Postuar më: 07/01/2010
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka thirrur në një takim të përbashkët aleatët e majtë dhe të djathtë të enjten në pasditen e vonë. Në takimin e zhvilluar në ambientet e Hotel Tiranës u mblodhën së bashku në një tryezë, kreu i PSD Skënder Gjinushi, kreu i PBDNJ Vangjel Dule, kreu i PLD Spartak Ngjela, kreu i G99, Erion Veliaj dhe ish drejtuesi i LSI Ndre Legisi.
Pas takimit krerët e partive aleate u prononcuan për mediat:
Kreu i PLD, Spartak Ngjela: “ Nuk jemi përballë një fatkeqësie natyrore, sepse ka dyshime që rregullorja teknike nuk është zbatuar normalisht. Cilat janë arsyet, është një diskutim që do të vazhdoj. Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës, që urgjentisht të mbledhë dhe të krijoj një komision, për të parë ecurinë dhe dinamikën e respektimit të rregullores teknike, e cila ka të bëj me jetën e një numri shumë të madh qytetarësh. Sipas të dhënave që kemi, kjo rregullore është shkelur. Aspekti i dytë është që për faktin që nuk është vetëm fatkeqësi natyrore, por më tepër është një neglizhencë.
Dëmi i qytetarëve që është krijuar nga ky shkak duhet të riparohet nga qeveria 100 %. Ne solidarizohemi me fatkeqësinë dhe të gjitha kërkesat dhe me të gjitha ndihmat dhe me gjithçka që ka të bëj me shpëtimin e jetëve të njerëzve, që janë viktima të kësaj përmbytjeje dhe të mundohemi gjithsecili për të ulur koston e dëmit. Në këto momente jemi përballë kësaj situate. Që të ulim koston e dëmit, dëmit është shkaktuar, ne racionalisht duhet të ulim koston e dëmit dhe mbasi të mbaroj gjithçka, do të shohim përgjegjësit për dëmin e shkaktuar, është dëm me përmasa të mëdha. Menjëherë pas kësaj do të vijojmë protestat tona të e radhës, për hapjen e kutive.
Nuk kemi caktuar një datë, sepse vendi është në emergjencë. Do vijojmë me vrull protestat për votën e lirë sepse në rast se do ishin hapur kutitë, ju garantoj se nuk do të kishim nevojë sot të hapeshin portat.”
Kreu i g99 Erion Veliaj: “ S’ka shqiptar të madh e të vogël që nuk është në dijeni të situatës në verilindje të vendit. Përpara se të flisni ju, po ju përgjigjem unë. Nuk mund të kishte axhendë normale për hapjen e kutive. Ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e kutive, zoti Prifti hapi digat. Kështu që i gjithë fokusi i mbledhjes së sotme ishte për të sensibilizuar qytetarët shqiptarë që të solidarizohemi në këto momente. Ka shumë skeptikë e cinik që thonë se solidariteti është një koncept i majtë. Unë ju them këtyre cinikëve dhe skeptikëve, se kjo nuk është një koncept i majtë. Ky është akti i vetëm qytetar. Kemi sugjeruar dje skemën e kompensimit, duhet të kishte hyrë në fuqi sot. Zoti Berisha vazhdon të jetë rapsod, që flet për Afrikën, për mallkime, flet për zot, lumenj, liqene. Sot zoti Berisha duhet të shkonte me çekun në dorë çdo familje, sepse këta qytetar nuk kanë financat e mjaftueshme për të shtyrë këto vështirësi, është e pamundur që t’ju jepet garancia qytetarëve që të lënë shtëpitë e tyre. Sot ata i vjedhin duke qenë në shtëpi, imagjino të mos jenë në shtëpi. Kusht minimal në mbledhjen e qeverisë është aprovimi i fondit, për të krijuar besimin të qytetarët se paratë ekzistojnë për të kompensuar gjënë e gjallë apo çdo send. Jeta e njerëzve është para çdo sendi material. Unë ju them atyre