Postuar më: 21/04/2010
”U bënë tashmë 5 vjet që Sali Berisha premton integrimin, por po ashtu ka 5 vjet që Sali Berisha me qeverisjen e tij të papërgjegjshme humbet shans pas shansi për të realizuar ëndrrën evropiane të shqiptarëve” kështu është shprehur deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade në një deklaratë për shtyp duke hedhur poshtë entuziazmin e shfrenuar që shpreh Berisha për integrimin e Shqipërisë në BE. Në deklaratën e saj Dade ka rreshtuar një sërë faktësh, të cilët lënë shumë për të dëshiruar siç janë: reformat, transparenca, modernizimi, zhvillimi dhe evropianizimi i vendit dhe i ka kujtuar Berishës se Integrimi nuk nënkupton thjesht aktin formal të dorëzimit të pyetësorit.
Më poshtë deklarata e plotë për shtyp e deputetes Arta Dade:
Në çdo deklaratë e dalje të tij publike Kryeministri na provon se ai ende nuk e kupton se çdo të thotë integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.
Integrimi i Shqipërisë në Evropë, nuk nënkupton kurrsesi thjesht aktin formal të dorëzimit të pyetësorit të hartuar në fshehtësi, por në radhë të parë reformat, transparencën, modernizimin, zhvillimin dhe evropianizimin e vendit, duke filluar nga politika, ekonomia, shteti ligjor. Dhe këtë Sali Berisha nuk do ose nuk mundet ta kuptojë.
Sali Berisha nuk do ose nuk mundet ta kuptoje se mënyra e tij e qeverisjes, klienteliste, autoritariste, e korruptuar dhe e papërgjegjshme, është jashtë çdo standardi evropian e demokratik.
Një Shqipëri evropiane nuk mund të jetë kurrsesi një vend ku zgjedhjet vidhen nga shteti i dominuar nga pushtetin e ku qeveria ndalon transparencën me forcën e kartonëve.
Shqipëria nuk mund të jetë kurrsesi një vend ku ekonomia rrënohet për interesat elektorale të qeverisë, e ku qeveria refuzon të thotë të vërtetën për rritjen e çmimeve, për humbjen e 71 mijë vendeve të punës vetëm në tre muaj, për rritjen e varfërisë e për rritjen galoponte të borxhit.
Shqipëria nuk mund të jetë kurrsesi një vend ku 38 mijë fëmijët e lindur në 2009, gdhihen që në ditën e tyre të parë të jetës me një borxh prej mbi 2 mijë dollarësh thjesht e vetëm për shkak të interesave të pushtetit e pasurimit të Sali Berishës.
Shqipëria nuk mund të jetë kurrsesi një vend ku shteti ligjor ka rënë, ku ministrat, deputetët e oborri i familjes në pushtet janë të paprekshëm nga ligji dhe mund të abuzojnë me paratë, pronat e të ardhmen e shqiptarëve.
U bënë tashmë 5 vjet që Sali Berisha premton integrimin, por po ashtu ka 5 vjet që Sali Berisha me qeverisjen e tij të papërgjegjshme humbet shans pas shansi për të realizuar ëndrrën evropiane të shqiptarëve. Sali Berisha nuk mundet ta realizojë integrimin e vendit, ashtu siç nuk mundet të zgjidhë krizën e demokracisë e të ekonomisë që ka mbërthyer sot vendin, pasojat e së cilës i vuajnë të gjithë shqiptarët, përveç familjes në pushtet. Prandaj në 30 prill, të gjithë shqiptarët që janë sfilitur e rrënuar nga kjo qeveri, duhet t’ i bashkohen protestës sonë të madhe për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisje.







