Postuar më: 06/11/2009
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar sot me dy Reporterët e Këshillit të Evropës, Z. Jako Lakson dhe Z. David Wilshire, të cilët prej disa ditësh ndodhen në Tiranë, në misionin e radhës faktmbledhës, në kuadër të përgatitjes së raportit që Asambleja Parlamentare e Evropës pritet të nxjerrë për Shqipërinë. Kryetari i PS, Edi Rama, ka qenë në takim së bashku me dy deputetët Ditmir Bushati dhe Eduart Shalsi. Pas takimit, ka qenë deputeti socialist Ditmir Bushati, i cili është shprehur për gazetarët:
“Ne patëm mundësinë sot të shkëmbenim pikëpamjet dhe informacionin rreth situatës politike në Shqipëri me raporterët e Këshillit të Europës. Gjatë këtij takimi ata u informuan në detaje mbi qëndrimin e opozitës ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend. Gjithashtu me shumë kënaqësi na konfirmuan që të gjitha njoftimet që janë bërë nga zyra e shtypit e Kryeministrit dhe e Kuvendit, sikur gjoja ata kanë deklaruar për qëndrimin e tyre ndaj opozitës shqiptare, janë fakte absolutisht të pavërteta. Qëndrimi i tyre do të bëhet publik në raportin që ata do të publikojnë për Shqipërinë, të cilin ne e mirëkuptojmë se do të jetë një raport konkret dhe do t’i shërbejë demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit.
Natyrisht ka disa elemente që ne i përmendëm më me prioritet siç janë çështjet e zgjedhjeve politike në Shqipëri, lirisë së medias dhe konfliktet e fundit që ka shkaktuar ekzekutivi me pushtetin vendor dhe me gjyqësorin në Shqipëri.
Raporterët janë këtu për të dëgjuar zërin e aktorëve të ndryshëm politikë dhe zërin e aktorëve të ndryshëm të jetës publike në Shqipëri që mund të jetë media apo shoqëria civile. Ata rinkonfirmuan edhe njëherë qëndrimin e tyre që çdo deklarim që është bërë nga zyra të tjera publike në këtë vend, për gjoja qëndrime të tyre ndaj opozitës apo institucioneve të tjera është absolutisht i pavërtetë. Qëndrimi i tyre do të jetë në raportin që do të prodhojnë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.”







