vetë qeveria në funksion të pushtetit të Sali Berishës e të familjes së tij dhe për të kryer detyrat e veta funksionale. Këto para sigurisht shkojnë për këto detyra funksionale. Çfarë ndodh? Pagat dhe pensionet  si dhe interesat, nuk paguhen dot më nga sistemi. Nuk paguhen dot më, sepse paratë nga tatimet dhe nga doganat nuk mjaftojnë. Janë qytetarët me depozitat e tyre që paguajnë qeverinë që qeveria pastaj këto t’jua kthejë, në një pjesë në formë pagash dhe pensionesh dhe në një pjesë tjetër t’jua çojë “për dreq” për të paguar interesat super të larta të një politike ekonomike, që jua kam thënë, jua kemi thënë, qysh në krye të herës, po e çon ekonominë në një tatëpjetë ku rrezikojmë të hyjmë në fazën që inercia e bën të pandalshme krizën dhe kolapsin e bën katastrofik.

Sali Berisha del dhe thotë, jam i vetmi kryeministër në botë që po rrisë pensionet në kushtet kur të tjerët, jo vetëm nuk po rrisin, por po ulin rroga, edhe në vendet më të zhvilluara. A ka shqiptar të arsyeshëm që të besojë se ky është rezultat i suksesit ekonomik, dhe që  i vetmi vend në botë me sukses ekonomik qenka Shqipëria, ndërkohë që e gjithë bota po rrotullohet mbrapshtë?! Apo mos jemi në kushtet ku jemi i vetmi vend në botë që qeverisemi nga një politikë e një papërgjegjshmërie të atillë që nuk do të dijë se çdo të ndodhi nesër. Nga një pushtet që ushtrohet mbi devizën e njohur, po jo në histori të demokracisë, në historinë e errësirave të mëparshme, që i kanë paraprirë demokracisë: “ pas meje u bëftë qameti”.

Në fakt  duke i hyrë tani më në detaj çështjes së kësaj rritjeje, më lejoni t’ju them se nuk ka rritje.

404 mijë pensione të larta urbane, pensione të ulëta urbane, pensione invaliditeti urbane, familjare urbane, ushtarakësh e policësh, pilotësh e detarësh, profesorësh, pra kjo kategori rriten më pak se 6 %. Në vlerë kjo nuk është absolutisht siç thotë Sali Berisha në mënyrën më cinike, e sigurisht me paturpësinë që e karakterizon në gulçin për të mbajtur me çdo kusht një pushtet që po e rrënon përditë ekonominë duke e çuar Shqipërinë drejt greminës, që rritja e këtyre pensioneve është një rritje më e madhe se rritja e çmimeve. Vetëm me faturën e dritave dhe të ujit, t’i heqim të gjitha rritjet e tjera, pensionistëve u janë marrë 3000 mijë lekë, ndërkohë që qeveria u jep 200 deri në 420 lekë. Le të kalojmë tek pensionet rurale të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare. 160 mijë të tilla rriten më pak se 10 %. Në vlerë leku janë 614 lekë. Vetëm me faturën e dritave dhe të gazit këtyre pensionistëve u janë marrë minimalisht 3000 lekë, qeveria u jep 614 lekë. Ku është rritja këtu?! Pa hyrë fare të rritja e çmimeve të tjera të jetesës. Jemi në kushtet kur këto familje po marrin një të ashtuquajtur rritje pensionesh nga depozitat e tyre. Depozita të cilat Sali Berisha po i përdor duke kërcënuar të fusë në kolaps sistemin që ushqen ekonominë, që stimulon sipërmarrjen që mban gjallë ato vende pune që i krijon dhe i mundëson sipërmarrja, e cila nuk do të ketë mundësi të financohet nga bankat, që të gjitha po i çojnë në xhepin e qeverisë. Nga ky xhep ku në fakt duhet të grumbulloheshin të gjitha ato të ardhura të tjera që janë pjesë e detyrës funksionale të qeverisë, po dalin depozitat e shqiptarëve  që po u shkojnë familjeve në formë rritjeje pensionesh. Rritje qesharake, e cila është propagandistike, e cila është vetëm sa për t’ju thënë shqiptarëve që Shqipëria po ecën përpara, njësoj siç po ecte përpara në kohën kur shqiptarët u detyruan të futen në ambasada  për t’i ikur pushtetit të Sali Berishës dhe të atyre të cilëve Sali Berisha u shërbente me zell.

