Postuar më: 03/02/2010
Partia Socialiste konstaton me keqardhje, se një nga problemet thelbësore me të cilat përballen sot shqiptarët, është punësimi. Sipas Deputetes Mimi Kodheli, premtimet e Kryeministrit për uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës gjatë fushatave elektorale, nuk janë mbajtur thuajse fare.
Lexoni më poshtë deklaratën e saj të plotë:
Një nga problemet thelbësore me të cilat përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët, është punësimi. Premtimet për uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos gjatë fushatave elektorale, bëhen gjithmonë e më të shpeshta.
Në kushtet kur Shqipëria, përveç se e zhytur në një krizë politike, përballet dhe me një krizë të thellë ekonomike, ku çmimet janë rritur, monedha vendase është nënçmuar, disa nga shërbimet bazë si energjia elektrike është shtrenjtuar, shtrojmë me të drejtë pyetjen: çfarë po ndodh me punësimin?
Sali Berisha u premtoi shqiptarëve gjatë fushatës së fundit zgjedhore krijimin e 160 mijë vendeve të reja të punës, e cila mesatarisht do të thotë 40 mijë vende të reja pune çdo vit. Në të njëjtën kohë, Berisha ka mohuar ekzistencën e krizës ekonomike, madje ka pohuar se ekonomia e vendit është premtuese dhe se gjatë vitit 2010 nuk do të ketë asnjë pasojë negative mbi ekonominë shqiptare. Por cilat janë faktet?
Sipas premtimit të Berishës, gjatë gjashtëmujorit të parë të qeverisjes së tij, duhet të ishin hapur 20 mijë vende të reja pune. Por në të vërtetë ka ndodhur krejt e kundërta. Në periudhën shtator - shkurt, jo vetëm që punësimi nuk është rritur me 20 mijë vende të reja punë, por në realitet, të dhënat tregojnë se punësimi u zvogëlua me 2,300 vende pune.
Ekonomia është në krizë dhe fatkeqësisht këtë krizë që po e ndiejnë në kurriz të gjithë shqiptarët, krizë të cilën qeveria Berisha refuzon ta pranojë, njësoj si krizën politike, këtë krizë shumëdimensionale që ka përfshirë thellësisht vendin. Shqiptarët sot janë më të varfër dhe më të papunë dhe kjo është vetëm pasojë e keqqeverisjes se Sali Berishës.






