Postuar më: 29/03/2010
Partia Socialiste, me anë të deputetit Besnik Baraj, ka theksuar sot se "ne mbështesim çdo iniciativë e cila çon në zhvillimin ekonomik e teknologjik të vendit, por në lidhje me centralin bërthamor ne shprehemi kundër." Dhe kjo për disa arsye, ku të parën Baraj renditi mungesën e mbajtjes së një procesi referendumi kombëtar për marrjen kështu në konsideratë të mendimit të popullit mbi projektin në fjalë. Më tej ai u shpreh se "në politikën qeverisëse dominon mungesa e transparencës. Shqipëria sot vuan jo vetëm mungesën e transparencës së votës së lirë, por gjithçka që lidhet me jetën tonë komunitare, zhvillimin ekonomik dhe hapësirën gjeografike."
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit Besnik Baraj:
“Ditët e fundit opinioni publik shqiptar nëpërmjet mediave italiane u njoh me idenë e ngritjes së një reaktori bërthamor në Shqipëri. Kjo ide ka thuajse 2 vjet që artikulohet në nivelin e kryeministrit dhe rrethit të tij, me ulje ngritjet përkatëse në varësi të interesave dhe klimës politike. Partia Socialiste, padyshim mbështet çdo iniciativë e cila çon në zhvillimin ekonomik e teknologjik të vendit, por në lidhje me centralin bërthamor ne shprehemi kundër për këto arsye:
1. Iniciativa kaq të rëndësishme në çdo vend demokratik realizohen pas një konsulte të gjerë me komunitetin. Duke qenë i pari central ai duhet të kalojë në një proces referendumi kombëtar. Nga pikëpamja ligjore kjo e drejtë buron nga vetë legjislacioni shqiptar pas ratifikimit të konventës së Ahrusit vite më parë.
2. Ka shumë të ngjarë po u projektua ky reaktor do të bëhet në zonën bregdetare. Kjo do të thotë që vija jonë bregdetare të përmbajë industritë më ndotëse dhe me një rrezik më të madh përsa i përket impaktit në mjedis sikurse janë; fabrikë cimento në Lezhë, TEC-e me qymyr në Durrës etj, Park industrial pas prerjes së pyllit të sodës në Vlorë dhe diku reaktori bërthamor. Me këtë “gjerdan” investimesh që po realizon apo projekton kjo qeveri, që në çdo hallkë të tij ka të stampuar mbishkrimin “rrezik vdekje”, a mendohet se bregdeti shqiptar, ende një perlë në Mesdhe, mund të ofrojë mundësi për zhvillimin e turizmit???
3. Shqipëria nuk është një vend favorit për një ndërtim të tillë, pasi nuk disponon kapitale financiare, nuk disponon kapacitete profesionale shkencore dhe së fundi nuk disponon kuadrin e nevojshëm ligjor. Atëherë natyrshëm lind pyetja cila është arsyeja që ndërtohet këtu? Mos vallë në ofrojmë vetëm strehim për riskun?
4. Ne nuk jemi për zhvillim spontan të vendit. Në strategjinë e zhvillimit energjitik të miratuar pak vite më parë nuk është bërë fjalë për burime të energjisë atomike. Shqipëria ende nuk ka shteruar burimet e saja hidrike ato eolike dhe ngritjes së TEC-ve me gaz.
5. A mund t’i thotë zoti Berisha popullit shqiptar cila është arsyeja që në krahasim me sllovenët, kroatët, maqedonasit apo malazezët, ne tregohemi kaq të zellshëm për të pranuar në territorin tonë industri nga më ndotëset, nga më të rrezikshmet në rast aksidentesh dhe me kapacitete shumë më tepër se nevojat e brendshme? Cila është arsyeja që kërkohet të kthehet Shqipëria në një kosh mbeturinash toksike? Shkoni e shihni Krujën si është katandisur! Pamje të ngjashme do ketë nesër tërë vija jonë bregdetare.
6. Njoftimi nga mediat italiane, flet qartë se në politikën qeverisëse dominon mungesa e transparencës. Shqipëria sot vuan jo vetëm mungesën e transparencës së votës së lirë, por gjithçka që lidhet me jetën tonë komunitare, zhvillimin ekonomik dhe hapësirën gjeografike. Shembujt në pak vite të mungesës së transparencës si Gërdeci, shembja në Kalimash, marrëveshjet tip Fazlliç, marrëveshja për ujërat detare, prerja e pyllit të sodës e të tjera, që s’janë bërë të njohura, flasin qartë se demokracia në Shqipëri nuk funksionon.”







