Postuar më: 25/07/2010
Ish repartin ushtarak 3030 në Kodër Kamëz, të cilin Bashkia e Tiranës e ka kërkuar për të ndërtuar një shkollë, Imami e ka futur në listën e objekteve për privatizim. Këtë shqetësim ka ngritur nënkryetari i PS, Eduard Shalsi, duke u shprehur se ndërsa i gjithë ky komunitet kërkon të shohë një shkollë në këtë vend dora e Imamit, me urdhër të Priftit, për llogari të Sali Berishës, kërkon ta shesë. Ky është pikërisht, theksoi Shalsi, një tjetër rast flagrant dhe hipokrizi nga ana e qeverisë, e cila nga njëra anë kërkon më shumë shkolla, nga ana tjetër nxjerr në shitje troje të destinuara për shkolla.
Prononcim për mediat i nënkryetarit të PS, Eduard Shalsi:
Tashmë përveç Priftit kërcen edhe Imami nga belaja, i cili alarmit për të hequr dorë nga privatizimi i fushës së Aviacionit, iu përgjigj me një gënjeshtër të madhe, duke paraqitur një vendim të Këshillit të Ministrave, që askush nuk po arrin ta gjejë, sepse nuk ekziston asnjë vendim i tillë.
Sot kemi ardhur në Kodër Kamëz, pikërisht në ish repartin ushtarak 3030, të cilin prej kohësh Bashkia Tiranës e ka kërkuar për të ndërtuar një shkollë. E ndërsa i gjithë ky komunitet kërkon të shohë një shkollë në këtë vend, dora e Imamit, me urdhër të Priftit, për llogari të Sali Berishës, kërkon ta shesë duke e nxjerrë në listën e objekteve për privatizim, siç e shikoni në këtë njoftim.
Shikoni çfarë hipokrizie, tjetër rast flagrant. Nga njëra anë kërkojnë më shumë shkolla, nga ana tjetër nxjerrin në shitje troje të destinuara për shkolla.
Ky është projekti - shkollë të standardeve evropiane.
Një tjetër thirrje këtyre qeveritarëve të uritur për të gllabëruar prona publike, të destinuara për parqe, lulishte, kopshte, çerdhe, shkolla. Hiqni dorë ose përndryshe do të përballeni me rezistencën tonë të vendosur dhe me rezistencën e këtyre komuniteteve. Ne do zhbëjmë çdo privatizim abuziv e korruptiv.







