Postuar më: 16/05/2010
Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi në një prononcim për mediat, deklaroi se "opozita nuk do të tërhiqet nga kauza e saj për hapjen e kutive. Në reagim të deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili u shpreh se "propozimi i Ramës për hapjen e kutive të materialit zgjedhor është antikushtetues", deputeti Shalsi tha se “forca, fuqia, energjia jonë qëndron te e vërteta të cilën ne e mbrojmë dhe e cila po forcohet falë mbështetjes popullore”.
“Kjo protestë nuk ndalet. Kjo protestë nuk mund të përfundoje veçse duke fituar”, shtoi Shalsi.
Prononcimi i plotë i deputetit të PS, Eduard Shalsi:
Një përgjigje të thjeshtë për z. Berisha, që sot foli nëpërmjet z. Patozi. Ju zotëri nuk mund të ndalonin transparencën, nuk mund ta ndaloni hapjen e kutive, nuk mund ti shmangeni një zgjidhje në të mirën e vendit.
Ju nuk na zmbrapseni dot, as me presione, as me shurdhëri dhe as me justifikime qesharake, që po bëhen përditë e më të neveritshme përballë qëndresës sonë stoike. Të gjithë e kanë kuptuar se kjo opozitë ka një shpirt të pathyeshëm. Forca, fuqia, energjia jonë, qëndron tek e vërteta dhe vetëm tek e vërteta e cila ne bëjmë dhe e cila po forcohet përditë, falë mbështetjes së jashtëzakonshme popullore. Zotërinj dëgjoni zërin e arsyes, dëgjoni zërin e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, miqve të Shqipërisë, sa nuk është vonë. “Hapni kutitë ose largohuni” Kjo protestë nuk ndalet, kjo protestë nuk mbaron veçse duke fituar. Kauza jonë nuk mund veçse të fitojë.







