img
Paaftėsia dhe babėzia e pushtetit po shkatėrrojnė ekonominė

Postuar më: 23/07/2010

Lideri i opozitës Edi Rama iu referua të premten në mesditë raportit të Fondit Monetar gjatë bashkëbisedimit me gazetarë për të rishprehur shqetësimin për ekonominë. Rama u ndal në analizën e bërë nga FMN duke u shprehur se gjithsesi kjo analizë bazohet mbi të dhëna të manipuluara në trekëndëshin, Qeveri- Bankë e Shqipërisë-INSTAT.
 

 

Më poshtë lexoni të plotë bisedën e Kryetarit të PS, Edi Rama me gazetarë:

Si çdo të premte bëjmë një bashkëbisedim të hapur. Më lejoni, paraprakisht, që të shtroj si çështje kryesore të bashkëbisedimit të sotëm sigurisht ekonominë.
Një  çështje përditë e më e mprehtë për çdo familje shqiptare. Do i referohem raportit më të fundit të FMN, të vetëm pak ditëve më parë, i cili brenda kornizës diplomatike përmban të gjithë shqetësimet e shprehura prej nesh. Njëkohësisht, përbën një arsye për të vazhduar të jemi jashtëzakonisht të shqetësuar dhe parë që konstatimet tona jo vetëm janë të bazuara në realitetin e ekonomisë shqiptare, por bëhen përditë  e më alarmante.
FMN-ja flet për dobësi strukturale të ekonomisë sonë dhe për një borxh publik të rritur që shumë shpejt mund të bëhet i papërmbajtshëm. Çka do të thotë  se ashti i ekonomisë familjare në këtë vend, që sot dhemb përditë e më fort mund të thyhet. FMN-ja thotë “qeveria nuk ka më hapësira për politika fiskale në ndihmë të ekonomisë, ndërsa pozicioni i saj fiskal është përkeqësuar dhe rivendosja e kontrollit mbi shpenzimet mbetet sfida kryesore.” Padyshim, dhe në fakt kjo nuk është sfida kryesore, kjo është një sfidë e pamundur për këtë qeveri, që ka dy probleme strukturale të pazgjidhshme, paaftësinë dhe babëzinë.
Rishikimi i buxhetit e vërteton katërcipërisht këtë. Rasti i Jozefina Topallit që mbipaguan veten nga buxheti shtetit duke marrë 35 mijë lekë dieta në ditë sikur jeton në Shkodër e shpreh tingëllueshëm këtë. Një llogari e thjeshtë, vetëm në një ditë kryetarja e kuvendit merr 350% të shtesës që ju bë pensioneve për një muaj, ose 10 mijë përqind  të shtesës që përfiton një pensionist në ditë.

Rasti i Dritan Priftit që pasurohet në mënyrë të paligjshme, por ndërkohë mban peng edhe kryeministrin edhe zv/kryeministrin, për të cilët sigurisht kryen shërbesat korruptive, në këmbim të përftimeve personale e përmbledh këtë në një shembull rrënqethës të të gjithë filozofisë qeverisëse të këtij koalicioni të paaftësh dhe të babëziturish.

Rasti i Arben Imamit që lëshon me një të rënë të lapsit gjithë çfarë ka mbetur nga pasuritë e ushtrisë për t’i hedhur në gropën thithëse të Dritan Priftit, i cili pastaj ua ndan sipas radhës familjarëve dhe klientëve të pushtetit, është një përshkallëzim i paaftësisë dhe i babëzisë në nivele të panjohura më parë, në publik të paktën.
FMN-ja thotë se deri më sot shpenzimet nuk janë ulur dot edhe kur ka qenë tepër e qartë se të ardhurat kanë rënë ndjeshëm. Po, dhe kjo është një plagë e rëndë që po thellohet dhe po përhapet përditë dhe që zanafillën vet e ka në maskaradën paraelektorale të vitit të shkuar, kur u bënë shpenzime jashtë çdo lloji mundësie për t’i mbështetur në të ardhura. Dhe kur u hap ajo gropë që sot është përditë e më e pranishme në jetën e çdo familje shqiptare. Si mos bien të ardhurat, kur e gjithë skema e qeverisjes është e korruptuar?! Madje më lejoni t’ju them që po mos t’ju rripeshin nga 7 lëkurë sipërmarrjeve shqiptare sot me gjoba skandaloze arbitrare mafioze, të ardhurat do të ishin edhe më keq. Por, të mos harrojmë se edhe vetë gjobat do të shkojnë në rënie për shkak se nuk mund të shkojnë dot në rritje.

