Postuar më: 30/06/2010
Nënkryetarja e grupit socialist Vasilika Hysi, ka komentuar raportin e fundit të Freedom House, i cili parashtron një sërë problemesh serioze mbi situatën e demokracisë në Shqipëri, si dhe ngre një sërë pikëpyetjesh shqetësuese mbi trajektoren në rënie që po ndjek zhvillimi demokratik i vendit nën qeverisjen e Sali Berishës. Elementi i parë që të bie në sy nga ky raport është se Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës nuk ka shënuar përparime në asnjë fushë të vetme, përkundrazi në një sërë fushash janë shënuar përkeqësime serioze të situatës së demokracisë dhe shtetit ligjor. Kështu raporti nxjerr qartazi në pah se situata e qeverisjes demokratike në Shqipëri është përkeqësuar si pasojë e krizës politike dhe institucionale që pasoi zgjedhjet e 28 qershorit, duke shënuar një rënie nga 4.25 në 4.50 pikë, në një shkallë nga 1 në 7 ku 7 përfaqëson skajin më negativ. Freedom House vëren po ashtu se imuniteti i zyrtarëve të qeverisë mbetet një pengesë e madhe në luftën kundër korrupsionit, por edhe në ato raste kur imuniteti i zyrtarëve është hequr, si rasti i Ministrit Basha, një pengesë edhe më e madhe ka qenë mbrojtja politike që u ka ofruar qeveria këtyre zyrtarëve dhe presioni që ka ushtruar ajo tek organet e drejtësisë. “Konkluzionet e arritura nga Freedom House janë të denja për një republikë ish sovjetike të Azisë Qendrore, por jo për një vend anëtar të NATO-s e që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian”, ka theksuar deputetja Hysi gjatë deklaratës për shtyp.
Më poshtë deklarata e plotë e Nënkryetares së Grupit të deputetëve të PS, Vasilika Hysi:
Dje është publikuar raporti më i fundit i Fredom House i cili vlerëson nivelin e demokratizimit dhe performancën demokratike të një numri vendesh në tranzicion. Ashtu si të gjitha raportet e tjera të kësaj natyre nga organizata prestigjioze ndërkombëtare, edhe raporti i Freedom House parashtron një sërë problemesh serioze mbi situatën e demokracisë në Shqipëri, si dhe ngre një sërë pikëpyetjesh shqetësuese mbi trajektoren në rënie që po ndjek zhvillimi demokratik i vendit nën qeverisjen e Sali Berishës dhe mazhorancës së djathtë.
Elementi i parë që të bie në sy nga ky raport është se Shqipëria nën qeverisjen e Sali Berishës nuk ka shënuar përparime në asnjë fushë të vetme. Përkundrazi në një sërë fushash janë shënuar përkeqësime serioze të situatës së demokracisë dhe shtetit ligjor si pasojë e veprimeve të qëllimshme nga ana e qeverisë.
Kështu edhe pse kryeministri sot e kësaj dite në mënyrë absurde refuzon të pranojë se vendi është në krizë, raporti nxjerr qartazi në pah se situata e qeverisjes demokratike në Shqipëri është përkeqësuar si pasojë e krizës politike dhe institucionale që pasoi zgjedhjet e 28 qershorit, duke shënuar një rënie nga 4.25 në 4.50 pikë, në një shkallë nga 1 në 7 ku 7 përfaqson skajin më negativ.
Gjithashtu, raporti ngre shqetësimin për situatën e medias në Shqipëri, ku është shënuar një rënie nga 3.75 në 4.00 pikë, dhe identifikon si problem serioz shtimin e presionit mbi gazetarinë investigative dhe presionin e politikës mbi organizmat mbikëqyrëse të medias.
Përsa u përket zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, raporti vëren se ato nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe liston një sërë problemesh me periudhën parazgjedhore, si për shembull 275 000 shqiptarët që nuk mundën të votonin për shkak të mungesës së dokumentave të identifikimit, pjesëmarrjen masive të punonjësve të administratës civile në aktivitete elektorale të pushtetit, presionet e ushtruara nga qeveria mbi administreatën për të marrë pjesë në mitingjet e mazhorancës apo për të mos marrë pjesë në aktivitetet e opozitës, votimin familjar, si dhe vëren se u shkel e drejta e dy anëtarëve të KQZ për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në disa qarqe .
Edhe pse kryeministri del e bën teatër duke i shtrirë autoriteteve lokale dorën e bashkëpunimit, raporti konstaton po ashtu se si pasojë e polarizimit të situatës politike dhe sulmit të qeverisë mbi të ardhurat e pushtetit lokal duke ulur në mënyrë arbitrare taksat për biznesin e vogël dhe duke reduktuar buxhetet e njësive vendore, është dëmtuar demokracia e pushteteve lokale.
Për çështjen e sistemit të drejtësisë raporti shprehet se Shqipëria nuk ka një strategji të qartë për reformimin e sistemit gjyqësor dhe ngre shqetësimin mbi frikësimin nga ana e politikës të gjykatësve dhe prokurorëve që gjykojnë dhe hetojnë çështje sensitive. Si shembull të këtyre presioneve, raporti sjell rastin e dy ministrave të qeverisë Berisha, Basha dhe Mediu të cilët u liruan nga akuza për arsye procedurale nën presionin e qeverisë, pa u gjykuar kurrë për krimet e rënda për të cilat akuzoheshin.
Raporti thekson se korrupsioni mbetet një fenomen i përhapur dhe përpjekjet e qeverisë për të luftuar këtë fenomen ose kanë bërë në vend numëro ose kanë qenë selektive. Ai nënvizon se besimi i shqiptarëve tek institucionet si pasojë e korrupsionit mbetet i ulët dhe se Shqipëria renditet ndër vendet më problematike në rajon përsa i përket situatës së korrupsionit.
Freedom House vëren po ashtu se imuniteti i zyrtarëve të qeverisë mbetet një pengesë e madhe në luftën kundër korrupsionit, por edhe në ato raste kur imuniteti i zyrtarëve është hequr, si rasti i Ministrit Basha, një pengesë edhe më e madhe ka qenë mbrojtja politike që u ka ofruar qeveria këtyre zyrtarëve dhe presioni që ka ushtruar ajo tek organet e drejtësisë.
Konkluzionet e arritura nga Freedom House janë të denja për një republikë ish sovjetike të Azisë Qendrore, por jo për një vend anëtar të NATOs e që pretendon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Ky raport konfirmon sërish atë që Partia Socialiste ka thënë tashmë prej kohësh se në sundimin e Sali Berishës, kryeministër jo me votë të popullit, por me mandat gjykate, Shqipëria po rrëshqet gjithnjë e më dukshëm drejt një rregjimi autokratik. Kjo situatë shqetësuese dhe kriza e demokracisë për të cilën flet raporti i ka rrënjët thjesht e vetëm tek krimi elektoral i 28 qershorit dhe manipulimi i vullnetit të shqiptarëve prandaj Partia Socialiste dhe opozita shqiptare në tërësi nuk mund dhe nuk do të heqë kurrë dorë nga beteja e saj për transparencë.







