Postuar më: 24/05/2010
“Të gjej fjalët për Grevën e urisë së 203 grave dhe burrave që sfiduan me uri regjimin shtypës të votës së lirë, të gjej fjalët për të dëshmuar sakrificën sublime të rezistencës për transparencë, është një mision i pamundur.” Kështu e nisi fjalën e tij deputeti i PS Xhafaj, në një aktivitet ku ishin të pranishëm deputetët dhe mbështetësit e PS, të cilët morrin pjesë në grevën e urisë.
“Ne të gjithë bashkë, fituam mbi veten, mbi ato kufij të durimit njerëzor që nuk i dinim se i kishim, fituam mbi skeptikët dhe cinikët duke realizuar të parën protestë të këtij lloji për numrin e pjesëmarrësve, për shtrirjen e saj kohore dhe mbi të gjitha, i dhamë Shqipërisë një institucion të ri e të ndershëm: grevën e vërtetë të urisë vetëm me ujë, serume dhe shpirt”, theksoi Xhafaj.
Më poshtë fjala e deputetit dhe njëherësh Sekretarit të Koordinimit dhe Çështjeve Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Thonë shpesh që politika është edhe arti i fjalës, por nëse unë sot nuk gjej dot fjalët për të treguar çast pas çasti, ditë mbas dite e javë pas jave atë që ngjau në grevën fisnike të urisë, kjo nuk do të thotë se është faji im, megjithëse jam në politikë prej shumë e shumë vjetësh.
Të gjej fjalët për Grevën e urisë së 203 grave dhe burrave që sfiduan me uri regjimin shtypës të votës së lirë, të gjej fjalët për të dëshmuar sakrificën sublime të rezistencës për transparencë, është një mision i pamundur.
E di mirë që kurrë nuk do të gjej mundësinë të shpreh plotësisht gjithë admirimin dhe mirënjohjen për këtë bërthamë të re - simbol rezistence - të familjes sonë politike, që me urinë e saj dëshmoi fort se shoqëria shqiptare është e uritur për transparencë, është e uritur për dritë aty ku mbretëron dhe kërkon të drejtojë errësira, është e uritur për drejtësi aty ku padrejtësia kërkon të bëhet ligj i të fortit që shtyp të dobëtin, aty ku shteti shndërrohet në mjet shtypës dhe pushtet për sovranin.
Ishin pothuaj tre javë uri, por jo thjesht dhe vetëm kaq. Protesta e Partisë Socialiste që mblidhej rreth çadrave të rezistencës mblodhi si kurrë ndonjëherë më parë qytetarë të zemëruar me qeverisjen dhe rrënjët e saj të gënjeshtra që nisën në 28 qershor; që mblodhi qytetarë nga Tropoja e deri në Sarandë, nga jugu në veri. Qytetaria shqiptare u derdh në Tiranë për të shkruar histori, historinë e një force politike dhe një shoqërie që nuk do të pranojë kurrë të lerë qytetarin peng të pushtetit korruptiv, historinë e të gjithëve ne, që duam lirinë e votës si të vetmin themel të sigurt mbi të cilin ndërtohet demokracia funksionale dhe shteti i së drejtës.
Protesta qytetare e opozitës për votën e lirë kreu një mision që, në nisje për shumëkënd ishte i pamundur!
Ne të gjithë bashkë, fituam mbi veten, mbi ato kufij të durimit njerëzor që nuk i dinim se i kishim, fituam mbi skeptikët dhe cinikët duke realizuar të parën protestë të këtij lloji për numrin e pjesëmarrësve, për shtrirjen e saj kohore dhe mbi të gjitha, i dhamë Shqipërisë një institucion të ri e të ndershëm: grevën e vërtetë të urisë vetëm me ujë, serume dhe shpirt që na ushqente me forcën e besimit dhe të bindjes në drejtësinë e vendimit tonë të përbashkët!
Më lejoni që të kem mirëkuptimin tim maksimal, dhe besoj edhe tuajin, për të gjithë ata që mendonin dhe mendojnë ndryshe nga ne. E japim këtë mirëkuptim sepse sakrifica jonë, sepse protesta e Partisë Socialiste është edhe për ata.
Do të përpiqem sot dhe nesër të mirëkuptoj të gjithë skeptikët, në media, në shoqëri e kudo gjetkë, por nuk do të rresht kurrë së gjykuari me përçmim të gjithë ata njerëz që kërkojnë të fitojnë para e pushtet nëpërmjet politikës, që kërkuan të bëjnë politikë me mjetet e errësirës, që i dhanë fytin, zërin dhe portretin ideve të marra të njeriut të errësirës që nuk pranonte transparencën e votës edhe atëherë kur nën dritaret e zyrës së tij protestohej me çadra transparente.