FMN-ja thotë se deficiti buxhetor në vitin 2009 ishte 7.4%, më i larti në një 10 vjeçar, duke e influencuar llogarinë korrente me 15% të prodhimit të brendshëm bruto ose ndryshe të pasurisë së këtij vendi. Borxhi publik kërceu në 60%  të GDP, kjo është shifra zyrtare. Të mos harrojmë se në ndërkohë kjo është një shifër shumë e diskutueshme, për shkak të plot e plot detyrimeve të tjera të papaguara, që janë borxh real, faktik dhe që mund të hiqen nga llogaria për të lehtësuar politikisht supet qeveria. Por, janë aty. Janë fatura të cilat qeveria sot, nesër, pasnesër, cilado qoftë, e ulur në tryezën e qeverisë të këtij vendi, do t’i paguajë herët ose vonë dhe sa më vonë aq më të rënda bëhen.
Ndërkohë, gjysma e këtij borxhi është në terma afatshkurtër, thotë FMN-ja, me rrezik substancial rifinancimi, që do të thotë falimentin. Gjendja e rifinancimit tani është më e rëndë, sepse të ardhurat nga privatizimi kanë shteruar, pikërisht privatizime të korruptuara dhe gllabërim që po mbaron, sepse po mbarojnë edhe gjërat që mund të privatizohen në këtë vend. Financimi i deficitit buxhetor nga huamarrja e brendshme po lë jashtë dhe pa likuiditet sipërmarrjen private në mënyrë të rënduar. Është ajo që thamë përpara pak javësh, në rastin e marrjes së borxhit na bankat e nivelit të dytë nga qeveria, për shkak të nevojës për të vazhduar financimin e të gjitha detyrimeve dhe shërbimeve të veta nga një sistem të ardhurash që ka kolapsuar, qeveria fut duart në një sistem tjetër, në sistemin bankar. Pikërisht, edhe rritja e pensioneve, qesharake, por njëkohësisht fakt, është se u bë duke futur duart në depozita bankare. Zhvillimi tepër i ulët i kreditimit të ekonomisë dhe rritja e ndjeshme e kredive të këqija, thotë FMN-ja, kanë ulur ritmet ekonomike dhe kanë fryrë rrezikun. Projektimet e qeverisë për të ardhurat kanë optimizëm të tepruar. Vijmë tek ajo që thamë vetëm në një seancë më parë të Kuvendit të Shqipërisë ku u rishikua buxheti. Do të vijmë prapë në Kuvend për një rishikim tjetër. Bënë një shkurtim shpenzimesh krejtësisht të pamjaftueshëm dhe të keqorientuar, gjë që do t’i detyrojë të rikthehen në Kuvend. Por, zvarritja në marrjen e masave dhe ngurrimi për të dhënë ilaçin e duhur, duke zbatuar recetën e duhur, jo vetëm që nuk ka gjasë ta nxjerrë ekonominë nga kriza, por vetëm e thellon sëmundjen që ka ekonomia jonë, duke e çuar drejt gjendjes së pashërueshmërisë. Pashërueshmëri do të thotë falimentim. Falimentim do të thotë një kosto e stër rritur, jo vetëm mbi të tashmen e familjeve shqiptare, por edhe mbi të ardhmen e tyre. Krejt e pamerituar dhe krejtësisht për shkak të paaftësisë dhe të babëzisë së atyre që qeverisin sot. Në projektimet afatmesme dhe me këto politika fiskale nënvizon FMN-ja,  deficit pritet mesatarisht 6% në vit dhe borxhi publik të shkojë drejt 70%. Ndërkohë që këshillohet që të jetë 50% deri në vitin 2013, por është shumë shumë larg. Ndërkohë, që të mos harrojmë që shifrave të cilave FMN-ja u referohet janë shifra jo reale, janë shifra të adaptuara politikisht brenda trekëndëshit Qeveria-Bankë e Shqipërisë-INSTAT. Sigurimet shoqërore vazhdojnë të paraqiten rrezikshëm shkruan raporti, me një prej humbje 2.5% të PBB. Një performancë tepër të keqe po të kemi parasysh një Shqipëri me një popullatë të re, pra që duhet konsideruar edhe ky aspekt. Kjo është një zonë e zezë në fakt që vlon. Vlon përbrenda dhe që herët ose vonë do të nxjerrë në sipërfaqe një tjetër plagë të rëndë të sëmundjes që ka mbërthyer ekonominë shqiptare për shkak të keqqeverisjes.

