Postuar më: 02/03/2010
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka reaguar me tone të ashpra në mëngjesin e së martës lidhur me dhuratën e hidhur të 2010 që qeveria iu bëri shqiptarëve. Në një komunikim me mediat, Rama tha se çdo shqiptar që nuk është i gatshëm të pranojë kokulur keqqeverisjen që buron nga kutitë e mbyllura të votave të vjedhura të bëhet gati për protesta.
Më poshtë deklarata e plotë e Kryetarit të PS, Edi Rama:
Qindra, mbase mijëra sms, telefonata, email-e, vijnë këto ditë në adresat tona, nga brenda dhe jashtë vendit, për faturën e re të energjisë.
Një dhuratë qeveritare për Vitin e Ri, e zbuluar prej nesh, qysh në dhjetor. Një grabitje e paralajmëruar prej nesh javë më parë, kur thamë publikisht se çmimi i kripur i janarit, po u faturohet njerëzve edhe për dhjetorin.
Shërbimi mizerabël, me faturim abuziv të kilovatëve të energjisë, shpesh aforfe dhe larg çdo transparence, në shkelje flagrante të së drejtës elementare të çdo familjeje shqiptare për të mos paguar çfarë nuk konsumon, po paguhet sot duke u marrë njerëzve lekë jo vetëm më shumë, po edhe në mënyrë të paligjshme!
Pra, me hyrjen e Vitit të Ri shqiptarët po paguajnë energjinë e janarit edhe aforfe, edhe më shtrenjtë, edhe më shumë se sa 31 ditët e janarit. Sqaroj se pronësia në kompaninë OSSH dhe pas privatizimit është 75% CEZ dhe 25 % qeveria e Sali Berishës. Sot, dy javë pas shpërthimit të pakënaqësisë legjitime të qytetarëve dhe denoncimit të kësaj grabitjeje në media e në foltoren e opozitës, Sali Berisha hesht edhe pse qeveria ka 25 % të aksioneve të kompanisë, që u faturon shqiptarëve edhe më shumë lekë se sa ç’parashikon rritja skandaloze e çmimit të energjisë.
Ky është rast tipik, skandaloz, kuptimplotë, për atë që fshehin kutitë e mbyllura të 28 qershorit. Një qeveri që grabit popullin e vet, sepse votën e merr me pahir edhe nëse populli nuk ia jep.
Por, ne nuk kemi ndërmend ta paguajmë koston e grabitjes së zgjedhjeve në faturën e energjisë, të ujit, të ushqimeve, të ilaçeve e me rradhë. Ne do të protestojmë për këtë kosto pa u ndalur dhe pa u zmbrapsur. Çdo shqiptar që nuk është i gatshëm të pranojë kokulur keqqeverisjen që buron nga kutitë e mbyllura të votave të vjedhura të bëhet gati për protesta dhe vetëm protesta.







