img
Pitela: Transparencė e plotė e zgjedhjeve

Postuar më: 01/04/2010

Zv/Presidenti i Parlamentit Europian, Gianni Pitella ka zhvilluar mëngjesin e ditës së sotme një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas zhvillimit të takimit ata kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp. Përmes daljes së tij publike Pitella dha mesazhin e qartë për situatën politike në vend dhe theksoi se Parlamenti shqiptar duhet të lejojë transparencën e plotë të zgjedhjeve. " Më duket se askush nuk do të vejë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, por është vullneti dhe besoj kërkesa legjitime për të garantuar për të ardhmen zgjedhje transparente, të sigurta që tregojnë qartësisht se kush është fituesi i vërtetë", u shpreh Zv/Presidenti i Parlamentit Europian

Konferenca e përbashkët e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama me Zv. Presidentin e PE, Gianni Pitella

 

Rama:

 
Faleminderit që keni ardhur, pasi është një ditë e shënuar për ne, ku në shtëpinë tonë ka ardhur një mik i mirë dhe i shquar, si Xhani Pitela, Zëvendës President i Parlamentit Evropian dhe njëkohësisht edhe një njeri shumë i interesuar për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Me zotin Pitela, patëm një mëngjes shumë të pëlqyeshëm, qoftë në Bashkinë e Tiranës, qoftë këtu në Partinë Socialiste.

E falënderova për kontributin e tij të veçantë, personal për të nxitur procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë. Mora më shumë kënaqësi konfirmimin se jo vetëm ai personalisht, por i gjithë grupi i socialistëve dhe i demokratëve në Parlamentin Europian, do të vazhdojë intensivisht përpjekjet për të bërë të mundur që ky proces të finalizohet sa më parë, shpresa e të gjithëve dhe urimi ynë është që kjo të ndodhë përpara korrikut. Nga ana tjetër shkëmbyem pikëpamjet tona lidhur me krizën në Shqipëri, me faktin se kjo krizë është rënduar, në vend që të zgjidhej dhe pa dyshim edhe me shqetësimin e madh që kjo krizë po ndikon jashtëzakonisht në mbarëvajtjen jo vetëm të punëve të vendit, por edhe të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

E informova gjithashtu mikun tonë për gjendjen e rëndë ekonomike të vendit, për vështirësinë e madhe ku gjenden çdo ditë e më shumë familjet shqiptare, për humbjen e përditshme të vendeve të punës dhe për domosdoshmërinë e marrjes të një sërë masash agresive për të ndalur përshkallëzimin e krizës ekonomike dhe për të ndihmuar njerëzit në kushtet kur të gjesh një vend pune është bërë edhe më e vështirë se të gjeje një vizë në kohët më të vështira.

Duke e falënderuar zotin Pitela për vizitën e tij, për interesimin e tij, për shprehjen e gatishmërisë së tij lidhur me gjithë këto çështje si një mik që kërkon të ndihmojë vendin tonë dhe që në raport me çështjet e vendit nuk është absolutisht thjesht një përfaqësues i së majtës evropiane, por një përfaqësues i Europës së miqve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, po ja kaloj atij fjalën.

 

Pitela:

Faleminderit, faleminderit Edi Ramës, që është lideri i Partisë Socialiste në Shqipëri dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjithashtu mik dhe shok shumë i shtrenjtë për mua dhe për socialistët europiane. E falënderoj për mikpritjen, e falënderoj për impenjimin që po bën në Bashkimin Europian, për të çuar përpara dy tematikat e mëdha që janë në zemër të qytetarëve shqiptarë, temën e liberalizimit të vizave dhe temën e anëtarësimit në bashkimin evropian.

Unë pata në Shqipëri një vizitë zyrtare, në cilësinë e Zëvendës Presidentit të Parlamentit Europian dhe takova autoritet më të larta. Natyrisht, nga ana ime institucionale, mora detyrën për të çuar përpara dy procese shumë të rëndësishme, të cilat i shtruam që në fillim, siç është liberalizimi i vizave dhe integrimi dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Menjëherë pas festimeve të Pashkëve, kur të hapet Parlamenti Europian, do të takoj komisioneren e sektorit dhe zonjën e nderuar Cecilia Malstrom, të cilës do i shpreh nevojën për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave. Dua edhe të ndaj shqetësimet e shprehura nga Edi Rama rreth krizës ekonomike dhe sociale që mund të godasë edhe më ashpër Shqipërinë. Cikloni që plasi nga Amerika dhe që pushtoi më pas Europën, botën, ende nuk e ka shterur ngarkesën e tij toksike. Dhe do të ishte shumë sipërfaqësore të mendosh që efektet negative që solli, u kaluan. Për fat të keq nuk është kështu dhe duhet të përgatitemi për kohë të vështira krize ekonomike, krize financiare dhe krizë shoqërore. E gjithë kjo, procesi i integrimit në Bashkimin Europian, shqetësimi për krizën ekonomike sociale, nevoja për të liberalizuar vizat, të gjitha këto sugjerojnë qetësimin e klimës politike në Shqipëri.

Partia Socialiste nëpërmjet liderit të saj dhe nëpërmjet parlamentarëve të saj po kërkon afirmimin dhe shenjtërimin e një parimi të shenjtë, atë të transparencës.