Keqqeverisje si pasojë e paaftësisë dhe e babëzisë fiziologjike. FMN këshillon zgjidhjen e menjëhershme të masave rregullatore mbi privatizimin e OSSH, sepse mund të aktivizohet pagesa garantuese e Bankës Botërore, gjë që nuk do të ishte aspak pozitive në shumë aspekte. Borxhi i Armo-s ndaj Albpetrolit kërcënon seriozisht privatizimin e këtij të fundit. Leku është zhvleftësuar me 14%, duke ulur ndjeshëm fuqinë blerëse të konsumatorëve. Ndërsa të dhënat e INSTAT-it konsiderohen të pamjaftueshme dhe të varfra. Fjalë shumë diplomatike. Ndërkohë, që të dhënat e INSTAT-it janë të manipuluara në mënyrë kriminale për ardhmërinë e ekonomisë së këtij vendi. Është njësoj si të manipulosh analizat e një të sëmuri duke e deformuar tërësisht diagnozën dhe duke e bërë jo vetëm të paefektshme, por edhe të kundërefektshme të gjithë terapinë. FMN-ja e sheh rimëkëmbjen e ekonomisë shumë më graduale, term diplomatik, se sa qeveria. Ajo do të ngadalësohet nga një kërkesë e ulët e ndikuar nga besimi shumë i dobësuar për shkak të përkeqësimeve fiskale, nga remitanca të ulëta, nga rënie kreditimi, dhe sigurisht edhe nga problemet politike. Këtu është rasti për ta rinënvizuar edhe njëherë.

