Postuar më: 20/05/2010
Deputeti i PS dhe në të njëjtën kohë sekretari organizativ pranë kësaj partie, Blendi Klosi, në një deklaratë për shtyp ka falenderuar të gjithë mbështetësit e opozitës në protestat madhështore dhe që ju bashkangjitën grevës së urisë. Klosi ka deklaruar se sot, pas tre jave grevë urie, opozita është më e bashkuar dhe më e vendosur ti shkojë deri në fund çështjes së transparencës. Sot opozita është më e fortë falë mbështetjes së 1 milion shqiptarëve dhe më afër me njerëzit për një Shqipëri Europiane.
Më poshtë deklarata e plotë për shtyp e deputetit të PS-së, Blendi Klosi:
Falënderojmë të gjithë shqiptarët që i dhanë mbështetjen e tyre të pakufijshme suksesit të kauzës së opozitës.
Falenderojmë të gjithë ata që me urinë e tyre për lirinë dhe dinjitetin mbushën sheshet e të gjithë Shqipërisë, duke u derdhur çdo mbrëmje e veçanërisht në 30 prill, 9 e 14 maj në Tiranë.
Falenderim i veçantë për të gjithë ata që me kurajo iu bashkuan kauzës sonë duke u vetëmohuar për një Shqipëri europiane, për një Shqipëri të drejtë e të barabartë.
Sot opozita shqiptare është e akoma edhe më bashkuar akoma dhe më e vendosur për t’i shkuar çështjes së transparences deri në fund.
Falë aktivitetit të 3 javëve të fundit, aktiviteti opozitar ka hyrë në një fazë të re, në një komunikim të ri. Opozita sot është më pranë njerëzve, më afër problemeve të tyre. Një opozitë me njerëzit për njerëzit. Tashmë mbështetja e mbi 1 milion shqiptarëve anë e mbanë vendit na ka bërë një opozitë më të fortë, të gatshëm dhe të vendosur për ta çuar deri në fund kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.







