Postuar më: 26/05/2010
Sot gjatë konferencës për shtyp, deputeti Erjon Braçe ka theksuar edhe njëherë krimin financiar në lidhje me investimet e rrugës Rrëshen – Kalimash. Me gjithë fondet e lëvruara gjatë këtyre dy viteve, vazhojnë të lëvrohen fonde nga buxheti i shtetit për të përfunduar rrugën, që me kohë duhet të kishte përfunduar. Në fjalën e tij Erion Braçe theksoi se prokuroria nuk e ka çuar deri në fund punën e saj për zbardhjen e krimit, për më tepër kur kanë dalë në dritë fakte të reja.
Në fund të fjalës së tij ai ka theksuar se kjo rrugë ka ndikuar në zbrazjen e fondit për financat e buxhetorëve dhe ndihmës financiare, duke i varfëruar e më tepër xhepat e shqiptareve. Prandaj duhet të rihapet hetimi ndaj përgjegjësve.
Më poshtë deklarata e plotë e deputetit të PS, Erjon Braçe:
Dje, Prokurorja e Republikës ka quajtur skandalin e rrugës Rrëshen Kalimash, “çështje të ezauruar”!
Në fakt kjo është një çështje e ezauruar, kjo është çështje pagjykuar!
E hetuar si krim, por i pandëshkuar, sepse është krim i politikës!
Në citim të një akti zyrtar të Prokurorisë së Republikës, kërkesë dorëzuar në Gjykatën e Lartë për gjykim, ky krim na ka kushtuar mbi 235 mln euro!
Për të qenë më të qartë, për të qenë më të kuptueshëm për të gjithë shqiptarët, për 3 milionë shqiptarë: ky krim kushton 78.3 euro çdo shqiptar, qoftë ky i moshuar apo fëmijë!!!!!!!!!!!!
Nga kjo shifër e tmerrshme buron kërkesa publike, jo politike, presioni publik, jo politik, për gjykim! Madje për drejtësi!
Dua t’u them sot, se ne, në dokument zyrtarë, kemi prova të reja për të kërkuar hetim të ri për këtë krim të pagjykuar deri tani!
Krimi ka 2 vite që konsumohet dhe pikërisht për këtë arsye ka dy vite që financohet çdo ditë, në vazhdimësi:
-kur Prokuroria njoftoi vlerën e dëmit të këtij krimi, shifra totale e projektit e votuar disa herë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ishte 416 mln euro. Deri në fund të muajit Prill, sipas tabelave fiskale të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, shifra e paguar për vetëm 60 km të rrugës Rrëshen Kalimash është në 112.3 mld lekë, ose 1 miliardë e 123 mln usd, ose 865 mln euro!
-Pra, mbi 200% më shumë!
Kur Prokuroria njoftoi vlerën e dëmit të këtij krimi, kostoja për 1 km të ndërtimit të kësaj rruge ishte 6,9 mln euro, deri në fund të prillit, po prapë sipas dokumenteve zyrtare dhe tabelave fiskale të Republikës së Shqipërisë, kostoja e paguar për 1 km në rrugën Rrëshen - Kalimash, ka arritur në 14,4 mln euro!
Pra, përsëri mbi 200% më shumë!
-mbi të gjitha, ka dokumenta zyrtarë të Ministrisë së Financave që dëshmojnë se kostoja për një km, ka kaluar çdo limit të programuar për tu financuar nga buxheti i shtetit!
Ju kam treguar më herët se për 9 muaj e 2009, sipas Ministrisë së Financave, kostoja për 1 km është tejkaluar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me mbi 4 mln usd!
Dokumenti i ri, mbi monitorimin e shpenzimeve të ministrisë së Punëve publike Transportit dhe telekomunikacionit, për gjithë vitin 2009 lëshuar nga Ministria e Financave, dëshmon se kostoja për 1 km, është tejkaluar me 2 milion usd!
Pikërisht ky fakt dëshmon se krimi i zbuluar dhe i hetuar nga Prokuroria vazhdon të konsumohet dhe të financohet! Ky krim duhet rihetuar mbi bazë të vetë fakteve të dhe natyrisht të analizës financiare që ka kryer Ministria e Financave!
Në planin financiar, nisur nga ligji për buxhetin e shtetit për vitin 2010, vijon të këtë shkelje të rëndë të ligjit me pasojë në financat publike të shtetit shqiptar:
Në buxhet, për vitin 2010, për rrugën Rrëshen Kalimash kanë qenë planifikuar vetëm 1.6 mld lekë të reja për të gjithë vitin, ndërkohë që deri në fund të prillit, sipas tabelave fiskale së qeverisë së Republikës së Shqipërisë, janë paguar 6.3 mld lekë të reja ose 60 milionë dollar!
