Postuar më: 27/05/2010
Partia Socialiste, me anë të deputetit Ditmir Bushati, ka përshëndetur sot vendimin e Komisionit Europian, i cili propozoi heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës. “Partia Socialiste e konsideron propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave të një rëndësie historike pasi hyrja në fuqi e këtij propozimi do ta bëjë edhe më konkrete perspektivën Europiane dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën evropiane”, u shpreh Bushati. Nga ana tjetër Partia Socialiste i kërkon qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore që të përmbushin pa humbur kohë dhe me seriozitet kushtet e konsideruara si të papërmbushura ende nga Komisioni Europian, që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet, konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, ri integrimin e të riatdhesuarëve në shoqëri.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit Ditmir Bushati:
Partia Socialiste shpreh mirënjohjen e saj për Komisionin Europian, i cili propozoi sot heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Partia Socialiste falënderon angazhimin e institucioneve të Bashkimit Europian për ta trajtuar me përparësi procesin e liberalizimit të vizave, duke qenë të vetëdijshëm se vonesat në këtë proces kanë ardhur jo si pasojë e vullnetit të munguar të BE, por si rezultat i mungesës së seriozitetit të qeverisë shqiptare në realizimin e reformave.
Partia Socialiste e konsideron propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave të një rëndësie historike pasi hyrja në fuqi e këtij propozimi do ta bëjë edhe më konkrete perspektivën Europiane dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën europiane.
Partia Socialiste shpreh besimin e palëkundur në mbështetje të këtij procesi të shumëpritur për shqiptarët që do të shërbejë njëkohësisht si shtysë për zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë.
Partia Socialiste i kërkon qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore që të përmbushin pa humbur kohë dhe me seriozitet kushtet e konsideruara si të papërmbushura ende nga Komisioni Europian, që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet, konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, ri integrimin e të riatdhesuarëve në shoqëri, pasi vetëm përmbushja e tyre do të mundësojë miratimin nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të propozimit të Komisionit Europian.
Partia Socialiste i bën thirrje mazhorancës dhe kryeministrit që të demonstrojnë përgjegjshmëri në këto momente historike duke lejuar transparencën kushtetuese të procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009, në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike dhe qeverisëse përmes një zgjidhje të ndershme e të qëndrueshme që në të njëjtën kohë nuk do të rrezikonte procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëdhënien tonë me Bashkimin Europian.







