Postuar më: 26/01/2012
Holli qendror i selisë së socialistëve është kthyer në një qendër të vërtetë të dhurimit të gjakut. Të rinj eurosocialistë të Tiranës nga ora 10 e mëngjesit e deri në orën 5 pasdite kanë programuar në grupe të japin gjak për fëmijët talasemikë.
Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Sekretariati i Rinisë i Partisë Socialiste ka organizuar të rinjtë e FRESSH-it të Tiranës të japin gjak në ndihmë të këtyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë për gjak çdo javë. Sekretari për Rininë Erion Veliaj ka qenë pjesë e të rinjve dhe duke iu përgjigjur medias ai theksoi se Partia Socialiste me pjesën më të mirë të saj, rininë, tregon solidaritet, por Programi i saj “Për një Rilindje Shqiptare” është një program me ide të reja për mënyrën se si duhet të ndërtohet një shërbim shëndetësor i ri, me një vizion, funksionim dhe qasje të re nga ai aktual.
Sekretari për Rininë Erion Veliaj u shpreh se: Unë besoj që kur filluam Re:FRESSH filluam një kapitull të ri për të bërë gjëra ndryshe në Shqipëri. Dhe nga një politikë që deri dje i bënte gjërat me fjalë, unë them që sot duhet të japim disa shembuj konkret. Partia Socialiste ka një program fantastik për shëndetësinë. Shërbim shëndetësor universal, i cili është shumë i ndryshëm nga programi i qeverisë. Nëqoftëse programi i qeverisë është që sa herë aksidentohen apo sëmuren të shkojnë jashtë apo në spitale private, programi ynë është një program që i ofron çdo shqiptari dinjitet në shëndetësi. Pyetja është çfarë do bëjmë nga tani deri në një vit që qeveria e re socialiste do ta bëjë realitet. E vetmja gjë që mund të bëjmë është që të tregojmë solidaritet. Nëqoftëse shumë njerëz e njohin solidaritetin në teori, ne socialistët besojmë se mund të bëjmë diçka konkrete. Dhe sot është një përpjekje e të rinjve shqiptarë, të rinjve socialistë për të qenë solidarë me ata 500 fëmijë talasemikë, kryesisht nga familja të varfra në Shqipëri, kryesisht të pamundur që të blejnë gjak dhe që bazohen tek këto dhurime për të shtuar jetën. Shumë prej fëmijëve talasemikë duhet të marrin gjak rreth 2 herë në muaj nga gjysmë litri për të vazhduar mbijetesën në Shqipëri. Kjo do të thotë për mua të jesh i majtë dhe të jesh solidar duke bërë diçka konkrete. Ndaj ju jam shumë mirënjohës të gjithë të rinjve të FRESSH-it për këtë nismë sot dhe besoj që është një lajm i mirë i të bërit politikës ndryshe.
Sa të rinj i janë përgjigjur apelit tuaj për të dhuruar gjak?
Holli i PS është kthyer në një spital fushor nga ora 10.00 deri në orën 17.00 mbasdite ku presim rreth 100 të rinj që do të ndihmonin me të paktën 1/5 e nevojave të të gjithë vendit për gjak dhe ky është lajm i mirë.
Duhet t'ju kujtoj që ka 7 vjet që qeverinë e qeveris një doktor, i cili paguhet nga taksat që ta bëjë këtë punë. Kështu që opozita bën ç’të mundet pa qenë në pushtet dhe unë them duke dhënë gjak për 100 fëmijë talasemikë është më shumë se sa qeveria bën me gjithë buxhetin e arsimit apo të shëndetësisë, edhe spitalet publike që sot janë në derexhe.
Është kjo kategori fëmijësh të cilët kanë shumë nevojë për kontributin çdokujt për t’u përballur me mungesën e gjakut, thonë të rinjtë eurosocialistë ndaj ata i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të dhënë gjak për ta përkthyer në vite jetë për ata fëmijë që vuajnë nga talasemia.
Një prej të rejave eurosocialiste është shprehur se: "E bëj plot dëshirë për fëmijët që kanë nevojë, talasemikë. Duke marrë parasysh që janë të lenë në hije dhe nevojën e tyre për gjak, pse jo, t’i japim pak nga gjaku jonë." Edhe një tjetër prej të rinjve theksoi se duke dhuruar gjak sot shpëton një jetë. “Është hera e dytë që dhuroj gjak dhe jam shumë e lumtur për këtë në ndihmë të atyre që kanë nevojë. Shpresoj që më së shumti ky gjak t’i shkojë një fëmije që realisht ka nevojë.”







