Postuar më: 10/11/2009
Do të doja të vijonim të flisnim për rrugën Rrëshen-Kalimash, si produkti më i rëndësishëm korruptiv në 20 vitet e fundit!
PS nuk flet sot për herë të parë për këtë operacion kriminal, përmes së cilit po vidhen shqiptarët.
PS nuk ka folur politikisht, por ligjërisht për këtë çështje, madje deri në detaje teknike.
Ky nuk është një debat politik mes opozitës e Qeverisë.
Akuza juridike deri më sot është përfaqësuar nga institucionet kushtetuese që e kanë ngritur atë KLSH, Prokuroria e Shqipërisë, kanë bërë detyrën e tyre ligjore, deri në një farë mase, duke zbardhur e denoncuar operacionin më kriminal deri më sot me punët publike në Shqipëri!
Shqetësimi ynë i përsëritur kanë qenë procedurat anti-ligjore, korruptive e kriminale- nga pikpamja penale, të Qeverisë e Sali Berishës në prokurimin e këtij operacioni kriminal.
Këto procedura kanë shtuar kostot në mënyrë marramendëse në ndërtimin e kësaj rruge, të cilat, janë materializuar në shpërdorime po kaq të mëdha të parave publike të shqiptarëve. Njeherësh dhe në përfitime marramendëse për aktorët e këtij operacioni: Sali Berishën- si kumbari politik i tij, Lulzim Basha - si prokuruesi i këtij operacioni, Sokol Olldashi - si faturpaguesi dhe kompanitë në rolin e materializuesit!
PS ka operuar deri tani vetëm me fakte, të cilat, janë provuar gjatë këtyre dy viteve si të vërteta të mëdha nga vetë aktorët e operacionit kriminal!
Paratë e shqiptarëve po shpërdorohen, shpërdorimi i tyre po shtohet, po aq sa kosto e ndërtimit të rrugës shtohet pas çdo ore!
Kontrata e Qeverisë me Kompanitë ka qenë për vlerën 416 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën fillimisht në 520 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën sërish në 740 mln euro, FMN nga të dhënat e saj vënë në dispozicion nga qeveria, e tregon faturën në 826 mln euro.
Ky është abuzimi me qindra milionë euro!
Sot ne po ju japim faktin e ri: Burimi: Ministria e Financave, referenca kohore: 6 muajt e parë të këtij viti, raportimi për koston për një kilometër të ndërtimit të rrugës Rrëshen -Kalimash, Kalimash-Kukës, Kukës-Morinë, sipas raportimeve të vetë Ministrise së Transporteve;
Ky dokument tregon se kostoja për një kilometër, në 6 muajt e parë të vitit, është rritur nga 826 mln lekë në 1.5 mld lekë të rinj, ose nga 8.9 mln usd në 16.3 mld usd!
Pa asnjë shkak të treguar, në kushtet kur çmimet e materialeve të ndërtimit pësuan rënie drastike, mbi të gjitha, kur materializimi në rrugë ka qenë vetëm 50 % ndërsa shpenzimi 93%!
Ky është shpërdorimi i parave të shqiptarëve për të cilin ne nuk gëzohemi, por kemi të gjithë të drejtën shqiptare ta denoncojmë!
Mjafton vetëm ky dokument i Ministrisë së Financave, që prokuroria të nis hetimet kryesisht, për të gjithë aktorët e këtij operacioni kriminal.
Tuneli është pjesa më e madhe e shpenzimeve në këtë rrugë.
Ai zë gati 60% të kostos së rrugës e pavarësisht kësaj ai po bie, e vërtetë, në mënyrë frekuente por në mënyrë skandaloze po të shohësh paratë e paguara për garancitë teknike për punën, të vendosura për të në kontratë!
Vërtetë si në Francë, Itali, Zvicër, Greqi etj, por edhe si në Boston, ku pasoja ka qenë tragjike, me viktima, me kosto shtesë e me gjoba të rënda ndaj të njëjtës kompani!
Ndryshe nga kudo, këtu, për tunelin tonë të shtrenjte, rrëzimin e tij, nuk ka informacion, teknik; shkaqet, arsyet- për të cilat nuk mund të akuzohet mali si i pabesë, përmasat- e shembjes dhe efektet e saj mbi veprën, projektin e ri-për të rikuperuar këtë dëm fizik në vepër, faturën financiare- që do të duhet për të rikuperuar rënien e tunelit.
Mbi të gjitha, teknikisht, dëmi i shkaktuar në vepër është i pakthyeshëm, duke marrë me vete dhe sigurinë e veprës.
E vërteta nuk mund të fshihet duke mbyllur gojën, mbushur atë me salillëqe të ulëta, penguar median të hyj e të shoh me sy gjendjen e mjeruar të tunelit, madje dhe median qeveritare!
Natyrisht shifrat, volumet dhe pagesat e kryera për to, tregojnë se shkaku kryesor është tek nxitimi elektoral. Nxitimi elektoral për të justifikuar me këtë vepër korrupsionin e qëndrueshëm, si element thelbësor i saj, po kthehet në mallkim për këtë vepër publike.
Por pa diskutim, element themelor, për së dyti, përtej kostos, për të nisur hetimet kryesisht për Sali Berishën, Lulzim Bashën e Sokol Olldashin, Kompaninë ndërtuese!
Për këtë krim ka hetime të kryera, por nuk ka gjyq! Keqbërësit zgjodhën të pengojnë hetimin e të shpëtojnë ndëshkimin!
Por nuk ka krim pa prova, ashtu siç nuk ka krim pa ndëshkim!