Motra dhe vëllezër,
E kam të pamundur të gjej fjalët e shpirtit, por para së gjithash do të dëshiroja që në emrin tim, në emër të të gjithë grevistëve dhe të të gjithë juve, t’ju shprehja mirënjohjen e parë të gjithë pjesëtarëve të familjeve tona shpirti, kujdesi dhe dhimbja e të cilave ishin së bashku me ne në grevë, të gjitha ato nëna që kishin bijtë në sakrificë, të gjithë ato gra që prisnin burrat dhe gjithë ata burra që shihnin burrërimin e grave të tyre në sakrificë, të gjithë ata bij e bija që prisnin nënat dhe baballarët e tyre të fitonin me sakrificë betejën e madhe për liri dhe demokraci, për dritë dhe dinjitet, për votë dhe pushtet të ndershëm.
Në emrin e të gjithë grevistëve do të dëshirojë të formuloj një mirënjohje të pakufishme për të gjithë qytetarët shqiptarë që panë tek opozita zërin e tyre dhe i dhanë zërin e tyre opozitës, solidariteti i të cilëve, ishte adrenalina, forca dhe kurajoja e rezistencës sonë ndaj urisë, dhimbjeve dhe kohës.
Një falënderim të ngrohtë dëshiroj të jap për të gjithë kolegët tanë deputetë jashtë grevës duke ruajtur thellë në kujtesë shqetësimin e tyre të përditshëm për shëndetin tonë, përqafimet e tyre të ngrohta dhe pse jo rrallë edhe sytë e tyre të mbushur me lot.
Një falënderim respekti për drejtuesit e qeverisjes vendore të rretheve nga vinin grevistët si dhe për të gjithë drejtuesit socialistë të rretheve përkatëse që me kujdesin dhe vëmendjen ishin një mbështetje e jashtëzakonshme për ne;
Një falënderim të sinqertë gjithashtu për aleatët tanë politikë që u bënë bashkë me ne në këtë kauzë.
Falënderoj fort median e lirë e të pavarur, të gjithë ata gazetarë që guxuan të ishin vërtetë gazetarë të fjalës së lirë, që panë tek protesta jonë, edhe betejën e saj përballë të vërtetës, përballë lirisë së saj, përballë të ardhmes së saj. Një betejë që nuk mund të humbasë kurrë dhe që do të ketë gjithmonë fituese - lirinë.
Ne grevistët, nuk do të harrojmë kurrë të gjithë ata njerëz me bluza dhe zemër të bardhë që gdhinë netët e tyre pranë shtretërve tanë duke ju dhënë një falënderim e përqafim zemre ekipi mjekësor të drejtua nga dr. Sabiti e të konsultuar nga dr. Tani, Klodit dhe Alketës së palodhur, mjekëve dhe personelit mjekësor të pagjumë Gencit dhe Shuaipit, Erjonit të madh dhe Erjonit të vogël, Lekës e Ilirit, Aurelit e Gazmendit, Qazimit e Gertës, Myneveres e Sonilës ! Faleminderit të gjithëve !
Secili prej grevistëve do të dëshironte të shprehte sot këtu një ndjenjë respekti e dashurie të thellë ndaj të gjithë stafit mbështetës së grevës e deri tek gratë e mrekullueshme të pastrimit, që ishin kujdesi i mbulimit tonë në ditët e ftohta, ishin ushqimi i ngrohtë që na mungonte, ishin pothuaj njëlloj si ne në grevë, motra dhe vëllezërit tanë të barrikadës në luftë për liri dhe demokraci. Falënderime të veçanta për drejtuesit e palodhur Belindën, Endrin, Gentin dhe stafin e tyre të jashtëzakonshëm prej 30 vetësh duke i përqafuar të gjithë ata njërin pas tjetrit.
Një falënderim të veçantë dua të bëj në emër të të gjithë grevistëve për dy miqtë tanë të mirë, dy burra që ishin bashkë me ne në këtë grevë, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, banorë të përditshëm dhe të përnatshëm të çadrës së sakrificës, duke ndarë me ne edhe pagjumësinë edhe të ftohtin edhe vapën. Do t´u kërkojmë ndjesë e mirëkuptim për debate të ashpra që kemi pasur gjithmonë me një temë të vetme : kujdesin për shëndetin e çdo grevisti. Ata që insistonin që shumë prej nesh të linin çadrën dhe shumë prej nesh që nuk pranonin ta bënin një gjë të tillë !
