Postuar më: 26/05/2010
Thellimi i krizës do të kishte pasoja të rënda jo vetëm lidhur me axhendën tonë evropiane, por edhe mbi gjendjen e vendit. Kështu është shprehur deputeti i PS Namik Dokle, gjatë një dalje për mediat, ku ka theksuar edhe njëherë se moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE. Më tej ai u shpreh se fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen.” Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar; kryeministër, qeveri apo KQZ dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit.”
Deklarata e plotë e deputetit të PS, Namik Dokle:
Kriza e stërzgjatur politike, ekonomike dhe qeverisëse po e çon çdo ditë e më shumë në sosje durimin e shqiptarwve, tw njerwzve të varfër e pa mbështetje, të atyre që duan demokracinë funksionale dhe integrim të shpejtë e të plotë në familjen euro-atlantike.
Transparenca e munguar për çdo gjë që ndodh në këtë vend, për votën e lirë, për fondet buxhetore, për pronat publike, për taksat dhe faturat, për punësimin dhe asistencën sociale, për gjithçka që të zgjedhurit duhet t’u ofrojnë zgjedhësve, po e fut Shqipërinë në një rreth vicioz të mosfunksionimit të demokracisë e të shtetit të së drejtës. Këtej buron jo vetëm shqetësimi i opozitës, por i gjithë shqiptarëve që e duan vendin e tyre si Evropën dhe jo sulltanat, apo republikë bananesh. Zgjidhja është te transparenca e zgjedhjeve! Aty fillon transparenca për gjithçka ndodh në këtë vend.
Protestat e fuqishme të opozitës i treguan qeverisë se nuk mund të shkelë kurrë një kauzë të drejtë, të mirëpritur jo vetëm nga opozita.
Greva sublime e deputetëve dhe simpatizantëve të opozitës i tregoi qeverisë se shurdhëria dhe kokëfortësia e saj e rrezikshme nuk mund t’i imponohet një populli të lirë dhe që është i gatshëm të sakrifikojë për lirinë. Tryeza e Strasburgut i tregoi qeverisë se nuk mund të ketë integrim kur transparenca zëvendësohet nga mashtrimi, kur respekti ndaj opozitës zëvendësohet nga diktati, kur shteti i së drejtës zëvendësohet nga presioni mbi institucionet. Tryeza e Strasburgut ofroi zgjidhje e vuri një afat sa dashamirës aq edhe të vendosur, sa të mençur aq edhe ultimativ!
Të gjitha kambanat bien për qeverinë dhe mbi qeverinë!
Ndërkohë opozita, në këto dy javë po i jep parlamentit shansin e normalitetit e të gjakftohtësisë për të arsyetuar dhe për të vendosur zgjidhjen që tashmë është mbi tavolinë. Moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, e me çdo faktor të përfshirë në tryezë. Dhe padyshim, thellimi i kësaj krize do të kishte pasoja të rënda jo vetëm lidhur me axhendën tonë evropiane, por edhe mbi gjendjen e vendit. Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar; kryeministër, qeveri apo KQZ dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit. E përsëris, që ta marrë vesh mirë Berisha, Ristani dhe gjithë stani i tyre, se fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen!