njerëzve, me gjithë zemër, me gjithë shpirt, me sinqeritetin më të madh, se ky është momenti të largohen. Nesër do të ngrihet një shtab i opozitës pranë vendit të përmbytur, kryetari i opozitës dhe disa anëtarë të tjerë do të jenë aty për të çuar ndihma. Sot kemi parë gjithë qeverinë, e cila është një qeveri qokash, shkon vetëm pasi kanë mbaruar vakitë, por jo për të bërë detyrën e tyre si qeveritar. Nuk e ka bërë deputetja e zonës 15 vjet, nuk ka kaluar asnjë projektligj apo qoftë edhe një amendim me një qindarkë nga buxheti që të kompensoj apo parashikoj për raste të tilla. Ka ardhur koha, që nëse ky vend ka mbetur pa qeveri t’i provojmë ne se nuk ka mbetur pa opozitë. Nëse qeveria dështon dhe nuk merr përgjegjësitë e saj ne ju themi se këto përgjegjësi do t’i marrë opozita, duke filluar që nga nesër me dërgimin e ndihmave dhe ngritjen e një shtabi operacional. Kërkojmë gjithashtu që disa autoritete, si Prokuroria e Përgjithshme nuk duhet të rrijë, por të duket, sepse kjo ka vend më shumë se kurrë. Është koha që me të mbaruar kjo situatë zoti Dritan Prifti, zoti Sali Berisha, kushdo qofshin, të gjejnë vend ku të futen, jo nga dhuna e opozitës por nga ligji. Opozita është e shqetësuar sepse për interesa banale, prifti na provoi se për 10 ditë ishte në dijeni të shkeljes së rrezikut të jetës dhe i neglizhoi. Kjo që thashë, të gjejnë vend të futen nuk është kërcënim, por premtim, sepse me të mbaruar kjo situatë ata do të mbajnë përgjegjësi. Nuk mund të vazhdojmë më. Ajo rrugë drejt Shkodrës është autostrada e vdekjes. Nuk kemi sot asnjë interes Kuvend që të mblidhet për sigurinë e jetës. mblidhet kuvendi për të sharë opozitën me gra e fëmijë, por asnjëherë për të shpëtuar jetën e shqiptarëve. Unë them që ky është momenti për këtë ndryshim. Duke filluar nga nesër përgjegjësitë e opozitës do ti mbaj opozita.”
Kreu i PSD Skënder Gjinushi: “ Nuk është fatkeqësi natyrore, por paaftësi e papërgjegjshmëri të kësaj qeverie. Për pasojë opozita bashkohet dhe solidarizohet për kapërcimin e situatës. Është koha për solidaritet, bashkëpunim, dhe pas kalimit të emergjencës patjetër që është koha të dalin përgjegjësitë që kanë të bëjnë direkt për këtë qeveri aktuale, e cila duhet të largohet sa më parë. Strategjia e opozitës do të bëhet e njohur pas kapërcimit të situatës në të cilin ndodhet Shqipëria dhe veçanërisht veriu i Shqipërisë, ku dështimi i kësaj qeverie për mos organizimin e zgjedhjeve apo mos hapjen e kutive, solli hapjen e digave dhe hidrocentraleve, si pasojë e keqmenaxhimit të situatës.”
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule: “Në këto momente tepër të vështira jo vetëm për banorët atje, por për gjithë Shqipërinë, prioriteti i prioriteteve mbetet ai humanitar, shpëtimi i jetës njerëzore. Theksojmë nga ana jonë, ti bindemi nga e gjithë popullata e këtyre zonave ndaj zërit të specialistëve. Është momenti që të gjithë, çdo qytetar, aq më tepër ata që kanë mundësi, të solidarizohen me njerëzit në nevojë. Kontot e hapura bankare, duhet të jenë një motiv për të gjithë qytetarët të japin kontributin e tyre tepër të domosdoshme. Opozita krahas këtyre veprimeve, do të jetë këmbëngulëse për normalizimin e situatave, që të dal përgjegjësia e fundit dhe të ndëshkohet përgjegjësit për këtë situatë fatkeqësie civile.”







