Postuar më: 07/02/2010
Partia Socialiste insiston se hapja e kutive të 28 qershorit, është transparencë kushtetuese dhe ligjore. Sipas Deputetit Taulant Balla, për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet apo dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Lexoni të plotë deklaratën e deputetit të PS, Taulant Balla:
Tashmë për të gjithë shqiptarët dhe për institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë është mëse e qartë domosdoshmëria e hetimit të plotë të zgjedhjeve.
Hapja e kutive të 28 qershorit është transparencë kushtetuese dhe ligjore, dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Shumëkush mund të ketë të drejtë të bëjë interpretime të Kushtetutës për këtë çështje, vetëm Sali Berisha jo. Sali Berisha është i fundit njeri që merret me politikë në Shqipëri që mund të flasë për Kushtetutën. Sepse, ai nuk e njeh Kushtetutën, përndryshe nuk do ta kishte shkelur me dhjetëra herë në 4 vjet.
20 vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur fajtor Sali Berishën si shkelës të Kushtetutës, ndërkohë që pas çdo vendimi të marrë kundër tij Sali Berisha ka derdhur vrer kundër këtij institucioni.
Në të gjitha rastet Sali Berisha i është kundërvënë Gjykatës Kushtetuese dhe asnjëherë nuk ka pranuar fajësinë e 20 atentateve kushtetuese.
Si mundet Sali Berisha të na tregojë ne dhe shqiptarëve, Kushtetutën si pengesë për transparencën e zgjedhjeve?
Kur në fakt është pikërisht Kushtetuta, dokumenti themelor i shtetit, që garanton të drejtën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me ekonominë, me të mirën publike në këtë vend, është një e drejtë kushtetuese e parlamentit. Hapja e kutive të votimit është një e drejtë që buron drejtpërdrejt, jo vetëm nga fuqia kushtetuese e parlamentit, por edhe nga fuqia e çdo qytetari në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e gëzon të drejtën e patjetërsueshme për informim.
Partia Socialiste e Shqipërisë ndan me Këshillin e Evropës, me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, diçka që e kemi ndarë që në fillim: Bojkoti ynë dhe protestat qytetare janë të vetmit mekanizma demokratikë, në kushtet kur parlamenti është i uzurpuar për shkak të legjitimitetit të vet politik të munguar.
Refuzimi i të drejtës tonë për të hetuar zgjedhjet është në thelb uzurpimi i parlamentit.
Shqipëria rrezikon të destabilizohet thotë Këshilli i Evropës.
Është e vërtetë, sepse kjo krizë politike është një krizë degraduese për institucionet e vendit dhe problemi qëndron në themelin e kësaj krize, legjitimiteti i zgjedhjeve është një problem që duhet zgjidhur për të ndalur këtë degradim.