Çështja e dytë është kriza politike, e cila sot është më e thellë se sa ç’ishte pak kohë më parë. Unë i bëj apel Sali Berishës ta zgjidhë për të mos e kthyer në një nyje tjetër, se boll e kanë shqiptarët nyjen e krizës ekonomike që po ua shtrëngon fytin dita ditës.

Pyetje - Përgjigje

A keni ju si Parti Socialiste një alternativë për të vepruar ndryshe në këto kushte?

Alternativa jonë në këto kushte, është që të bëjmë gjithshka kemi në dorë për të penguar sa të jetë e mundur në rrugën qorre makinën e kësaj qeveria që po e çon Shqipërinë në humnerë. Në rast se do të ishim ne në të njëjtin pozicion do të bënim pa asnjë dyshim politikën ekonomike të syve të hapur  dhe të vetëdijes se ky vend  dhe siç do vend tjetër, nuk qeveriset sot për sot, për interesa të atyre që janë sot në pushtet, por qeveriset  sot dhe për nesër në interes të të gjithë atyre që e ndajnë së bashku këtë vend. Që do të thotë edhe në planin ekonomik, një politikë ekonomike tërësisht ndryshe. Gjë që e kemi thënë edhe në kohën para zgjedhjeve, duke paralajmëruar se çfarë e priste ekonominë në rastin kur politika shkatërruese ekonomike e shpenzimeve marramendëse për interesat e mbajtjes së pushtetit dhe e hapjes së një grope që po fillon të bëhet e pambyllshme në buxhet po për këto interesa mund ta çonte vendin, ku në fakt po e çon.

 

Nëse do të propozohej një amnisti fiskale, opozita pro apo kundër?

Opozita është kundër çdo forme të shprehjes së këtij pushteti, nëpërmjet propozimesh që nuk kanë asgjë të përbashkët me çka të gjitha këto gjëra duan të thonë në kushtet e një demokracie normale. Kjo është një demokraci që nuk funksionon. Në një demokraci që nuk funksionon propozime të tilla bëhen në emër të mekanizmave që i përdor bota e qytetëruar dhe që i përdorin demokracitë funksionale dhe që në fakt pastaj shfrytëzohen vetëm në funksion të një politike, që është politika e mbrapshtë e deformimit të vazhdueshëm të të gjithë sistemit, për të mbajtur në këmbë një deformim themelor që është  deformimi i pushtetit.

Pse PS iu rikthye marrëdhënies së kushtëzuar, çfarë shpresoni të arrini, mazhoranca nuk hoqi dorë nga qëndrimet e saj.

Fakti që një regjim nuk heq dorë nga rruga e vetë e mbrapshtë nuk është një arsye që ata që e luftojnë këtë regjim dhe që kërkojnë që punët të shkojnë në rrugë të drejtë, të tërhiqen. Ne nuk tërhiqemi! Është e thënë  hapur dhe publikisht që do të vazhdojmë betejën tonë, si një betejë për liri dhe të drejta që nuk negociohen. Çdo betejë për liri dhe të drejta nuk është as një betejë e lehtë, dhe nuk është as një rrugë e çelur frytet e së cilës mblidhen aty për aty.