Pra 3.9 herë ose gati 400% më shumë!
Në planin e zbatimit të kontratës, për ndërtimin dhe vënien në përdorim të rrugës, paligjshmëria, për dy vite e gjysmë, është evidente! Siç ju jeni tashmë në djeni, për shkak të paligjshmërisë, në këto dy aspekte, në ndërtim dhe më pas edhe në marjen apo vënien në përdorim të rrugës, ka ndodhur shembja e njërit prej tuneleve të Kalimashit! Dëmtimi i rëndë i tunelit jugor, po prap të Kalimashit!
Ashtu siç kanë ndodhur shembej të mëdha në trupin e rrugës, apo shembje akoma më të mëdha në të dyja skarpatat në anë të rrugës. Të gjitha me kosto shtesë, të përballuara po prapë nga buxheti i shtetit!
Pikërisht paligjshmëria ka bërë që të kushtoj edhe më shumë ndërtimi i këtij aksi rrugor.
-një zyrtar i qeverisë tha disa ditë më parë se dëmi i shkaktuar në tunel kushtoi vetëm 3 mld lekë të reja, ose 30 milionë dollarë! E kam fjalën për ministrin e Punëve Publike dhe Transportit, që u bë inauguruesi i disatë, për të disatën herë i rrugës Rrëshen - Kalimash. Në fakt, që ditën që janë ndërprerë punimet në rrugë, pra në fund të muajit shator e fillim muajit tetor, për shkak të shembjes së tunelit verior të Kalimashit, nga buxheti i shtetit, sipas tabelave fiskale të vitit dhe tabelave fiskale të tremujorit të parë të 2010, janë paguar për rrugën Rrëshen - Kalimash 9.8 mld lekë të reja, ose afro 100 milionë dollarë!
Pra, 300% më shumë se sa shifra e deklaruar!
Pikërisht financimi i shpenzime të paparashikuara në rrugën Rrëshen - Kalimash, për vitin 2010, ka bërë që deficiti në katër muaj të arrijë në 187% të planit sipas shifrave të qeverisë së Republikës Shqipërisë dhe ku pjesën më të madhe të këtij deficiti e zënë shpenzimet e pa parashikuara për rrugën Rrëshen - Kalimash!
Pikërisht për këtë arsye ne vazhdojmë të kërkojmë dhe të insistojmë që krimi i zbuluar nga prokuroria gjatë procedurave të prokurimit dhe pastaj projektimit të rrugës Rrëshen - Kalimash, të gjykohet.
Ndërkohë që krimi që vazhdon të konsumohet gjatë procedurave të ndërtimit të rrugës rrëshen - Kalimash, marrjes në përdorim të saj, me koston dy herë më të lartë sesa ajo që ishte parashikuar në projektin e rrugës së dytë Rrëshen - Kalimash, duhet të hetohet.
Hetimi duhet të nis tani, me qëllim që gjithë këto para të kenë kuptim për mbi 550 mijë pensionistët e shtetit shqiptar, vlera prej 112.8 miliardë lekësh të paguara deri tani për rrugën Rrëshen - Kalimash, është e barabartë me një buxhet e gjysmë vjetor të 550 mijë pensionistëve.
Për gjithë rrogëtarët e shtetit vlera prej 112.8 miliard lekësh të reja, është e barabartë me dy buxhet vjetore të pagave të të gjithë buxhetorëve.
Për të gjithë ata që janë pa punë dhe që në këtë vend jetojnë me ndihmë ekonomike, vlera prej 112.8 miliard lekësh, është e barabartë me 10 buxhete vjetore të ndihmës ekonomike, për të gjithë ata që janë pa punë e rrojnë me këtë ndihmë ekonomike.
Pra në planin social, ky është dëmi!
Në planin financiar, ky është dëmi!
Në planin ligjor ajo që kërkohet është, hetim, gjykim dhe drejtësi për gjithë shkaktarët e këtij krimi marramendës ekonomik dhe financiar. Pikërisht për këtë çështje, pikërisht për këto arsye, skandali i rrugës Rrëshen - Kalimash nuk është i ezauruar!
Siç ju e dini, siç profesionistët e dinë, për çdo provë të re hetimet rihapen.







