Postuar më: 07/01/2010
Partia Socialiste me anë të deputetes, Valentina Leskaj, gjatë një dalje para mediave, ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës Dritan Priftit si përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj katastrofe me të cilën po përballet vendi. “Në harkun kohor të dy javëve, u solli shqiptarëve dy ngjarje ogurzeza: rritjen e çmimit të energjisë dhe përmbytjet e ditëve të fundit.” –tha Leskaj, duke ripërsëritur apelin për banorët që të evakuohen.
Më poshtë deklarata e plotë:
Në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët, ne shprehim mbështetjen dhe solidaritetin tonë për të gjithë ato gra burra, fëmijë e të moshuar që janë të detyruar të lënë shtëpi e pasuri, të mbjella, bagëti e çdo gjë që kanë vënë me mund e djersë, për të shpëtuar jetën, por edhe me të gjithë ata shqiptarë të tjerë, që jetojnë pasigurinë e këtyre orëve dhe në të njëjtën kohë ankthin se situata mund të përkeqësohet nga momenti në moment.
Njëherësh ne u bëjmë thirrje atyre që ende nuk janë evakuuar, ta bëjnë sa më parë.
Jeta e tyre sot vlen më shumë se çdo gjë.
PS kërkon edhe njëherë marrjen e çdo mase në ruajtje të jetës së njerëzve dhe lehtësimin e pasojave të situatës tejet të rëndë në zonat e përmbytura, pasi orë pas ore rreziku shtohet.
Njëherësh Partia socialiste vlerëson, se shqiptarëve duhet t’u thuhet e vërteta e asaj që po ndodh sot në Veri të vendit.
Cilat janë arsyet që situata degradoi deri në këtë pikë?
Fatkeqësisht, të gjitha të dhënat, faktet dhe argumentet e specialistëve, tregojnë se situata ka degraduar në këtë pikë jo nga paaftësia e Ministrit dhe vartësve të tij, por si rezultat i një plani të mirëfilltë korruptiv;
Sipas një plani që kaskadat e hidrocentraleve të grumbullonin më shumë ujë nga sa e lejon kapaciteti i tyre, vetëm e vetëm që kjo qeveri të mund të eksportonte energji, për të tentuar mbylljen e pjesshme të gropës së zezë që ka krijuar në buxhet.
Tentativa për të shpëtuar qeverinë jo legjitime, rrezikoi zona të tëra të përmbytura, duke vënë në rrezik jetët e mijëra njerëzve e duke krijuar një kosto shumë të madhe për banorët e asaj zone dhe për gjithë ekonominë e vendit.
E vërteta tashmë ka dalë në shesh.
Përpos teatrit që Sali Berisha dhe oborri, po tentojnë të luajnë këto ditë, shqiptarët e kanë të qartë, se situata në të cilën ndodhemi dhe katastrofa që rrezikon mund të ishin shmangur nëse do ishte vepruar në kohë e me përgjegjësi dhe jo në shkelje të plotë të rregullores.
Partia Socialiste vlerëson se ato kanë një shkaktar, Ministrin e Ekonomisë dhe këtë qeveri pa legjitimitet.
Në këto kushte Partia Socialiste kërkon me vendosmëri, largimin e Dritan Priftit si Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, si përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj katastrofe, plotësisht e shmangshme.
Dritan Prifti duhet të largohet, që kjo tragjedi të tilla të mos përsëriten më.
Në harkun kohor të dy javëve, u solli shqiptarëve dy ngjarje ogurzeza: rritjen e çmimit të energjisë dhe përmbytjet e ditëve të fundit.
Njëherësh Partia Socialiste kërkon që prokuroria të nisë menjëherë hetimet për shkaktarët që me veprimet apo mos veprimet e tyre shkaktuan përmbytjen në zonat e Veriut.