Unë jam shumë krenar për gjithçka ka bërë PS. Njëkohësisht jam tërësisht në mbështetje të vendimit që ka marrë Grupi Parlamentar, për të mos marrë pjesë në asnjë proces votimi në një parlament të shpërfytyruar, nga shkelja e të gjitha parimeve dhe vlerave më elementare të parlamentarizmit, ku së fundmi do të numëroja heqjen e votës së fshehtë dhe të së drejtës së çdo deputeti, që në pavarësinë e tij të plotë të votojë për të zgjedhur individë konkret. Kështu, që kjo është pjesë e një realiteti dhe ky është realiteti i sotshëm konkret dhe i prekshëm. Nuk do të marrim pjesë në asnjë proces votimi për asnjë nisëm që vjen nga ky pushtet, të cilin do ta përballim me të gjithë fuqinë e rezistencës sonë. Në një betejë që do të përshkallëzohet përsëri e përsëri, deri kur Shqipëria të rivendoset në binarët e kushtetutshmërisë dhe të transparencës dhe kur qeveria e këtij vendi, cilado qoftë ajo, t’ju shërbej qytetarëve dhe jo të bëjë ç’ka po bën me qytetarët, duke arritur të fusë duart në depozitat e tyre për t’ju dhënë përgjigje pikëpyetjeve gjithmonë e më të rënda të një krize, e cila e ka hapur dhe e ka bërë të papërballueshme gropën e një buxheti të vënë në shërbim të interesave të një pushteti për një grusht njerëzish që po e rrjepin Shqipërinë përditë.

Nga analiza juaj dëgjuam se renditët të parën krizën ekonomike. A mund të themi se kjo çështja e krizës ekonomike e ka dominuar dhe e ka mposhtur krizën politike, është kjo parësore tashmë? Apo janë të ndërthurura e të ndërvarura nga njëra tjetra?

Më duket se përsa më takon, qysh prej një viti asnjëherë nuk i kam ndarë të dyja këto. Janë dy anë të së njëjtës medalje. Të medaljes së arrogancës dhe të korrupsionit që ka varur në qafë Sali Berisha dhe kjo qeveri. Duke e pretenduar si një medalje të sukseseve të cilat çdo ditë e më shumë po i paguajnë  drejtëpërdrejtë shqiptarët.

 

A do të kërkoni interpelancë me Ministrin e Financave apo me Kryeministrin në Kuvend, për të bërë një ballafaqim të këtyre shifrave, sepse ndryshe është ajo çfarë thotë qeveria e ndryshe është ajo që pretendon opozita? Një vit pas zgjedhjeve kur do ta mësojmë strategjinë që ju thatë pak çaste më parë për përshkallëzimin e protestave.

Ajo që keni parë gjithmonë ka qenë një realitet protestash të përditshme, të vazhdueshme dhe të pandalshme. Objektivi ynë për transparencën është objektiv i patjetërsueshëm. Fakti që ne kërkojmë një të drejtë dhe kjo e drejtë mohohet, nuk na bën ne përgjegjës, por bën përditë e më përgjegjës atë dhe ata që na e mohojnë këtë të drejtë, së pari.

E së dyti më lejoni t’ju përsëris që në botën demokratike ka një faktor të tretë midis dy palëve, që është syri kritik, vigjilent e zhbirues i medias. Është e vërtetë ata thonë shifrat e tyre ne themi shifrat tona, po ky nuk është një ping pong në të cilin ju të tjerët jeni spektator. Merrini shifrat, ballafaqojini dhe tregojini shqiptarëve se kush thotë të vërtetën. Në çdo vend tjetër një kryeministër i cili ka pafytyrësinë të thotë se po ju rris pensionet si rezultat i suksesit ekonomik, ndërkohë që kjo është një rritje pensionesh si rezultat i vazhdimit në rrugën e mbrapshtë të një politike shkatërruese për vendin, që nuk bazohet në suksesin ekonomik, por në futjen e duarve në depozitat e qytetarëve, do të ishte vënë përpara përgjegjësisë në radhë të parë nga zëdhënësit e opinionit publik, që janë  ata të cilët janë të pa interesuar drejtpërdrejtë për betejën politike, po janë të interesuar drejtpërdrejtë për të zhbiriluar të vërtetën. E në këtë pikë më lejoni t’ju them që është një përgjegjësi që duhet ta ndajmë të gjithë së bashku sipas rolit që kemi. Ne kemi përgjegjësinë tonë t’i bëjmë publike të gjitha këto.

