Postuar më: 18/01/2012
Qëndrim të përbashkët të opozitës sa i takon koordinimit e organizimit të punës për zgjedhjet e ardhshme dhe hartimi i një Programi të përbashkët opozitar. Me këtë përfundim është mbyllur tryeza e Kryetarit të PS Edi Rama me kryetarët e partive të vogla të koalicionit opozitar. Në këtë takim i cili u zhvillua në selinë rozë u përsërit edhe qëndrimi konstant i Partisë Socialiste sa i takon reformës zgjedhore. Mbledhja e Kryetarit Rama me kryetarët e partive të vogla aleate të Partisë Socialiste ka zgjatur më shumë se një orë. Prezent në këtë takim ishte dhe Sekretari i PS për koalicionin Ndre Legisi.
Ervin Mete Kryetar i G99 në përfundim të takimit iu përgjigj interesit të medias:
Pyetje: Diskutuat për reformën zgjedhore?
Nuk ishte takim ngushtësisht vetëm për çështjen e reformës zgjedhore. Ishte një takim me partitë aleate për të konsoliduar më tej bashkëpunimin, për të diskutuar për strategjinë për zgjedhjet e ardhshme. Ndër të tjera u diskutua edhe reforma zgjedhore, ku u shpreh edhe njëherë mbështetja e Partisë Socialiste për ta trajtuar reformën zgjedhore në një formë që i shërben edhe partive të koalicionit. U diskutua për një konsolidim të bashkëpunimit dhe të koordinimit, qoftë në aspektin organizativ, qoftë përsa i përket programit në mënyrë që të dilet me një program të përbashkët opozitar.
Çfarë do të thotë konsolidim të qëndrimit tuaj për reformën zgjedhore?
Për konsolidimin e qëndrimit përsa i përket organizmit për zgjedhjet e ardhshme. Për reformën zgjedhore ajo që mund të thuhet është që Partia Socialiste mbron një formulë që nuk godet partitë e vogla.







