Postuar më: 01/07/2010
Megjithëse shumë të vonuar për sjelljen në parlament nga qeveria, të një paketë ligjesh integrale në respektim të nenit 90 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, të rekomandimeve të progres-raportit si dhe të përmbushjes së kërkesave të BE-së, me projekt-ligjin “Për inspektimin Financiar” në shpresuam në një ligj të hartuar mbi parimin e transparencës dhe të luftës reale ndaj korrupsionit.
Ndaj, që në ditën e parë të marrjes në shqyrtim të këtij projekt-ligji, ne kërkuam që ai të merrej në shqyrtim nga Komisioni për Cështjet Ligjore, në mënyrë që ky komision të shprehej nëse ky ligj ka shkelje kushtetuese, pra të shprehej për kushtetutshmërinë e ligjit në përgjithësi. Ndërkohë që ne kërkuam një vlerësim të ligjit në përgjithësi, nga ana e Komisionit të Cështjeve Ligjore, shqyrtimi u kufizua qëllimisht në disa komente lidhur me pika nenesh totalisht periferike të ligjit.
Për fat të keq, pas shqyrtimit të këtij projekt-ligji, grupi socialist i Komisionit të Ekonomisë vëren se ligji është thellësisht anti-kushtetues dhe në cënim të pavarësisë së institucioneve tona kushtetuese si dhe në cënim të pavarësisë së pushteteve të pavarura sic është pushteti vendor. Midis të tjerash ky ligj bie ndesh edhe me Nenin 8 të Kartës së Autonomisë Vendore si dhe me Ligjin Organik “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”.
Gjithashtu, kërkuam që projektligji të merrej në shqyrtim edhe nga Komisioni i Integrimit në mënyrë që ky komision të shprehej nëse projektligji në fjalë është atje ku duhet me nivelin e përafrimit të procedurave dhe praktikave të direktivave të Bashkimi Europian, apo i tejkalon kompetencat e përcaktuara nga BE-ja, ndërkohë që ky draft duhej të ishte shoqëruar me matricën e rekomandimeve ku të shikohet se cilat prej direktivave janë realizuar dhe cilat jo.
Ligji nuk është integral, i mungon parimi i transparencës, ka mbivendosje institucionale dhe ajo c’ka është më e rëndësishme është se ligji është tërësisht politik, me elemente të mjaftueshëm që cënojnë pavarësinë e pushtetit vendor, të atij gjyqësor, si dhe të institucioneve të rëndësishme kushtetuese, sic janë Kontrolli i Lartë i Shtetit apo ai i Shërbimeve të Inteligjencës. Fusha e veprimit të këtij ligji shtrihet qëllimisht deri tek dokumentacione të klasifikuara sekret shtetëror ose sekret profesional.
Në një prej pikave të këtij ligji përmenden si burime për fillimin e inspektimit financiar raportet e auditit të brendshëm dhe ato të KLSH-së. Kur auditi i brendshëm apo KLSH-ja konstatojnë shkelje ose parregullsi nuk është e nevojshme të kryhen inspektime të tjera pasi presupozohet se raportet e tyre paraqesin vlerësime të gjithanshme dhe më të kualifikuara.
Ligji është i paqartë kur flitet për menaxhimin e fondeve të OJF-ve ndërkohë që konstatojmë se shoqëria civile nuk është konsultuar dhe opinionet e saj nuk janë konsideruar.
Si përfundim, ky ligj në vend që të jetë një vlerë e shtuar në luftën kundër korrupsionit e kapjes së shtetit, është një ligj tërësisht politik dhe antikushtetues që në gjykimin tonë do të përdoret për të realizuar thjesht dhe vetëm inspektime në terren me qëllim goditjen politike të institucioneve të pavarura dhe të kundërshtarit politik.
Për të gjitha këto arsye, si dhe duke u bazuar në komentet e grupit socialist të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Integrimit, ne shprehemi kundër miratimit të këtij ligji.