Në mbyllje të gjithë falënderimeve do të më lejojnë kolegët e mi deputetë grevistë që edhe në emrin e tyre të bëj një vlerësim të veçantë që e kam bërë çdo orë dhe çdo ditë të asaj greve të gjatë dhe tërë këto ditë post greve. Në rezistencën tonë, në sakrificën e 23 deputetëve grevistë kishte dhe një pjesë të mandatit tonë politik, të detyrimit tonë për ti shërbyer edhe me sakrificë zgjedhësve tanë, të vërtetës së votës së tyre. Po padyshim sakrifica më e madhe, sakrifica e jashtëzakonshme ju përket atyre 180 burrave e grave, njerëz të thjeshtë, pa asnjë lloj pushteti, përfaqësues nga e gjithë Shqipëria, që ishin aty në këtë grevë me vullnetin e tyre të lirë, me shpresën e besimin e tyre, të gjithë njerëz të arsimuar, të jashtëzakonshëm në durimin, kurajon dhe forcën e tyre, që në asnjë rast të vetëm nuk u ankuan për të ftohtit e natës dhe të nxehtit e drekës, për dhimbjet e trupit e duke i përballuar ato me një kurajo të pashlyeshme dhe jo rrallë edhe me një humor të jashtëzakonshëm, por shpesh edhe me lot në sy kur përmes duartrokitjeve përpiqeshit të lehtësonit dhimbjet e shokëve tuaj në barela. E çmoj mirëkuptimin tuaj edhe kur duhej t’ju bindeshit disa rregullave qe ishin pjesë e rregullave tona të brendshme që buronin nga konventat përkatëse, nga shqetësimi për shëndetin tuaj dhe jo rrallë edhe nga kujdesi për të zbutur zemërimin tuaj ndaj marrëzisë provokuese të të marrëve. Kemi mësuar shumë nga thjeshtësia dhe sakrifica juaj, nga rezistenca juaj, nga mençuria juaj e 19 ditë e net greve, por kaq i befasuar jam nga mënyra se si i keni përcjell këto ditë post greve ku edhe dhimbjet e trupit ndjehen më shumë. Ne ju telefononim për t’ju pyetur për analizat, për shëndetin dhe ju na përgjigjeshit me merakun dhe kërkesën e vetme për ta çuar betejën deri në fund. Disa prej jush nuk janë sot në këtë sallë pasi janë duke marrë një mjekim më të specializuar, disa duke kuruar pasojat e kësaj greve të gjatë. Lusim zotin që shëndeti i gjithsecilit të normalizohet shpejt dhe asnjë prej jush të mos ketë dhe pasojën më të vogël nga kjo vuajtje e përbashkët, nga kjo sakrificë e përbashkët. Mirënjohje të pafund deri në përulësi për gjithçka çfarë ju bëtë. Ishte një shkollë e madhe që shpresoj ti vlej kujtdo që kërkon të ndërtoj karrierë e të bëj lidership në Partinë Socialiste.
Miqtë e mi,
Gjithçka çfarë ka ndodhur, gjithë aksioni i jashtëzakonshëm politik i opozitës në emër të transparencës që kulmoi në tre javët e stuhishme të grevës së urisë, është një luftë që meriton të shkojë deri në fund.
Ne kemi ndaluar përkohësisht. Gjatë këtyre dy javëve që pasojnë ne respektojmë kohën ultimative që i është dhënë kundërshtarit tonë politik për të reflektuar. Ne do të presim me durim që ata të bëjnë zgjedhjen e duhur që do të ishte dhe zgjidhja më e mirë edhe për ata vetë. Ne sot mund të themi se kemi këputur një nyje në litarin e egër që ka zënë për fyti qytetarin shqiptar, hapja e kutive është vetëm një hap në këputjen e litarit në ekonomi e drejtësi dhe në të gjitha fushat e jetës që e bëjnë jetën tonë evropiane.
Në përfundim dua të përsëris diçka që e kam thënë dhe më parë: socialistët janë njerëz të mirë, të aftë të negociojnë, të aftë të afrojnë dhe të pranojnë kompromis, por ata nuk janë kurrë të gatshëm të ulin shpinën dhe t´i kthejnë shpinën shpirtit. Ata nuk do të pranojnë kurrë që të bëhet pazar me dinjitetin e tyre në të cilin u shtua pikë mbas pike çdo pikë serumi që hyri në trupat tanë ditë mbas dite dhe natë mbas nate, në 19 ditë net urie.
Ju faleminderit !