E gënjen mendja Sali Berishën! E gënjen mendja këtë pushtet! Se do ta zvarrisë cështjen e krizës politike që kërkon zgjidhje duke e lënë pa zgjidhje. Dhe duke e lënë mendja e duke menduar se zgjidhja është te shtyrja  sa më shumë e transparencës. Kjo vetëm shton kostot e keqqeverisjes dhe padyshim dhe kostot politike të atyre që kanë zgjidhur njësoj si me ekonominë edhe me krizën politike recetën e gabuar. Konsolidimi fiskal mbetet prioriteti kryesor, ndërsa nevojat e thella të qeverisë për financim kërcënojnë jo vetëm shansin për të hyrë në tregjet financiare, por kërcënojnë stabilitetin makroekonomik në përgjithësi. Duke e mbyllur dua të them se në kuptimin më të thjeshtë të fjalës qeveria në fakt ka nënkontraktuar borxhin publik. Ka gjetur një zgjidhje origjinale si puna e piramidave për ta përballuar përgjegjësinë ndaj borxhit dhe detyrimet financiare që ka ndaj të tretëve. Borxhin afatmesëm ia  ka lënë në kurriz të gjitha sipërmarrjeve vendase që kanë kontrata me shtetin duke iu thënë “ mbajeni se unë s’kam lekë”. Borxhin afatgjatë ua ka lënë në kurriz të gjithë shqiptarëve, dhe në radhë të parë fëmijëve të këtij vendi. Ndonëse në dukje kjo ngjan si e qëndrueshme, në fakt ky është i njëjti kurs filozofikisht si ai i kursit që çoi në ndërtimin dhe pastaj rrënimin e piramidave financiare, kur qeveria e mbuloi papërgjegjshmërinë e plotë të saj me 1.4 mld dollarë nga kursimet e shqiptarëve, duke e bërë Shqipërinë të vetmin vend në botë ku fenomeni i piramidave u kthye në një fenomen kombëtar sundues në ekonominë e vendit dhe i bekuar nga qeveria. Në atë kohë shkrirja masive e ekonomisë vendase mori 40 % të saj. Ndërkohë, që sot jemi në kushtet  e kolapsit për shkak se strukturalisht po ezaurohet një model zhvillimi ekonomik, rritje ekstensive pa punësim, korrupsion i kudondodhur pa efektshmëri të shtetit. Sigurisht, një politikë ekonomike e ndjekur së fundi që bie ndesh edhe me vetë këtë model në aspektin e kornizës së tij.
Këto janë gjërat që dëshiroja të nënvizoja sot duke ju referuar raportit më të fundit të FMN-së. Që e përsëris, është një raport brenda një kornize të kuptueshme diplomatike, por që me fjalë të zgjedhura thotë në fakt të vërtetën e hidhur të një ekonomie në krizë të thellë. Njëkohësisht, jo të një recete jo thjesht të papërshtatshme por të kundër efektshme, të cilën ka zgjedhur ta aplikojë qeveria. Thjesht për të ndenjur në pushtet dhe për të gllabëruar çka mbetur për t’u gllabëruar me filozofinë “mbas meje le të bëhet qameti”.
 

Pyetje: Po zhvillohen negociatat mes Rucit dhe Patozit por duket se deri tani nuk ka asnjë rezultat. A mendoni se do të kenë një afat limit këto negociata? Keni një përgjigje personale për zotin Prifti, pasi qëndrimin e PS e kemi dëgjuar?

PS dhe unë si kryetar i saj nuk kemi akuza për të shkëmbyer. Ne kemi fakte kokëforta me të cilat përballim këtë keqqeverisje, ose më troç, këtë pushtet ordiner me publikun.
Për çështjen e hapur të krizës politike unë dua të them thjeshtë dhe qartë: receta e zgjedhur nga doktori përsa i takon transparencës duke zvarritur transparencën, është po aq e kundër efektshme sesa receta e zgjedhur për sëmundjen e ekonomisë që shkon duke u thelluar. Përgjegjësinë në të dyja rastet do ta mbajë doktori.
 

Pyetje: Jeni i gatshëm të bëni analizat sikundër ju ka shpallur sfidë zoti Prifti?

Unë kam shtatë ose më shumë vite që jap gjak rregullisht dhe sipas ligjit çdo dhurim gjaku për ata që kanë nevojë është nën monitorimin e  rreptë të strukturave të shtetit.

Kjo është një përgjigje për të kujtuar edhe njëherë domosdoshmërinë që të kontribuojmë të gjithë me dhurim gjaku për ata që janë në nevojë.

Pyetje: Ku do i gjeni paratë për reformën e PS kur të vijë në pushtet për sektorin e sigurimeve shëndetësore, shoqërore duke qenë se po flitet për një krizë që mund të ketë efekte për vite të tëra?
 

