Postuar më: 14/06/2010
Nënkryetari i Grupit parlamentar të PS, Saimir Tahiri ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme padinë penale ndaj kryeministrit Berisha. Gjatë komunikimit me median pas dorëzimit të padisë, nënkryetari i deputetëve të PS tha për mediat se në organet e hetimit janë disa padi ndaj kryeministrit për të cilat, PS si palë paditëse nuk ka njoftim se cfarë ka ndodhur me to. Shpresojmë, tha deputeti socialist Tahiri që të nisë sa më parë hetimi për dosjet të cilat tashmë janë në prokurori ndaj Berishës si një shkelës ripërsëritës i ligjeve të vendit.
Më poshtë prononcimi për mediat i deputetit të PS, Saimir Tahiri:
Kam ardhur këtu në emër të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, për të bërë një kallëzim penal ndaj shtetasit Sali Ramë Berisha, njëkohësisht Kryeministër i vendit për kanosje për shkak të detyrës dhe për fyerje për shkak të detyrës ndaj deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla në seancat e vitit 2008. Fatkeqësisht, ky nuk është kallëzimi i parë që Partia Socialiste bën ndaj kryeministrit të vendit Sali Berisha, por shpresojmë dhe kemi gjithë besimin që Prokuroria e Përgjithshme do të nisi hetimin penal me shpejtësi dhe me efikasitet duke kërkuar heqjen e imunitetit të z. Berisha dhe ndjekjen penale ndaj tij, duke qenë se edhe nuk është hera e parë që paraqesim padi ndaj tij, por është e disata herë. Kryeministri Berisha është një shkelës i përsëritur i ligjit dhe kërcënues përsëritës ndaj deputetëve të Partisë Socialiste, ndaj opozitës në tërësi. Shpresojmë që kjo padi të mos ketë fatin e padive të tjera, të mos mbetet në sirtarët e prokurorisë, por të nisi ndjekja penale me shpejtësi dhe me efikasitet.
Pyetje: Pse pritët dy vjet për të bërë një padi penale?
Jo nuk kemi pritur dy vjet. Ne ndërkohë kemi paraqitur pranë prokurorisë të gjitha ankesat tona ndaj kryeministrit të vendit. Gjithashtu vepra penale e konsumuar prej tij, pra kanosja dhe fyerja për shkak të detyrës, është një vepër penale të cilën prokuroria mund ta kishte filluar hetimin edhe vetë me iniciativën e saj, pa pritur për Partinë Socialiste të bënte këtë kallëzim. Gjithsesi ne kemi paraqitur shumë kallëzime penale ndaj kryeministri Berisha, të cilat deri më sot nuk kemi informacion dhe njoftim. Siç presim njoftim dhe informacion për ato kallëzime penale të paraqitura deri më sot nga Partia Socialiste, ashtu presim që edhe për këtë kallëzim ndjekja penale të fillojë pa humbur kohë.







