Postuar më: 10/11/2009
Opinioni publik ditët e fundit është bërë i njohur me projektligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, apo siç njihet rëndom “ligji antimafia”, si dhe shqetësimet që kjo nismë ka krijuar.
Projektligji, nga disa amendime të veçanta po formësohet si një ligj i ri duke zgjeruar objektin dhe kategoritë mbi të cilin zbatohet, por pa u justifikuar qartë se përse është i nevojshëm një zgjerim i tillë dhe sa problematik ka qenë zbatimi i ligjit në fuqi, nisur nga fakti që një ligj i tillë ka mbi 5 vjet që zbatohet.
Për ironi i vetmi justifikimin e nevojës së këtij ligji nga ana e mazhorancës është gjoja konfuzioni që ka krijuar vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë, i cili në thelb ka vendosur një standard të lartë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, standardin që sekuestro mund të zbatohet vetëm kur ka një dyshim të arsyeshëm.
Projekti i ri i mazhorancës Berisha jo vetëm që nuk e respekton këtë standard demokratik, por synon të përfshijë si subjekte të këtij ligji çdo person apo qytetar mjafton që ai të demostrojë një nivel të caktuar jetese, i cili mund të mos përputhet me të ardhurat e tij.
E thënë ndryshe cdo qytetar që mund të ketë vënë pasuri mund të jenë subjekt i masave të këtij ligji, që do të thotë pasuria e tij mund të sekuestrohohet dhe ai duhet të japë llogari se si e ka krijuar këtë pasuri, dhe njëkohësisht ligji i jep kompetenca të gjera policisë e prokurorisë pavarësisht nga përfshirja ose jo e personit në aktivitetet kriminale që parashikon ligji.
Ky nocion i ri juridik, jo vetëm që nuk është i qartë, por edhe nuk përputhet me nocionin e ngjashëm që aplikojnë ato pak shtete që e përdorin atë, dhe që e lidhet vetëm me persona që në një mënyrë ose një tjëter janë të lidhur me aktivitet kriminal objekt i ligjit, dhe jo thjesht me dyshime apriori se si një qytetar zotëron më shumë pasuri se sa fiton.
Ky ligj në mënyrë krejt antikushtetuese merr përsipër të amendojë ligje që kërkojnë 3/5 e votave për miratim, pasi de facto amendon Kodin e Procedurës Penale apo ligjin Për Gjykatën e Krimeve të Rënda. Nuk është e rastit që shoqatat e avokatëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve e kanë kundërshtuar miratimin e këtij ligji, si dhe kanë paralajmëruar rreziqet që mund të vijnë prej zbatimit të tij.
Partia Socialiste thekson se miratimi me nxitim dhe pa u konsultuar i këtij ligji nga ana a mazhorancës ka gjasa të kthehet në një problem për respektimin e lirive dhe të drejtave themelore. Në vend të nxitimin dhe dezinformimit për gjoja arsyet e miratimit të tij, mazhoranca do të bënte mirë të shtynte miratimin e tij në Kuvend dhe të zgjeronte rrethin e konsultimit me të gjithë aktorët e interesuar si dhe të sqaronte e korrigjonte dispoziatat që kanë ngjallur rreagim publik si burim i mudshëm abuzimi.
Kjo pasi në shtetin e Berishës, ku kultura e pandëshkueshmërisë së qeveritarëve predominon dhe ku sjellja arrogante e qeverisë me këdo tjetër jashtë vathës së saj është normë, zbatimi i këtij ligji do të rrezikonte çdo sipërmarrës apo qyetar jashtë interesit kryeministror, duke u kthyer në një kërcënim serioz të lirive dhe të drejtave të njeriut.