Ju kujtoj, kjo është për ju dhe për të gjithë ata që thanë po ndoshta e thonë prapë që ne nuk kishim program. Qysh në krye të vitit 2009 kur kemi shpallur alternativën tonë, kemi paralajmëruar rrezikun që e kërcënon ekonominë e këtij vendi në radhë të parë dhe shërbimet e shtetit në rradhë të dytë,përsëritja e mandatit për qeverinë e katër viteve të shkuara në atë kohë, pa parashikuar dhe kërcënimin për demokracinë, si rezultat i vjedhjes së zgjedhjeve.
Kemi dhënë alternativa të qarta, qoftë në aspektin e politikave ekonomike fiskale, qoftë në aspektin e politikave arsimore e shëndetësore. Të cilat duke u vënë në jetë në bazë të vullnetit të popullit të shprehur me votë në 28 qershor, do të mund të kishin parandaluar rrokullimën e mëtejshme dhe padyshim do të kishin vendosur bazën për të patur një tjetër perspektivë. Por, populli nuk u la të zgjedhë dhe ata që e sundojnë sot pikërisht sepse nuk e lanë të zgjedhë po e çojnë drejt rrokullimës. Kokëfortësisht, vazhdojnë të mos dëgjojnë zërin e  arsyes që nuk është thjesht zëri i opozitës, po është zëri i një logjike që i bashkon bashkë qëndrimet e opozitës, qëndrimet e vetë FMN dhe qëndrimet në tërësi ndaj fenomenit të kësaj krize në çdo nivel ekspertësh.

Pa asnjë dyshim sot situata është shumë më e rëndë. Sot masat duhet të jenë shumë të ndryshme nga ato që i kishim paraparë një vit më parë, por sot ne jemi më shumë se kurrë e vetmja alternativë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Jemi më shumë se kurrë të qartë dhe të vendosur për t’i marrë të gjitha masat adekuate dhe jemi shumë të vetëdijshëm se cilat janë në të gjitha drejtimet.

Më lejoni t’ju them vetëm dy fjalë për shkurtimin e bërë. Në asnjë moment nuk thamë se nuk duhej bërë shkurtim, por ama shkurtimi u bë në mënyrën më të keqe të mundshme dhe duke goditur përsëri ata më të pambrojturit, ata që jetojnë jashtë oborrit të pushtetit. U bë përsëri në mënyrë të pamjaftueshme, gjë që do të sjellë një tjetër shkurtim brenda këtij viti, me të tjera efekte shkatërruese për pjesën që jeton jashtë oborrit.

Pyetje: Do të bashkoni votat me LSI për ligjin e SHISH për ta bllokuar atë?

Ne nuk bashkojmë votat me askënd. Ne votojmë ashtu siç e shohim ne të arsyeshme në bazë të parimeve dhe vlerave që na bëjnë të quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë. Pastaj se kush janë të tjerët që mbajnë të njëjtin qëndrim, ky nuk është as problemi dhe as detyrimi ynë. Sigurisht, që jemi të kënaqur që ai projekt mizerabël që cënon interesat e vendit, që cënon interesat dhe partneritetin strategjik me NATO-n, cënon po njësoj interesat e partneritetit me SHBA, mori dje përgjigjen e merituar. Të cilën do ta marri edhe më të fortë në rast se kryeministri do të vazhdojë kokëfortësisht të këmbëngul, për arsye shumë të errëta për miratimin e atij projekti ogurzi jo thjesht për vendin, por edhe për marrëdhënien e vendit me NATO dhe SHBA.
Pyetje: Do të qëndroni në parlament për ta votuar kundër?

Ky është një projekt që tejkalon cakun e vendimit tonë politik. Në këtë projekt përfshihen interesa jo vetëm kombëtare, por edhe strategjike. Cënohen jo vetëm interesat e vendit, por edhe interesat e partnerëve tanë më të mëdhenj, e atyre që e morën Shqipërinë për dore dhe e futën në NATO. Të cilëve nuk ka burrë në këtë vend që të mund t’u përplasë derën, duke ju krijuar Shqipërisë dhe shqiptarëve një sherr për të cilin Shqipëria dhe shqiptarët jo vetëm që nuk janë të gatshëm, por për të cilin janë absolutisht të gatshëm të refuzojnë këdo që e provokon një sherr të tillë.

Pyetje: Por Topalli dje rikonfirmoi se do të kaloj sërish ky projektligj?

Siç tregoi edhe vazhdimi i seancës së djeshme, zonja Topalli është e çalë në qëndrimin e vet.

 


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy