Postuar më: 31/01/2012
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur para grupit parlamentar ka deklaruar se deputetët e forcës që drejton do të votojnë të enjten për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë, për t’u hetuar nga prokuroria. Sipas Ramës, ky fakt dëshmon angazhimin e opozitës për zbardhjen e tragjedisë 21 janarit, ndryshe nga i pari i palës tjetër, që ka nisur shantazhet ndaj Kryeprokurores së vendit, Drejtësisë dhe vet Shërbimit Informativ Kombëtar.
Rama ka përfituar për të falenderuar edhe njëherë Shtetet e Bashkuara dhe ambasadorin Arvizu.
“Berisha ka bërë zgjedhjen e tij, duke marrë krahun e krimit dhe korrupsionit dhe duke braktisur rrugën e integrimit në BE”, tha lideri i opozitës duke shtuar se “ Edhe ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, në krah të Shqipërisë që nuk e meriton një refuzim të tretë rresht të Bashkimit Europian, në krah të drejtësisë që nuk duhet në asnjë mënyrë të kthehet në pjesë e pandarë e pushtetit ekzekutiv, në krah të njerëzve të zakonshëm që meritojnë një Shqipëri demokratike për të cilën ne do të përpiqemi me mish e me shpirt.”
“Në respekt të Shqipërisë, të drejtësisë, të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi e të Europës PS do të votojë të enjten heqjen e imunitetit të tre deputetëve të saj” përfundoi fjalën në grup Kryetari Rama.
Më poshtë pjesë nga fjala e Kryetarit të PS në mbledhjen e grupit parlamentar:
Të enjten ne do të votojmë në mbështetje të kërkesës së prokurorisë për tre deputetët tanë Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla. I falenderoj të tre deputetët për qëndrimin e tyre të qartë publik. Vënia e tyre me vullnet të lirë e të plotë në dispozicion të Prokurorisë në mbështetje të hetimit të 21 janarit, menjëherë pas publikimit të kërkesës së prokurorisë, e nderon Partinë Socialiste dhe këtë grup parlamentar.
Ne e mbështesim pa asnjë lëkundje e kusht hetimin dhe vetë Prokuroren e Përgjithshme, e cila gjendet nën presionin barbar të një pushteti të gozhduar përballë provave të zbardhura me ndihmën e FBI. Shqiptarët panë dhe dëgjuan qartë javën e shkuar, brenda vetëm dy ditësh në dy intervista, faktet, profesionalizmin e dinjitetin e Prokurores së Përgjithshme në shpjegimin e 21 janarit nga njëra anë dhe gënjeshtrat, kërcënimet e çorodinë e kryeministrit në adresë të organit kushtetues të akuzës nga ana tjetër.
Askush që ka sy për të parë e vesh për të dëgjuar nuk mund të mos e bëjë dallimin e qartë mes këtyre dy qasjeve krejt të kundërta ndaj ligjit, shtetit të së drejtës dhe vetë të ardhmes europiane të Shqipërisë. E teksa nga ana e kryeministrit ka vazhduar përditë orkestrimi i shëmtuar i sulmeve vulgare ndaj Ina Ramës ne do të vazhdojmë t’ju provojmë shqiptarëve me fjalë e me qëndrime vullnetin tonë të palëkundshëm për të ndërtuar një shtet të paprekshëm të së drejtës. Për të respektuar ndarjen kushtetuese të pushteteve. Për të respektuar institucionet e pavarura. Për të ruajtur etikën e moscënuar dinjitetin ligjor, profesional e njerëzor të autoriteteve kushtetuese në krye të institucioneve të pavarura. Edhe kur është fjala, si në këtë rast, për të pranuar një kërkesë të Prokurorisë që lidhet drejtpërdrejtë me ne.
Ina Rama për ne nuk është Silvia Konti kur na intereson dhe “lavirja e bulevardit” kur s’na intereson, po Prokurorja e Përgjithshme e Republikës. Mbështetja për punën e saj është, në çdo rast, në interes të vendit dhe të shoqërisë. Dhe për ne interesi i vendit dhe i shoqërisë është mbi çdo interes vetjak apo partiak. Qëndrimi i politikës ndaj hetimeve për 21 janarin dhe zbardhja e plotë e krimeve të kryera atë ditë kanë të bëjnë me interesin e Shqipërisë e të shoqërisë shqiptare në përpjekjen për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Këtë përpjekje ne s’mund ta çojmë përpara pa miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Qëndrimet e kryeministrit dëmtojnë Shqipërinë në sytë e botës demokratike përveçse minojnë përpjekjet për ndërtimin e shtetit të së drejtës.
Kryeministri e ka shfaqur haptazi qëllimin e tij për të vënë nën kontroll të plotë Prokurorinë, Drejtësinë dhe vet Shërbimin Sekret përmes imponimit të një presidenti të nxjerrë nga barku i oborrit të vet. Madje ai ka kërcënuar se paskëtaj do të hetojë edhe Presidentin aktual, edhe Prokuroren e Përgjithshme, edhe vetë familjet e viktimave të 21 janarit, pa llogaritur opozitën që nuk diskutohet se do të përballet me një gjueti shtrigash të ngjashme me atë të kohës kur Presidenti i Republikës quhej Sali Berisha.