Më duket se askush nuk do të vejë në diskutim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara, por është vullneti dhe besoj kërkesa legjitime për të garantuar për të ardhmen zgjedhje transparente, të sigurta që tregojnë qartësisht se kush është fituesi i vërtetë. Unë mendoj se një klasë politike inteligjente që shikon nga Europa dhe që ka përzemër interesin e komunitetit të vet duhet të dijë të gjejë një pikë ekuilibri mes kësaj nevojë për transparencë dhe nevojës për qetësim të përgjithshëm të klimës politike.

Ky ka qenë impenjimi im. Kjo do të jetë puna ime. Ky është mesazhi që kam dhënë në këto ditë shokëve të mi të partisë, por edhe autoriteteve të tjera që kam takuar, të cilëve dua t’u drejtoj një falënderim për mikpritjen që më kanë rezervuar. Faleminderit edhe një herë Edi.

 

 

Përgjigjet

 

Pitela:

-       Sigurisht, të gjitha masat që mund të japin një garanci për të ardhmen. E përsëris, kjo nuk ka të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara. Unë mbështes çdo masë që u thotë qytetarëve shqiptarë: Rrini të qetë, kur të votoni herën tjetër ju do të vendosni me qartësi fituesin e vërtetë dhe ky nuk është interes vetëm i socialistëve, është interes i të gjithëve.

 
-       Unë nuk kam shqiptuar kurrë fjalën bojkot. Kam thënë vetëm dhe përsërisë që në një situatë normaliteti beteja politike bëhet në parlament.

-       Unë vlerësoj pozitivisht faktin që Grupi Parlamentar Socialist u kthye në Parlament, bëri propozimet e tij për transparencën dhe uroj që nga kjo përplasje idesh të dy fronteve që po zhvillohet, mund të lindë një zgjidhje që përsëris duhet të garantojë transparencën maksimale në zgjedhjet e ardhshme.

 

Kur do të nisi protestat Partia Socialiste?

Rama:

Dua ta theksoj se qëndrimi ynë është i qartë, është transparent me opinionin publik, me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, ku kam parasysh jo vetëm miqtë dhe partnerët e të njëjtës familje politike, që janë përkrah nesh për transparencën e plotë që përfshin padyshim dhe hapjen e kutive, por kam parasysh edhe miqtë dhe partnerët institucional, por edhe kundërshtarin. Ne kemi qenë dhe jemi shumë të qartë, se nuk duam të ndryshojmë rezultatin e zgjedhjeve të shkuara, por ne nuk duam dhe nuk do të lejojmë që zgjedhjet e ardhshme të kenë të njëjtin fat me zgjedhjet e shkuara, me mekanizim e korrupsionit që përcakton fituesin dhe me vullnetin e popullit që deformohet deri në tjetërsim. Për këtë, ne i kemi ofruar Parlamentit një zgjidhje përmes një nisme ligjore të qartë, të mbështetur në Kushtetutë dhe në parimin evropian të transparencës, e nga ana tjetër kemi ftuar shqiptarët që të protestojnë, për ta garantuar këtë zgjidhje dhe për t’ia kthyer popullit të drejtën e plotë dhe të paprekshme të gjykimit të palëve në një proces elektoral. Protesta jonë ka filluar. Gjithë ky muaj do të jetë muaj protestash, që nuk do të vlerësohen nga numri i pjesëmarrësve, por nga përfshirja e qytetarëve në ngritjen e çështjeve jetike, që janë çështje të jetës së tyre të përditshme dhe që lidhen drejtpërdrejtë me atë që gjendet e kyçur në kutitë e votimit dhe në 30 prill. Ne do të bëjmë protestën e madhe qytetare, të të gjithë atyre që ndërkohë që gjatë muajit do të protestojnë aty ku jetojnë, aty ku banojnë, aty ku vuajnë degradimin e përditshëm të jetës demokratike dhe ekonomike, ku do të mblidhen në Tiranë, në një protestë e cila do të shprehë të gjithë dëshirën dhe njëkohësisht revoltën për një situatë politike dhe ekonomike në degradim, ku qeveria nuk mban thjeshtë mbyllur kutitë e votimit, por edhe rrugët e mirëqenies dhe ku shqiptarët jo thjesht kanë humbur shumë përkohësisht të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe për ta parë votën e tyre të numëruar ndershmërisht, por po humbasin përditë vend pune. Po humbasin përditë perspektivën ekonomike, familjare dhe shoqërore. Qëndrimi ynë është i palëkundur. Dua të falënderoj edhe një herë tjetër mikun tonë, që rikonfrimoi një mesash shumë të qartë të familjes evropiane, qoftë si mik dhe  partner në familjen socialiste, e cila e ka theksuar vijimësisht që hapja e kutive është një pjesë e patjetërsueshme një procesi transparence për të ardhmen, jo për të shkuarën, qoftë edhe si pjesë e Evropës institucionale që flet qartë përmes një mesazhi që kërkon transparencë, dhe zgjidhje të pranuara nga të dyja palët. Zgjidhja unilaterale e të premtes mbrëma në mbyllje të debatit, nuk i ka zgjidhur në fakt krizën, por e ka thelluar krizën e Parlamentit dhe të jetës institucionale të vendit, duke përshkallëzuar edhe krizën e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.


Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy