Postuar më: 27/11/2009
Ne, deputetët e Partisë Socialiste, të zgjedhur më 28 qershor 2009 nga votat e shumicës së shqiptarëve, në emrin tonë dhe si përfaqësues të votës së tyre;
• Të shqetësuar nga thellimi i krizës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës, krizës politike dhe krizës ekonomiko-sociale të vendit;
• Të revoltuar nga arroganca dhe tirania e shumicës ilegjitime dhe shurdhëria qeveritare ndaj situatës politike dhe nga vetë kriza mendore e kryeministrit;
Dënojmë me indinjatë të thellë gjuhën e krimit dhe të urrejtjes e cila shpalos konceptin që Kryeministri i vendit ka për Kuvendin, duke shpërfytyruar foltoren më të lartë të përfaqësimit të popullit, e duke e kthyer Kuvendin e një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant të BE-së në një poligon për eliminimin e opozitës dhe si pronë e klaneve qeveritaro-mafioze me Kryeministrin në krye;
Hedhim poshtë me vendosmëri të gjitha kërcënimet dhe shpifjet, harbutërinë e shfrenuar ndaj Kryetarit të PS, deputetëve dhe familjeve të tyre, kërcënimet ndaj mediave, biznesit dhe institucioneve të pavarura;
Denoncojmë tentativat ogurzeza të Sali Berishës për ta vënë përfundimisht qeverisjen përballë me të qeverisurit, për të nxitur urrejtje dhe provokuar ndarje të forta partiake, krahinore dhe midis grupeve të militantëve, duke tentuar ta çojë vendin drejt përshkallëzimit të një konflikti me pasoja të paparashikueshme.
E paralajmërojmë Kryeministrin të heqë dorë njëherë dhe mirë nga gjuha dhe skenarët e vitit 1997, përndryshe do të mbajë jo vetëm përgjegjësi historike, por edhe përgjegjësi ligjore deri në fund;
I kujtojmë Sali Berishës dhe lakejve të tij politik të vjetër e të rinj, që të bëjnë kujdes për dhëmbët që u kanë rënë duke kafshuar territorin e Shqipërisë në dobi të Familjes së tij dhe interesave të tjera të errëta antikombëtare;
Kërkojmë nga Presidenti dhe të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, që të garantojnë për shqiptarët e të gjitha përkatësive politike transparencën e plotë të proçesit zgjedhor, për t’u dhënë fund manipulimeve mafioze të zgjedhjeve në Shqipëri.
Ne, deputetët e Partisë Socialiste, të bindur se ky agresion mafioz në sallën e Kuvendit është tregues i falimentit politik të Sali Berishës dhe klanit që ai përfaqëson, shprehim edhe njëherë vendosmërinë dhe bindjen në drejtësinë e vendimit tonë:
• Për të vazhduar veprimin tonë politik për transparencë të proçesit zgjedhor, deri në plotësimin e kushteve thellësisht demokratike dhe ligjore të paraqitura nga ne Parlamentit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese;
• Për të refuzuar të jemi pjesë e këtij Kuvendi për sa kohë që vepron nën diktatin e interesave të paligjëshme të familjes së Sali Berishës;
• Për të vazhduar protestat bashkë dhe në krye të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve, të majtë apo të djathtë, për të cilët liria e votës është baza e çdo lirie; e drejta e votës është garancia e çdo të drejte dhe transparenca e votës është çelësi i çdo shoqërie të hapur e demokratike;
• Për të mos lejuar që Kryeministri dhe qeverisja e tij klanore të heqin zvarrë zhvillimet europiane të vendit, të pengojnë integrimin tonë të plotë me korrupsionin e tyre të pashembullt, me grabitjen e bizneseve shqiptare dhe shkeljen e të drejtave demokratike të opozitës, të mediave të lira, të ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë, të sindikalistëve dhe ish-ushtarakëve, të papunëve dhe administratorëve të ndershëm, të studentëve dhe intelektualëve të çdo fushe dhe veprimtarie.
Duke falënderuar qindra mijëra shqiptarë dhe shqiptare që janë me ne dhe përkrah nesh, deklarojmë solemnisht se sot jemi edhe më të vendosur se kurrë që të përballemi me mjetet shteruese politike me diktatorin e fundit komunist të Evropës, të bindur se rruga drejt lirisë sonë si popull është e pakthyeshme.