Këto kërcënime të përsëritura këto ditë janë kulmi i shantazhit mbi shoqërinë shqiptare e ndaj vetë botës demokratike dhe janë preludi i dështimit të qëllimshëm të procesit të integrimit europian nga ana e kryeministrit.
Bashkimi Europian s’mund ta pranojë në gjirin e vet një vend të udhëhequr nga një qeveri që shkon kaq larg në cenimin e vlerave e të parimeve të demokracisë, duke paralizuar, praktikisht, funksionimin demokratik të vendit. Në programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” ne jemi angazhuar qartë për ndërtimin e shoqërisë demokratike duke filluar nga dinjiteti i jetës parlamentare; Për funksionimin e shtetit të së drejtës duke filluar nga garantimi i ndarjes së pushteteve; Për çmontimin e sistemit të korrupsionit e të kulturës së pandëshkueshmërisë duke filluar nga heqja e çdo mburoje të pushtetit ekzekutiv përballë drejtësisë; Për një administrim publik europian duke filluar nga elementët e qeverisjes së mirë e me radhë.
Qëndrimi publik i të tre deputetëve të kërkuar nga Prokuroria dhe pranimi nga ana e tyre pa asnjë ngurrim për heqjen e imuniteteve është shembull i prekshëm se programi ynë i ri nuk është një libër i vdekur, po një vizion i gjallë, një mision i marrë përsipër me vetëdije të plotë një angazhim solemn i Partisë Socialiste përpara qytetarëve të këtij vendi dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Asnjëherë nuk do të më duken mjaft falenderimet për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadorin Arvizu me mbështetjen që po u japin hetimeve të 21 janarit dhe drejtpërdrejt institucionit të pavarur të Prokurorisë përmes ndihmës së paçmueshme të FBI-së. Vrasjet po zbardhen njëra pas tjetrës mbi prova të padiskutueshme falë ekspertizës më të mirë të botës, ashtu siç po zbardhen edhe lidhjet mes krimit të vrasjeve dhe vullnetit të mbrapshtë për të fshirë gjurmët në selinë e Këshillit të Ministrave. Fati i këtij hetimi është vetë fati i shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe ndëshkimi i vrasjeve është mësimi më i madh që drejtësia mund t’i japë politikës së uzurpimit të pushtetit për qëllime e interesa të errëta që nuk kanë të bëjnë askund me qëllimet e larta kombëtare e me interesat jetike të popullit shqiptar. Kushtetuta s’mund të shkelet duke vrarë njerëz dhe as mund të përdoret si argument për të justifikuar vrasjen e qytetarëve aq më tepër të protestuesve ndaj qeverisë. Tragjedia e 21 janarit duhet t’i shërbejë Shqipërisë e shqiptarëve për të shpëtuar nga qeveritë që shpërdorojnë forcën duke kërcitur armët dhe dhëmbët kundër qytetarëve. Ajo tragjedi duhet zbardhur e ndëshkuar pa humbur kohë. Të mos e harrojmë se pas disa muajsh Shqipërisë i vjen radha të kryesojë Këshillin e Europës. Do të ishte tejet e vështirë që Shqipëria ta nderonte rolin e Presidencës së radhës në Këshillin e Europës pa ndëshkuar vrasjet e bashkë me vrasjet edhe përpjekjet e qeverisë për të penguar hetimet, duke fshirë gjurmët e krimit e duke sulmuar me një gjuhë të papranueshme për Europën Prokuroren e Përgjithshme. Ashtu si kundër nuk duhet të harrojmë se jemi përsëri në kërkim të një përgjigjeje pozitive nga BE, për aplikimin tonë për statusin e kandidatit. Kemi dështuar dy herë, kjo do të ishte e treta, nëse në ditën e gjykimit të progresit të Shqipërisë këtë vit ne do të gjendeshim me 21 janarin të pandëshkuar, përveçse me korrupsionin e pandëshkuar të ish zëvendësit të kryeministrit të vendit. Sigurisht, që mes mbrojtjes së krimit e të korrupsionit dhe statusit të kandidatit në Bashkimin Europian për Shqipërinë qeveria e ka bërë zgjedhjen e saj, kryeministri e ka bërë zgjedhjen e tij duke mbajtur anën e krimit dhe të korrupsionit dhe duke marrë nën sqetull vrasësit e hajdutët. Sepse ai jo thjesht është i lidhur me ta po është në krye të tyre. Madje pa kursyer as shfaqjen e krenarisë dhe as fjalët e turpshme për ta treguar në çdo rast se cilën anë ka zgjedhur. Por dhe ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, në krah të Shqipërisë që nuk e meriton refuzimin e tretë rresht në Bashkimin Europian, në krah të drejtësisë që nuk duhet në asnjë mënyrë të kthehet në pjesë e pandarë e pushtetit ekzekutiv, në krah të njerëzve të zakonshëm që meritojnë një Shqipëri demokratike për të cilën ne do të përpiqemi me mish e me shpirt. E pikërisht, në respekt të Shqipërisë, të drejtësisë, të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe të Europës, së cilës i përkasim, ne do të votojmë të enjten heqjen e imunitetit të tre deputetëve tanë së bashku me ta.
Faleminderit!







