Postuar më: 16/06/2010
“Ndërkohë që pretendohet për rritje stratosferike të investimeve, sipas botimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria rezulton vendi me investimet më të ulëta në rajon.” Kështu është shprehur nëpërmjet një deklarate për mediat, deputetja e Partisë Socialiste Ermelinda Meksi, duke theksuar se fshehja e realitetit ekonomik në vend është një tentativë e përsëritur për të fshehur recesionin ekonomik. Gjatë kësaj qeverisjeje,- ka deklaruar Meksi, - deficiti është dyfishuar, kosto e shërbimit të borxhit ka shkuar nga 29.4 miliardë lekë në 2005, në 52 miliardë lekë në 2010. Deputetja socialiste ka theksuar se zgjidhja e krizës nuk mund të vijë nga demonizimi i opozitës, por vetëm nga pranimi i realitetit, reflektimi dhe një qëndrim realist ndaj ritmeve të rritjes ekonomike dhe marrja e masave efektive.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetes së PS, Ermelinda Meksi:
Pak ditë më parë kryeministri deklaroi publikisht se qeveria e tij i ka bërë transparente të gjithë treguesit e ekonomisë. Jo vetëm kaq, por kryeministri nuk hezitoi të ftojë opozitën t’i merrte këto tregues që sipas tij ilustrojnë se Shqipëria po përjeton një mrekulli ekonomike. E pra, ne i kemi marrë këto tregues, por fatkeqësisht ato provojnë vetëm një gjë: kulturën e mohimit flagrant të së vërtetës dhe mungesën e transparencës së kësaj qeverie, e cila fsheh dhe manipulon me vetëdije opinionin publik për gjendjen kritike në të cilën gjendet ekonomia.
Në funksion të kësaj filozofie qeverisëse kemi konstatuar dy fakte tronditëse në lidhje me raportin e saj me shifrat zyrtare. Dukuria e parë që vihet re është se qeveria nuk i publikon kurrë të dhënat e ekonomisë kur ato janë negative; një përpjekje sa e qartë aq dhe e kotë për të krijuar një realitet virtual ekonomik në letër. Por vetëm në letër ama.
Dukuria e dytë shqetësuese është fakti se botimet mujore statistikore, kur të dhënat janë negative, edhe në ato raste kur botohen jepen në formën e njoftimeve për shtyp të cilat, duke u lexuar në mënyrë pjesore, synojnë të mbështesin propagandën e mrekullive ekonomike të kryeministrit. Pra, kjo logjikë e kryeministrit dhe e qeverisë së tij vërteton sentencën teorike, që kur retorika nuk mbështetet në fakte, ato manipulohen - spërdridhen për t’ia përshtatur ato kësaj retorike.
Treguesit realë flasin për një situatë ekonomike të ndryshme nga propaganda e kryeministrit, i cili pretendon se në 2005 paska gjetur një borxh publik sa 72% e PBB. Borxhi ka qenë vërtet 72% e PBB, por jo në 2005, por në vitin 1999 si pasojë e katastrofës financiare të shkaktuar nga inspiruesit e piramidave që sot drejtojnë vendin. Në 2005, sipas strategjisë së borxhit publik e cila gjendet në ëebsite e Ministrisë së Financave, borxhi ishte 57.4% e PBB duke përgënjeshtruar deklaratën e përsëritur të kryeministrit dhe duke kujtuar se përkundrazi nën qeverisjen e tij ai ka kapur nivele tepër shqetësuese. Ndërkohë që pretendohet për rritje stratosferike të investimeve, sipas botimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria rezulton vendi me investimet më të ulëta në rajon. Gjatë kësaj qeverisjeje deficiti është dyfishuar, kosto e shërbimit të borxhit ka shkuar nga 29.4 miliardë lekë në 2005, në 52 miliardë lekë në 2010. Me këtë rast kujtojmë akuzën që kryeministri i ka drejtuar disa herë opozitës e cila sipas tij mashtron, trillon e gënjen në lidhje me ekonominë. I mbetet publikut të shohë shifrat e të gjykojë se në cilën anë qëndron kultura e mashtrimit.
Apelet e opozitës për situatën ekonomike si dhe eksperienca e përditshme e qytetarëve kanë rritur vetëdijen e publikut e të medias për shqetësimet e ngritura nga ne. Për Partinë Socialiste është shqetësuese vazhdimi i tendencës në rënie e treguesve ekonomikë e konkretisht të ardhurave buxhetore edhe për gjashtëmujorin e parë 2010. Kjo fshehje e realitetit ekonomik në vend është një tentativë e përsëritur për të fshehur recesionin ekonomik. Prandaj ne mendojmë se zgjidhja e krizës nuk mund të vijë nga demonizimi i opozitës por vetëm nga pranimi i realitetit, reflektimi dhe një qëndrim realist ndaj ritmeve të rritjes ekonomike dhe marrja e masave efektive. Opozita shqiptare më shumë se për konfrontimin politik, është e interesuar për shpëtimin e ekonomisë së vendit nga një situatë shkatërrimtare. Le të shpresojmë që ky apel i opozitës këtë herë do të marrë vëmendjen e duhur, sipas eksperiencës së të gjitha vendeve të tjera europiane.