Mos harroni që në një vend shumë më të zhvilluar, shumë më të strukturuar, shumë më demokratik, shumë më europian si Greqia, u zbulua fakti drithërues se shifrat ishin të manipuluara. Merreni me mend tani në këtë vend dhe me këtë pushtet që vjedh votat për të vazhduar të qëndroj në këmbë, sesa është shkalla e manipulimit të shifrave. E ndërkohë ne nuk po ju flasim për shifra të supozuara, po ju flasim për shifra konkrete. Është konkret fakti që vetëm fatura e ujit dhe të dritave është 5 e 6 herë më e lartë sesa rritja e pensionit. Është fakt, nuk është shifër e supozuar. Për të mos folur pastaj për inflacionin e për të tjerat të cilat janë shumë më ndryshe sesa shifrat zyrtare.

Në këtë aspekt unë ju falënderoj për pyetjen që më jepni mundësi të sqarohem, por njëkohësisht t’ju ftoj që të ndajmë përgjegjësinë përballë një situate që po bëhet përditë e më dramatike. Do të jetë vonë nesër! Do të jetë po aq vonë sa ç’ishte kur ndodhi një tjetër kolaps financiar në këtë vend. Kur të gjithë pastaj shikonin njëri - tjetrin duke ndjerë peshën e një përgjegjësie për mos ngritjen e çështjes aty menjëherë dhe për mosfrenimin e fenomenit aty dhe menjëherë. Janë dy histori krejt të ndryshme, por mes këtyre dy historive asaj të viteve 1990 dhe kësaj historie sot, është një paralele e frikshme. Paralelja që ndërtohet mbi faktin se shpenzimet marramendëse në funksion të pushtetit dhe pamundësia e sistemit për t’i përballuar këto shpenzime, e çojnë pushtetin tek xhepat e qytetarëve drejtpërdrejtë. Fusin duart e pushtetit në xhepat e qytetarëve dhe ajo që ndodh me këtë borxh, gjë të cilën e kam thënë e në një konferencë të mëparshme, është se duke u futur në këtë sistem huamarrjeje në fakt kërkohet të përballohet kolapsi i sistemit të të ardhurave direkte të qeverisë për detyrat e veta, duke futur në kolaps një sistem i cili është sistemi i kreditimit të ekonomisë për të mbështetur huamarrjen. Këto para janë para që hiqen nga diku dhe shkojnë diku tjetër, por që në fakt fusin në kolaps edhe sistemin tjetër. Ky është fakti dhe kjo e vërtetë që sot është një e vërtetë teorike do të jetë në muajt e ardhshme e vërteta rrënqethëse e sipërmarrjeve shqiptare. E, njëkohësisht nuk do ta nxjerr dot nga kriza buxhetin shqiptar.

Kemi parë dje në Hamallaj të Durrësit skena jo të zakonshme mes policisë dhe banorëve, për shkak të operacionit të ndërmarrë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Cili është komenti i PS dhe qëndrimi mbi fushatën e ndërmarrë dhe mënyrën sesi është ndërmarrë ajo?

Ato pamje janë dy fytyrat e politikës së pafytyrë të Sali Berishës, që nga një anë për interesat e pushtetit të tij në kushtet kur i duhen votat, i nxit njerëzit, i shtyn njerëzit, i frymëzon njerëzit, të investojnë paratë e tyre të gjakut në ndërtime pa leje. Duke e kthyer territorin e vendit në një rrumpallë urbane. Nga ana tjetër kur i duhet të lirojë territore për të vënë në jetë plane të aprovuara për arsye klienteliste në KRRTRSH,  shkon deri në përplasje të tilla. Për më tepër akoma pastaj gjëja që është edhe më dramatike, e vendos policin e shtetit përballë një reagimi që në fakt është një sfidë që i bëhet vetë shtetit. Ajo që ndodhi është fytyra e shtetit të Sali Berishës, që nuk është shtet dhe që nuk ka fuqi të bëjë asgjë në funksion të të mirës publike.

 Zoti Rama a do të ishte kaq e shurdhër kjo qeveri, qoftë për ekonominë, qoftë për transparencën e zgjedhjeve,  në rast se nuk do të kishin ndodhur ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, që ju i votuat?

Ju mendoni që ato që shkruhen në letër e bëjnë më të dëgjueshëm apo më shurdh Sali Berishën? E keni gabim, është organike shurdhëria e Sali Berishës.

 


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy