Postuar më: 17/06/2010
Kryesocialisti Edi Rama, duke folur gjatë një konference për mediat, ka theksuar se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesat e saj për transparencën e zgjedhjeve dhe nuk do të ndalë betejën, por do të vazhdojë përpara me dinjitet. Kreu i PS, duke ju referuar deklaratës së përbashkët të dy kryetarëve të grupeve të Parlamentit Europian, u shpreh se deklarata është pasqyra më shqetësuese që i është vënë ndonjëherë përpara në këta 10 muaj Shqipërisë për krizën e për pasojat e mundshme të saj. “Zgjidhja përmes kompromisit ishte e mundshme, është e mundshme, mund dhe duhej të ishte pranuar për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve, duke i hapur rrugë transparencës e integrimit. I vetmi njeri që nuk e pranoi zgjidhjen e mundshme dhe transparencën e domosdoshme ishte Sali Berisha”, theksoi Rama.
Më poshtë deklarata e plotë për shtyp e Kryetarit të PS, Edi Rama:
Sot Shqipëria është më në krizë se dje. Deklarata e përbashkët e dy kryetarëve të grupeve të Parlamentit Europian është pasqyra më shqetësuese që i është vënë ndonjëherë përpara në këta 10 muaj Shqipërisë për krizën e për pasojat e mundshme të saj. I vetmi njeri që sot i kthen shpinën kësaj pasqyre është Sali Berisha.
Theksi i fortë që vë deklarata mbi mospërmbushjen e kriterit politik për të shkuar më tutje në rrugën e integrimit është këmbana më e fortë e alarmit që ka rënë gjermësot në Europë për krizën e sotme në Shqipëri. I vetmi njeri që sot nuk do ta dëgjojnë këtë këmbanë është Sali Berisha.
Sot unë mund të shoh drejt e në sy çdo shqiptar të interesuar për zgjidhjen e kësaj krize, socialist a demokrat pa dallim, e t’i them se zgjidhja përmes kompromisit ishte e mundshme, është e mundshme, mund dhe duhej të ishte pranuar për të mirën e Shqipërisë e të shqiptarëve, duke i hapur rrugë transparencës e integrimit. I vetmi njeri që nuk e pranoi zgjidhjen e mundshme dhe transparencën e domosdoshme ishte Sali Berisha.
Ky është një stacion ku ndaluam në përputhje të plotë me vizionin tonë europian e me vetëdijen tonë demokratike, jo për të ndalur betejën e pandërprerë për transparencën, po për të zgjidhur si shqiptarë europianë në tryezën e dialogut nyjen që mban peng transparencën dhe bashkë me të edhe të ardhmen europiane të vendit.
I falënderojmë miqtë e partnerët tanë për të gjithë përpjekjen e tyre të deri këtushme dhe jemi të keqardhur që ende nuk ka një zgjidhje, ndërkohë që koha që Sali Berisha kujton se fiton është koha që në fakt i shkurtohet Shqipërisë në rrugën drejt provimit të saj të madh për statusin e vendit kandidat.
Për të mbajtur me çdo çmim të mbyllura kutitë ku fshihen gjurmët e krimit të 28 qershorit, Sali Berisha është gati ta mbesë përsëri Shqipërinë në klasë dhe madje të luajë deri në fund me fatin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.
Mes vizave e integrimit për të gjithë, Shqipërinë dhe shqiptarët dhe vizës mbi Shqipërinë e shqiptarët, Sali Berisha preferon të dytën, vetëm e vetëm që të mos hapen kutitë e të mos dalë e vërteta.
Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë, ne nuk lëkundemi në përpjekjen tonë për të gjetur zgjidhjen e kompromisit që i hap rrugë transparencës, ne nuk ndalemi në rrugën e betejës sonë për transparencë dhe liri e ndershmëri të garantuar të zgjedhjeve.
Do të vazhdojmë përpara me dinjitetin e një opozite që nuk e negocion lirinë e saj, nuk i fal e as i shet të drejtat e saj, nuk e braktis për asnjë arsye e çmim një kauzë për të cilën ka dëshmuar se është e gatshme të sakrifikojë shumëçka dhe të mos kursejë asgjë.







