Postuar më: 16/02/2010
Partia Socialiste i ka shpalosur dhe njëherë para Presidentit qëndrimet e saj për zgjidhjen e krizës në vend. Qëndrimet u shprehen nga Kryetari i PS Edi Rama i shoqëruar në takim nga Gramoz Ruci, kryetar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ruci, bëri të ditur për mediat detaje të takimit të sotëm të Presidentit Bamir Topi me kryetarin e socialistëve Edi Rama. Kreu i Asamblesë së PS sqaroi dhe njëherë se kërkesa për hetim që kërkon PS është tërësisht e ligjshme dhe në përputhje me nenet e Kushtetutës.
Më poshtë deklarata e Kryetarit të Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi:
Siç është bërë e ditur z.Rama i shoqëruar nga unë ishte në një bisedë gati një orë e gjysëm tek Presidenti. Objekti i takimit ishin vazhdimi i vendosjes së dialogut të zhvilluar më parë. Në këtë takim z.Rama i paraqiti edhe njëherë Presidentit, që Partia Socialiste është e vendosur për të zbatuar rezolutën e KiE-së dhe veçanërisht pikën 7, e cila kërkon 3 gjëra, e para komisionin hetimor në përputhje me kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e dyta kthimin e opozitës në Parlament.
Pra ajo që ne i ritheksuam Presidentit është që Partia Socialiste shpreh gjithë vullnetin e saj politik për të zbatuar këtë pikë të rezolutës të KiE, për të zbatuar këtë pikë sipas kërkesave të rezolutës së KiE, sipas nenit 77 të paragrafit të 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe sipas pikës 4 të interpretimit që i ka bërë gjykata e Republikës së Shqipërisë objektit të hetimit të komisioneve hetimore. Ky është pozicioni i Partisë Socialiste që e ritheksoj.
A kishte propozime konkrete?
Nuk ishte objekt i takimit paraqitja e propozimeve konkrete. Objekt i hetimit ishte që Presidenti sot dëgjoi palët në takime bilaterale.
Mazhoranca është shprehur e gatshme për ngritjen e një komisioni hetimor ky ju të keni shumicën?
Një komision hetimor ka modalitet e paraqitura nga ligji për komisionet hetimore, ashtu sikurse komisionet hetimore është një e drejtë kushtetuese e opozitës e sanksionuar në kushtetutë dhe s’është dakordësia apa kundërshtia e mazhorancës për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore. Problemi këtu është tek objekti i hetimit, i cili ka qenë objekt interpretimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohet më të drejtë nga rezoluta e KiE.
Partia Socialiste edhe njëherë shpalosi te Presidenti që ne jemi tërësisht dakord me atë interpretim që i ka bërë Gjykata Kushtetuese nenit 77 paragrafit të dytë për objektin dhe qëllimin e hetimit.
Jeni akoma të palëkundur për transparencë të plotë të zgjedhjeve?
Nuk ka kufizim, nuk ka asnjë tërheqje nga Partia Socialiste që hetimit ti vihen kufizime, nëqoftëse do ti vihen kufizime atëherë nuk kemi hetim. Objekti i hetimit është i përcaktuar qartë, qëllimi i hetimit është i përcaktuar qartë në nenin e kushtetutës, dhe në interpretimin që i ka bërë pika 4 e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.







