Postuar më: 13/11/2009
Partia Socialiste përshëndet miratimin e rezolutës së Parlamentit Europian në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, sikundër shprehjen e gatishmërisë në deklarimin e përbashkët të Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE për të mundësuar procesin e liberalizimit të vizave edhe me Shqipërinë e Bosnje Hercegovinën, vetëm pasi të jenë përmbushur standardet e kërkuara. Qëndrimi i fundit i institucioneve europiane evidenton qartë faktin se shqiptarët për shkak të dështimeve të qeverisë Berisha në përmbushjen e standardeve të kërkuara nuk do të mund të lëvizin lirisht në hapësirën Shengen nga 19 Dhjetori I këtij viti, sikundër maqedonasit, serbët dhe malazezët. Megjithëse jemi vendi i parë në rajon që kemi firmosur një marrëveshje ripranimi me Komunitetin Europian në vitin 2005, kemi negociuar një nen dhe deklaratë të posaçme në MSA që në vitin 2005 për reformat që duhet të ndërmerrnim në funksion të perspektivës së liberalizimit të vizave, sot gjendemi të fundit si pasojë e dështimeve të qeverisë Berisha. I bëjmë thirrje qeverisë Berisha që të heqë dorë nga propaganda boshe që kërkon fajtorët e dështimit në radhët e opozitës dhe të përqendrohet tek detyrat e shtëpisë. Në mënyrë të posaçme kërkojmë: Zbatimin e programeve antikorrupsion për imunitarët e oborrit qeveritar. Garantimin e qëndrueshmërisë së stafit në Policinë e Shtetit, për të cilën partnerët ndërkombëtarë kanë treguar një vëmendje të veçantë me fonde dhe trajnime. Heqjen dorë nga praktikat abuzive të emërim shkarkimeve që e kanë kthyer policinë e shtetit në një shkop të pushtetit. Zbatimin e planit të veprimit për menaxhimin e integruar të kufijve lidhur me aspektet e krimit ndërkufitar. Bashkëpunimin mes agjencive në luftën kundër krimit të organizuar dhe heqjen dorë nga shantazhimi i institucioneve të drejtësisë.
Pyetje: Si e interpretoni mesazhin e Z. Rehn?
Mendoj se nuk do të ishte e udhës që të komentoja mbi deklaratën e Z.Rehn, unë do doja t’i referohem asaj që ai ka thënë konkretisht: “Rruga drejt BE-së kërkon reforma dhe konsensus politik. Në funksion të rivendosjes së konsensusit politik, unë i bëra apel Z. Meta që t’i japë fund impasit dhe bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës.” Unë mendoj se deklarata e Z. Rehn është shumë e qartë, dhe nuk ka nevojë për shfaqje halucinative si ajo që për fat të keq shqiptarët panë mbrëmë nga ana e kryeministrit. Apeli i drejtohet fare qartë qeverisë për t’i dhënë një rrugëzgjidhje krizës ku ne jemi.







